kopertina 2015

Biznesi shqiptar gjatë një viti

 

 

Shpetim Luku

Të nderuar lexues!

Po ju sjellim për të 13-in vit me radhë Botimin Kombëtar: ”Biznesi Shqiptar: Më të Mirët 2016”. Pra u bënë 13 vite që komunikojmë së bashku rreth biznesit shqiptar dhe të dalluarve të tij. Janë 13 vite përpjekje dhe mision për të realizuar hierarkinë reale në botën e biznesit. Janë 13 vite përpjekje për të vënë në epiqendër të vëmëndjes ata që janë motorri i vërtetë lëvizës i ekonomisë: biznesmenët. Dhe na vjen mirë që tashmë ky botim është kthyer në traditë. Na vjen mirë gjithashtu që me të janë ambientuar edhe personazhet e tij. Pra biznesmenët, të cilët janë akoma më të prirur për të bashkëpunuar. Mirë na vjen edhe për faktin se ky botim ka shërbyer si model dhe si mënyrë arsyetimi dhe kënvështrimi edhe për një pjesë tjetër të medias.

Gjatë vitit 2015, 200 kompanitë më të mëdha shqiptare realizuan një total xhiroje prej 6.7 miliardë euro, ndërkohë që një vit më parë ky tregues ishte 6.5 miliardë euro.  Pak ndryshim ka edhe sa i takon treguesit të efektivitetit, teksa 200 kompanitë më të suksesshme sa i takon këtij aspekti kanë siguruar një total fitimi prej 720 milionë euro. Kurse një vit më parë ky tregues ishte 780 milionë euro.

Disi e përkeqësuar  paraqitet situata edhe në eksport. Të 100 kompanitë eksportuese më të mëdha shqiptare realizuan një total prej 129 miliardë lekë ose 930 milionë euro, ndërkohë që një vit më parë ky tregues ishte rreth 1.1 miliardë euro.

Përmirësime ka në treguesin e totalit të punësimit të 100 kompanive dhe institucioneve  më të mëdha punësuese në Shqipëri. Mjafton të shikohet që i 100-i vjet në renditjen e të punësuarve ishte me afro 399 vetë, kurse i 100-i në renditjen e sivjetme është me 523 vetë. Cka konfirmon që përpjekjet për reduktimin e punës së zezë kanë patur rezultate.

Mirëpo ajo që vazhdon të mbetet problematike është dizajnimi i biznesit shqiptar. Ka fare pak hyrje të reja në listën e 200 kompanive më të mëdha, cka do të thotë se biznesi shqiptar është i konsoliduar dhe i “kalcifikuar”. Mbizotërojnë kompanitë nga tregu u karburanteve, ndërtimit, punimeve në infrastrukturë, lojëra fati, farmaceutikë, distribucion dhe tregtim artikujsh të ndryshëm etj. Interesant është fakti se megjithëse në këta sektorë  përfaqësohen me disa operatorë në ranglistën e 200 më të mëdhenjve, sërish duket se hierarkia mes tyre është thuajse  e palëvizur krahasuar me periudha të mëparshme.  Situata ndryshon disi kur është ceshtja për fitimin. Sepse në këtë ranglistë konstatohen edhe hyrje të reja apo kapërcime në listë. Kjo tregon edhe për biznese të reja të krijuara me shkallë leverdishmerie të lartë, megjithëse këto biznese mund të mos kenë mundur të hyjnë në listën e 200 më të mëdhenjve.

Edhe krahasur me të mëdhenjtë e rajonit, performance e të “mëdhenjve të Shqipërisë” është përmirësuar. Dikur kishte diferenca të mëdha, por ata kanë ardhur duke u ngushtuar, cka tregon edhe një lloj suksesi në formalizimin e ekonomisë shqiptare.

Në përfundim, dëshirojmë të adresojmë një falenderim për të gjitha institucionet shtetërore, të cilat bashkëpunojnë me në për hartimin dhe publikimin e këtij libri.