shpetim-luku-480x470

SHPETIM LUKU/Emrat që u bënë brande të famshme

 

 

Biznesmeni vlonjat, tashmë i ndjerë, Agron Haxhiraj, cuditi shumë njerëz kur vendosi të prodhojë birrën NORGA. Jo për shkak se iu fut investimit për ngritjen e një fabrike të re, ndërkohë që punët edhe pa këtë fabrikë i ecnin mirë. Jo pse vendosi të bëhet prodhues, ndërkohë që aktiviteti si importues i birrave dhe pijeve të tjera freskuese i funksiononte shkëlqyeshëm. Në fund të fundit kalimi nga importues në prodhues ishte një metamorfozë e shumëdëshiruar për një biznesmen në funksion të zhvillimit të biznesit vetjak dhe ekonomisë kombëtare. Por shumë persona u cuditën me emrin e birrës dhe akoma më shumë kur u mësua se emri i fabrikës dhe i birrës që do të prodhohej ishte thjesht emri i biznesmenit i lexuar mbrapsht.

“Përse i vure këtë emër fabrikës dhe birrës”-e pyeta njëherë gjatë një interviste në kuadër të një shkrimi. Dhe Agron Haxhiraj, duke dalluar edhe tek unë një farë habie u përgjigj: ia vura për të prodhuar një realitet dhe një traditë si Moretti, Dreheri etj.

Luigi Moretti është themeluesi dhe prodhuesi italian i birrës me të njëjtin emër, e po kështu edhe austriaku Anton Dreher. I krijuan fabrikat e tyre rreth viteve 1850 dhe ato tashmë vijojnë traditën mbi 170 vjecare. Kurse biznesmeni vlonjat, Agron Haxhiraj nuk e pati këtë fat. Ndarja nga jeta e tij ndërpreu edhe një endërr që ai e pati, e që duket se  familjarë të tjerë pas tij nuk po dëshmojnë aftësi për ta vazhduar atë.Birra Norga 2

Por nëse ai ishte i qartë shumë në atë cfarë synonte dhe rrugën se si do ta arrinte, por i pafat, të tjerë emra kanë arritur të kthehen në brande të famshme tashmë në tregun shqiptar. Ndoshta, në fillimet e aktivitetit, ato kanë qenë thjesht emra identifikues kompanish, por më pas, me kalimin e kohës ata janë kthyer në brande për të cilat konsumatori shfaq cdo ditë vlerësimin e tij. Cilët janë disa nga ato?

“Lufra” është kompania e prodhimit të qumështit dhe nënproduktet e tij. Kur Arben Ndreka u ndodh para nevojës për ti gjetur një emër biznesit që ai filloi, nuk u mendua gjatë. I nxitur nga dashuria e prindit për fëmijët ai e formoi emrin e kompanisë nga bashkimi i emrave të dy djemve të tij, Luisit dhe Francit.  Kështu lindi “Lufra”. Me shumë gjasa ai nuk e dinte  dhe nuk e parashikonte që Lufra do shkonte kaq larg. Që ajo do të shndërrohej në një nga brandet kryesore në sektorin e bulmetit, duke qenë kështu garanci për cilësinë e tyre tek konsumatorët shqiptarë.

Pothuajse e njëjta histori, në njëjtat rrethana janë edhe për kompaninë tjetër të rëndësishme të këtij sektori, kompaninë “Erzeni”. Cdokush që nuk ka dijeni kujton se emri i kompanisë mund të ketë marrë shtytje nga lumi i njohur. Këtë perceptim e nxisin akoma më shumë disa reklama të kompanisë ku bëhet analogji me lumen Erzen. Por e vërteta është se kur Isuf Begaj duhet të bënte një emërtim të kompanisë, ai zgjodhi me konsensus familjar ti vendoste emrin e njërit prej djemve të tij, Erzenit. Kanë kaluar shumë kohë dhe kompania “Erzeni” ka ardhur duke e zhvilluar vazhdimisht aktivitetin e saj, nëpërmjet nxjerrjes në treg të një morie produktesh, por që të gjitha nën brandin “Erzeni”. Qytetarët konsumojnë përditë produkte të kësaj kompanie, nën garancinë e brandit, tashmë të famshëm.

Lufra foto 1

Një tjetër sektor që përfshin kompani me emërtime emra të vecantë, por që janë kthyer më pas brande të njohur është edhe ai i prodhimit të nënprodukteve të mishit. “Tona”, “Hako, “Arani” janë tre sallameri, që mbajnë për titullim kompanie mbiemrat e pronarëve të tyre. Duke u rritur gradualisht në treg, produktet e këtyre kompanive tashmë përfaqësojnë brande të njohura të sektorit.  Një gjë të tillë mund të themi edhe për kompaninë e ndërtimit “Kika”, e cila produktin e saj e shet si komplekset e ndërtimit Kika(Kika 1, Kika 2).

Ashtu sikurse edhe brandet e tjerë të përmendur më lart rruga se si këto brande janë bërë të njohur është e gjatë. Investimet e realizuara ndër vite në kompani kanë bërë të mundur përmirësimin e cilësisë së produkteve, e cila, e shoqëruar edhe me një marketing agresiv, ka bërë të mundur familjarizimin e konsumatorit me to. Por edhe nëse konsumatori nuk është tifoz i këtyre brandeve, sërish, ajo që mund të thuhet është se nuk mund të ketë asnjë të tillë që të mos i njohë këto brande. Ndaj dhe sadisfaksioni i krijuesve të tyre është i madh. Pasi, përvec një biznesi të suksesshëm, ata ia kanë dalë të krijojnë edhe brande “made in Albania”