Emigranti që u bë flamurtar i përpunimit të peshkut

Historia e Mark Babanit është si rrëfimi i një maratone: nis me hapa të vështirë, por me këmbëngulje dhe vizion përfundon me një fitore të madhe. Nga një i ri që u largua me një anije të mbushur me shpresa drejt Italisë, ai arriti të ndërtojë një nga kompanitë më të mëdha shqiptare në sektorin e përpunimit të peshkut – “Mare Adriatik”.

Nga emigrimi në Itali, te hapat e parë të ëndrrës

Në fillim të viteve ’90, Marku u ngjit në bordin e një anijeje të vogël me rreth 20 bashkëatdhetarë. Ishte një udhëtim i mbushur me pasiguri, por që për të do të bëhej fillimi i një udhe të re. Në Sicili, punoi njëkohësisht në përpunim peshku dhe në një restorant, duke larë enë.

Një episod i asaj kohe e përshkruan më së miri shpirtin e tij sipërmarrës. Kur pyeti sa mund të kushtonte punishtja ku punonte, shumë njerëz u habitën: si mund të mendonte për blerje një emigrant nga një vend i varfër? Por në fakt, ishte një shenjë e parë e horizontit të tij më të gjerë – ai nuk shihte vetëm rrogën mujore, por të ardhmen që mund të ndërtohej.

Ngritja e “Mare Adriatik” – nga një shkëndijë në një dritë të fortë

Pas një periudhe të vështirë, përfshirë edhe ngjarjet e vitit 1997, Marku u rikthye përfundimisht në Shqipëri. Me vendim të qartë: të ndërtonte një kompani përpunimi peshku në vendlindjen e tij, Vaun e Dejës. Ky vendim ishte një kombinim i rrënjëve personale dhe i bindjes se gratë zadrimore, të njohura për punëtorinë e tyre, do ta ndihmonin të ngrinte një biznes solid.

Sot, “Mare Adriatik” është bërë si një anije e madhe që lundron në tregun shqiptar. Nga një start i vogël, kompania sot ka rreth 600 punonjës dhe realizon mbi 10 milionë euro xhiro në vit. Ajo renditet ndër eksportuesit më të mëdhenj të vendit, duke qenë një pikë reference në sektorin e përpunimit të peshkut. Dhe ka preferuar të ndjekë dy rrugë: njëra që bazohet vetëm në material në punën për përpunimin dhe tjetra, e cila konsiston në porosinë vetëm mbi bazë produkti përfundimtar, ndërkohë që kompania është përgjegjëse për të gjitha proceset që nga sigurimi i lëndës së parë, përpunimi dhe dërgimi si produkt i gatshëm tek porositesi. Aktualisht raportet jane 60;40, por kjo nuk do te thote se nuk mund të ketë ndryshim te ketyre raporteve në të ardhmen.

Sfida e tregut, lundrim në ujëra të trazuara

Sektori i përpunimit të peshkut nuk është një det i qetë. Përkundrazi, është një treg i lidhur fort me kontrata eksporti, i ndikuar drejtpërdrejt nga kursi i këmbimit. Një luhatje e vogël në valutë mund të përkthehet në humbje të mëdha për kompanitë. Por në rastin e “Mare Adriatik”, këto sfida janë përballuar me mençuri.

Ashtu si një kapiten që di të manovrojë anijen e tij edhe kur dallgët rriten, Babani ka ditur të reflektojë ndryshimet e kursit në çmimin përfundimtar të produktit, duke mbajtur stabilitet në biznes. Kjo është një nga arsyet pse kompania shënoi një normë rentabiliteti 12% në vitin 2024, një tregues i qartë se nuk mjafton vetëm të ngresh një ndërmarrje, duhet edhe ta mbash në kurs të drejtë.

Specializimi – çelësi i suksesit

Ndryshe nga kompani të tjera që shpërndahen në shumë fusha, Babani zgjodhi një strategji të qartë: të fokusohej kryesisht tek acugja (sardelja). Si një mjeshtër që zgjedh një instrument dhe e luan në perfeksion, ai specializoi kompaninë në këtë segment dhe arriti të bëhej lider.

Më shumë se një biznes

Përtej peshkut, aktiviteti i tij shtrihet edhe në mbarështimin e derrave dhe përpunimin e produkteve të mishit. Ndërkohë, jeta e tij përfshin edhe një kapitull politik, ku ai u zgjodh Kryetar i Bashkisë së Vaut të Dejës. Vetë Babani thotë se tre ishin momentet vendimtare të jetës: emigrimi në Itali, kthimi për të ngritur kompaninë, dhe hyrja në politikë.

