Kur në vend shpërtheu dukuria e investimit në hidrocentrale dhe sisteme fotovoltaike, nuk qenë të paktë ata që e karakterizuan këtë dukuri si një lloj “hidrocentralo mani”. Mirëpo sot, kur shikon se rreth 41 për qind e totalit të energjisë është prodhuar nga hidrocentralet private, e kupton se investimi në këtë sektor, me një treg të garantuar, ka qenë një sipërmarrje thuajse pa risk. Akoma më tepër, kur shikon se në gjirin e 200 kompanive me fitimin më të madh bëjnë pjesë afro 25 kompani të prodhimit dhe tregtimit të energjisë, atëherë kupton edhe më shumë se investimi me këtë objekt veprimtarie ishte një hap i duhur.
Sadik Llapashtica, njëri prej njerëzve që është marrë me hidrocentralin e parë privat në Shqipëri, e përmbledh në një fjali të thjeshtë filozofinë e këtij investimi: puna “mbaron” në momentin që hidrocentrali ndërtohet. Pas kësaj, ajo që duhet të bëjë sipërmarrësi është të menaxhojë një aset që prodhon vazhdimisht dhe që ka një treg për energjinë e prodhuar.
Sigurisht, kjo është një mënyrë e thjeshtuar për ta parë një aktivitet që ka edhe kostot, rreziqet dhe përgjegjësitë e veta. Por realiteti i shifrave është kokëfortë. Dhe shifrat e fitimeve të disa prej kompanive energjetike shqiptare tregojnë se investimi në struktura të prodhimit dhe tregtimit të energjisë ka rezultuar, në shumë raste, jashtëzakonisht fitimprurës.
Devolli Hidropower, për shembull, siguroi gjatë vitit 2025 rreth 30 milionë euro fitim. Ayen Energy dhe NOA Energy rezultuan me rreth 12 milionë euro secila, ndërsa Diteko, një kompani që administron një hidrocentral në zonën e Dibrës, regjistroi rreth 5.5 milionë euro fitime.
Lista vazhdon. Alb Energy, Prima Energy dhe Protergia Energy Albania shfaqen me rreth 4.5 milionë euro fitime secila. Dhe nuk duket se kanë ndonjë arsye për t’u ankuar për rezultatet e tyre edhe një grup tjetër kompanish, si Kalisi Hidropower, Nova Solar, Euron Energy, Energy Plus, Gjo-Spa Power, Egnatia Hidropower, Power Elektrik Slabinjë dhe të tjera, që e kanë këtë tregues në nivele të kënaqshme.
Por periudhe të artë kanë patur edhe kompanitë që merren me sigurimin e energjisë nga tregu ndërkombëtar.
Janë shifra që flasin vetë. Në disa raste, fitimi vjetor i një hidrocentrali apo kompanie energjetike mund të jetë i krahasueshëm me xhiron e një biznesi të konsoliduar në sektorë të tjerë të ekonomisë. Dhe kjo ndodh pasi është bërë investimi fillestar në një aset që, nëse funksionon sipas parashikimeve, vazhdon të prodhojë të ardhura për shumë vite.
Këtu ndoshta qëndron edhe arsyeja pse ajo që në fillim u perceptua nga një pjesë e opinionit si “hidrocentralo mani”, sot duket më shumë si një nga historitë më interesante të kapitalit privat shqiptar.
Sepse në biznes ka raste kur një ide duket e ekzagjeruar kur e shikon nga larg, por bëhet shumë më e kuptueshme kur fillon të lexosh bilancet.
Dhe bilancet e energjisë, të paktën për disa prej kompanive që operojnë në këtë treg, kanë prodhuar një “shi” të vërtetë milionësh.




