A është një lajm i mirë një qendër e re tregtare?

 

 

Shpetim Luku

 

Së fundmi kryeqytetit iu shtua edhe një qendër e re moderne tregtare: Toptani Shopping Centër. Një strukturë e mahnitëshme, me një dizajn atraktiv, me një arkitekturë bashkëkohore dhe me një kujdes edhe për detajet më të vogla, qoftë në ambientet e brendshme, edhe ato të jashtme. Dhe ne fakt nuk kishte si të ishte ndryshe, përderisa kemi të bëjmë me një investim të konsiderueshëm në nivelet e 50-60 milionë eurove. Në këtë kuptim, investimi prej një privati i kuotave të tilla kapitali është një gjest mëse i admirueshëm dhe në drejtim të sipërmarrësit duhet të shkojnë fjalët dhe konsideratat më të mira. Por pyetja e shprehur që në titull të shkrimit lidhet me sektorin ku është investuar. Pra, a është një investim i mirë, a është një lajm i mirë për biznesin e qendrave tregtare futja e një operatori të ri? A kishte vend edhe për operatorë të tjerë? A mund të sigurojë sukses një operator i tillë apo edhe nëse do të jetë i suksesshëm, ky sukses do të ndërtohet dukë nxjerrë një apo disa operatorë të tjerë nga tregu? Në c’nivele ndodhet risku i investimit në një fushë të tillë?

 

Tendenca e ndërtimit të qendrave tregtare po shihet si një mundësi alternative investimi në Shqipëri, dhe kryesisht, në Tiranë tashmë.

Por edhe ky lloj tregu shumë shpejt do të ballafaqohet me sfidat jo vetëm të investimit në ndërtim, por sidomos, në atë çka vjen më pas, të menaxhimit dhe të mbajtjes në vazhdimësi.

Anembanë vendit, ky lloj investimi shihet si formë alternative në të patundshmet e tjera, si apartamentet dhe vilat.  Por nga ana tjetër, nuk merren parasysh sfidat e dukshme dhe të padukshme të këtij tregu, i cili në vetvete është pjesë integrale e klimës ekonomike dhe e fuqisë blerëse makroekonomike të vetë popullatës.

Natyrisht që për vetë përqendrimin demografik dhe zhvillimin ekonomik, shumica e këtyre qendrave janë fokusuar në Tiranë, i cili mban sot jo pak por 6 qendra të ndryshme.  Kjo duke anashkaluar njëfarësoj dhe me plot risqe të fshehura tejngopjen e këtij tregu tashmë.

Po të analizohet me pak më shumë vëmendje, që një qendër tregtare të funksionojë në limitet minimale të rentabilitetit, duhet të realizojë jo pak por rreth 30 milionë lek xhiro ditore.  E përkthyer ndryshe për meter katror të punueshëm, duhet të realizojë rreth €3000/m2.  Shtimi i qendrave të reja nënkupton shtim shërbimesh, jo prodhimi apo ca më pak, eksporti.  E parë kjo në këndvështrimin e një tregu thuajse hermetik dhe në një ekonomi me ritme zhvillimi shumë të ulta, sektori i këtyre investimeve në shërbime, dashje pa dashje do të fillojë të konsumojë vetvetetn dhe potencialet e kufizuara që ka vetë nevoja globale vendase për shërbime.toptani center 1

Dhe kjo e parë vetëm nga ana sasiore.

Nëse vetë ky lloj zhvillimi në dukje, por i rremë dhe plot risqe në realitet, analizohet nga ana cilësore, situata bëhet edhe më komplekse dhe pikëpyetjet shtohen edhe më shumë.  Kjo për vetë faktin se ka një “copy-paste” (ripërsëritje) të frikshme dhe shqetësuese të markave dhe dyqaneve që ofrojnë qendrat e reja.  Jo vetëm që nuk sjellin risi, por shtojnë nivelin e monotonisë duke, jo vetëm konfuzuar blerësin, por edhe duke e dekurajuar atë në krijimin e një klime të njëtrajtshmërisë lineare.

Një qasje e tillë e investimeve të gabuara në një treg të mbingopur të shërbimeve, shtimi i të cilave cënon rishtarët por edhe ekzistuesit.  E kombinuar kjo nga mungesa e risive në marka dhe konceptime, herët e vonë do të japë efektet e veta negative tek këto qendra, duke bërë që e njëjta ‘tortë’ buxheti të ndahet jo më në thela, por të copëzohet në thërrime.  Nga ana psikologjike, tregu i shërbimit të qendrave tregtare do t’i ngjajë një lagjeje me 10 kafene, ku banori do të ikë me vrap të ndërrojë lagje nga monotonia.  Ashtu edhe si në bujqësi, monokultura e varfëron truallin.  Edhe në këtë treg shërbimesh, monotonia rutinore, pa larmishmëri dhe shtim të pastudiuar volumesh, ka tendencë për ezaurimin e “poçes” buxhetore të disponueshme nga konsumatorët.

Po çfarë ndodh me tregun evropian të qendrave tregtare dhe investimeve të formatit ‘large-scale’ në sketorin e qendrave tregtare.

Me qëllim ruajtjen e ekuilibrave mes iniciativës së lirë dhe shmangies së investimeve kaotike, vende të ndryshme evropiane ruajnë standarde dhe hapësira të dedikuara për këto lloj investimesh dhe sipërmarrjesh.  Një kriter shumë i prekshëm dhe domethënës për këto standarde është studimi i raportit të sipërfaqes së lëshuar me qera për mijë banorë (GLA/000.)  Një studim i ngjashëm i realizuar nga Cushman & Ëakefield, “European Shopping Centre Development Report”, përshkruan ritmet e rritjes së tregut të shërbimeve me investime në qendrat tregtare, si dhe identifikon evolucionin e këtij raporti në vendet evropiane.

Vende të zhvilluara si Gjermania (180m2/000 banorë), Belgjika (115m2/000 banorë), Greqia (56m2/000 banorë) janë ndër vendet me koeficient narmal dhe të ulët.  Koeficientin më të lartë e kanë kryesisht vendet skandinave, si Suedia (me 417m2/000 banorë) dhe Finlanda (399m2/000 banorë)

Nga ana tjetër, duhet parë me kujdes edhe raporti që ky koeficient zë karshi të ardhurave për frymë.

Kjo sepse, në total, koeficienti shqiptar i qendrave tregtare sot është mbi 200m2/000 banorë, por nga ana tjetër, vendet e lartcituara kanë të ardhura për frymë dhe zhvillim ekonomik ku e ku më të lartë. (Shqipëria në vend të 127-të, me $11.900 për frymë, Gjermania në vend të 27-të me $48.200/frymë, Suedia në vend të 25-të me $49.700/frymë, Finlanda në vend të 40-të me $41.800/frymë.)

Nëse koeficienti shqiptar i qendrave tregtare krahasohet me vendet e rajonit apo të ngjashme evropiane, pavarësisht se është në vend të fundit nga zhvillimi ekonomik, kemi Serbinë me koeficient 61m2/1000 banorë, Bosnjën me 68m2/1000 banorë, Bullgarinë me 106m2/000 banorë.

Duke marrë në konsideratë vendet poshtë klasifikimit ku renditet Shqipëria për të ardhura për frymë, por nga ana tjetër koeficientin e lartë karshi vendeve të rajonit dhe disa prej atyre të zhvilluara evropiano-perëndimore, vërehet qartë një shpërpjestim kontradiktor zhvillimi.  Thënë ndryshe, një format i gabuar tashmë investimesh.

Pa tentuar të replikohet Kasandra, shtimi pa kriter në sasi dhe monotoninë cilësore të qendrave tregtare, do të ketë patjetër si pasojë efektin domino në shtim presioni për mungesë dhe shterrim të ardhurash, ulje të sforcuara shpenzimesh të vetë qendrave, ulje e cilësisë së shërbimit, pakësim të fuqisë së punësuar, mungesë furnizimesh, ulje detyrimesh të derdhura në buxhetin e shtetit, e tek e fundit, edhe mundësi për informalitet dhe evasion fiskal.

Është e qartë pra se del detyrë e politikë-bërësve të kenë më shumë kujdes në ruajtjen e ekuilibrave mes iniciativës së lirë dhe asaj të ruajtjes së standardeve dhe monitorimit dhe shmangies së investimeve të gabuara dhe zhvillimeve kaotike.  Në këtë treg tashmë të tejngopur, do të mund të mbijetojnë vetëm ato që kanë eksperiencën dhe risitë, ndërsa të tjerat, kopjet dhe replikimet, do të tentojnë të futen në vështirësi dhe për më tepër, të vërtetojnë edhe një herë më shumë dhe panevojshmërisht investimet e gabuara nga kopjet e shëmtuara. (pa dashur të risillet në vëmendje shembulli i Casa Italia apo edhe i City Park, me gjithë shkëlqimin dhe rënien e tyre.)

Këtu edhe një herë e më shumë, vjen në skenë me të gjitha kontrastet e përgjegjësive dhe të rëndësisë së faktorit rregullator shtet, i cili duhet të stimulojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të orientojë investimet drejt formave dhe tregjeve të duhura, duke shmagur kaosin dhe konkurrencën e dëmshme dhe gangrenizuese.

Recent Posts

Rikthimi i gjigandit mediatik
Shpëtim Luku Tregojnë se dikur, dikush po i raportonte Dritan Hoxhës, themeluesit të “TOP Channel”, disa lëvizje në funksion të konkurencës të një televizioni tjetër privat. Tani i T...
May 5, 2024 Read More
Makinat e reja pa certifikatë konformiteti shtohe
Makinat e reja pa certifikatëkonformiteti shtohen ne treg Përballë koncesionarit zyrtar, pozicionohet një shitës ambulant, shpesh herë me një ‘kasolle’ ku ka vetëm një tavolinë, një ...
March 30, 2024 Read More
SHPËTIM LUKU/ Leksioni i një eksportuesi
Qëkurse euro është zhvlerësuar karshi lekut, duke u stabilizuar në raportin ku 1 euro këmbehet me 100 deri 105 lekë, nuk kanë reshtur ankesat dhe kërkesat e eksportuesve shqiptarë. E kanë b...
February 1, 2024 Read More
Të jetosh përtej mundësive të tua!
Të jetosh përtej mundësive të tua! Vite më parë, kur u ndërtua kompleksi turistik "Laguna", në Malin e Robit, shitjet e apartamenteve apo ambienteve të tjera në të u bënë në kohë rek...
January 29, 2024 Read More
SHPETIM LUKU/Pse janë kaq të korruptueshëm doga
Shpëtim Luku Xiao Min ishte një biznesmen kinez, i cili merrej me biznesin e tregtimit të veshjeve tekstile në Shqipërideri para vitit 2010, përpara se të transferohej në Maqedoninë e Veri...
January 16, 2024 Read More
SHPETIM LUKU/ Propozimi i Sokol Krajës dhe mëkat
SHPETIM LUKU/ Propozimi i Sokol Krajës dhe mëkatet e biznesit Ditët, muaj dhe vitet kalojnë dhe problematika më të cilën haset biznesi shqiptar sa I takon fuqisë punëtore së vjen dhe bëh...
January 9, 2024 Read More
SHPETIM LUKU/ Ish-kulaku që u bë biznesmeni më
Mebiznesmenin korcar Luan Lartie kishim lënë të takoheshim tek një kompleks pallatesh në hyrje të Korcës, aty ku dikur ka qenë fabrika e trikotazhit. Është një kompleks, nga më të bukurit...
November 30, 2023 Read More