Një histori frymëzuese

Rruga e Mark Babanit është si historia e një farë të vogël që mbillet në tokë të vështirë, por me kujdes, punë e besim, rritet dhe kthehet në një pemë të madhe. Nga një emigrant i thjeshtë, ai u bë një nga sipërmarrësit më të rëndësishëm shqiptarë, duke provuar se vizioni dhe vendosmëria mund të transformojnë jo vetëm jetën e një individi, por edhe të një komuniteti të tërë.

Rasti Fatma Sotira/Kur “qindarkat” e kursyera të siguracionit të përcëllojnë biznesin

 

Përpara dy vitesh, një shoku im shfaqi dëshirën që të shkonim për një fundjavë tek Farma Sotira. Kisha dëgjuar për këtë agrofermë, por vetë nuk kisha qenë asnjëherë, ndaj kureshtjen dhe dëshirën e kisha të madhe. Duke qenë se ndodhet disi larg nga Tirana, në zonën e Leskovikut, nisa menjëherë procesin e rezervimit të dy dhomave.

​Nuk ka rëndësi se kush ishte personi që u përgjigj në telefonin që agroferma kishte bërë publik, por di të them se gjatë bisedës doli që të gjitha dhomat ishin të rezervuara për një periudhë të paktën dy javore, sikurse u shpreh ajo. Ishte nga ato përgjigje që, pavarësisht se shkonin kundër interesit tënd të ngushtë, krijonin gëzimin e natyrshëm kur i sheh punët e dikujt tjetër të ecin kaq mirë.

​Sot po mësoj se kjo agrofermë qenka djegur dhe kjo është një fatkeqësi e madhe. Por fatkeqësia më e madhe duket të jetë fakti që ajo qenka e pasiguruar. Kjo dëshmon një mentalitet jo bashkëkohor, për të mos thënë një fjalë më të rëndë, por që mund të jetë më e saktë. Një biznes i tillë ishte i ekspozuar ndaj rreziqeve dhe të kursesh “qindarkat” duke mos i dalë përpara një rreziku të tillë, është një veprim që nuk e nderon pronarin, Tonin e Farma Sotirës. Aq më tepër që sinjale dashakeqësie kishte marrë edhe dy vite më parë, kur i vranë një apo dy kuaj.

​Megjithatë, më e pakuptimtë është iniciativa e gruas së pronarit për të kërkuar solidaritet financiar për fatkeqësinë e tyre. Bota e zhvilluar i ka zgjidhur çështjet e biznesit me instrumenta financiarë si kredia dhe siguracioni. Nuk e kam idenë se sa mund të ketë qenë primi i sigurimit, por sado të ketë qenë ai është një shpenzim që ia vlen, edhe sikur të mos nevojitet kurrë.

​Nëse pronarët përkatës, por edhe shumë pronarë të tjerë biznesesh, nuk tregohen kaq shkurtpamës, atëherë fatkeqësia natyrore apo e ardhur nga çdo rrethanë tjetër nuk ka pse të sjellë shqetësime. Sepse, fundja, me sigurimin ti blen pikërisht qetësinë dhe sigurinë.

Gjergj Leqejza, fuqia e qëndrueshmërisë

Në një klimë biznesi ku partneritetet shpesh nuk mbijetojnë as një dekadë, historia e bashkëpunimit mes kompanisë italiane Cottonella dhe administratorit të saj në Shqipëri, Gjergj Leqejza, është shembull i rrallë. Tashmë prej gati 30 vitesh, që nga viti 1995, kompania Shqipëria Trikot operon në tregun shqiptar si një hallkë e rëndësishme në zinxhirin e prodhimit të veshjeve intima të Cottonella-s. Dhe ky bashkëpunim afatgjatë nuk është produkt i rastësisë.

 

“Ke qenë me fat në bashkëpunimin me ta”, i them një ditë Gjergjit gjatë një bisede të rastësishme.

“Edhe ata kanë qenë me fat me mua,” – përgjigjet ai me një buzëqeshje që fsheh modestisht bindjen për kontributin e vet të padiskutueshëm.

 

E vërteta është se ky është një model funksional i partneritetit afatgjatë, ku secila palë ka respektuar përgjegjësitë e veta, ka kultivuar vlera, besim të ndërsjellë dhe ndershmëri. Një formulë që rrallë shihet në realitetin shqiptar të biznesit, por që ka dhënë fryte të qëndrueshme në kohë. Ky bashkëpunim ngjan me një pemë të mbjellë në vitin 1995, që me kalimin e viteve ka hedhur rrënjë të forta dhe sot jep fryte për qindra familje në Shkodër. Degët e saj janë brezat e punonjësve – gra që kanë nisur të reja, janë bërë nëna e më pas gjyshe, por që vazhdojnë të punojnë në të njëjtin vend. Është kjo vazhdimësi që dëshmon se pema është rritur me kujdes, stabilitet dhe respekt.

