Kikët, biznesmenë seriozë e humanë

 

 

Nëse do të shtronim një pyetje rreth sektorit të biznesit që ka numrin më të madh të kompanive që operojnë në të, gjithkush do të përgjigjej në favor të sektorit të ndërtimit. Pasi, masivizimi i këtij sektori nuk është vetëm një perceptim i përhapur publik, por edhe një realitet. Numri i kompanive të ndërtimit në vend mund të kapë edhe shifrën e mijërave. Ndërtimi është konsideruar terreni më i lehtë dhe më i përshtatshëm për të bërë biznes nga shumë e shumë vetë, por koha ka seleksionuar dhe ka lënë në lojë seriozët. Ata që në sajë të korrektesës, seriozitetit, transparencës, partneritetit me blerësin, kujdesin për klientin dhe qytetin kanë ndërtuar reputacionin e duhur për kompaninë e tyre. Ndonëse, ndërtimi është shndërruar tashmë në një sektor ku kanë hy shumë biznesmenë e kompani anonime e të dyshimta, që e kanë rritur më tej konkurencën e pandershme në këtë sektor.  Megjithatë, pa më të voglin dyshim, kompania  KIKA bën pjesë në kategorinë e kompanive të shquara të ndërtimit, në kategorinë e më të mirëve të këtij sektori. Nuk është tek ndër më të mëdhatë, pasi të jesh tek më të mëdhenjtë kërkohen edhe disa kushte të tjera specifike, kërkohet të punosh me fonde publike apo me status preferencial të siguruar. Por duke ndjekur filozofinë e hershme të saj, një filozofi që është bazuar në zhvillimin kryesisht të trojeve të familjes,  të kthyera nga konfiskimi i sistemit të dikurshëm, ia ka arritur të bëhet edhe kompani e madhe. Sidomos, në dy vitet e fundit, konkretisht në vitin 2019 dhe në vitin 2020, KIKA e ka rritur ndjeshëm aktivitetin e saj, duke e cuar atë në nivelin e afro 15 milionë eurove.

Edhe treguesi i fitimit, që është i rëndësishëm në gjykimin e ecurisë së biznesit të një kompanie paraqitet në nivele të mira. Me rreth 1.3 milionë euro fitim të siguruar gjatë vitit 2020, KIKA renditet në vendin e 191 ndër kompanitë më të suksesshme shqiptare.

Prej disa vitesh energjitë e kompanisë janë fokusuar në zhvillimin e kompleksit KIKA 2, në fillim të lagjes “Komuna e Parisit”. Është një kompleks me mbi 600 apartamente, me njësi tregtare e me zyra, pra një kompleks jo vetëm banimi, por edhe pune. Pasi shumë institucione e kompani kanë preferuar të zhvendosen aty, për të zhvilluar aktivitetin e tyre. KIKA 2 është një kompleks me koeficent shfrytëzimi 38 për qind, cka nënkupton shumë sipërfaqe të përbashkëta, shumë hapësira të gjelbërta e clodhese, shkurt një mjedis ideal për të jetuar e punuar. Përvec kësaj, kompania është aktive edhe në drejtim të administrimit, cka rrit sërish nivelit e jetesës së përbashkët në kompleks.

Interesant është fakti që drejtuesit e kompanisë KIKA e nisin punën në zbatim të planeve e projekteve të tyre pa presionin e zakonshëm që kanë ndërtuesit në situata të tilla, presione këto që lidhen me shitjen e apartamenteve. Pasi historia e biznesit të tyre i ka mësuar ata që asnjë apartament nuk iu mbetet pa shitur. Dhe kjo e ka një përgjigje. E ka një shpjegim. Gjatë gjithë veprimtarisë së tyre, drejtuesit e kompanisë KIKA, Avenir Kika dhe Sokol Kika kanë patur si objektiv kryesor rritjen e nivelit të jetueshmërisë në objektet që kanë ndërtuar, ndërtojnë e do të ndërtojnë.  Të gjitha projektet janë shquar në këtë drejtim. Në të gjitha projektet e tyre familja shqiptare që ka nevojë për strehim gjen zgjidhjen përfundimtare të strehimit të konsoliduar. Pikërisht në funksion të rritjes së nivelit të jetueshmërisë, kompania KIKA ka përqafuar e para idenë e komplekseve, ide kjo që më pas është ndjekur edhe nga kompani të tjera.

Por Kikët janë ndërkohë edhe humanistë, si pak kush në biznesin shqiptar.

Diku nga viti 2005 një linjë financimi e Komunitetit Europian u destinua për ndërtimin e objekteve arsimorë në Shqipëri. Mirëpo që këto financime të bëheshin konkrete e të trupëzoheshin në formen e një ndërtese shkollore kishte një kusht. Duhej që toka ku do ndërtohej objekti të ishte pronë e komunitetit ose e bashkisë. Çka do të thotë se nëse nuk plotësohej kushti i dytë, humbej edhe financimi i BE-së. Mirëpo në këtë botë ka edhe njerëz brilantë, humanistë të pashoq, fisnikë të vërtetë, të cilët në raste të tilla peshojnë interesin e tyre privat me atë publik e kur peshorja e interesit e përfitimi më i madh anon nga publikja, atëhere bëjnë atë veprim, i cili as nuk mund të imagjinohet nga shumica e njerëzve të tjerë. Sikurse ka vepruar Familja Kika në Tiranë në vitin 2005, duke i dhuruar komunitetit 5000 metra katror tokë, në të cilën më pas do të ndërtohej shkolla Atë Zef Pëllumbi. Sigurisht që në perceptimin kolektiv, ky është një gjest i pazakontë human në një ambient të toksifikuar, ku egoizmi individual ka kapur majat, ku degradimi moral është bërë një fenomen masiv, ku lakmia për pasuri e katandi me çdo mjet e mënyrë nuk po njeh kufi, ku grabitqarët realë e potencial janë bërë lukuni.

Por për familjen Kika ky dhurim ishte dëshmi e vlerave të larta njerëzore, tregues i një botëkuptimi fisnik, sipas të cilit “pasuria nuk duhet të shërbejë për të kënaqur egot tona, por për të ndihmuar të tjerët të ndihmojnë vetveten”- sikurse thote Andrew Carnegie.

Ndaj, sjellja në kujtesë e gjesteve të tilla humanitare është kurdoherë e vlefshme. Pasi, në fund të fundit, “ajo që bëjmë ne për veten vdes së bashku me ne, kurse ajo që bëjmë për të tjerët mbetet e pavdekshme”.