Përfytyroni dëshirën e ethshme të njerëzve për të bërë shopping, kthimin e tij në një pasion e, për disa, edhe në një mani. Në anën tjetër qëndron oferta pothuajse e pafund e tregut: butikë elegante, qendra tregtare moderne, dyqane të specializuara të markave ndërkombëtare, pika shitjeje pa një profil të qartë apo tregje të përqendruara me dhjetëra alternativa. Në këtë “pyll” zgjedhjesh, sfida më e madhe për konsumatorin mbetet të gjejë veshjen që përputhet njëkohësisht me shijen dhe buxhetin e tij.
Viti 2025 konfirmoi se tregu shqiptar i retail-it të veshjeve mbetet një nga sektorët më konkurrues të konsumit. Shifrat tregojnë se, pavarësisht hyrjes së vazhdueshme të markave të reja ndërkombëtare, gara vazhdon të dominohet nga dy emra të mëdhenj. Inditex Albania, me portofolin e markave Zara, Massimo Dutti, Bershka, Stradivarius dhe Pull&Bear, realizoi një aktivitet vjetor prej afro 80 milionë eurosh. Nga ana tjetër, LC Waikiki, duke operuar vetëm me një brand, arriti rreth 66 milionë euro aktivitet vjetor, një dëshmi e fuqisë së jashtëzakonshme që kjo markë ka ndërtuar në tregun shqiptar.
Përballë tyre, emra si New Yorker, Sinsay (Poloni), DeFacto (Turqi), Cottoni, OVS dhe marka të tjera po zgjerojnë gradualisht praninë e tyre dhe po konkurrojnë për segmente të ndryshme të konsumatorëve. Megjithatë, për nga vlera e aktivitetit, ato mbeten ende larg dy liderëve të tregut. New Yorker Albania, për shembull, realizoi një aktivitet vjetor prej afro 8 milionë eurosh, ndërsa siguroi një fitim mbi 3 milionë euro, një tregues i një modeli biznesi me rentabilitet të lartë.
Rritja e numrit të markave ndërkombëtare, zgjerimi i qendrave tregtare dhe ndryshimi i vazhdueshëm i preferencave të konsumatorëve po e bëjnë këtë sektor një nga më dinamikët në ekonominë shqiptare. Konkurenca pritet të intensifikohet edhe më tej në vitet e ardhshme. Pyetja që mbetet është: kush do të arrijë të fitojë besnikërinë e klientit shqiptar?