 

Pavarësisht sfidave të viteve të fundit – nga ulja e euros në raport me lekun te rritja e përgjithshme e kostove – Shqipëria Trikot ka arritur të ruajë ritmet e saj të aktivitetit. Kjo falë mbështetjes së vazhdueshme të partnerit italian, por edhe adaptimit të vetë kompanisë me realitetin e ri.

 

Kompania është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në qytetin e Shkodrës, duke mbajtur të punësuar mesatarisht 700-800 punonjës, shumica gra. Në disa raste, bëhet fjalë për punonjëse që janë punësuar në rini, janë martuar, janë bërë nëna e madje edhe gjyshe, por që vazhdojnë të punojnë në të njëjtin vend – një dëshmi domethënëse për stabilitetin, trajtimin njerëzor dhe ambientin e respektuar të punës që ofron Shqipëria Trikot.

 

Së fundmi, gjatë një vizite pranë njërit prej partnerëve prodhues të Cottonella-s, kompanisë Madish, bie në sy një investim serioz në kushte pune, logjistikë dhe mirëqenie të stafit. Vlerat e përbashkëta të këtyre bizneseve janë të qarta: respekti për punën dhe për punonjësit.

 

Nga ana tjetër, Shqipëria Trikot mbetet një aktor i rëndësishëm në sektorin e eksportit, sidomos në prodhimin e veshjeve intime, uniformave të policisë dhe ushtrisë, duke e siguruar kështu përfshirjen e saj të qëndrueshme në renditjen e 100 kompanive eksportuese më të mira në Shqipëri.

 

Historia e Shqipëria Trikot dhe Gjergj Leqejzës është një kujtesë se edhe në një mjedis shpesh të vështirë si ai shqiptar, partneritetet mund të jenë jetëgjata, kur mbështeten në vlera dhe vizion të përbashkët.

Me dy komponentë të rëndësishëm, sikurse janë punësimi dhe eksporti, Shqipëria Trikot hyn me meritë në gjirin e kompanive më të mira shqiptare.

Si ndërtoi Edmond Shahini liderin absolut të tregut të makinave në Shqipëri?

Rreth 20 vite më parë, Edmond Shahini mori një vendim që do të ndryshonte rrënjësisht jetën e tij: ai la Italinë, ku kishte emigruar, dhe vendosi të rikthehej në Shqipëri. Nuk ishte një kthim i një njeriu të dorëzuar, por i një vizionari që e shihte të ardhmen e tij të lidhur me vendin e origjinës. Që prej asaj dite, ai nisi të ndërtojë një rrugë që shumë të tjerë nuk do ta kishin guxuar të ëndërronin. Dëshira e tij; të krijonte një qendër për të gjitha nevojat automobilistike të klientëve shqiptarë. Në një farë mënyre, Shahini u bë si një arkitekt i urave, që ndërtoi lidhjen mes përvojës europiane të blerjes së makinave dhe realitetit shqiptar, duke sjellë këtu standarde që deri dikur dukeshin të paarritshme.

Një pasion i trashëguar që në fëmijëri

Historia e Edmond Shahinit me botën e makinave nuk nis në sallonet luksoze të sotme, por shumë më herët – në fëmijërinë e tij. I ati ishte shofer profesionist automjet i tipit Zis dhe i mësoi që herët se makina nuk është vetëm një mjet pune, por edhe një përgjegjësi, një pasion dhe një mënyrë jetese. Pikërisht aty, në udhëtimet e gjata pranë të atit, u ndez tek Edmondi shkëndija e parë e pasionit për automjetet.

Më vonë, kur emigroi në Itali, kjo shkëndijë u bë flakë. Ai punoi në një ofiçinë riparimi makinash, duke mësuar nga afër disiplinën, standardet dhe përpikmërinë e tregut europian. Për Edmondin, kjo përvojë nuk ishte thjesht një punë për të mbajtur veten, por një shkollë jete që do ta përgatiste për sfidën më të madhe: krijimin e një perandorie automobilistike në Shqipëri.

Mektrin – një standard Europian në Shqipëri

Sot, “Mektrin” është bërë sinonim i cilësisë dhe profesionalizmit. Duke okupuar një hapësirë prej 100’000 m2 dhe me një ekspozitë mbresëlënëse makinash, kamionësh dhe varkash, nuk ka një kompani të njëjtë si ajo në Shqipëri, ndërsa edhe në Europë janë të pakta shembujt e ngjashëm. Një vizitë e shkurtër në sallonet dhe ambientet e tyre moderne të jep ndjesinë e hyrjes në një “botë tjetër” – aty ku përkushtimi, serioziteti dhe vizioni marrin formë konkrete.

