Eksporti si sfidë reale e biznesmenit shqiptar

 

Disa shembuj suksesi dhe “receta” që japin ato

 

Shpëtim Luku

Në Shqipëri, si rrjedhojë e polarizimit të skajshëm social ka një kategori njerëzish që kanë shuma kolosale parash. Këta janë edhe biznesmenë realë, por edhe investitorë potencialë. Edhe në këto caste që shkruajmë këto rrjeshta shumë prej tyre janë duke bërë plane biznesi, projekte. Sepse e tillë është dinamika e jetës.Mirëpo për shkak të ngurtësisë në të menduar dhe kokëfortësisë në të vepruar, shumë nga këto plane biznesi adresohen ne sektorë të tillë, të cilët janë të bombarduar me investime. Në rastin më të mirë të mundshëm, këta kandidat investitorë mund të sigurojnë sukses, por ama suksesi i tyre do të “varrosë” dikë tjetër të sektorit. Në këtë kuptim, këto lloj investimesh nuk kanë asnjë vlerë nga pikepamja zhvilluese e vendit. Psh, mund të ndërtosh një qendër shumë të bukur tregtare, por ajo nuk është e dobishme për vendin, kur kujton se edhe kaq sa ka janë mbi dyfishi i sipërfaqes që mund të suportojë ekonomia e brishte shqiptare.  Mund të ndërtosh zona rezidenciale nëpër asete turistike të vendit, por ata ka shumë rrezik të kthehen thjesht privatizim i këtyre aseteve. Si mund të veprohet atëhere? Si të bëjmë të mundur eleminimin e kontradiktës mes mundësive për të investuar dhe identifikimin e saktë të fushës ku të investohet, në mënyrë që edhe investimi të ketë vlerë për të gjithë vendin? Recetën më të mirë për këtë qëllim e japin disa sipërmarrje në vend, të cilat nga mënyra si kanë vepruar kanë ndërtuar një model që ia vlen të imitohet e të masivizohet. Dhe kur të arrijë kjo ditë atëhere ekonomia shqiptare do të jetë vërtetë një ekonomi e fortë dhe shoqëria do të ketë hyrë në rrugën e prosperitetit real. KA Trading psh është një kompani që për shumëkënd nuk thotë asgje. Dhe me të drejtë, pasi produktet e kësaj kompanie nuk janë për tregun shqiptar. Nuk bën reklamë produkti dhe ska pse të bëjë, përderisa nuk ka tregun shqiptar në focus. Por ama ajo është një nga sipërmarrjet shqiptare, e cila ka zgjidhur problemin themelor që ka cdo sipërmarrje vendase: tregun. Pampersat “Neë Babe” për fëmijët apo edhe ato për njerëzit e moshuar te kësaj kompanie  shkojnë anëkend në botë, deri në Indonezinë e largët. Nëse për të tjerët është problem shitja, KA Trading ka problem vetëm prodhimin, të cilin e ka akoma të limituar, pasi tregun e shitjeve e ka pa limit. Mënyra si ka vepruar themeluesi i saj është tërësisht e ndryshme nga biznesmenët e tjerë shqiptarë. Sepse nuk është filluar me llogari e plane biznesi mbi tregun e vogël shqiptar, por kompania është ideuar e tillë që të prodhojë një product për të cilën kërkesa është botërore. Dhe aktualisht, i gjithë volumi i punës së kompanisë është në të njëjtën kohë edhe eksport.

Një rast tjetër i vlefshëm në funksion të argumentimit të kësaj teze është kompania ELKA. Është një kompani e madhe dhe e njohur prej publikut, pasi të tillë e kanë bërë produktet e shumta që tregton kjo kompania për tregun shqiptar. Mirëpo duke i ditur limitet e tregut të vogël shqiptar, ELKA ka arritur që të depërtojë në tregjet e vështira të importit më “Belino”-n , brandin e njohur të saj. Duke e cuar atë deri në supermarketet e Britanisë. Të bindur se eksporti është mundësia e vetme e rritjes së mëtejshme, por njëkohësisht edhe sfidë e vështirë, sukses i merituar, në planet e afërta të kompanisë është ndërtimi i një fabrike në Rumani me qëllim kapjen e një tregu të madh sikurse janë Polonia, Cekia, Rumania, Ukraina etj. Edhe kuotat e eksportit të kësaj kompanie nuk janë modeste, por përbëjnë një përqindje të mirë në raport me totalin e veprimtarisë.

elka 2Kid-Alb është një tjetër protagonist i mirë në eksport. Edhe pse tregu i brendshëm i ndërtimit duket se po lëviz nga dhënia e lejeve për disa projekte, sërish pika e fortë e kësaj kompanie mbetet eksporti. Nëse merr raportin e shitjeve në vend me eksportin në vitin 2016, ai është gati 50:50 cka do të thotë se tregu rajonal i Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi është  “barka e Noes” për tullat e kësaj kompanie gjatë kësaj periudhe të vështirë për ndërtimin si sektor.

Edhe Alumil Albania është një tjetër kompani e dalluar në eksport, me rreth 40 për qind të totalit të veprimtarisë së saj ose rreth 1 miliardë lekë eksporte gjatë 2016.

Prova se mund të jetë konkuruese në eksport ka dhënë edhe kompania e prodhimit të vezëve AIBA. Mirëpo, për fat të keq dhe për arsye që nuk varen aq shumë prej saj, ajo është e lejuar të bëjë vetëm eksport të tipit B. Pra vetëm eksport vezësh për industrinë përpunese, kurse si product tavoline akoma jo. Megjithatë, kompania duket se e ka fuqinë konkuruese dhe është ideuar për një treg më të madh se sa tregu shqiptar.

Në panoramën e biznesit shqiptar ka edhe ndonjë kompani tjetër që është e ndërtuar për më shumë se sa tregu shqiptar, por gjithsesi, kompani të tilla numurohen me gishtat e dorës. Ndaj, nëse dikush është bërë gati të investojë miliona, le të heqë nga koka ide të tilla biznesi si Qendra Tregtare, komplekse banimi, karburante, hidrocentrale etj etj, por  të mendojë të ndërtoje ndonjë kompani, kërkesa për produktin e së cilës është e pakufizuar. Pra të prodhojë me cilësi të lartë e me cmime konkuruese.  Të bëjë një markë të caktuar ‘made in Albania” e me të të cajë “murin” e eksportit. Kjo është sfida reale e biznesmenit shqiptar, kjo është lavdia reale e tij, kjo është sprova e vërtetë e tij. Që sigurisht është një sfidë edhe e vështirë shumë.