Kurum rifiton shkëlqimin

 

Shpetim Luku

Rasti i kompanisë Kurum International është unik në realitetin e biznesit shqiptar. Jo më tepër sa i takon natyrës së aktivitetit në fushën e metalurgjisë, se sa ajo cfarë ngjau me këtë kompani, mënyra si u veprua dhe stadi ku ka arritur sot. Në  përceptimin e qytetarëve të zakonshëm, Kurum International mund të jetë një kompani e falimentuar. Sepse këtu mund të ketë mbetur “Ora” e tyre. Tek lajmet dhe buja që provokoi vendimi i para disa viteve i pronarit turk të Kurum-it për të shpallur falimentin. Ndonëse një veprim i tillë është mëse i zakonshëm në ekonomitë e vendeve të ndryshme, në Shqipëri falimentimi është baraz me dorëzim, është i barabartë me “vdekjen” e kompanisë apo një biznesi të caktuar. Kurse në rastin e Kurum-it, ish-drejtuesit turq patën arsye ekonomike dhe ligjore që e shpallën falimentin. Rruga që ndoqën ishte pikërisht ajo që parashikonte edhe ligji për kompani që ndodhen në situate të tilla, sikurse u ndodh Kurum-i. Patën gjithashtu edhe qëllimin për te ndryshuar formën e administrimit e menaxhimit të kompanisë, në mënyrë që asaj ti jepeshin shanset e ringjalljes. Kështu, ata shkuan në Gjykatë, ku parashtruan me transparencë, momentin e keq që po përjetonte kompania. Ndërkohë, Gjykata nga ana e saj, bëri veprimet që imponon procedura ligjore në të tilla situata dhe Kurum kaloi nën administrim të deleguar. Këtu fillon edhe ana më interesante e historisë. Brenda pak vitesh, nën këtë formë organizimi, Kurum filloi të përmirësojë performancën e tij, duke arritur jo vetëm nivelet më të mira, që nga viti 1998, vit kur edhe u themelua ajo, por të kapë castet kulmore. Pa asnjë lloj ngurimi mund të thuhet se viti 2018, ishte viti me performancën më të mirë të Kurum-it. Me një xhiro aktiviteti prej afro 30 miliardë lekë, Kompania ishte e 7-ta ndër kompanitë më të mëdha të Shqipërisë. Krahasuar me një vit më parë, regjistroi një rritje të ndjeshme të volumeve të prodhimit dhe shitjes së produkteve të saj. Jo vetëm nga ana sasiore, por edhe sa i takon rentabilitetit, përmirësimi ishte i ndjeshëm. Sepse për vitin 2018, Kurum regjistroi një fitim prej 1.3 miliardë lekësh, një fitim ky i paarritur më parë prej saj.

Edhe sa i takon këtij treguesi, kompania u rendit në “katet” e para të renditjes sipas fitimit, konkretisht në vendin e 18. I krahasuar me fitimin prej 320 milionë lekësh, arritur një vit më parë, duket qartë pra ndryshimi dhe përmirësimi në vitin 2018.

Si një kompani, e cila prodhon produkte, të cilat shfrytëzohen për sektorin e ndërtimit, atëhere është e kuptueshme se veprimtaria e tij duhet të ndikohej patjetër prej tkurrjes së ndërtimit. Kërksesa e brendshme konsumatore ka rënë. Por Kurum, si edhe disa kompani të tjera shqiptare e kanë celësin e përmirësimit të performancës së tyre tek eksporti.

Këtu ka buruar fuqia e Kurum-it, këtu është edhe bazamenti i veprimtarisë së tij. Sepse po të ishte vetëm për tregun shqiptar, Kurum duhet të punonte me 20-30 për qind të kapacitetit të tij. Mirëpo sasi shumë të mëdha të prodhimeve të tij janë destinuar në eksport. Me rreth 20 miliardë lekë eksporte gjatë vitit 2018, Kurum ishte eksportuesi numur 2, pas kompanisë koncensionare të naftës, Bankers Petroleum. Sasitë e eksportit janë rritur ndjeshëm edhe krahasuar me një vit më parë, cka do të thotë se kjo është pika më e fortë e saj. Kjo mund të ketë ardhur mbase edhe nga përmirësimi i konjukturave ndërkombëtare të produkteve të hekurit, por e rëndësishme është pra, që Kurum International ka patur një vit shumë të mirë.

Po kështu, Kurum jo vetëm që ka rikthyer në punë pjesën më të madhe të punonjësve të saj, rreth 500 vetë, por edhe e rriti në 522, vitin 2018, gjë që tregon se përmirësimi i veprimtarisë së saj, po sjell edhe forcimin e impaktit social të saj. Vjet thamë se nëse ajo arrin të përformojë edhe në vitet në vazhdim në këto nivele, atëhere nga ana e drejtuesve aktualë të kompanisë është përllogaritur që në një hark kohor prej 7 vitesh të gjitha detyrimet do të jenë përmbyllur. Kjo bëhet akoma më e sigurtë, po qe se përmirësimi i veprimtarisë së Kurum nga njëri vit në tjetrin bëhet me këto ritme. Nëse deri tani mund të thuhet se Kurum është i “falimentuari” i ringjallur, shumë shpejt ai do përcaktohet si i “falimentuari”, i shëruar plotësisht. Sepse ai ka rifituar shkëlqimin e dikurshëm