Në një sektor ku konkurrenca është e ashpër, Mektrin ka bërë diferencën. Vetëm gjatë vitit 2024, kompania e Shahinit realizoi mbi 58 milionë euro aktivitet, duke konfirmuar pozicionin e saj lider. Në showroom-et e Mektrin gjenden marka prestigjioze ndërkombëtare: Land Rover, Volvo, Kia, Lynk&Co, Volvo Trucks dhe Renault Trucks, Ranieri Boats, Cantieri Capelli, BSK Skipper Marine, Pirelli Speedboats, SACS Marine. Përveç ambienteve me përfaqësim zyrtar, së fundmi Mektrin ka sjellë showroom-in Multibrand, i cili ofron një shumëllojshmëri automjetesh luksoze të përdorura.

Investime që flasin vetë

Sallonet moderne, serviset bashkëkohore, stoku i bollshëm i makinave dhe një staf i kualifikuar janë elementë që e dallojnë Mektrin nga çdo kompani tjetër. Këto investime madhore tregojnë qartë se ky është një biznes që operon në standarde ndërkombëtare. Edhe pse tregu shqiptar dominohet nga makinat e përdorura, Mektrin qëndron e pathyeshme, duke ofruar garanci, shërbime pas shitjes dhe një përvojë të pakrahasueshme për klientin. Synimi i kompanisë nuk është thjesht shitja e automjeteve, por krijimi i një eksperience të plotë dhe emocionuese për çdo person që shkel në showroom-et e tyre. Që nga servisi i makinave, kamionëve dhe varkave, deri tek eventet dhe udhëtimet me klientët e tyre, çdo moment në Mektrin transmeton një pasion të qartë për automjetet e së ardhmes. Pikërisht ky përkushtim është çfarë krijon një konfidencë të madhe me klientët. Jo rastësisht, rreth 70 për qind e aktivitetit vjetor të Mektrin Motors realizohet nga klientë që kthehen përsëri, të udhëhequr nga besnikëria dhe kënaqësia që kanë gjetur në këtë kompani. Ky është treguesi më i qartë i suksesit të vërtetë.

Formula e suksesit: puna e palodhur

I pyetur shpesh për sekretin e suksesit, Edmond Shahini përgjigjet thjesht: “Puna, puna dhe vetëm puna.” Kjo nuk është një shprehje rutine, por filozofia që e ka shoqëruar që nga dita e parë. Mektrin është biznesi i tij kryesor, prioriteti absolut ku ai ka derdhur energjitë menaxheriale dhe krijuese, ndryshe nga shumë kompani të tjera të këtij sektori që shërbejnë vetëm si biznese dytësore për pronarët e tyre.

Një e ardhme me horizonte të reja

Shahini nuk ndalet vetëm te tregu i makinave në Shqipëri. Ai e ka zgjeruar aktivitetin edhe në fusha të tjera, si shërbimet unike për jahtet në Portin e Durrësit, duke hapur perspektiva të reja për kompaninë. Po aq i rëndësishëm është edhe zgjerimi rajonal. Pas viteve të shumta të suksesit në Shqipëri, Mektrin fitoi përfaqësinë zyrtare për Land Rover edhe në Kosovë. Tani klientët besnikë kosovarë të tyre kanë mundësinë të përfitojnë shërbimet e Mektrin nga komoditeti i vendlindjes. Ky hap jo vetëm forcon praninë e kompanisë në tregun rajonal, por edhe konfirmon qasjen e saj të bazuar tek përkushtimi dhe kujdesi për klientin. Këto strategji e bëjnë Mektrin jo vetëm një lider të sotëm, por edhe një kompani me potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi.

“Mektrin” është sot një histori suksesi e shkruar me përkushtim, investime të vazhdueshme dhe një filozofi pune që nuk njeh kompromis. Në fakt, ato janë si një fener drite në një det tregu shpesh të trazuar – duke treguar se vizioni dhe puna e palodhur jo vetëm transformojnë një biznes, por frymëzojnë një sektor të tërë.

Edmond Shahini ndihet krenar që Mektrin sot është bërë një brand i mirënjohur, i cili arrin të përmbushë të gjitha nevojat dhe dëshirat automobilistike të klientëve të tij. “Do shkojmë tek Mektrin,” – thonë ata, duke theksuar kështu veçantinë që e dallon nga çdo kompani tjetër në tregun e makinave, të cilat njihen me emrin e makinave që shesin. Ndërkohë, “Mektrin” njihet si brand më vete që ofron një eksperiencë të veçantë, e cila nuk mund të gjendet në asnjë firmë tjetër automjetesh në Shqipëri.

Top 10 kompanitë në Kosovë për vitin 2024

Pavarësisht kufizimeve ligjore që e bëjnë të vështirë publikimin e të dhënave financiare, tashmë është e qartë se cilat janë gjigantët e ekonomisë kosovare. Dhjetë kompanitë kryesore, me xhiro që arrijnë qindra miliona euro, përfaqësojnë motorët kryesorë të tregtisë dhe industrisë në vend.

