Në Shqipëri, sa herë që shfaqet një fenomen ekonomik i vështirë për t’u shpjeguar, shumë njerëz nxitojnë ti vënë vulën: “është pastrim parash”.
Bumi i ndërtimeve? Pastrim parash.
Aktivitete sportive që dalin me humbje? Pastrim parash.
Biznese që duket sikur nuk justifikohen ekonomikisht? Patjetër pastrim parash.
Kjo mënyrë arsyetimi është bërë aq e zakonshme, sa në shumë raste shërben si një “shpjegim universal” për çdo aktivitet që duket i çuditshëm ose jashtë logjikës së tregut. Mirëpo, pikërisht këtu nis edhe keqkuptimi i madh.
Pastrimi i parave nuk është thjesht ekzistenca e një biznesi që humbet para apo e një aktiviteti që nuk duket rentabël. Thelbi i pastrimit të parave është krejt tjetër: futja në ekonomi e parave me origjinë të paligjshme, duke iu krijuar atyre një burim të ligjshëm nëpërmjet aktivitetit ekonomik.
Dhe kjo realizohet jo duke deklaruar humbje, por përkundrazi, duke deklaruar fitime.
Një subjekt që përdoret për pastrim parash ka nevojë të justifikojë hyrjen e shumave të mëdha monetare. Për këtë arsye ai fryn artificialisht të ardhurat, rrit qarkullimin në mënyrë fiktive ose deklaron fitime më të larta sesa ato reale. Vetëm kështu paratë informale apo kriminale mund të “legalizohen” gradualisht në sistem.
Nëse një biznes del zyrtarisht me humbje të vazhdueshme, ai në fakt nuk po krijon hapësirë për të justifikuar para shtesë. Përkundrazi, po tregon se aktiviteti nuk gjeneron fitim. Në këtë rast lind një pyetje tjetër: si mbijeton ai biznes? Por kjo është një çështje ndryshe nga pastrimi klasik i parave.
Shpesh ngatërrohen disa fenomene krejt të ndryshme si:
bizneset që mbahen gjallë nga kapitali i pronarit, aktivitetet që përdoren për prestigj apo influencë, investimet spekulative, konkurrenca informale, evazioni fiskal
dhe në disa raste, pastrimi i parave.
Për shembull, një klub sportiv mund të dalë me humbje për vite me radhë, sepse pronari e financon për pasion, për ndikim publik apo për interesa të tjera indirekte. Një kompani ndërtimi mund të ndërtojë shumë, sepse pret rritje të çmimeve ose sepse financohet nga kredi dhe kapital i akumuluar më parë. Këto raste mund të jenë ekonomikisht të diskutueshme, por nuk provojnë automatikisht ekzistencën e pastrimit të parave.
Problemi është se përdorimi pa kriter i këtij etiketimi krijon dy pasoja të dëmshme: banalizimin e një fenomeni shumë serioz kriminal dhe pengimin e analizës reale ekonomike të problemeve.
Kur çdo gjë shpjegohet me “pastrim parash”, nuk studiohen më faktorët e vërtetë si struktura e tregut, informaliteti, politika fiskale, përqendrimi i kapitalit, emigracioni, remitancat, spekulimi apo dobësia e institucioneve.
Në Shqipëri “pastrimi i parave” është kthyer më shumë në një slogan emocional sesa në një koncept ekonomik dhe juridik i kuptuar, interpretuar dhe identifikuar saktë. Problemi egziston, por diagnoza duhet vendosur në mënyrë preçize rast pas rasti.
Pikërisht ky është keqkuptimi i madh.




