Kush tha që privati menaxhon më mirë se shteti?!

 

Disa shembuj që tregojnë se nëse privatizimi bëhet mbi kritere korruptive, atëhere ndërmarrja publike e privatizuar del nga rrethi i ekonomisë formale dhe përfundon në keqmenaxhim dhe informalitet

Shpëtim Luku

 

Kush menaxhon më mirë: shteti apo private? Nëse kjo pyetje do të shtrohet thjesht në aspektin teorik dhe nga ajo cfarë ka treguar përvoja e vendeve të zhvilluara, atëhere shumë persona do ta konsiderojnë këtë pyetje shumë naive. Pasi përgjigja anon në mënyrë kategorike në favor të privatit. Madje mund të sillen shembuj dhe perifrazime të shumta nga ekonomistë të njohur botërorë që evidentojnë shkathtësinë dhe efikasitetin e privatit në menaxhim, krahasuar me stafin e publikes. Mirëpo, nëse këtë cështje e shtrojmë për diskutim nga ajo cfarë është vërejtur e konstatuar në realitetin shqiptar përgjatë këtyre viteve të shndërrimit të sistemit ekonomik, atëhere nuk mund të jemi fort të sigurtë që privati është më i suksesshëm se sa zyrtarët publikë në menaxhim. Dhe shembujt që do të servirim më poshtë nuk janë përzgjedhur me sforco nga ky realitet, por ato në vetëvete përfaqësojnë edhe skandale të mëdha të ndodhura.

OSHEE-ja publike shumë herë më e suksesshme se CEZ-i privat.

Në vitin 2008 u privatizua kompania publike e shpërndarjes së energjisë elektrike për 102 milionë euro për rreth 76 për qind të aksioneve. Nga ana e qeverisë së asaj kohe u konsiderua një sukses i madh. Mirëpo në të vërtetë suksesi nuk certifikohet me fjalë, por me tregues sinjifikativë. E vërteta është se treguesit që vërtetojnë përmirësimin apo përkeqësimin e veprimtarisë së një kompanie erdhën duke u rënduar

Në qershor 2009, kur kompania CEZ mori drejtimin e OSSH  niveli i humbjeve ishte 30.75%, ndërsa në gusht 2012, sipas raportimeve të paraqitura nga vetë shoqëria, niveli arriti në 45.51%. Ndërkohë që pas rikthimit në kompani publike humbjet kanë zbritur në afro 27-28 për qind. Edhe arkëtimet nga aktiviteti i kompanisë janë kater apo 5 fishuar krahasuar me kohën kur kompania ishte nën kujdestarinë e CEZ-it.  Në vitin 2016 OSHEE arkëtoi rreth 126 miliardë lekë, ndërkohë që në vitin e fundit kur ishte kompani private arkëtimi ishte në shifrën e vetëm 38.3 miliardë lekëve.  Po kështu edhe sa i takon investimeve. Sot gjendja paraqitet ku e ku më mirë se sa ishte kompania në kushtet e kompanisë private.  Pra me pak fjalë kompania shqiptare e shpërndarjes së energjisë elektrike ishte më mirë edhe përpara privatizimit të saj prej CEZ Cekia, por edhe pas rishtetëzimit të saj

.

ARMO, gjithashtu më mirë publike se sa private

Në vitin 2008, një nga kompanitë publike të rëndësishme të vendit, ARMO ndërroi pronësi duke i kaluar privatit kundrejt cmimit të 125 milionë eurove. Privatizimi u konsiderua i suksesshëm, ndoshta nisur më shumë nga vlera me të cilin u shit kompania. Ndërkohë që, blerësi nga ana tjetër kishte marrë angazhim për realizimin e dhjetra milionë euro investimeve, të konsideruara këto të domosdoshme për ARMO-n, e cila trashëgonte një teknologji të vjetëruar. Deri në castin e privatizimit, ARMO ishte një kompani publike, e cila zotëronte afro 25 për qind të tregut, siguronte një normë fitimi prej 10 për qind, ishte një punësese e rreth 1500 vetëve, si dhe ishte një ndër kontribuesit më të mëdhenj fiskalë për buxhetin e shtetit. Arrinte të ishte një amortizator i mirë cmimesh në treg, pasi edhe përqindja që kishte në treg ishte e konsiderueshme. Dikush mund të thotë se karburanti i saj nuk ishte i një cilësie të mirë dhe kjo është e vërtetë. Por askush nuk mund të thotë se cilësia e karburantit të saj ishte më e dobët se sa ajo që hedhin në treg privatët pasi ajo u privatizua. Procesi i privatizimit presupozohej që tia rriste cilësinë kompanisë, mirëpo duket se kjo pritshmëri nuk është realizuar. Kompania duket se ka probleme të shumta në marrëdhëniet kontraktore, ka probleme me pagat e punonjësve, tashmë të reduktuar në numur, aq sa edhe protestat për këtë qëllim janë bërë gjë e zakonshme, ka probleme edhe me shlyerjen e detyrimeve fiskale në shtet. Me falimentimin e privatizuesit të parë, ARMO kaloi në duar të tjerë menaxhuesish, por sërish u vazhdua me përkeqësimin e performancës së saj. Rroga të papaguara punonjësisht, detyrime dhjetra milionë eurosh karshi buxhetit të shtetit, mospagim detyrimesh për sigurime shoqërore, humbje sistematike nga njëri vit në tjetrin, kjo është panorama që shfaq ajo sot. Aq dramatik është ky realitet sa kur kujton performancën e ARMO-s publike ajo të duket lule sot. Jo mw kot deputeti Erion Brace bwri thirrje kohwt e fundit se e vetmja zgjidhje pwr ARMO-n wshtw rishtetwzimi i saj dhe menaxhimi me pwrgjegjshmwri.