Në krye të listës qëndron Viva Fresh, lideri absolut i rrjeteve të supermarketeve. Vetëm gjatë vitit 2024, kjo kompani realizoi një xhiro prej 331 milionë eurosh dhe një fitim prej afro 19 milionë eurosh, duke e konsoliduar pozitën e saj si gjiganti i tregtisë me pakicë në Kosovë.

Në vendin e dytë qëndron ELKOS Group, i themeluar nga biznesmeni i njohur Ramiz Kelmendi. Me një aktivitet prej 243 milionë eurosh dhe 13,7 milionë euro fitim, kjo kompani shpërndan mbi 90 brande ndërkombëtare nëpërmjet qendrës tregtare ETC, duke e bërë atë një nga emrat më të fortë në sektorin e retail-it.

Podiumin e plotëson PROEX, një tjetër kompani e fuqishme e tregtisë me pakicë, e cila mbylli vitin me 223 milionë euro xhiro dhe 13,7 milionë euro fitim. Në nivele të ngjashme qëndron edhe Proex sh.p.k Cons, duke forcuar pozitat e grupit në treg.

Në sektorin e karburanteve, dallon HIB Holding, i cili përveç tregtimit të naftës, operon edhe në fushën e restoranteve dhe hotelerisë. Me një aktivitet prej 215 milionë eurosh dhe një fitim prej 6 milionë eurosh, ai renditet në vendin e pestë. Pas tij qëndron Ex Fis sh.p.k, një tjetër kompani e fuqishme e derivativëve të naftës, me 214 milionë euro xhiro dhe 13,3 milionë euro fitim.

Një emër që bie në sy është padyshim Kosovo Energy Corporation (KEC). Edhe pse xhiroja e saj arrin 185 milionë euro, është fitimi ai që e bën të veçantë: plot 39 milionë euro, duke e pozicionuar si kompaninë më fitimprurëse ndër të gjitha.

Në këtë listë hyn edhe NOA Energy Trade, e vetmja kompani e nje biznesmeni nga Shqipëria që operon fuqishëm në tregun kosovar. E specializuar në furnizimin dhe tregtimin e energjisë, ajo arriti një xhiro prej 195 milionë eurosh dhe një fitim prej 9,3 milionë eurosh, duke u renditur në vendin e tetë.

Pozicionin e nëntë e mban Bucaj sh.p.k, kompani e profilizuar në shpërndarjen e ushqimeve, pijeve, artikujve sanitare dhe duhanit. Me një aktivitet prej 191 milionë eurosh dhe një fitim prej 9,7 milionë eurosh, Bucaj vazhdon të forcojë rolin e saj në zinxhirin tregtar të vendit.

Dhjetëshen e mbyll Lab-Oil sh.p.k, një kompani e sektorit të karburanteve, e cila realizoi 149 milionë euro xhiro dhe rreth 400 mijë euro fitim – shifër më modeste krahasuar me konkurrentët, por që gjithsesi e fut atë mes dhjetë më të mëdhenjve të Kosovës.

 

 

 

Këto të dhëna tregojnë se retail-i dhe sektori i energjisë/karburanteve vazhdojnë të dominojnë ekonominë kosovare, ndërkohë që fitimet e larta të KEC dhe prania e kompanisë shqiptare NOA Energy Trade dëshmojnë për dinamizmin dhe konkurrueshmërinë e tregut.

 

 

 

 

Ferma që nuk lulëzuan kurrë

Shumë vite më parë, si gazetar, pata rastin të shoh nga afër një realitet të bukur biznesi në Tërbuf të Lushnjës. Aty, Qemal Kozarja kishte ngritur një kompleks blegtoral modern, që të impresiononte me investimet, menaxhimin dhe mënyrën sesi zhvillohej puna. Ishte një model që të jepte shpresë për të ardhmen e blegtorisë shqiptare. Por disa vite më vonë, Kozarja “u dorëzua”. Fermën e shiti me një çmim që i rikuperonte vetëm një të katërtën e investimit të bërë.

Pak më vonë, pata mundësinë të njihesha me një tjetër histori pozitive, me Biofermën Ramilli. Një fermë model, me mbi 400 lopë race, me procese të automatizuara dhe me sipërfaqe të konsiderueshme toke për ushqimin e bagëtive. Por sot, edhe kjo fermë nuk është më ajo që ishte.
Një tjetër shembull frymëzues ishte ferma e Shefit Dibrës në Shkodër. Shefiti fliste me një pasion të jashtëzakonshëm për punën e tij. Madje kujtonte me krenari një bisedë me një doktor zviceran, që kishte vizituar fermën:
“Djali yt nuk e trashëgon dot profesionin tënd, po qe se nuk studion për mjekësi. Ndërsa djali im, edhe pa shkollë, do ta trashëgojë këtë fermë dhe menaxhimin e saj.”
Por edhe kjo fermë, sipas të dhënave të fundit, ka falimentuar.
Nuk po ndalem gjatë tek ferma blegtorale Dema, pranë City Park, sepse nuk kam informacion të përditësuar. Por një gjë është e qartë: edhe nëse funksionon ende, është shumë larg asaj famës që pati kur u krijua vite më parë.
Këto shembuj të shkuarish e të tashmesh tregojnë një paradoks të madh: në një kohë kur industria e përpunimit të qumështit është relativisht e zhvilluar dhe me shumë aktorë, vetë fermat blegtorale, që duhet të ishin në lulëzim, ose janë mbyllur, ose mbijetojnë me vështirësi të mëdha.

Pse ndodh kjo?

Arsyet janë të shumta, por disa prej tyre janë vendimtare:

Kostoja e lartë e ushqimit të bagëtive. Për një fermë moderne, ushqimi përfaqëson mbi 60% të shpenzimeve. Çmimet e larta të drithërave dhe mungesa e subvencioneve efektive e bëjnë të pamundur konkurrencën me qumështin e importuar.
Mungesa e politikave të qëndrueshme mbështetëse. Subvencionet shpesh janë të vogla, të vonuara dhe të shpërndara pa një strategji të qartë zhvillimi, çka i bën fermerët të ndihen të braktisur.
Treg i padrejtë dhe konkurrencë e fortë nga importet. Qumështi dhe nënproduktet e importuara hyjnë shpesh me çmime më të ulëta se kostoja e prodhimit vendas, duke i hequr fermave shqiptare hapësirën e tregut.
Probleme në zinxhirin e shitjes. Fermat nuk kanë fuqinë të negociojnë çmime të drejta me fabrikat përpunuese, të cilat shpesh janë në pozicion dominues dhe diktojnë çmimin e qumështit të gjallë.
Mungesa e investimeve të reja dhe e brezit pasues. Shumë të rinj nuk e shohin blegtorinë si një profesion të së ardhmes. Shumë ferma u ndërtuan me pasionin e një brezi pionierësh, por nuk gjetën kushte që të bëheshin të qëndrueshme në kohë.
Kjo është arsyeja pse shumë ferma që dikur ishin modele suksesi, sot janë vetëm kujtime. Ato nuk u mbyllën për mungesë pasioni apo vizioni, por sepse ekonomia e blegtorisë në Shqipëri është kthyer në një terren të pasigurt dhe të paleverdisshëm. Dhe ky është një paradoks i madh: përpunuesit e qumështit rriten e forcohen, ndërsa bazamenti i tyre, fermat blegtorale, vdesin ngadalë!

Nga Shpëtim Luku

Risia e EHW-së, produkte pa konservantë

Pas një periudhe të gjatë pune me montimin e linjës së re, testimin dhe prodhimin, EHW ka hedhur në treg një risi të rëndësishme: produkte të përpunuara mishi pa konservantë, si salçiçe, kremviçe dhe proshuta.

Ky hap nuk lidhet me synime të menjëhershme për zgjerim tregu – sepse EHW, vit pas viti, ka treguar rritje të qëndrueshme dhe performanca të përmirësuara. Përkundrazi, investimi është bërë kryesisht për t’u dhënë alternativë konsumatorëve që e pëlqejnë këtë kategori produktesh, por janë të rezervuar për shkak të pranisë së konservantëve.

Edhe pse përdorimi i konservantëve është i rregulluar me norma ndërkombëtare të cilat EHW i zbaton me rigorozitet, një pjesë e konsumatorëve i shohin ato si një “gogol”. Për t’iu përgjigjur kësaj kërkese specifike, kompania vendosi të sjellë produkte tërësisht pa konservantë.

Kjo qasje konfirmon edhe një herë se kompanitë serioze janë kujdestare të shëndetit të konsumatorit. Reputacioni i ndërtuar prej vitesh është garancia më e fortë që EHW vepron gjithmonë mbi bazën e kritereve profesionale dhe shkencore.

Nëse grupi i konsumatorëve që kanë shmangur deri tani produktet e përpunuara për shkak të konservantëve rezulton i madh, atëherë EHW do të ketë bërë një lëvizje të goditur, duke i thyer barrierat dhe duke zgjeruar audiencën e saj. Nëse ky grup rezulton i vogël, atëherë investimi mund të konsiderohet më tepër një përpjekje për të plotësuar një dëshirë të konsumatorëve, sesa një nevojë tregu.

