RRETH NESH

Nami i madh, fitimi i vogël: e vërteta e tregut të karburanteve

Sa herë bota përballet me një krizë energjetike, e cila reflektohet edhe në Shqipëri, gishti i fajit drejtohet menjëherë tek biznesmenët e karburanteve. Nga qytetarë të thjeshtë te profesorë ekonomie, nga militantë partie te politikanë në kërkim të kapitalit të radhës, narrativa është pothuajse e njëjtë: kompanitë abuzojnë me çmimet.
Por ky është një lexim sipërfaqësor i një tregu kompleks.
Pretendimi se “çmimet rriten menjëherë kur rriten në bursë, por nuk bien kur bien jashtë” nuk mjafton për të provuar abuzimin. Nëse një treg do të kishte deformime të forta apo marrëveshje të fshehta për çmime, kjo do të reflektohej drejtpërdrejt në fitimet e kompanive.
Po çfarë tregojnë faktet për vitin 2024?
Kompania më e madhe e tregut, Kastrati Energy Trade, ka realizuar rreth 770 milionë euro xhiro dhe vetëm 17 milionë euro fitim – një normë prej rreth 1.2–1.3%.
Gega Oil, një tjetër aktor i rëndësishëm, me rreth 350 milionë euro qarkullim, ka siguruar vetëm 1.4 milionë euro fitim – pra një normë prej 0.3–0.4%.
Europetrol Durrës e përforcon këtë panoramë: me rreth 280 milionë euro xhiro, ka realizuar një fitim rreth 1.9 milionë euro.
Ndërkohë, Bolv e ka mbyllur vitin me humbje, pavarësisht një aktiviteti prej rreth 130 milionë eurosh.
E njëjta logjikë vlen edhe për kompani të tjera. Ex Fix, me rreth 55 milionë euro aktivitet, ka siguruar vetëm 140 mijë euro fitim. Eroil, me rreth 110 milionë euro xhiro, ka realizuar një fitim minimal prej rreth 110 mijë eurosh. RDA Petrol, Nasto Oil, ZiCo dhe të tjera kompani që renditen ndër më të mëdhatë në vend, paraqesin të njëjtën karakteristikë: qarkullime të mëdha dhe fitime minimale.
Kjo dukuri nuk i shmanget as tregtimit me pakicë. Kompani si Kastrati Energy, Skënderi G apo Olsi operojnë gjithashtu me marzhe shumë të ulëta fitimi.
Pra, kemi një treg ku qarkullohen miliarda euro, por fitohen “qindarka”. Jo më kot edhe daljet nga ky treg janë të mëdha e mjafton të kujtojmë kompanitë, dikur të mëdha por që tashmë nuk ekzistojnë më si Eurodrini, RIRA, Taçi Oil, Alpet, API, Helenic Petroleum.
Atëherë lind pyetja: ku janë abuzimet?
Nëse do të kishte abuzime të strukturuara me çmimet, ato do të linin gjurmë të qarta në bilancet financiare të kompanive. Fitimet do të ishin dukshëm më të larta. Por realiteti tregon të kundërtën: një sektor me volum të madh, por me rentabilitet të ulët.
Kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë raste evazioni fiskal apo sjellje të padrejta ndaj konsumatorit. Por kur flasim për nivelin e çmimeve, problemi kryesor nuk qëndron tek biznesmenët e karburanteve.
Ai qëndron tek mënyra se si ndërtohet çmimi final.
Pjesa dërrmuese e çmimit që paguan konsumatori shqiptar për karburantin përbëhet nga taksa: akciza, taksa e qarkullimit, TVSH, taksa e karbonit dhe elementë të tjerë fiskalë. Këto e bëjnë Shqipërinë një nga vendet me barrën më të lartë fiskale mbi karburantet në rajon. Edhe pasi paguhen taksat në doganë, në rrjetin e tregtisë me pakicë janë edhe 37 taksa të tjera që paguhen, duke e ndikuar çmimin final të karburantit 18 deri në 30 lekë për litër. Ndërkohë, janë rreth 1400-1500 pika karburanti, kur sipas normativave të BE-së, mjaftonin 200- 250 pika të tilla dhe ky fragmentim i tregut e rrit koston për litër edhe nja 12-20 lekë të reja. Mjafton të sillet si shembull superstrada Tiranë Durrës, ku nga maksimumi 4 pika karburanti që duhet te jenë faktikisht ka mbi 30-40 stacione të tilla.
Prandaj, ndërsa biznesmenët mbajnë “namin”, barra reale e çmimit bie diku tjetër.
Debati publik për karburantet ka nevojë të dalë nga emocionet dhe perceptimet sipërfaqësore, dhe të mbështetet mbi fakte. Vetëm atëherë mund të kuptohet se ky nuk është një treg ku “vidhen miliona”, por një treg ku qarkullohen miliarda dhe fitohen qindarka.

Shpërnda në rrjete sociale

Biznesi Shqiptar: Më të Mirët

Botimi më i rëndësishëm jetor dedikuar biznesit në Shqiptar. Që nga viti 2003, ne identifikojmë, analizojmë dhe vlerësojmë kompanitë dhe sipërmarrësit që krijojnë vlerë, gjenerojnë rritje dhe ndikojnë pozitivisht në ekonomi e shoqëri.

RRETH NESH

Artikuj të tjerë

2021

Shpëtim Oseku

Emri i kompanisë: Agro Iliria Numri i punonjësve: 200 Vendndodhja: Lushnjë Ekonomia shqiptare e ka një ndër sektorët e saj prioritarë bujqësinë. Dhe për mënyrën e zhvillimit të saj, për rrugën që duhet të ndjekë...

Biznesmenet

KUJTIM SHKRELI

Administrator i Përgjithshëm i kompanisë “EURO-FISH” Emri i kompanisë: EURO-FISH Të ardhurat bruto 2014: 2 milionë EURO Numri i punonjësve: 440 Vendndodhja: Lezhë Në disa raste, njeriu mund të ketë arritur shumë në jetë e...

Uncategorized

Ilir Xhani, kur suksesi ne Shqiperi “parafabrikohet” ne Itali

  Shpetim Luku Cdo njeri e ka të pashmangshme që në një periudhë të caktuar kohe, të kthejë kokën pas për të shikuar dhe analizuar rrugën që ka përshkuar. Në varësi të rezultatit e konkluzionit...