Të bojkotojmë ata që paguajnë taksa në favor të atyre që s’paguajnë?!

Sikurse mund ti ketë rënë në sy cdokujt, së fundmi është ndërmarrë një iniciativë e cila synon bojkotin e blerjeve nëpër supermarkete një ditë të muajit shkurt. Qëllimi sipas organizatorëve është protesta në këtë mënyrë ndaj cmimeve të larta me të cilat hasen konsumatorët nëpër supermarkete. Sigurisht që konsumatorët kanë arsye legjitime për tu ankuar për cmimet e larta e po ashtu kanë edhe të drejtën për të reaguar. Mirëpo ankesat e tyre karshi cmimeve janë në unison edhe me ankesat e operatorëve të tregut për të mbajtur cmimet në nivele që për konsumatorin do të ishin të pranueshme. Kjo do të thotë që adresimi i shkakut pse cmimet e produkteve të ndryshme janë të larta është i gabuar. Ato nuk janë të tilla sepse konkurenca në retail nuk funksionon. Përkundrazi, funksionon shumë mirë, aq sa bëhet fjalë për mbipopullim të sektorit me operatorë.

 Ato nuk janë të larta prej grykësisë së pronarëve të kompanive për të fituar sa më shumë sepse këtë ia lejon struktura e tregut që nuk garanton konkurencë. Sikurse e kemi shpejguar edhe një një shkrim tjetër me këtë temë, tregu i supermarketeve përfshin rreth 800 operatorë. Kurse kompani të mëdha  që menaxhojnë zinxhirë supermarketesh janë të paktën 8-9. Edhe bilancet e veprimtarisë së këtyre kompanive të mëdha dëshmojnë për aktivitete me rentabilitet të ulët, cka tregon se cmimet e larta nëpër supermarkete nuk janë pasojë e rritjes së marxheve të fitimit, por janë rrjedhojë e disa faktorëve të tjerë.

Së pari, sikurse e kemi shpjeguar edhe herë të tjera, cmimet e mjaft produkteve në Shqipëri janë të larta, më të larta se sa e disa vendeve të rajoni, pikërisht sepse vendi ynë aplikon TVSh për ushqimet në masën 20 për qind. Ndërkohë që vende të tilla si Italia, Kosova, Maqedonia, Serbia etj, aplikojnë TVSH për mjaft produkte ushqimore bazë nga 6-10 për qind.

Së dyti është kostoja e lartë e importit. Shqipëria importon shumicën e produkteve ushqimore dhe cmimet ndikohen nga kursi i këmbimit, tarifat doganore, cmimet ndërkombëtare etj.

Së treti është mungesa e ekonomisë së shkallës. Shqipëria është një treg i vogël, cka bën që zinxhirët e supermarketeve të mos përfitojnë nga blerjet me shumicë në të njëjtën shkallë si gjigandët ndërkombëtare.

Së katërti, biznesi i realizuar nga supermarketet dhe zinxhirët e e supermarketeve është tërësisht i formalizuar. Cka do të thotë që këta biznese i paguajnë tërësisht taksat, të cilat, sigurisht që shkarkohen në cmimin përfundimtar të produktit. Ndryshe nga marketet, minimarketet dhe dyqanet e tjera të lagjeve që nuk dijnë cfarë është fatura.  Në këtë kuptim, rrjetet e supermarketeve ushtrojnë aktivitetin e tyre në kushtet kur pikërisht korrektesa fiskale dhe ligjore iu kthehet në dizavantazh konkurues.

