“Ti nuk mund te jesh edhe partneri, edhe konkurenti im”

Rreth konfliktit te interesit si nje refren i biznesit shqiptar

 

Nga Shpetim Luku

 

Kur biznesmeni  i mirenjohur G. J deklaroi emrin e tij si nje nga aksioneret e kompanisë se katert celulare PLUS, nje prej drejtuesve te nje kompanie tjeter celulare ne treg, me të cilin G.J kryente biznes ,organizoi nje takim ne te cilin i tha: kjo qe ben ti quhet konflikt interesi, pasi ti nuk mund te bashkepunosh me mua, nderkohe qe nga ana tjeter je konkurent me mua. Dhe keshtu perballe dilemes se zgjedhjes, në të cilin e vuri biznesmeni i huaj, te vazhdonte bashkepunimin me te duke i shitur produktet e kompanise se tij e te hiqte dore nga aksionet e kompanise se re celulare, apo te mbante aksionet e te mos bashkepunonte më me kompanine ekzistuese te telefonise celulare, G.J zgjodhi  alternativen e vazhdimit të bashkëpunimit. Ky është një nga ato rastet tipike që na bën të ndjeshëm rreth një fenomeni që është tashmë aq i përhapur, sa mund të quhet si një nga karakteristikat kryesore negative të biznesit shqiptar. Kemi dëgjuar të shkruhet e flitet për konflikt interesi në administratën publike, kemi dëgjuar të shkruhet e flitet për konflikt interesi të deputetëve apo qeveritarëve të ndryshëm, por nuk kemi dëgjuar asgjë për konfliktin e interesit në biznes si një aspekt i rëndësishëm i deformimit të realitetit. E pra, nëse konflikti i interesit në nivelet e ndryshme të administratës prodhon korrupsion, konflikti i interesit në biznes, përvecse një dukurie aspak etike, shoqërohet edhe me denatyrime të rëndësishme të tregut. Cfarë kuptimi ka për një pronar banke, që nga njëra anë kërkon klientë për të kredituar, fjala vjen një tregtar shitjesh makinash të reja, kur nga ana tjetër ai  është vetë operator i këtij tregu?! Cfarë sensi logjik ka që  një bankë e një pronari të mbështesë me kredi një kompani postare( bashkëpunim në këtë rast) ndërkohë që në krahun tjetër, pronari i bankës është edhe pronar i një kompanie tjetër postare në treg(konkuruese me kompaninë e kredituar). Është njësoj sikur një kompani karburantesh që ka një bashkëpunim të fuqishëm me një kompani ajrore të futet vetë në tregun ajror e të shpresojë të vazhdojë sërish bashkepunimin me kompaninë që tashmë konkuron, gjë që është logjikish e pamundur. Raste të tilla për të ilustruar konkluzionin e parashtruar më sipër ka me shumicë dhe mjafton vetëm një “eskursion” në pronësinë reale të kompanive të ndryshme për ta dalluar shkallën e përhapjes së fenomenit. Sot ka një numër biznesmenësh shqiptarë, të cilët kanë me dhjetra aktivitete, cka dëshmon se tashme monopoli nuk shfaqet më në trajtën e zotërimit të masës më të madhe të një tregu të caktuar, por me përqëndrimin e bizneseve në pak duar. Sot ka biznesmenë shqiptarë që merren edhe me karburante, edhe me ndërtime, edhe me sigurime, edhe me udhëtime, edhe me botime, edhe me televizione, edhe me posta, edhe me përpunim bulmeti etj etj. Ashtu sikurse nga ana tjetër, nuk mund të mohohet fakti se në realitetin shqiptar ka edhe mjaft biznesmenë modernë, të cilët kanë eksploruar një fushë të caktuar, pa devijuar kurrë prej saj, cka ka sjellë që këta biznesmenë të mbeten liderë të fushave të tyre, pavarësisht prej konkurencës që shtohet. Duke iu referuar konfliktit të interesit në biznes lind natyrshëm pyetja: një tablo e tillë, pra përqëndrimi i shumë bizneseve në duar të pak njerëzve ka ardhur si rrjedhojë e aftësive të vecanta konkuruese të këtyre  apo prej arsyeve të tjera? Përgjigja e kësaj pyetjeje duhet kërkuar tek mënyra se si ka funksionuar ekonomia dhe shoqëria shqiptare në përgjithësi. Deri para pak viteve evazioni fiscal në Shqipëri ka qenë një dukuri thuajse e panjohur si term, e jo më një fenomen i luftuar ligjerisht. Deri para pak kohësh qindra milionë euro kanë ndërruar në mënyrë sistematike destinacion nga buxheti i shtetit ne duart e privatit. E gjithë kjo para e fituar në mënyrë të padrejtë dhe që në shumicën e rasteve ka qenë në sasi më e madhe se sa paraja e fituar në mënyrë klasike e të ligjshme ka qenë e gatshme për tu investuar me lehtësi në sektorë të biznesit shqiptar. Aq më tepër që edhe vetë biznesi shqiptar ka qenë në procesin e tij të strukturimit. Duke qenë fryt i  parave të lira për tu investuar, mjaft prej biznesve shqiptare rezultojne të tilla si dëshmi i prepotencës së parave të fituara padrejtësisht. Mirëpo si ide biznesi të bazuara në imitim, ka pak shanse që ato të kënaqin egoizmin e pronarëve të tyre, ndaj vjen një ditë që suksesi nuk bazohet në ligjësi klasike, sikurse është aftësia e konkurimit të ndershëm. Vendin e klasikes e zë specifikja, pra konkurimi klientelist, duke siguruar mbeshtetje politike ose duke përdoruar metoda aspak etike në biznes. Kjo është edhe një prej arsyeve kryesore që shpjegon faktin paradoksal që nga njëra anë GDP-ja rritet, kurse punësimi zbret!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *