Emigranti që u bë flamurtar i përpunimit të peshkut

Historia e Mark Babanit është si rrëfimi i një maratone: nis me hapa të vështirë, por me këmbëngulje dhe vizion përfundon me një fitore të madhe. Nga një i ri që u largua me një anije të mbushur me shpresa drejt Italisë, ai arriti të ndërtojë një nga kompanitë më të mëdha shqiptare në sektorin e përpunimit të peshkut – “Mare Adriatik”.

Nga emigrimi në Itali, te hapat e parë të ëndrrës

Në fillim të viteve ’90, Marku u ngjit në bordin e një anijeje të vogël me rreth 20 bashkëatdhetarë. Ishte një udhëtim i mbushur me pasiguri, por që për të do të bëhej fillimi i një udhe të re. Në Sicili, punoi njëkohësisht në përpunim peshku dhe në një restorant, duke larë enë.

Një episod i asaj kohe e përshkruan më së miri shpirtin e tij sipërmarrës. Kur pyeti sa mund të kushtonte punishtja ku punonte, shumë njerëz u habitën: si mund të mendonte për blerje një emigrant nga një vend i varfër? Por në fakt, ishte një shenjë e parë e horizontit të tij më të gjerë – ai nuk shihte vetëm rrogën mujore, por të ardhmen që mund të ndërtohej.

Ngritja e “Mare Adriatik” – nga një shkëndijë në një dritë të fortë

Pas një periudhe të vështirë, përfshirë edhe ngjarjet e vitit 1997, Marku u rikthye përfundimisht në Shqipëri. Me vendim të qartë: të ndërtonte një kompani përpunimi peshku në vendlindjen e tij, Vaun e Dejës. Ky vendim ishte një kombinim i rrënjëve personale dhe i bindjes se gratë zadrimore, të njohura për punëtorinë e tyre, do ta ndihmonin të ngrinte një biznes solid.

Sot, “Mare Adriatik” është bërë si një anije e madhe që lundron në tregun shqiptar. Nga një start i vogël, kompania sot ka rreth 600 punonjës dhe realizon mbi 10 milionë euro xhiro në vit. Ajo renditet ndër eksportuesit më të mëdhenj të vendit, duke qenë një pikë reference në sektorin e përpunimit të peshkut. Dhe ka preferuar të ndjekë dy rrugë: njëra që bazohet vetëm në material në punën për përpunimin dhe tjetra, e cila konsiston në porosinë vetëm mbi bazë produkti përfundimtar, ndërkohë që kompania është përgjegjëse për të gjitha proceset që nga sigurimi i lëndës së parë, përpunimi dhe dërgimi si produkt i gatshëm tek porositesi. Aktualisht raportet jane 60;40, por kjo nuk do te thote se nuk mund të ketë ndryshim te ketyre raporteve në të ardhmen.

Sfida e tregut, lundrim në ujëra të trazuara

Sektori i përpunimit të peshkut nuk është një det i qetë. Përkundrazi, është një treg i lidhur fort me kontrata eksporti, i ndikuar drejtpërdrejt nga kursi i këmbimit. Një luhatje e vogël në valutë mund të përkthehet në humbje të mëdha për kompanitë. Por në rastin e “Mare Adriatik”, këto sfida janë përballuar me mençuri.

Ashtu si një kapiten që di të manovrojë anijen e tij edhe kur dallgët rriten, Babani ka ditur të reflektojë ndryshimet e kursit në çmimin përfundimtar të produktit, duke mbajtur stabilitet në biznes. Kjo është një nga arsyet pse kompania shënoi një normë rentabiliteti 12% në vitin 2024, një tregues i qartë se nuk mjafton vetëm të ngresh një ndërmarrje, duhet edhe ta mbash në kurs të drejtë.

Specializimi – çelësi i suksesit

Ndryshe nga kompani të tjera që shpërndahen në shumë fusha, Babani zgjodhi një strategji të qartë: të fokusohej kryesisht tek acugja (sardelja). Si një mjeshtër që zgjedh një instrument dhe e luan në perfeksion, ai specializoi kompaninë në këtë segment dhe arriti të bëhej lider.

Më shumë se një biznes

Përtej peshkut, aktiviteti i tij shtrihet edhe në mbarështimin e derrave dhe përpunimin e produkteve të mishit. Ndërkohë, jeta e tij përfshin edhe një kapitull politik, ku ai u zgjodh Kryetar i Bashkisë së Vaut të Dejës. Vetë Babani thotë se tre ishin momentet vendimtare të jetës: emigrimi në Itali, kthimi për të ngritur kompaninë, dhe hyrja në politikë.

Një histori frymëzuese

Rruga e Mark Babanit është si historia e një farë të vogël që mbillet në tokë të vështirë, por me kujdes, punë e besim, rritet dhe kthehet në një pemë të madhe. Nga një emigrant i thjeshtë, ai u bë një nga sipërmarrësit më të rëndësishëm shqiptarë, duke provuar se vizioni dhe vendosmëria mund të transformojnë jo vetëm jetën e një individi, por edhe të një komuniteti të tërë.

Rasti Fatma Sotira/Kur “qindarkat” e kursyera të siguracionit të përcëllojnë biznesin

 

Përpara dy vitesh, një shoku im shfaqi dëshirën që të shkonim për një fundjavë tek Farma Sotira. Kisha dëgjuar për këtë agrofermë, por vetë nuk kisha qenë asnjëherë, ndaj kureshtjen dhe dëshirën e kisha të madhe. Duke qenë se ndodhet disi larg nga Tirana, në zonën e Leskovikut, nisa menjëherë procesin e rezervimit të dy dhomave.