Nga ana tjetër, kompanitë që tregtojnë nëpërmjet supermarketeve apo zinxhirit të supermarketeve kanë edhe kostot operacionale sikurse janë qiratë e objekteve, kostoja e transportit, kostoja e fuqisë punëtore etj. Dhe cmimet janë ato që janë. Pa patur fare hapësirë për të manovruar e për ti ulur disi ato. Sepse edhe kaq sa janë ato nuk iu garantojnë kompanive operuese ndonjë rentabilitet që mund të habisë ndokënd. SPAR që është një nga rrjetet më të mëdha të supermarketeve me mbi 120 milionë euro qarkullim vjetor funksionon me një normë vjetore rentabiliteti prej 3-4 për qind. Edhe rrjetet e tjera si “Extra Market”, “Eco Market”, “Xhangolli”, “Big Market” etj po në këto nivele janë ose edhe më keq se kaq. Ndaj, e vetmja hapësirë që mund të krijohet për ulje cmimesh, e më pas edhe të protestohet po qe se nuk reflektohet nga pronarët, është ulja e TVSH në ato nivele që e kanë edhe vendet e tjera të rajonit.

Edhe në Perëndim ndërmerren nisma të tilla për bojkot të supermarketeve. Mirëpo filozofia e protestës është për të sensibilizuar konsumatorët për të shkuar e për të blerë direkt tek prodhuesi. Pra për të bojkotuar “hallkat e tepërta” të zinxhirit gjigand nga prodhuesi deri të tregtuesi fundor, që është supermarketi.  Ose nëse do të shpreheshim me humor, për të vepruar sipas filozofisë popullore “e lirë kripa në det, por e ha qeraja udhës”. Pikërisht eleminimin e këtyre  “qerave të udhës” synojnë të sensibilizojnë nisma të tilla. Bëhet fjalë pra për një nismë të arsyeshme teorikisht, pavarësisht se është tërësisht e pamundur për tu realizuar praktikisht. Kurse në realitetin shqiptar “bojkot supermarketeve” është një iniciativë, e imituar, por edhe e deformuar në thelbin e saj, pasi konsideron si shkak të cmimeve të larta, pangopësinë e pronarëve të supermarketeve dhe zinxhirëve të supermarketeve. Gjë që është plotësisht e pavërtetë. Por kjo është edhe garancia e madhe pse nisma të tilla janë të destinuara të dështojnë me sukses.

“Hienat”

“Hienat bankare” është libri i një gazetari investiguese amerikan, i cili trajton abuzimet e mëdha në sektorin bankar dhe financiar. Teksa kryente intervistat e shumta me punonjës të këtij sektori për vjeljen e informacionit të duhur, njëra nga pyetjet standarte që gazetari Greg Palast i bënte çdo të intervistuari ishte ajo se me cilën kafshë mund të krahasohen menaxherët e bankave. Mori  përgjigje të ndryshme, por në kokë iu fiksua përgjigja e dikujt që i krahasoi ata me hienat. Iu duk kuptimplotë ndaj  e  titulloi librin “hienat bankare”.

