RRETH NESH

Gjergj Leqejza, fuqia e qëndrueshmërisë

Në një klimë biznesi ku partneritetet shpesh nuk mbijetojnë as një dekadë, historia e bashkëpunimit mes kompanisë italiane Cottonella dhe administratorit të saj në Shqipëri, Gjergj Leqejza, është shembull i rrallë. Tashmë prej gati 30 vitesh, që nga viti 1995, kompania Shqipëria Trikot operon në tregun shqiptar si një hallkë e rëndësishme në zinxhirin e prodhimit të veshjeve intima të Cottonella-s. Dhe ky bashkëpunim afatgjatë nuk është produkt i rastësisë.

 

“Ke qenë me fat në bashkëpunimin me ta”, i them një ditë Gjergjit gjatë një bisede të rastësishme.

“Edhe ata kanë qenë me fat me mua,” – përgjigjet ai me një buzëqeshje që fsheh modestisht bindjen për kontributin e vet të padiskutueshëm.

 

E vërteta është se ky është një model funksional i partneritetit afatgjatë, ku secila palë ka respektuar përgjegjësitë e veta, ka kultivuar vlera, besim të ndërsjellë dhe ndershmëri. Një formulë që rrallë shihet në realitetin shqiptar të biznesit, por që ka dhënë fryte të qëndrueshme në kohë. Ky bashkëpunim ngjan me një pemë të mbjellë në vitin 1995, që me kalimin e viteve ka hedhur rrënjë të forta dhe sot jep fryte për qindra familje në Shkodër. Degët e saj janë brezat e punonjësve – gra që kanë nisur të reja, janë bërë nëna e më pas gjyshe, por që vazhdojnë të punojnë në të njëjtin vend. Është kjo vazhdimësi që dëshmon se pema është rritur me kujdes, stabilitet dhe respekt.

 

Pavarësisht sfidave të viteve të fundit – nga ulja e euros në raport me lekun te rritja e përgjithshme e kostove – Shqipëria Trikot ka arritur të ruajë ritmet e saj të aktivitetit. Kjo falë mbështetjes së vazhdueshme të partnerit italian, por edhe adaptimit të vetë kompanisë me realitetin e ri.

 

Kompania është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në qytetin e Shkodrës, duke mbajtur të punësuar mesatarisht 700-800 punonjës, shumica gra. Në disa raste, bëhet fjalë për punonjëse që janë punësuar në rini, janë martuar, janë bërë nëna e madje edhe gjyshe, por që vazhdojnë të punojnë në të njëjtin vend – një dëshmi domethënëse për stabilitetin, trajtimin njerëzor dhe ambientin e respektuar të punës që ofron Shqipëria Trikot.

 

Së fundmi, gjatë një vizite pranë njërit prej partnerëve prodhues të Cottonella-s, kompanisë Madish, bie në sy një investim serioz në kushte pune, logjistikë dhe mirëqenie të stafit. Vlerat e përbashkëta të këtyre bizneseve janë të qarta: respekti për punën dhe për punonjësit.

 

Nga ana tjetër, Shqipëria Trikot mbetet një aktor i rëndësishëm në sektorin e eksportit, sidomos në prodhimin e veshjeve intime, uniformave të policisë dhe ushtrisë, duke e siguruar kështu përfshirjen e saj të qëndrueshme në renditjen e 100 kompanive eksportuese më të mira në Shqipëri.

 

Historia e Shqipëria Trikot dhe Gjergj Leqejzës është një kujtesë se edhe në një mjedis shpesh të vështirë si ai shqiptar, partneritetet mund të jenë jetëgjata, kur mbështeten në vlera dhe vizion të përbashkët.

Me dy komponentë të rëndësishëm, sikurse janë punësimi dhe eksporti, Shqipëria Trikot hyn me meritë në gjirin e kompanive më të mira shqiptare.

Shpërnda në rrjete sociale

Biznesi Shqiptar: Më të Mirët

Botimi më i rëndësishëm jetor dedikuar biznesit në Shqiptar. Që nga viti 2003, ne identifikojmë, analizojmë dhe vlerësojmë kompanitë dhe sipërmarrësit që krijojnë vlerë, gjenerojnë rritje dhe ndikojnë pozitivisht në ekonomi e shoqëri.

RRETH NESH

Artikuj të tjerë

Uncategorized

Performanca e biznesit shqiptar gjatë një viti

    Lexues të nderuar!   Sivjet është viti i 14-të I Botimit Kombëtar: “Biznesi Shqiptar: Më të Mirët 2017”. 14 vite mund të mos jenë as shumë e as pak, por janë të mjaftueshëm...

2023

Robert Masha

Administrator i Përgjithshëm i kompanisë “Maccaferri Balkans” Xhiro e biznesit 2022: 23 milionë euro Ndryshimi në % 22/21: +50 Numri i punonjësve: 160 Vendndodhja: Durrës Nëse ndodhesh për një takim pune me Administratorin e Përgjithshëm...

2019

Ilir Xhani

Xhiro e biznesit 2018: 9 milionë euro Ndryshimi në % 18/17: +170 Numri i punonjësve: 195 Vendndodhja: Durrës Çdo njeri e ka të pashmangshme që në një periudhë të caktuar kohe, të kthejë kokën pas...