RRETH NESH

Ferma që nuk lulëzuan kurrë

Shumë vite më parë, si gazetar, pata rastin të shoh nga afër një realitet të bukur biznesi në Tërbuf të Lushnjës. Aty, Qemal Kozarja kishte ngritur një kompleks blegtoral modern, që të impresiononte me investimet, menaxhimin dhe mënyrën sesi zhvillohej puna. Ishte një model që të jepte shpresë për të ardhmen e blegtorisë shqiptare. Por disa vite më vonë, Kozarja “u dorëzua”. Fermën e shiti me një çmim që i rikuperonte vetëm një të katërtën e investimit të bërë.

Pak më vonë, pata mundësinë të njihesha me një tjetër histori pozitive, me Biofermën Ramilli. Një fermë model, me mbi 400 lopë race, me procese të automatizuara dhe me sipërfaqe të konsiderueshme toke për ushqimin e bagëtive. Por sot, edhe kjo fermë nuk është më ajo që ishte.
Një tjetër shembull frymëzues ishte ferma e Shefit Dibrës në Shkodër. Shefiti fliste me një pasion të jashtëzakonshëm për punën e tij. Madje kujtonte me krenari një bisedë me një doktor zviceran, që kishte vizituar fermën:
“Djali yt nuk e trashëgon dot profesionin tënd, po qe se nuk studion për mjekësi. Ndërsa djali im, edhe pa shkollë, do ta trashëgojë këtë fermë dhe menaxhimin e saj.”
Por edhe kjo fermë, sipas të dhënave të fundit, ka falimentuar.
Nuk po ndalem gjatë tek ferma blegtorale Dema, pranë City Park, sepse nuk kam informacion të përditësuar. Por një gjë është e qartë: edhe nëse funksionon ende, është shumë larg asaj famës që pati kur u krijua vite më parë.
Këto shembuj të shkuarish e të tashmesh tregojnë një paradoks të madh: në një kohë kur industria e përpunimit të qumështit është relativisht e zhvilluar dhe me shumë aktorë, vetë fermat blegtorale, që duhet të ishin në lulëzim, ose janë mbyllur, ose mbijetojnë me vështirësi të mëdha.

Pse ndodh kjo?

Arsyet janë të shumta, por disa prej tyre janë vendimtare:

Kostoja e lartë e ushqimit të bagëtive. Për një fermë moderne, ushqimi përfaqëson mbi 60% të shpenzimeve. Çmimet e larta të drithërave dhe mungesa e subvencioneve efektive e bëjnë të pamundur konkurrencën me qumështin e importuar.
Mungesa e politikave të qëndrueshme mbështetëse. Subvencionet shpesh janë të vogla, të vonuara dhe të shpërndara pa një strategji të qartë zhvillimi, çka i bën fermerët të ndihen të braktisur.
Treg i padrejtë dhe konkurrencë e fortë nga importet. Qumështi dhe nënproduktet e importuara hyjnë shpesh me çmime më të ulëta se kostoja e prodhimit vendas, duke i hequr fermave shqiptare hapësirën e tregut.
Probleme në zinxhirin e shitjes. Fermat nuk kanë fuqinë të negociojnë çmime të drejta me fabrikat përpunuese, të cilat shpesh janë në pozicion dominues dhe diktojnë çmimin e qumështit të gjallë.
Mungesa e investimeve të reja dhe e brezit pasues. Shumë të rinj nuk e shohin blegtorinë si një profesion të së ardhmes. Shumë ferma u ndërtuan me pasionin e një brezi pionierësh, por nuk gjetën kushte që të bëheshin të qëndrueshme në kohë.
Kjo është arsyeja pse shumë ferma që dikur ishin modele suksesi, sot janë vetëm kujtime. Ato nuk u mbyllën për mungesë pasioni apo vizioni, por sepse ekonomia e blegtorisë në Shqipëri është kthyer në një terren të pasigurt dhe të paleverdisshëm. Dhe ky është një paradoks i madh: përpunuesit e qumështit rriten e forcohen, ndërsa bazamenti i tyre, fermat blegtorale, vdesin ngadalë!

Nga Shpëtim Luku

Shpërnda në rrjete sociale

Biznesi Shqiptar: Më të Mirët

Botimi më i rëndësishëm jetor dedikuar biznesit në Shqiptar. Që nga viti 2003, ne identifikojmë, analizojmë dhe vlerësojmë kompanitë dhe sipërmarrësit që krijojnë vlerë, gjenerojnë rritje dhe ndikojnë pozitivisht në ekonomi e shoqëri.

RRETH NESH

Artikuj të tjerë

Uncategorized

Kurum rifiton shkëlqimin

  Shpetim Luku Rasti i kompanisë Kurum International është unik në realitetin e biznesit shqiptar. Jo më tepër sa i takon natyrës së aktivitetit në fushën e metalurgjisë, se sa ajo cfarë ngjau me këtë...

2022

Etleva Laro

Emri i kompanisë: EFA Solution dhe Prodyn Xhiro e biznesit 2021: 16 milionë euro Numri i punonjësve: 1010 Vendndodhja: Tiranë Etleva Laro është një personazh rela- tivisht i ri i biznesit shqiptar. Jo vetëm për...

2022

Kujtim Zëre

Administrator i Përgjithshëm i kompanisë “ALBANIAN HERB” Xhiro e biznesit 2021: 7.2 milionë USD Ndryshimi në % 21/20: +20 Numri i punonjësve: 60 Vendndodhja: Durrës Sikur Kujtim Zëre të kishte ndjekur në mënyrë klasike karrierën...