Edhe Shqipëria ka patur dhe ka hienat e saj. Për të kuptuar se kush kanë qenë hienat e saj mjafton një retrospektivë rreth skandaleve më të mëdha. Cili është skandali në i madh financiar pas vitit 1990? Ose cila është skema më e madhe mashtruese, nëpërmjet së cilës janë përfituar shuma kolosale financiare?
Kjo është një pyetje e vështirë sepse përgjatë 30 viteve mënyrat e vjedhjes kanë qenë të shumta dhe të larmishme. Ndaj, secili mund të japë versionin e tij në bazë të perceptimit  informacionit që ka dhe analizës që bën. Kështu, një kategori njerëzish mund të mbajnë për të tillë skemat piramidale në periudhën 1995-1997. Dhe nuk është se e kanë gabim. Sepse “VEFA”, Gjallica” “Shehaj”, “Kamberi”, “Cenaj” e të tjerë arritën që duke premtuar norma fitimi 30-100 për qind në muaj, të tërhiqnin në skemë pjesën më të madhe të popullsisë, së bashku edhe me emigrantë të shumtë.  Dhe sipas vlerësimeve të ndryshme janë rreth 1-1.2 miliardë dollarë të përvetësuara dhe të tjetërsuara, duke regjistruar kështu një nga skemat mashtruese më të personalizuara. Sepse, pikërisht pse ishin të tilla ndodhën edhe revoltat e vitit 97, si reagim i të vjedhjeve, ndaj atyre që ju kishin krijuar mundësitë e duhura vjedhësve. Skemat piramidale janë dëshmi e qartë se çfarë ndodh në kushtet kur mungon kontrolli dhe mbikëqyrja financiare si dhe kur korrupsioni  është në nivelin më të lartë të tij.
Por pyetjes së mësipërme një kategori tjetër njerëzish mund t’i përgjigjet duke paraqitur si skemën më të madhe të vjedhjeve kontrabandën dhe evazionin fiskal. Edhe këta kanë të drejtë në përzgjedhjen e tyre . Sepse të dyja këto janë dukuri që i kanë zhvatur buxhetit të shtetit, pra publikut qindra milionë dollarë çdo vit. Sidomos kontrabanda e karburanteve, e cigareve, kafesë apo pijeve alkolike ka qenë në nivele aq të larta sa kanë fry llogaritë e individëve me para, të cilat normalisht ishin të publikut. Por edhe evazioni fiskal ka qenë një gërryes sistematik i buxhetit të shtetit. Mosdeklarimi i aktivitetit në përmasat reale të tij me qëllim përfitimin e tatim fitimit që duhej paguar, TVSH-së apo sigurimeve shoqërore të punonjësve ka qenë mënyra se si prej “xhepave”  të buxhetit avullonin shuma kolosale parash.

Disa të tjerë mund të drejtojnë gishtin për të vecuar si skemën më të madhe të vjedhjes prokurimet publike. Nuk është se e kanë gabim. Sepse pothuaj gjysma e fondeve të prokuruara për investime   janë përvetësuar duke i dhënë publikut rrugë, spitale, shkolla e ndërtesa jocilësore e me difekte të mëdha.
Por edhe grabitja e bankave prej trekëndëshit biznesmen-vlerësues pasurie- staf i bankave bën pjesë tek skemat “brilante” të vjedhjes. Duke gjetur një pronë të caktuar për t’a vendosur për kolateral, “topi” pastaj i kalonte vlerësuesit, i cili, kundrejt fitimit të tij duhej të 4 apo 5-fishonte artificialisht vlerën e pronës. Në mënyrë që biznesmeni të përfitonte një kredi në masën 4 apo 5 herë më të madhe se sa ajo që mbulonte prona e tij. Letrat i shkonin në “rregull” stafit të bankave me në krye drejtuesin e saj, që nga ana e tyre kishin detyrë të mbyllnin sytë e aprovonin kredinë. Në dhjetor 2014, raporti i kredive me probleme ishte 22.8% e portofolit total të kredisë prej 600 miliardë lekë. Kjo dukuri është një shembull tipik i mashtrimit financiar nëpërmjet fryrjes artificiale të kolateralit dhe keqpërdorimit të kredive bankare. Në thelb, kjo ishte një skemë e organizuar midis biznesmenëve, vlerësuesve të pasurive dhe vetë bankave, që rezultoi me humbje masive për sistemin bankar dhe, në fund të fundit, për ekonominë dhe qytetarët.

Sigurisht që bankat e rregulluan situatën e sistemit duke ristrukturuar kreditë, duke shitur një pjesë të kredive të këqija tek kompanitë e administrimit të borxheve, duke fshirë nga bilancet kreditë pa shpresë kthimi, me marrjen e kolateraleve apo edhe nëpërmjet përmirësimeve ligjore.

Sot sektori bankar është në lulëzim megjithatë vjedhja që i është bërë nëpërmjet kredive të këqia apo fryrjes së kolateraleve mbetet një njollë e zezë në historinë e tij. Me pak shanse për të ndodhur sërish.