Ilir Xhani, kur suksesi ne Shqiperi “parafabrikohet” ne Itali

 

Shpetim Luku

Cdo njeri e ka të pashmangshme që në një periudhë të caktuar kohe, të kthejë kokën pas për të shikuar dhe analizuar rrugën që ka përshkuar. Në varësi të rezultatit e konkluzionit lindin edhe ndjesitë përkatëse. Dy vëllezërit biznesmenë, Ilir dhe Muharrem Xhani, ortakë dhe bashkëdrejtues të kompanisë së prodhimeve parafabrikat I.XH.E.M sigurisht që nuk mund të bëjnë përjashtim nga kjo “ligjësi”. Por ata duhet të ndjehen të realizuar e të kënaqur për të paktën dy vendime të rëndësishme që kanë marrë në jetën e tyre. Janë nga ato vendime që kanë një impakt të madh, janë nga ato vendime që kanë trajtën e një investimi në jetën e njeriut. I pari lidhet me vitin 1991, vit kur Ilir Xhani vendosi të lerë Durrësin, për tu zhvendosur në Itali, kurse i vëllai do ti bashkohej disa vite më vonë. Zhvendosja në një vend të ri , ballafaqimi me një kulturë të re, me një sistem të ri ekonomik e me rregulla  të reja i dha mundësinë Ilir Xhanit që të marrë “leksionet” e duhura në jetë për mënyrën si duhet kërkuar suksesi, si duhet projektuar e realizuar ai. Sepse i riu ambicioz nuk mund të pajtohej thjesht me jetën rutinore të një emigranti, por kërkonte të ndërtonte perspektiva të reja. Dhe atë ndryshim të rëndësishëm, atë metamorfozë të dëshiruar nga shumëkush, por  të arritshme nga pakkush, ai e bëri realitet. U transformua nga punëtor në impreditor në industrinë e prodhimeve të elementëve parafabrikat të vlefshme për ndërtimin e kapanoneve industrialë në Itali. Dhe jo një biznesmen dosido, por në një biznesmen, që thuajse cdo vit listohej tek më të mirët e rajonit ku jetonte e ushtronte aktivitet. Një biznesmen i njohur e i respektuar i zonës. Një biznesmen i vlerësuar e i admiruar si një person korrekt, serioz dhe i suksesshëm. Me “rutinën” e suksesit vëllezërit Xhani vazhduan deri nga viti 2008, vit kur ekonomia italiane filloi të japë sinjalet e para se jo gjithcka shkon apo do të shkojë mire në të ardhmen. Ishte pra koha e meditimit dhe analizës rreth situatës dhe nevojës për marrjen e një vendimi tjetër të rëndësishëm. Mirëpo këtë herë edhe më të vështirë sepse tashmë alternativat nuk ishin dy, por tre. Mund të vazhdohej të rrihej në Itali e të përballeshin me problemet, që sikurse e tregoi më pas koha, do të ishin të shumta. Mund të transferoheshin si sipërmarrës në Rumani, kundrejt një granti prej 3 milion eurosh që vëllezërve Xhani iu akordohej si sipërmarrës të suksesshëm në Itali, me kusht që këtë grant ta investonin pra në Rumani ose Bullgari si dy vendet më të prapambetura të BE-së. Por pse jo, mund të ktheheshin e të kontribuonin për vendin e tyre. Përfundimisht të dy vëllezërit preferuan të kthehen në Shqipëri në vitin 2008, por tashmë të “armatosur” me ide, me eksperiencë profesionale, me eksperiencë biznesi, me besim në vetëvete, me qartësi mendimi. Dhe nuk vonuan dhe themeluan dy kompani: kompaninë e prodhimit të elementëve parafabrikat IXHEM dhe IXHEM Projekt. Ngritën një fabrikë model, kundrejt një investimi të rëndësishëm prej mbi 5 milione eurosh, e pajisën me teknologjinë bashkëkohore italiane dhe filluan ti ofrojnë tregut shqiptar një gamë të gjërë produktesh shumë serioze e cilësore. Shumëkujt mund ti ketë bërë përshtypje një tendencë e qartë për të përdorur sisteme pafabrikat në objekte prodhimi e shërbimi, në qendra tregtare, në objekte magazinimi apo edhe objekte banimi e mure rrethues.  Janë ndërtime shumë estetike, por njëkohësisht edhe me shumë avantazhe karshi ndërtimit në forma të tjera. Janë të leverdisshme në kosto, projekti përfundon në një kohë të shkurtër, nuk ka impakt negative mjedisor, lejon riparime etj. Dhe merita kryesore, pse këto ndërtime kaq cilësore për përhapen në mënyrë massive, duke krijuar tashmë trend, i përket kompanisë IXHEM. Kësaj kompanie, e cila edhe pse është themeluar në vitin 2008, praktikisht punë ka filluar disa vite më vonë, duke marrë statusin e liderit të këtij tregu. Sepse IXHEM nuk bën vetëm zbatim projektesh, por edhe harton ato, në varësi të kërkesës së klientit. Janë mbi 100 mijë metra katror objekte të ndërtuar me sistemet parafabrikat të IXHEM-it, përgjatë viteve që ajo ka ushtruar aktivitetin e saj, ku disa prej tyre mund të përmendim: objektet e tregtimit dhe servisit të makinave të Volvos, Mektrin, Renault Truck, Fital, Endi sh.p.k, IMI Farma, Medicamenta, Salillari etj. Veprimtaria e IXHEM ka ardhur gjithnjë në rritje dhe këtë e tregojnë më së miri edhe dy statistikat bazë që evidentojnë performancën e saj gjatë vitit 2018. Gjatë këtij viti, kompania regjistroi një volum aktiviteti në masën e 1.125 milionë lekë dhe një fitim para tatimit prej 308 milionë lekë. Krahasuar me një vit më parë, kur kompania regjistroi një xhiro prej rreth 450 milion lekë,  rritja është impresionuese. Është një ritëm rritjeje që nuk e ka ndoshta asnjë kompani tjetër me natyrë prodhuese sikurse është IXHEM. Po kështu, i përmirësuar mjaft është edhe fitimi.

Po bëhen disa vite që vëllezërit durrsakë Xhani kontribuojnë nëpërmjet biznesit të tyre edhe në zhvillimin e përgjithshëm. Ndonëse janë vite ku janë përballur edhe me vështirësi përgjatë ushtrimit të aktivitetit, asnjëherë nuk janë ndjerë të dyzuar mbi saktësinë e vendimit që morën për tu kthyer ne vëndin e tyre. Por  vlerësojnë me realizëm të tashmen, shohin me optimizëm të ardhmen, identifikojnë perspektiva të reja, gjithnjë e më të mira për kompanitë e tyre. Dhe koha do të vazhdojë tu japë të drejtë, pasi njerëzit e zotë, korrektë e komunikues të mirë, janë të “dënuar” të shoqërohen nga suksesi në vazhdimësi.