Konkurenca në tregun e veshjeve: kush e fiton klientin shqiptar?

Përfytyroni dëshirën e ethshme të njerëzve për të bërë shopping, kthimin e tij në një pasion, e ndonjëherë edhe në mani – dhe nga ana tjetër, ofertën e pafund të tregut: boutique elegante, qendra tregtare gjigante, dyqane të specializuara markash, pika shitjeje pa profil të qartë, apo tregje të përqendruara. Të orientohesh në këtë “pyll” alternativash është sfidë më vete: si të gjesh veshjen e duhur që përputhet me shijen dhe buxhetin.

Tregu shqiptar i retail-it të veshjeve është bërë gjithnjë e më konkurrues. Një vështrim mbi performancën e kompanive kryesore tregon se Inditex Albania dhe LC Waikiki mbeten liderët e padiskutueshëm. Inditex Albania – me markat Zara, Massimo Dutti, Breshka, Stradivarius, Pull&Bear realizoi afro 75 milionë euro aktivitet vjetor. Ndërsa LC Waikiki, vetëm me një brand të vetëm, arriti në rreth 65 milionë euro, duke treguar fuqinë e saj të veçantë në treg.

Përballë tyre, alternativa të tjera si New Yorker, Sinsay (Poloni), De Facto (Turqi), Cottoni, OVS e të tjera, kanë hyrë fort në skenë, por performanca e tyre mbetet shumë më modeste krahasuar me dy gjigantët kryesorë.

Konkurenca është e fortë dhe dinamika e tregut premton zhvillime të reja: kush do të arrijë të fitojë më shumë klientë shqiptarë në vitet që vijnë?

Hajri Elezaj, emri i mirë para suksesit

Kukësi është një ndër ato treva shqiptare që, ndonëse përballur me varfëri e izolim, ka nxjerrë figura të spikatura në botën e biznesit. Miliarderë të heshtur, njerëz me ndikim ekonomik që i kanë dhënë emër vendit kudo në Shqipëri e më gjerë. Në këtë kontekst, Hajri Elezaj është një emër që spikat jo vetëm për suksesin në biznes, por për një veçanti që e dallon nga të tjerët: ai ka qëndruar pranë vendlindjes. Ndërkohë që shumë të tjerë e kanë përqendruar aktivitetin në Tiranë, Durrës apo jashtë vendit, Elezaj ka zgjedhur që zemrën e sipërmarrjes së tij ta mbajë pikërisht atje ku nisi gjithçka: në Pukë dhe Kukës.

“Lajthiza Invest”, kompania që ai drejton, nuk është vetëm një histori suksesi ekonomik. Është një model për ndikim social, për zhvillim lokal dhe për ringjallje të shpresës në një zonë që shpesh herë është trajtuar si periferike. Investimet e tij kanë krijuar vende pune, kanë sjellë teknologji bashkëkohore dhe mbi të gjitha, kanë mbjellë një ndjesi krenarie tek banorët e zonës.

Por nëse sot Hajri Elezaj është një emër i madh i biznesit shqiptar, kjo nuk është një ngjitje e beftë. Për ata që e kanë njohur në rininë e tij, kjo ishte vetëm çështje kohe. Doktor Dritan Bala dhe inxhinieri Orskid Spahiu, dy profesionistë kuksianë, tregojnë episode të paharrueshme nga vitet e rinisë së Hajriut. “Ishte rrobaqepës i talentuar, më ka qepur një xhup modern atëherë që më bëri figurë në Tiranë”, rrëfen doktori me entuziazëm. Kurse Orkidi kujton me admirim mënyrën sesi Hajriu dinte të kthente në moderne edhe pantallonat e punës së minierës.

Por konsideratat e tyre për Hajri Elezajn nuk ndalen vetëm tek aftësitë e tij si mjeshtër i një profesioni të nderuar si rrobaqepësia. Ato shkojnë më tej, duke e vlerësuar Hajriun dhe gjithë familjen Elezaj si një ndër familjet më të mira të Kukësit. Familje punëtore, dinjitoze, me emër të mirë dhe me kontribut të vazhdueshëm për komunitetin. Në një kohë kur fjala “vlerë” shpesh relativizohet, përmendja e kësaj familjeje përbën një pikë referimi të padiskutueshme për gjithë zonën.

Nga rrobaqepës tek sipërmarrës. Nga modelimi i një xhupi, tek modelimi i një fabrike. Nga vizatimi teknik, tek arkitektura teknologjike e një linje prodhimi. Rruga është e gjatë, por koherente. Nuk është e rastësishme që sot Hajri Elezaj është aq i dhënë pas teknologjisë moderne. Ai e ka pasur pasionin për teknikën që në rininë e hershme. Thjesht sot ka në dorë mjete më të fuqishme për të ndërtuar, për të krijuar dhe për të projektuar të ardhmen.

Hajri Elezaj është një shembull i asaj që ndodh kur talenti, pasioni dhe ndershmëria bashkohen. Një burrë që nuk ka harruar nga vjen dhe që ka zgjedhur të bëjë të madhen pikërisht në një vend të vogël. Një modelues, që përmes punës së tij, po rikthen shpresën në Kukës.

Biznesmeni që nuk hap dot hotelin luksoz prej… dritave
Ushtria e mashtruesve të telemarketingut
SHPETIM LUKU
Kercimi Gjigand i MArin Gjonaj

Ermal Beqiri: ACTI – Thyerja e Zinxhirëve të “Punës së Porositur” për një Shqipëri që Udhëheq me ACT NOW 2025

Albanian Council for Technology and Innovation (ACTI) është një organizatë shqiptare e themeluar në fillim të vitit 2025, nën vizionin e Ermal Beqirit, që udhëheq një lëvizje transformuese për të ndërtuar një identitet të fortë teknologjik shqiptar në skenën globale.

Qëllimi i saj është të eksportojë projekte të plota, duke kaluar nga modeli i vjetër i “punës së porositur” ku profesionistët shqiptarë ofrohen si fuqi punëtore për kompani të huaja.

Themelimi i ACTI – Një Fillim i Ri për Teknologjinë Shqiptare

Në vetëm tre muaj që nga themelimi, ACTI ka krijuar një platformë që bashkon profesionistë, kompani dhe inovatorë për të ndarë njohuri dhe zhvilluar zgjidhje teknologjike me ndikim global.

Misioni i ACTI është i qartë: të ndërtojë një ekosistem ku talentet shqiptare jo vetëm që kryejnë detyra, por udhëheqin projektet nga konceptimi deri në implementim.

Komitetet Strategjike të ACTI

Për të realizuar këtë vizion, ACTI ka krijuar gjashtë komitete strategjike që mbulojnë fushat kryesore të zhvillimit teknologjik:

1. Komiteti i Edukimit dhe Trajnimit

2. Komiteti i Sigurisë Kibernetike

3. Komiteti për Startup-e, Teknologji dhe Inovacion

4. Komiteti i Politikave Lokale dhe Globale

5. Komiteti i Diasporës

Sfida e “Punës së Porositur” dhe Qasja e Re

Për vite me radhë, Shqipëria ka qenë e etiketuar si një vend i “punës së porositur” – një treg që ofronte aftësi teknike pa krijuar vlerë të plotë.

ACTI, nën drejtimin e Ermal Beqirit, ka përqafuar këtë sfidë me synimin për të transformuar ekipet shqiptare në krijues të zgjidhjeve të plota, që nga softuerët inovativë deri te platformat digjitale.

ACT NOW 2025 – Platforma dhe Çmimi për Inovacionin Shqiptar

ACT NOW 2025 është iniciativa kryesore e ACTI, një ngjarje dhe çmim prestigjioz që synon të vendosë Shqipërinë në hartën globale të inovacionit.

Detajet e Ngjarjes:

• Data: 30 maj 2025

• Vendndodhja: Tiranë

Programi përfshin:

• Panele me ekspertë të kompanive si Microsoft, Dell, Oracle

• Sfida për startup-e

• Cyber Drill Challenge

Çmimet:

• Çmimi i Madh ACT NOW: €50,000

• Çmime për projekte rinore dhe ekipin fitues të Cyber Drill Challenge

Aplikimet janë të hapura deri më 10 maj 2025.

Fryma e ACTI: Harmoni dhe Lidership

Suksesi i çdo projekti varet nga harmonia brenda ekipit dhe fryma organizative që nxit pronësinë dhe përkushtimin.

ACTI krijon një kulturë ku profesionistët rriten si udhëheqës të aftë për të menaxhuar projekte komplekse.

Identiteti ynë: Krenarë për Atë që Krijojmë

ACTI dhe ACT NOW 2025 përfaqësojnë një brez të ri shqiptarësh me talent dhe ambicie për të konkurruar globalisht.

Ne nuk jemi thjesht ofrues shërbimesh, por krijues dhe udhëheqës që eksportojmë projekte të plota me markën “Made in Albania”.

Koha për të Shkëlqyer

Në vetëm tre muaj nga themelimi, ACTI dhe nisma ACT NOW 2025, janë shndërruar në një lëvizje që po transformon rolin e Shqipërisë në tregun global të teknologjisë.

ACTI është zëri i këtij ndryshimi – dhe ne të gjithë jemi pjesë e tij.

Biznesmeni që nuk hap dot hotelin luksoz prej… dritave
Ushtria e mashtruesve të telemarketingut
SHPETIM LUKU
Kercimi Gjigand i MArin Gjonaj