​Nuk ka rëndësi se kush ishte personi që u përgjigj në telefonin që agroferma kishte bërë publik, por di të them se gjatë bisedës doli që të gjitha dhomat ishin të rezervuara për një periudhë të paktën dy javore, sikurse u shpreh ajo. Ishte nga ato përgjigje që, pavarësisht se shkonin kundër interesit tënd të ngushtë, krijonin gëzimin e natyrshëm kur i sheh punët e dikujt tjetër të ecin kaq mirë.

​Sot po mësoj se kjo agrofermë qenka djegur dhe kjo është një fatkeqësi e madhe. Por fatkeqësia më e madhe duket të jetë fakti që ajo qenka e pasiguruar. Kjo dëshmon një mentalitet jo bashkëkohor, për të mos thënë një fjalë më të rëndë, por që mund të jetë më e saktë. Një biznes i tillë ishte i ekspozuar ndaj rreziqeve dhe të kursesh “qindarkat” duke mos i dalë përpara një rreziku të tillë, është një veprim që nuk e nderon pronarin, Tonin e Farma Sotirës. Aq më tepër që sinjale dashakeqësie kishte marrë edhe dy vite më parë, kur i vranë një apo dy kuaj.

​Megjithatë, më e pakuptimtë është iniciativa e gruas së pronarit për të kërkuar solidaritet financiar për fatkeqësinë e tyre. Bota e zhvilluar i ka zgjidhur çështjet e biznesit me instrumenta financiarë si kredia dhe siguracioni. Nuk e kam idenë se sa mund të ketë qenë primi i sigurimit, por sado të ketë qenë ai është një shpenzim që ia vlen, edhe sikur të mos nevojitet kurrë.

​Nëse pronarët përkatës, por edhe shumë pronarë të tjerë biznesesh, nuk tregohen kaq shkurtpamës, atëherë fatkeqësia natyrore apo e ardhur nga çdo rrethanë tjetër nuk ka pse të sjellë shqetësime. Sepse, fundja, me sigurimin ti blen pikërisht qetësinë dhe sigurinë.

Gjergj Leqejza, fuqia e qëndrueshmërisë

Në një klimë biznesi ku partneritetet shpesh nuk mbijetojnë as një dekadë, historia e bashkëpunimit mes kompanisë italiane Cottonella dhe administratorit të saj në Shqipëri, Gjergj Leqejza, është shembull i rrallë. Tashmë prej gati 30 vitesh, që nga viti 1995, kompania Shqipëria Trikot operon në tregun shqiptar si një hallkë e rëndësishme në zinxhirin e prodhimit të veshjeve intima të Cottonella-s. Dhe ky bashkëpunim afatgjatë nuk është produkt i rastësisë.

 

“Ke qenë me fat në bashkëpunimin me ta”, i them një ditë Gjergjit gjatë një bisede të rastësishme.

“Edhe ata kanë qenë me fat me mua,” – përgjigjet ai me një buzëqeshje që fsheh modestisht bindjen për kontributin e vet të padiskutueshëm.

 

E vërteta është se ky është një model funksional i partneritetit afatgjatë, ku secila palë ka respektuar përgjegjësitë e veta, ka kultivuar vlera, besim të ndërsjellë dhe ndershmëri. Një formulë që rrallë shihet në realitetin shqiptar të biznesit, por që ka dhënë fryte të qëndrueshme në kohë. Ky bashkëpunim ngjan me një pemë të mbjellë në vitin 1995, që me kalimin e viteve ka hedhur rrënjë të forta dhe sot jep fryte për qindra familje në Shkodër. Degët e saj janë brezat e punonjësve – gra që kanë nisur të reja, janë bërë nëna e më pas gjyshe, por që vazhdojnë të punojnë në të njëjtin vend. Është kjo vazhdimësi që dëshmon se pema është rritur me kujdes, stabilitet dhe respekt.

 

Pavarësisht sfidave të viteve të fundit – nga ulja e euros në raport me lekun te rritja e përgjithshme e kostove – Shqipëria Trikot ka arritur të ruajë ritmet e saj të aktivitetit. Kjo falë mbështetjes së vazhdueshme të partnerit italian, por edhe adaptimit të vetë kompanisë me realitetin e ri.

 

Kompania është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në qytetin e Shkodrës, duke mbajtur të punësuar mesatarisht 700-800 punonjës, shumica gra. Në disa raste, bëhet fjalë për punonjëse që janë punësuar në rini, janë martuar, janë bërë nëna e madje edhe gjyshe, por që vazhdojnë të punojnë në të njëjtin vend – një dëshmi domethënëse për stabilitetin, trajtimin njerëzor dhe ambientin e respektuar të punës që ofron Shqipëria Trikot.

 

Së fundmi, gjatë një vizite pranë njërit prej partnerëve prodhues të Cottonella-s, kompanisë Madish, bie në sy një investim serioz në kushte pune, logjistikë dhe mirëqenie të stafit. Vlerat e përbashkëta të këtyre bizneseve janë të qarta: respekti për punën dhe për punonjësit.

 

Nga ana tjetër, Shqipëria Trikot mbetet një aktor i rëndësishëm në sektorin e eksportit, sidomos në prodhimin e veshjeve intime, uniformave të policisë dhe ushtrisë, duke e siguruar kështu përfshirjen e saj të qëndrueshme në renditjen e 100 kompanive eksportuese më të mira në Shqipëri.

 

Historia e Shqipëria Trikot dhe Gjergj Leqejzës është një kujtesë se edhe në një mjedis shpesh të vështirë si ai shqiptar, partneritetet mund të jenë jetëgjata, kur mbështeten në vlera dhe vizion të përbashkët.

Me dy komponentë të rëndësishëm, sikurse janë punësimi dhe eksporti, Shqipëria Trikot hyn me meritë në gjirin e kompanive më të mira shqiptare.