Si ndërtoi Edmond Shahini liderin absolut të tregut të makinave në Shqipëri?

Rreth 20 vite më parë, Edmond Shahini mori një vendim që do të ndryshonte rrënjësisht jetën e tij: ai la Italinë, ku kishte emigruar, dhe vendosi të rikthehej në Shqipëri. Nuk ishte një kthim i një njeriu të dorëzuar, por i një vizionari që e shihte të ardhmen e tij të lidhur me vendin e origjinës. Që prej asaj dite, ai nisi të ndërtojë një rrugë që shumë të tjerë nuk do ta kishin guxuar të ëndërronin. Dëshira e tij; të krijonte një qendër për të gjitha nevojat automobilistike të klientëve shqiptarë. Në një farë mënyre, Shahini u bë si një arkitekt i urave, që ndërtoi lidhjen mes përvojës europiane të blerjes së makinave dhe realitetit shqiptar, duke sjellë këtu standarde që deri dikur dukeshin të paarritshme.

Një pasion i trashëguar që në fëmijëri

Historia e Edmond Shahinit me botën e makinave nuk nis në sallonet luksoze të sotme, por shumë më herët – në fëmijërinë e tij. I ati ishte shofer profesionist automjet i tipit Zis dhe i mësoi që herët se makina nuk është vetëm një mjet pune, por edhe një përgjegjësi, një pasion dhe një mënyrë jetese. Pikërisht aty, në udhëtimet e gjata pranë të atit, u ndez tek Edmondi shkëndija e parë e pasionit për automjetet.

Më vonë, kur emigroi në Itali, kjo shkëndijë u bë flakë. Ai punoi në një ofiçinë riparimi makinash, duke mësuar nga afër disiplinën, standardet dhe përpikmërinë e tregut europian. Për Edmondin, kjo përvojë nuk ishte thjesht një punë për të mbajtur veten, por një shkollë jete që do ta përgatiste për sfidën më të madhe: krijimin e një perandorie automobilistike në Shqipëri.

Mektrin – një standard Europian në Shqipëri

Sot, “Mektrin” është bërë sinonim i cilësisë dhe profesionalizmit. Duke okupuar një hapësirë prej 100’000 m2 dhe me një ekspozitë mbresëlënëse makinash, kamionësh dhe varkash, nuk ka një kompani të njëjtë si ajo në Shqipëri, ndërsa edhe në Europë janë të pakta shembujt e ngjashëm. Një vizitë e shkurtër në sallonet dhe ambientet e tyre moderne të jep ndjesinë e hyrjes në një “botë tjetër” – aty ku përkushtimi, serioziteti dhe vizioni marrin formë konkrete.

Në një sektor ku konkurrenca është e ashpër, Mektrin ka bërë diferencën. Vetëm gjatë vitit 2024, kompania e Shahinit realizoi mbi 58 milionë euro aktivitet, duke konfirmuar pozicionin e saj lider. Në showroom-et e Mektrin gjenden marka prestigjioze ndërkombëtare: Land Rover, Volvo, Kia, Lynk&Co, Volvo Trucks dhe Renault Trucks, Ranieri Boats, Cantieri Capelli, BSK Skipper Marine, Pirelli Speedboats, SACS Marine. Përveç ambienteve me përfaqësim zyrtar, së fundmi Mektrin ka sjellë showroom-in Multibrand, i cili ofron një shumëllojshmëri automjetesh luksoze të përdorura.

Investime që flasin vetë

Sallonet moderne, serviset bashkëkohore, stoku i bollshëm i makinave dhe një staf i kualifikuar janë elementë që e dallojnë Mektrin nga çdo kompani tjetër. Këto investime madhore tregojnë qartë se ky është një biznes që operon në standarde ndërkombëtare. Edhe pse tregu shqiptar dominohet nga makinat e përdorura, Mektrin qëndron e pathyeshme, duke ofruar garanci, shërbime pas shitjes dhe një përvojë të pakrahasueshme për klientin. Synimi i kompanisë nuk është thjesht shitja e automjeteve, por krijimi i një eksperience të plotë dhe emocionuese për çdo person që shkel në showroom-et e tyre. Që nga servisi i makinave, kamionëve dhe varkave, deri tek eventet dhe udhëtimet me klientët e tyre, çdo moment në Mektrin transmeton një pasion të qartë për automjetet e së ardhmes. Pikërisht ky përkushtim është çfarë krijon një konfidencë të madhe me klientët. Jo rastësisht, rreth 70 për qind e aktivitetit vjetor të Mektrin Motors realizohet nga klientë që kthehen përsëri, të udhëhequr nga besnikëria dhe kënaqësia që kanë gjetur në këtë kompani. Ky është treguesi më i qartë i suksesit të vërtetë.

Formula e suksesit: puna e palodhur

I pyetur shpesh për sekretin e suksesit, Edmond Shahini përgjigjet thjesht: “Puna, puna dhe vetëm puna.” Kjo nuk është një shprehje rutine, por filozofia që e ka shoqëruar që nga dita e parë. Mektrin është biznesi i tij kryesor, prioriteti absolut ku ai ka derdhur energjitë menaxheriale dhe krijuese, ndryshe nga shumë kompani të tjera të këtij sektori që shërbejnë vetëm si biznese dytësore për pronarët e tyre.

