Te falimentuar, por te pasur!!!

Të falimentuar, por të pasur!!

Si shpjegohet paradoksi: biznesmenë të dështuar, por njerëz të pasur?! Cilat janë mënyrat nëpërmjet të cilave është krijuar ky tip? Dhe si mund të veprohet që ai të vijë duke u rralluar e jo duke u masivizuar?!

 

Shpëtim Luku

 

Normalisht ata duhet të ishin njerëz fatkeqë, njerëz të dëshpëruar, të zhytur në halle të panumurta, njerëz që duhej ta vinin rrallë buzën në gaz prej së keqes që i ka gjetur. Duhet të ishin njerëz me lëvizje të kufizuara, njerëz të përndjekur nga ligji dhe institucionet përkatëse. Mirëpo, në të kundërt me këtë, ata janë persona të lumtur, plot gaz e hare, persona që shijojnë lumturinë e tyre, persona që demonstrojnë vetëkënaqësinë e tyre. Për faktin e thjeshte se, ndonëse aktvitetet me të cilat janë marrë kanë falimentuar, ata tashmë janë njerëz të pasur. Personi më domethënës dhe ilustruesi më i mirë i kësaj kategorie është Rezart Taci. Me tre kompani, në listën organeve tatimore prej 170 kompanish të falimentuara, ai sërish bëhet personazh nëpërmjet ekpit të Parmës në Itali. Një ekip Italian që ndodhet në vështirësi të mëdha financiare e Taci- sic thuhet e shkruhet ka blerë të drejtën për të investuar e menaxhuar atë.

Në realitetin e biznesit shqiptar personat që janë të falimentuar si biznesmenë, por që janë të pasur si individë janë të shumtë. Ata që i kanë mbyllur aktivitetet e tyre në saj të “falimentimit” janë më të dukshmit pasi ka edhe një kategori tjetër biznesmenësh, të cilët faktikisht janë të falimentuar nëse merr parasysh detyrimet që atyre iu duhet të përballojnë. Ndaj pa u zgjatur shumë të identikitin e këtij tipi biznesmeni, duhet thënë se tre janë mënyrat se si është krijuar njeriu që mishëron paradoksin: i falimentuar, por i pasur.

E para janë kreditë. Shumë nga këta persona rezultojnë me kredi të mëdha të marra në sistemin bankar. Nëse ky sistem kontabilizon sot rreth 1 miliard euro kredi të keqe, nga të cilat, mbi 300 milionë janë kredi pa shpresë kthimi, “personat e pasur, por të falimentuar” kanë një pjesë të madhe të tij. Nëse kemi thënë herë tjetër se në një farë mënyre kreditë e këqija janë në këtë nivel që janë, jo prej kalkulimeve të gabuara të bankës në tërësinë e saj, por si pasojë e funksionimit të trekëndëshit korruptiv: biznesmene-vlerësues pasurie-staf menaxhues i bankave, kjo do të thotë se ky tip biznesmeni ka qenë tejet aktiv në këtë veprimtari të dëmshme. Dhe kreditë e përfituara nga biznesmeni nëpërmjet pronave me vlerë të egzagjeruar nuk kanë bërë gjë tjetër vecse kanë fryrë llogaritë personale të tij. E gjithë kjo lloj marrëdhënie ka qenë e paramenduar. Në momentin e parë që ata do të ekspozoheshin përpara pamundësisë për të likujduar kredinë, bankat ishin të lira të vinin dorë mbi barrët hipotekore të tyre, vecse tashmë me vlerën që ia përcaktonte tregu e që afërmendsh është shumë herë më e ulët se sa kredia e akorduar.

Mënyra e dytë e krjimit të individit të pasur, por biznesmenit të falimentuar ka qenë mospagimi i detyrimeve fiskale. Ose e thënë ndryshe krijimi i borxheve tatimore e doganore. Në të gjitha rastet e deritanishme të falimentimit( flasim për subjekte me peshë) ka rezultuar se ata kanë arritur të akumulojnë detyrime të mëdha të papaguara kundrejt shtetit. Derisa ka ardhur një moment ku atyre më mirë iu ka leverdisur të mbyllin aktivitetin se sa të paguajnë atë detyrim të toleruar, sigurisht kundrejt korruptimit të atyre që e kanë lejuar. Ndaj, nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe asaj të Doganave për të bllokuar subjekte që rezultojnë debitorë karshi shtetit është një marrëveshje që duhet përshëndetur.

Mënyra e tretë, është krijimi i borxheve të mëdha tek të tretët. Një biznes realizohet nëpërmjet  një marrëdhënieje  me subjekte të tjera. Në Shqipëria ka egzistuar klima e mirëbesimit me hir apo pahir. Pra ka egzistuar kjo klimë edhe si rrjedhojë e cilësive individiale të drejtuesit të kompanisë, por edhe si pasojë e veshtirësive për treg të kompanive të ndryshme. Shembulli tipik janë kompanitë që funksionojnë në fushën e ndërtimit, ku pothuaj të gjitha ndërtimet realizohen nëpërmjet marrëdhënieve të tipit klering. Por ka edhe raste të shumta kur subjekte privatë kanë krijuar borxhe nga furnitorët e tyre publikë apo sic është rasti i një kommpanie ajrore të falimetuar, e cila krijuar borxhe të shumta nëpërmjet tarifave aeroportuale në një sërë aeroportesh të Italisë. Kur vjen koha kur “pilafi smban më ujë”, pra koha kur detyrimet duhen paguar sepse nuk lejohet më veprimtari e mëtejshme, atëhere veprimi i parë që i vjen ndërmend këtij tipi biznesmeni është që të deklarojë faliment të kompanisë. Por kjo sdo të thotë se ai tashmë është njeri i varfër. Fitimet klasike te siguruara nga aktiviteti i kompanisë përsa kohë spaguante detyrimet si dhe fitimet specifike nga mënyrat e lartpërmendura i kanë shndërruar tashmë ata në persona që fluturojnë në “qiellin e shtatë”. Që kjo kategori, të mos vijë duke u shtuar, por të rrallohet janë të nevojshme dy veprime. Së pari, respektimi me përpikmëri I ligjit të falimentit dhe moslejimi i detyrimeve të papaguara nga ana e shtetit dhe nga ana tjetër, lidhja e falimentit të subjektit me emrin e personit zotërues dhe të familjarëve të tij. Nuk po marrim shembull nga ndonjë vend i zhvilluar, por po shkojmë në Moldavi. Pra në një vend që për shqiptarët shërben gabimisht si shembull ngushëllimi i tipit: ka edhe më keq se ne. Në këtë ish-republikë ruse të falimentoje ishe një veprim me shumë pasoja sepse që nga casti i shpalljes së falimentit, pronari apo pronarët e kompanisë së falimentuar si dhe familjarët e tyre ishin në fokusin e institucioneve të ndryshme shtetërore për veprimet e mëtejshme të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *