RRETH NESH

Pse në Shqipëri blihet shtrenjtë edhe kur supermarketet fitojnë pak?

Gjatë vitit të kaluar në biznesin shqiptar ndodhin një transaksion i rëndësishëm. Rrjeti i supermarketeve Spar ndërroi pronësi duke kaluar nga biznesmeni i njohur Samir Mane tek kompania kosovare Viva Fresh. Shumë persona mund të jenë preokupuar për të hamendësuar arsyet e kësaj shitjeje. Në një bisede spontane me Samir Mane, e pyeta pse vendosi të shesë SPAR në Shqipëri. Përgjigjja e tij ishte e drejtpërdrejtë: “Sepse ishte e vetmja kompani e grupit ku nuk mund të zbatonim ekonominë e shkallës.”
“Po pse e bleu Viva Fresh Store?” – vazhdova.
“Sepse kishte atë që nuk kisha unë: mundësinë për ta realizuar ekonominë e shkallës.”
Ky dialog i shkurtër shpjegon më shumë sesa dhjetëra analiza pse çmimet e produkteve ushqimore në Shqipëri janë më të larta se në vendet e rajonit kur vetë supermarketet operojnë me norma fitimi minimale.
Në pamje të parë, duket paradoks: si është e mundur që një rrjet me qarkullim dhjetëra apo qindra milionë euro të ketë vetëm 2–3% fitim dhe megjithatë të shesë më shtrenjtë? Por pikërisht këtu qëndron thelbi i problemit. Marzhet e ulëta nuk janë shenjë e çmimeve të ulëta: përkundrazi, janë shpesh pasojë e kostove të larta.
Në Shqipëri, shumica e zinxhirëve të supermarketeve operojnë në një treg të vogël dhe të fragmentuar. Edhe rrjete të rëndësishme si Tirana Cash & Carry, Ekstra Market, Xhangolli Group, Eco Market, Pronatyra, Diambe apo edhe Conad Albania nuk arrijnë të krijojnë atë që në ekonomi quhet “shkallë kritike”. Ato blejnë më pak, shpërndajnë më pak dhe, për pasojë, paguajnë më shumë për çdo njësi produkti.
Në mungesë të ekonomisë së shkallës, zinxhiri i kostos mbetet i fryrë që në burim: furnitorët ofrojnë çmime më të larta, logjistika nuk optimizohet plotësisht, ndërsa kostot fikse shpërndahen mbi një volum relativisht të kufizuar shitjesh. Kjo do të thotë se produkti hyn në raft më shtrenjtë që në fillim.
Kësaj i shtohet edhe një faktor tjetër i drejtpërdrejtë: barra fiskale. TVSH-ja mbi produktet ushqimore në Shqipëri në masën 20 për qind është më e lartë se në disa vende të rajonit, ku aplikohen norma të reduktuara diku 8 për qind, diku 6 për qind apo edhe në pak për shportën bazë. Diferenca nuk është thjesht teknike, ajo përkthehet menjëherë në çmim për konsumatorin.
Rezultati është një treg ku operatorët nuk po “fitojnë shumë”, por po operojnë në kushte strukturore më të shtrenjta. Dhe kur kostoja është e lartë në çdo hallkë, nga blerja te taksimi, çmimi final nuk mund të jetë i ulët.
Në këtë kuptim, rasti i Spar nuk është thjesht një vendim biznesi. Është një ilustrim i qartë i një problemi më të gjerë: në një treg të vogël, pa integrim rajonal dhe me barrë fiskale të konsiderueshme, edhe aktorët më të mëdhenj mbeten “të vegjël” për të përfituar nga ekonomia e shkallës.
Dhe kur mungon shkalla, çmimi e tregon menjëherë. Shpresat janë tek një hyrje e re në këtë sektor, i cili premton ndikimin e tij pozitiv pikërisht sepse pretendon të realizojë ekonominë e shkallës.

Shpërnda në rrjete sociale

Biznesi Shqiptar: Më të Mirët

Botimi më i rëndësishëm jetor dedikuar biznesit në Shqiptar. Që nga viti 2003, ne identifikojmë, analizojmë dhe vlerësojmë kompanitë dhe sipërmarrësit që krijojnë vlerë, gjenerojnë rritje dhe ndikojnë pozitivisht në ekonomi e shoqëri.

RRETH NESH

Artikuj të tjerë

Uncategorized

Të jetosh përtej mundësive të tua!

Të jetosh përtej mundësive të tua! Vite më parë, kur u ndërtua kompleksi turistik “Laguna”, në Malin e Robit, shitjet e apartamenteve apo ambienteve të tjera në të u bënë në kohë rekord. Për vështirësi...

Uncategorized

Arben Petto, “mjeshtri” i teleferikëve

    Shpëtim Luku   Arben Petto është një biznesmen i njohur shqiptar, ndonëse jo i përmasave shumë të mëdha. Është marrë dhe merret prej kohësh me prodhim asfalti, me shtrim rrugësh të reja e...

Uncategorized

Si të mendojmë për një pension të rehatshëm?

Një kryetar i një shoqate pensionistësh ishte njëherë i ftuar në një auditor të rinjsh. “Sikur të ishe edhe një herë i ri, cfarë do bëje më mirë”, e pyeti moderatori i bisedës, duke tentuar...