Një e ardhme me horizonte të reja

Shahini nuk ndalet vetëm te tregu i makinave në Shqipëri. Ai e ka zgjeruar aktivitetin edhe në fusha të tjera, si shërbimet unike për jahtet në Portin e Durrësit, duke hapur perspektiva të reja për kompaninë. Po aq i rëndësishëm është edhe zgjerimi rajonal. Pas viteve të shumta të suksesit në Shqipëri, Mektrin fitoi përfaqësinë zyrtare për Land Rover edhe në Kosovë. Tani klientët besnikë kosovarë të tyre kanë mundësinë të përfitojnë shërbimet e Mektrin nga komoditeti i vendlindjes. Ky hap jo vetëm forcon praninë e kompanisë në tregun rajonal, por edhe konfirmon qasjen e saj të bazuar tek përkushtimi dhe kujdesi për klientin. Këto strategji e bëjnë Mektrin jo vetëm një lider të sotëm, por edhe një kompani me potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi.

“Mektrin” është sot një histori suksesi e shkruar me përkushtim, investime të vazhdueshme dhe një filozofi pune që nuk njeh kompromis. Në fakt, ato janë si një fener drite në një det tregu shpesh të trazuar – duke treguar se vizioni dhe puna e palodhur jo vetëm transformojnë një biznes, por frymëzojnë një sektor të tërë.

Edmond Shahini ndihet krenar që Mektrin sot është bërë një brand i mirënjohur, i cili arrin të përmbushë të gjitha nevojat dhe dëshirat automobilistike të klientëve të tij. “Do shkojmë tek Mektrin,” – thonë ata, duke theksuar kështu veçantinë që e dallon nga çdo kompani tjetër në tregun e makinave, të cilat njihen me emrin e makinave që shesin. Ndërkohë, “Mektrin” njihet si brand më vete që ofron një eksperiencë të veçantë, e cila nuk mund të gjendet në asnjë firmë tjetër automjetesh në Shqipëri.

Top 10 kompanitë në Kosovë për vitin 2024

Pavarësisht kufizimeve ligjore që e bëjnë të vështirë publikimin e të dhënave financiare, tashmë është e qartë se cilat janë gjigantët e ekonomisë kosovare. Dhjetë kompanitë kryesore, me xhiro që arrijnë qindra miliona euro, përfaqësojnë motorët kryesorë të tregtisë dhe industrisë në vend.

Në krye të listës qëndron Viva Fresh, lideri absolut i rrjeteve të supermarketeve. Vetëm gjatë vitit 2024, kjo kompani realizoi një xhiro prej 331 milionë eurosh dhe një fitim prej afro 19 milionë eurosh, duke e konsoliduar pozitën e saj si gjiganti i tregtisë me pakicë në Kosovë.

Në vendin e dytë qëndron ELKOS Group, i themeluar nga biznesmeni i njohur Ramiz Kelmendi. Me një aktivitet prej 243 milionë eurosh dhe 13,7 milionë euro fitim, kjo kompani shpërndan mbi 90 brande ndërkombëtare nëpërmjet qendrës tregtare ETC, duke e bërë atë një nga emrat më të fortë në sektorin e retail-it.

Podiumin e plotëson PROEX, një tjetër kompani e fuqishme e tregtisë me pakicë, e cila mbylli vitin me 223 milionë euro xhiro dhe 13,7 milionë euro fitim. Në nivele të ngjashme qëndron edhe Proex sh.p.k Cons, duke forcuar pozitat e grupit në treg.

Në sektorin e karburanteve, dallon HIB Holding, i cili përveç tregtimit të naftës, operon edhe në fushën e restoranteve dhe hotelerisë. Me një aktivitet prej 215 milionë eurosh dhe një fitim prej 6 milionë eurosh, ai renditet në vendin e pestë. Pas tij qëndron Ex Fis sh.p.k, një tjetër kompani e fuqishme e derivativëve të naftës, me 214 milionë euro xhiro dhe 13,3 milionë euro fitim.

Një emër që bie në sy është padyshim Kosovo Energy Corporation (KEC). Edhe pse xhiroja e saj arrin 185 milionë euro, është fitimi ai që e bën të veçantë: plot 39 milionë euro, duke e pozicionuar si kompaninë më fitimprurëse ndër të gjitha.

Në këtë listë hyn edhe NOA Energy Trade, e vetmja kompani e nje biznesmeni nga Shqipëria që operon fuqishëm në tregun kosovar. E specializuar në furnizimin dhe tregtimin e energjisë, ajo arriti një xhiro prej 195 milionë eurosh dhe një fitim prej 9,3 milionë eurosh, duke u renditur në vendin e tetë.

Pozicionin e nëntë e mban Bucaj sh.p.k, kompani e profilizuar në shpërndarjen e ushqimeve, pijeve, artikujve sanitare dhe duhanit. Me një aktivitet prej 191 milionë eurosh dhe një fitim prej 9,7 milionë eurosh, Bucaj vazhdon të forcojë rolin e saj në zinxhirin tregtar të vendit.

Dhjetëshen e mbyll Lab-Oil sh.p.k, një kompani e sektorit të karburanteve, e cila realizoi 149 milionë euro xhiro dhe rreth 400 mijë euro fitim – shifër më modeste krahasuar me konkurrentët, por që gjithsesi e fut atë mes dhjetë më të mëdhenjve të Kosovës.

 

 

 

Këto të dhëna tregojnë se retail-i dhe sektori i energjisë/karburanteve vazhdojnë të dominojnë ekonominë kosovare, ndërkohë që fitimet e larta të KEC dhe prania e kompanisë shqiptare NOA Energy Trade dëshmojnë për dinamizmin dhe konkurrueshmërinë e tregut.