Ka kompani që zgjedhin Shqipërinë për të qenë pranë një tregu. Ka të tjera që e zgjedhin për koston e punës. Por ka edhe raste shumë më domethënëse, kur një grup ndërkombëtar e shndërron filialin shqiptar në një nga shtyllat kryesore të aktivitetit të tij global. Pikërisht kjo është historia e “Maccaferri Balkans”.
Kur grupi italian Maccaferri vendosi të investonte në Shqipëri, objektivi ishte zgjerimi i pranisë së tij në rajon. Askush nuk mund ta parashikonte se, vetëm pak vite më vonë, fabrika dikur në Vorë do të shndërrohej në një nga njësitë më dinamike të të gjithë grupit.
Pas këtij transformimi qëndron një filozofi e thjeshtë: rritja nuk ndërtohet vetëm me në makineri, por mbi drejtimin e njerëzve, disiplinën organizative dhe besimin se edhe nga Shqipëria mund të prodhohen standarde europiane.
Në krye të këtij transformimi ndodhet Robert Masha. I diplomuar dhe me përvojë profesionale në Itali dhe se fundmi i sapo ai solli në drejtimin e kompanisë jo vetëm kulturën industriale italiane, por edhe aftësinë për ta përshtatur atë me realitetin shqiptar. Së fundmi, ai ka finalizuar një program Executive MBA (EMBA) pranë Bologna Business School (BBS), duke thelluar edhe më tej kompetencat drejtuese që i kanë shërbyer këtij transformimi. Rezultatet flasin vetë.
Në vetëm pak më shumë se pesë vjet, aktiviteti i kompanisë është trefishuar. Nga një xhiro prej rreth 10–12 milionë eurosh, “Maccaferri Balkans” e mbylli vitin 2025 me afro 36 milionë euro dhe synon të arrijë 43 milionë euro gjatë vitit në vijim. Edhe fitimi ka ndjekur të njëjtën trajektore pozitive, duke arritur rreth 3 milionë euro në vitin 2025.
Por ndoshta treguesi më domethënës i këtij suksesi nuk është bilanci financiar. Është vetë fabrika.
Ajo që dikur ishte një njësi relativisht modeste në Vorë është shndërruar sot në një kompleks modern industrial, me disa godina prodhimi, linja të automatizuara që shtohen vazhdimisht dhe afro 300 punonjës, krahasuar me vetëm 65–70 që kishte pak vite më parë. Çdo investim i ri nuk ka sjellë vetëm rritje të kapaciteteve prodhuese, por edhe një zgjerim të rolit që Shqipëria luan brenda grupit Maccaferri.
Kompania ofron një gamë të gjerë zgjidhjesh inxhinierike si gabione, rrjeta teli, gjeogrida, gjeomata, matrasa, rrjeta mbrojtëse dhe produkte të tjera që përdoren në infrastrukturën rrugore, stabilizimin e shpateve dhe mbrojtjen nga rrëshqitjet e dherave. Megjithatë, filozofia e saj shkon shumë përtej prodhimit të materialeve.
“Maccaferri Balkans” nuk synon të jetë thjesht një furnizues produktesh. Ajo kërkon të jetë partner teknik i klientëve të saj. Inxhinierët dhe specialistët e kompanisë marrin pjesë në projektimin e zgjidhjeve, analizojnë karakteristikat e çdo vepre infrastrukturore dhe propozojnë alternativat më efikase, duke e bërë ekspertizën teknike po aq të rëndësishme sa vetë produkti.
Edhe struktura e shitjeve tregon pozicionin strategjik të kompanisë. Rreth 30 milionë euro e prodhimit të vitit 2025 ishte e destinuar për kompanitë e grupit Maccaferri në tregjet ndërkombëtare, ndërsa rreth 6.5 milionë euro iu drejtuan tregjeve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ky segment rajonal po fiton gjithnjë e më shumë peshë, ndërsa projektet e reja infrastrukturore në rajon pritet të krijojnë kërkesë edhe më të madhe për produktet e kompanisë.
Natyrisht, ky zhvillim nuk ka ardhur në një mjedis të lehtë biznesi. Forcimi i lekut ka goditur eksportuesit, kostot e punës janë rritur ndjeshëm, pagat dhe kontributet shoqërore kanë njohur rritje të vazhdueshme, ndërsa industria është përballur me sfida të shumta konkurruese. Megjithatë, “Maccaferri Balkans” ka arritur t’i kthejë këto vështirësi në një nxitje për të investuar më shumë në produktivitet, teknologji dhe organizim.
Në fund të fundit, historia e kësaj kompanie është dëshmi se filialet nuk mbeten gjithmonë filiale. Kur kombinohen kapitali ndërkombëtar, menaxhimi profesionist dhe investimet e vazhdueshme, ato mund të shndërrohen në qendra të rëndësishme prodhimi për gjithë grupin.
Sot, “Maccaferri Balkans” nuk përfaqëson vetëm një investim italian në Shqipëri. Ajo përfaqëson një histori industriale shqiptare që ka fituar besimin e një grupi global dhe që po demonstron se edhe nga Durresi mund të prodhohen zgjidhje inxhinierike që përdoren në projekte infrastrukturore brenda dhe jashtë rajonit. Pikërisht ky është transformimi që e bën këtë kompani një nga historitë më përfaqësuese të suksesit në industrinë shqiptare gjatë vitit 2025.