AMC, ose kur monopoli i shtetit transferohej tek privati

 

Përgjatë 27 viteve tranzicion në Shqipëri, Albania Mobile Comunnication është kompania, ndoshta e vetmja, e themeluar me kapital tërësisht publik. Është pra një nga shembujt unikë në Shqipëri që vërteton tezën se edhe shteti di të bëjë biznes. E themeluar rreth viteve 1995-1996, AMC bëri disa investime të rëndësishme për mbulimin me sinjal, duke u shtrirë në qytetet kryesore. Pak kohë pas themelimit të kompanisë ajo regjistroi tregues të tillë, ku spikaste norma e fitimit në nivelet 65-70 për qind. Dhe me një fizionomi të tillë e gjeti edhe vendimi i qeverisë së asaj kohe për ta privatizuar. Në vitin 2000, AMC u privatizua duke kaluar nën pronësine e COSMOTE-së, për një cmim prej 85 milionë dollarë. Ose më saktë, ky cmim ishte për 85 për qind të aksioneve të kompanisë. Përtej debatit nëse duhej shitur apo jo, ajo cka bën më shumë përshtypje është cmimi i shitjes së kompanisë. Në atë kohë cmimi mund të jetë perceptuar si i lartë, nisur kjo edhe nga propaganda e qeverisë në atë kohë, mirëpo e vërteta është se duke qenë transferim monopoli, duke qenë transferim i një aktiviteti shumë bujar me norma shumë ta larta fitimi, cmimi i privatizimit ishte qesharak. Mjafton të kujtojmë faktin se e gjithë vlera e investimit të realizuar për zhvillimin e mëtejshëm të kompanisë është shlyer për një kohë rreth 2 vjecare dhe konkluzioni është mëse i përligjur. Në kushte monopol AMC funksionoi për 2 vite. Më pas iu desh të operoj në kushtet oligopol, pasi në treg u fut edhe një operator tjetër. Por që shumë pak gjë ndryshoi, pasi sërish cmimet mbetën të larta, e për rrjedhojë edhe normat e fitimit po ashtu.

Konkluzion

Është e vërtetë që menaxhimi i privatit është më efikas dhe fleksibel. Por kjo është e vërtetë kategorike në shtete të konsoliduara ku institucionet funksionojnë mirë. Kurse në shtete të korruptuara si Shqipëria nuk ka asnjë garanci që një kompani apo pronë publike pas ndërrimit të pronësisë do të ketë një menaxhim dhe realitet të përmirësuar. Kjo ndodh sepse privatizimi i bërë mbi kritere korruptive nuk ka patur për qëllim të gjeje kujdestarin më të mirë të kësaj prone, por si e si ta zhvasë këtë pronë. Për rrjedhojë këto kompani publike nga rrethi i ekonomisë formale kanë përfunduar në informalitet dhe keqmenaxhim

 

 

 

 

 

 

 

Recent Posts

SHPËTIM LUKU/ Leksioni i një eksportuesi
Qëkurse euro është zhvlerësuar karshi lekut, duke u stabilizuar në raportin ku 1 euro këmbehet me 100 deri 105 lekë, nuk kanë reshtur ankesat dhe kërkesat e eksportuesve shqiptarë. E kanë b...
February 1, 2024 Read More
Të jetosh përtej mundësive të tua!
Të jetosh përtej mundësive të tua! Vite më parë, kur u ndërtua kompleksi turistik "Laguna", në Malin e Robit, shitjet e apartamenteve apo ambienteve të tjera në të u bënë në kohë rek...
January 29, 2024 Read More
SHPETIM LUKU/Pse janë kaq të korruptueshëm doga
Shpëtim Luku Xiao Min ishte një biznesmen kinez, i cili merrej me biznesin e tregtimit të veshjeve tekstile në Shqipërideri para vitit 2010, përpara se të transferohej në Maqedoninë e Veri...
January 16, 2024 Read More
SHPETIM LUKU/ Propozimi i Sokol Krajës dhe mëkat
SHPETIM LUKU/ Propozimi i Sokol Krajës dhe mëkatet e biznesit Ditët, muaj dhe vitet kalojnë dhe problematika më të cilën haset biznesi shqiptar sa I takon fuqisë punëtore së vjen dhe bëh...
January 9, 2024 Read More
SHPETIM LUKU/ Ish-kulaku që u bë biznesmeni më
Mebiznesmenin korcar Luan Lartie kishim lënë të takoheshim tek një kompleks pallatesh në hyrje të Korcës, aty ku dikur ka qenë fabrika e trikotazhit. Është një kompleks, nga më të bukurit...
November 30, 2023 Read More
Kërcimi gjigand i Marin Gjonaj
Shpëtim Luku “Gjonaj Group” është një bashkësi kompanish, ku pērmenden disa kompani si Info-Telecom, Enertrade, Promarketing, Digicom, Probroker etj. Natyrisht, Info-Telekomi është ajo ...
October 23, 2023 Read More
Biznesmeni që nuk hap dot hotelin luksoz prej…
Shpëtim Luku Edhe pse ka ikur që i vogël nga vendlindja, sytë, mendja dhe zemra e tij i  mbeten gjithmonë atje. Edhe pse pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar larg saj,  ai ka qen...
October 17, 2023 Read More