SHPETIM LUKU/ Siguruesit, Bonus jo, Malus po!

 

Në fillim të këtij muaji hyri në fuqi ligji për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Ligji përmban disa risi të rëndësishme, mes të cilave edhe mundësinë e përdorimit të sistemit bonus-malus nga shoqëritë e sigurimit. Por nuk ka karakter detyrues për këto kompani, të cilat nëse do të dëshironin mund ta zbatonin sistemin bonus-malus edhe përpara këtij ligji. Pavarësisht se specialistët e fushës e ngrejnë në qiell këtë zhvillim, duket se në kushtet ku ndodhet tregu i sigurimeve në Shqipëri mungon vullneti prej kompanive për ta zbatuar atë. Ndonëse ajo është një pritshmëri e konsumatorit, pse jo, edhe një premtim i kompanive të sigurimit, të cilët jo pak herë i janë referuar këtij sistemi si një ndryshim i madh që do ndodhë.

Pavarësisht se disa mund ta konsiderojnë paragjykim  këtë që po them, janë disa arsye mbi të cilat mbështetet parashikimi im. Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka vite që është “ngrirë”. Së pari sa i takon numrit të kompanive që operojnë në treg. Zyrtarisht janë 8 kompani që ushtrojnë aktivitetin në këtë sektor, por duke llogaritur që Eurosig dhe Insig kanë të njëjtin pronar, e po kështu edhe SIGMA dhe Interalbania janë pronë e Vienna Insurance Group, duket se numri real i kompanive është vetëm 6. Në një kohë që në Kosovë, që është një treg, pak më i vogël se Shqipëria, tregu i sigurimeve ka 15 kompani.

Së dyti, kompanitë shqiptarë e kanë likujduar mes vetes konkurëncën përsa i takon sigurimit të detyrueshëm, që është edhe krijuesi kryesor i buxhetit të kompanive siguruese. Prej disa vitesh kompanitë kanë caktuar dhe janë pajtuar me një hierarki të caktuar sa i takon këtij lloj sigurimi. Kjo hierarki është caktuar me qëllim që të eleminohet dukuria negative e shitjes së policave të sigurimit me cmime qesharake, sikundër ndodhte përpara  se të bëhej “marrëveshja”. Një policë sigurimi e asaj kohe arriti të shitej në cmime që nuk përballonin dot as shpenzimet operative të kompanive. Për pagim dëmesh as që bëhej fjalë, ndaj disa kompani ekspozoheshin qartë nëpërmjet këtij treguesi si subjekte që thjesht shisnin letra dhe aspak premtim dëmshpërblimi, sikurse është funksioni themelor i një kompanie sigurimi.

Duke përcaktuar në mënyrë konsensuale një tarifë police të sigurimit të detyrueshëm-18 mijë lekë- si dhe duke u pajtuar gjithsecila kompani me atë pjesë të tregut kur u bë ky përcaktim, situata duket se ka ndryshuar disi për mirë, por jo ashtu sikurse duhet. Dhe arsyeja se pse sërish tregu i sigurimeve nuk është ashtu sikurse duhet lidhet sërish me nivelin se ku ndodhet polica e sigurimit. “Shqiptarët me cmime të policave të sigurimit si në Afrikë duan dëmshpërblime si në Europë”-thotë Avni Ponari, drejtuesi i kompanisë SIGAL UNICA Group Austria dhe një prej personazheve më aktiv nga bota e sigurimeve. Vetë SIGAL, ka pak vite që e zbaton një lloj sistemi bonus-malus, duke i bashkangjitur policës së sigurimit të mjetit motorik edhe një policë sigurimi minikasko. Dhe që vetëm për 6-mujorin e parë të vitit 2021 i ka kushtuar kësaj kompanie rreth 400 milionë lekë nga dëmshpërblimet e përfituara nga ky lloj sigurimi.

Shkaku kryesor është pra niveli aktual i tarifës së policës së sigurimit motorrik, e pas tij edhe rehatia ku kanë rënë prej vitesh kompanitë e sigurimit.

E pse duhet të bëjnë një ndryshim të rëndësishëm, sikurse është sistemi Bonus-Malus, ndërkohë që Kosova psh e zbaton atë?!

E pse duhet ti hyjnë andrallave disa prej kompanive të sigurimit, të cilat raportin mes sigurimeve të detyrueshme dhe atyre vullnetare e kanë dukshëm në favor të të parit, ndërkohë që duket se janë në rregull me llogaritë aktuale?

E pse duhet të riskojnë disa kompani sigurimi, kur pjesa më e madhe e buxhetit të tregut të sigurimeve krijohet nga sigurimet e detyrueshme?! Nga 8.1 miliardë lekë që ishte tregu deri në fund të muajit qershor, 5.6 miliardë lekë janë krijuar nga sigurimi i detyrueshëm i mjeteve motorike.

E mira më e madhe e tyre do të ishte sikur sistemin Bonus-Malus ta zbatonin në formën Bonus jo, Malus po.

Recent Posts

SHPËTIM LUKU/ Leksioni i një eksportuesi
Qëkurse euro është zhvlerësuar karshi lekut, duke u stabilizuar në raportin ku 1 euro këmbehet me 100 deri 105 lekë, nuk kanë reshtur ankesat dhe kërkesat e eksportuesve shqiptarë. E kanë b...
February 1, 2024 Read More
Të jetosh përtej mundësive të tua!
Të jetosh përtej mundësive të tua! Vite më parë, kur u ndërtua kompleksi turistik "Laguna", në Malin e Robit, shitjet e apartamenteve apo ambienteve të tjera në të u bënë në kohë rek...
January 29, 2024 Read More
SHPETIM LUKU/Pse janë kaq të korruptueshëm doga
Shpëtim Luku Xiao Min ishte një biznesmen kinez, i cili merrej me biznesin e tregtimit të veshjeve tekstile në Shqipërideri para vitit 2010, përpara se të transferohej në Maqedoninë e Veri...
January 16, 2024 Read More
SHPETIM LUKU/ Propozimi i Sokol Krajës dhe mëkat
SHPETIM LUKU/ Propozimi i Sokol Krajës dhe mëkatet e biznesit Ditët, muaj dhe vitet kalojnë dhe problematika më të cilën haset biznesi shqiptar sa I takon fuqisë punëtore së vjen dhe bëh...
January 9, 2024 Read More
SHPETIM LUKU/ Ish-kulaku që u bë biznesmeni më
Mebiznesmenin korcar Luan Lartie kishim lënë të takoheshim tek një kompleks pallatesh në hyrje të Korcës, aty ku dikur ka qenë fabrika e trikotazhit. Është një kompleks, nga më të bukurit...
November 30, 2023 Read More
Kërcimi gjigand i Marin Gjonaj
Shpëtim Luku “Gjonaj Group” është një bashkësi kompanish, ku pērmenden disa kompani si Info-Telecom, Enertrade, Promarketing, Digicom, Probroker etj. Natyrisht, Info-Telekomi është ajo ...
October 23, 2023 Read More
Biznesmeni që nuk hap dot hotelin luksoz prej…
Shpëtim Luku Edhe pse ka ikur që i vogël nga vendlindja, sytë, mendja dhe zemra e tij i  mbeten gjithmonë atje. Edhe pse pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar larg saj,  ai ka qen...
October 17, 2023 Read More