Borxhi i lartë publik si dëshmi keqqeverisjesh

 

Edhe pse ka shkuar në kufijt maksimalë të ezaurimit, niveli  i borxhit publik stimulon një pyetje carmatosëse: cfarë problem është zgjidhur një herë e mirë për Shqipërinë dhe për shqiptarët?

Shpëtim Luku

 

Prej disa kohësh dinamika e borxhit public të Shqipërisë, niveli i lartë në të cilin ai ka arritur-qeveria e kaluar e dorëzoi detyrën me 63 për qind borxh ndaj PBB- ka qenë edhe lajm, por edhe objekt debati në Shqipëri? Duhet të ketë tavan apo jo për të, a është në nivele alarmante apo nuk ka arsye për tu shqetësuar?  A duhet vijuar akoma të merret borxh apo duhet të fillojë procesi i reduktimit të tij?

Këto e të tjera pyetje si këto kanë mbisunduar në debatin. Natyrisht me protagonist pro dhe kundër. Mirëpo ka qenë një debat i cekët, pa asnjë orvatje për të rrokur thelbin e problemit, që në të vërtetë përbën edhe arsyen kryesore pse të gjithë duhet të ndjehen të shqetësuar dhe të trishtuar. Nëse borxhi publik i Shqipërisë nga 40 për qind që duhet të ishte, sipas kalkulimit të specialistëve të huaj, ka shkuar në 72 për qind , atëhere një pyetje është e pashmangshme: cfarë problemi Shqipëria mund të krenohet se e ka zgjidhur njëhere e përgjithmonë?! Dhe që për qytetarët e thjeshtë do të përbënte një argument ngushëllues mbi bazën e të cilit ata do të thonin: “vërtetë do na takojë në të ardhmen të paguajmë fatura të kripura, por ama një apo dy problem i kemi zgjidhur e skemi më nevojë të përqëndrojmë fonde e investime”?!

Është zgjidhur problemi i infrastrukturës, që ka qënë edhe sektori që ka gllabëruar fontet më të mëdha? Realiteti në të cilën ndodhet ajo nuk ta lejon një pohim të tillë. Sepse, në Shqipëri nuk ka akoma asnjë aks rrugor që të jetë i përfunduar nga pika A në pikën B. Nuk mund të shkosh në mënyrë komode as në Gjirokastër e Sarandë, as në Korcë, as në Shkodër, as në Peshkopi, as në Berat e as në Vlorë sepse kudo do të dalin segment rrugorë ndërmjetës që ta kthejnë udhëtimin në një hall të madh. Mbi 3 miliarde euro janë adresuar në këtë sector, ndërkohë që sipas Ministrit të Transporteve dhe Infrastrukturës duhen të paktën edhe rreth 2 miliardë euro të tjera për ta sjellë infrastrukturën në parametra normal.

Është zgjidhur problem i energjisë elektrike? Sigurisht që jo sepse ky sector deri pak më parë ka mbarturt një problematikë tejet të madhe me kontributin e shumë aktorëve dhe faktorëve. Qytetarët kanë patur vazhdimisht probleme me energjinë elektrike, jo më tepër sa i takon furnizimit me të, por shpërndarjes së pabarabartë të faturave, ku korrekti paguan edhe për jokorrektin! Edhe pse vend me kushte tejet të përshtatëshme, Shqipëria vazhdon të jetë akoma vend me deficit energjitik, pa arritur të ndërtojë një vepër të rëndësishme energjitike përgjatë gjithë tranzicionit. Hidrocentrali i Ashtës dhe disa investime për rritjen e kapacitetit transmetues janë shumë pak, përpara problemeve për të konkluduar se sektori energjitik është pranë zgjidhjes së problemeve një herë e mirë. Vetëm me ndërmarrjen e një reforme të thellë të Qeverisë “Rama” në këtë sector duket se disa gjëra po vihen në vijë. Por kujdes. Vetëm tani ka filluar të investohet në infrastrukturën energjitike, si në rrjetin e shpënrdarjes, pas më shumë se 40 vitesh

A mund të thuhet se bujqësia e gëzon këtë status? Pra statusin e të përkëdhelurit me investime apo statusin e sektorin ku janë adresuar një pjesë e mirë e parave të marra borxh? Sërish realiteti sugjeron përgjigjen:jo. Sepse për situatën ku ndodhet bujqësia shqiptare mjaftojnë vetëm disa kronika televizive për pëmbytjet që përsëriten në mënyrë sistematike cdo vit për të kuptuar se ato që janë dëshmi i një bujqësie të përparuar, pra kanalet vaditëse dhe ato të kullimit si dhe hidrovoret janë në më të shumtën e rasteve ose të shkatërruar ose jashtë loje. Për pasojë, fermerit shqiptar do ti duhet edhe mjaft kohë të përballet me problem me të cilat ai duket i ambientuar tashmë, por kurrë smund të flasim për bujqësi në nivele të larta.

A mund ta themi këtë për turizmin? Pra, si rezultat i borxhit të shfrenuar, a është  dizejnuar turizmi në trajtë industrie, në mënyrë që ai më pas të kontribuojë në rritjen ekonomike të vendit, në përmirësimin e bilancit financiar? A mund të thuhet pra që turizmi shqiptar tashmë ka marrë formë dhe është gati të rikthejë investimet e realizuara në të? Unë personalisht mendoj se jo. Shqipëria akoma nuk ka as bazat fillestare për një turizëm cilësor, një turizëm që do të mund ti sigurojë ekonomisë shqiptare të ardhura shtesë. Madje, edhe pse duhet të ishte një prioritet, Shqipëria rezulton me “deficit turistik”. Me shume para dalin prej qytetarëve që preferojnë të pushojnë jashtë se sa atyre që vijnë nga jashtë për të pushuar në Shqipëri

Dhe kështu mund të vazhdonim arsyetimin edhe për fusha e sektorë të tjerë. Por sado që përpiqemi, sërish, nuk na vjen ndërmend asnjë “punë e mbaruar njëherë e mirë”. Cka do të thotë se borxhi i lartë publik, ezaurimi i tij deri në nivele kritike dhe kompromentuese për të ardhmen është thjesht një dëshmi, një ekspozim i keqqeverisjeve shqiptare. Pse jo, edhe denoncim i korrupsionit në nivele alarmante. Nëse do të shpreheshim në mënyrë figurative, mënyra se si qeveria e kaluar është sjellë me borxhin public i ngjan asaj të një kryefamiljari që ka marrë kredi bankare, por  që nuk ka arritur të zgjidhe nëpërmjet saj as problemin e punësimit, as problemin e strehimit, as problemin e shkollimit të fëmijëve të tij. Shkurt, i ka bërë paratë rrush e kumbulla-thotë populli për të tilla raste.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *