RRETH NESH

Sigurimet, investim, jo “gjobë”

Landin kisha shumë kohë pa e takuar. Aq kohë, sa ajo ishte e mjaftueshme që secili prej nesh të shikonte tek njëri tjetri gjurmët e kohës që kishte kaluar pa kontakt visual. Megjithatë Landi kishte mbetur po ai djalë simpatik, i qeshur dhe me humor. Vecse mbipesha e tij dallohej me lehtësi të madhe. Ia vura në dukje këtë dhe ai e pranoi që nëpërmjet ndryshimeve graduale, tani ishte vënë përpara faktit të kryer dhe që ajo ia kishte prishur cilësinë e jetës.

“Duhet ti vesh objektiv vetes të humbësh kilogramë, megjithëse Leo Buscaglio ka shkruar se nuk është e thënë diku se të gjithë duhet të jenë 80 kg”, i thashë me humor. Pas pak javësh e takova sërish, dhe një “firo” disa kilogramëshe vihej re lehtë.

“Më duket se i qënke futur punës për realizimin e objektivit”, i thashë duke qeshur.

“Është dobësim nga halli”, më tha ai  dhe vazhdoi më tej duke më dhënë sqarime për të mos më lënë të vuaja me hipoteza të ndryshme.

“Shkova në Austri për të bërë një vizitë mjekësore dhe aty më thanë se duhet të kryeja patjetër një operacion. E bëra operacionin dhe tani më kanë vënë objektivin për të humbur një sasi të madhe të peshës”. Ndonëse e dija që nuk ishte keq nga ana financiare, pasi ai është biznesmen, nuk ndejta pa e bërë atë pyetjen kureshtare në të tilla raste që lidhet me koston e operacionit.

“Operacioni në Vienë kushtoi, por pata fat sepse një pjesë të mirë të tij ma pagoi siguracioni”. I intriguar nga fakti që ndodhesha përpara një fakti që përconte një mesazh të fortë, këmbëngula më tej për historinë e siguracionit të jetës dhe shëndetit që ai dispononte. Dhe shpjegimet e tij e bënin historinë fantastike.

“Kisha marrë një kredi në një bankë për biznesin dhe banka më “detyroi” të bëj sigurim jete dhe shëndeti. Ishte pikërisht ky sigurim që më zgjidhi punë dhe nuk më “vrau” nga financat pasi më përballoi një pjesë të madhe të faturës”, tha Landi.

Historia e tij është një shembull i qartë se si sigurimi i shëndetit dhe jetës mund të mos duket i nevojshëm në momentin e nënshkrimit, por të bëhet jetik kur ndodh një situatë e papritur. Fillimisht, sigurimi ishte një kërkesë e bankës për kredinë, pra një detyrim, por më pas u shndërrua në një mjet shpëtimi që i kurseu atij një barrë financiare të madhe.

Kjo përvojë i ndryshoi atij perspektivën, duke e bërë ta shohë sigurimin jo si një kosto, por si një investim për sigurinë e tij dhe të familjes. Është një shembull i mirë se si një përvojë personale e fortë mund të ndryshojë qasjen ndaj planifikimit financiar dhe mbrojtjes ndaj rreziqeve. Shumë njerëz e shohin sigurimin si një shpenzim të kotë deri në momentin që vërtet kanë nevojë për të.

Ajo që e bën edhe më interesante këtë histori është që Landi nuk e la me kaq, marrëdhënien me sigurimet, por e bëri zakon. Sepse, nëse në rastin e marrjes së kredisë ai ishte siguruar me “detyrim”, cka fare kollaj mund të përkthehej si “gjobë” ndaj tij, herë të tjera ai filloi të sigurohej me dëshirë dhe me bindjen e plotë se sigurimi ishte veprimi më i mirë që mund të bënte. Që në të dy rastet sjell përfitim.  Në rastin e parë kur nuk përdoret do të thotë se arsyet mungojnë, pra personi i siguruar ka marrë lajmin pozitiv që ka kaluar edhe një vit me shëndet të mirë. Kurse në rrethana kur ndodh ajo për të cilën je siguruar, pra problemi shëndetësor, një siguracion kthehet në një thesar të vërtetë. Duke të hequr detyrimin për të gjetur paratë që kërkohen për raste të tilla qoftë duke marrë kredi apo borxhe apo edhe duke shpenzuar një sasi të madhe parash, të cilat fare mirë mund të përdoreshin në drejtime të tjera.

 Por kjo kërkon një ndryshim të mendësisë dhe një qasje më të ndërgjegjshme ndaj menaxhimit të rreziqeve. Historia që treguam mund të shërbejë si mësim edhe për të tjerë që nuk e marrin seriozisht sigurimin derisa përballen me një situatë të vështirë.

Shpërnda në rrjete sociale

Biznesi Shqiptar: Më të Mirët

Botimi më i rëndësishëm jetor dedikuar biznesit në Shqiptar. Që nga viti 2003, ne identifikojmë, analizojmë dhe vlerësojmë kompanitë dhe sipërmarrësit që krijojnë vlerë, gjenerojnë rritje dhe ndikojnë pozitivisht në ekonomi e shoqëri.

RRETH NESH

Artikuj të tjerë

Biznesmenet

FABRIKA E ÇIMENTOS FUSHË-KRUJË

Të ardhurat bruto 2014:: 65 milionë euro Ndryshimi në % 14/13: +25 Numri i punonjësve: 380 Vendndodhja: Fushë Krujë Egziston një perceptim i përgjithshëm që sektori i ndërtimit nuk përjeton ditë të mira. Dhe ky...

2022

Helidon Rruga

Xhiro e biznesit 2021: 28 milionë EURO Ndryshimi në % 21/20: +23 Numri i punonjësve: 367 Vendndodhja: Durrës Kur Helidon Rruga filloi të shesë peshk nëpër disa tezga në Kavajë këtu e rreth 28 vite...

Uncategorized

Tërmeti shkundi xhepat e siguruesve

    Shpëtim Luku   Që jeta ka të papritura të shumta, improvizime nga më të shumëllojshmet e që ajo mund të ndryshojë cilësisht prej disa rrethanave e faktorëve të caktuar madhorë këtë teorikisht e...