RRETH NESH

Europa gjelbërohet, industria shqiptare “karbonizohet”

CBMA dhe rreziku që industria shqiptare të humbasë tregun europian

Albsteel është një kompani shqiptare lider në tregun e prodhimit të profileve tubolare. Ka prej shumë vitesh statusin e liderit dhe po ashtu, në mënyrë të qëndrueshme ka pozicionin kryesor në këtë treg.

Për t’i përforcuar akoma më shumë performancën dhe perspektivën kompanisë së tij, drejtuesi i saj, Proletar Hasani, së bashku me stafin e tij vendosën t’i drejtohen edhe eksportit para disa vitesh. Sepse e kishin fuqinë konkuruese. Produktet i kishin cilësore falë investimeve bashkëkohore të kryera, por edhe çmimet i kishin po ashtu të mira në raport me cilësinë.

Dhe erdhi një moment që vendimi i tyre për t’iu drejtuar edhe eksportit të produkteve të tyre u verifikua si i saktë dhe pjesë e një vizioni shumë të mirë. Sasitë e eksportit erdhën në rritje nga njëri vit në tjetrin, çka bëri që optimizmi në kompani të rritej edhe më tepër, pasi i dha “Albsteel”-it statusin e një kompanie me fuqi konkuruese edhe në tregjet ndërkombëtare.

Mirëpo, kur çdo gjë po ecte mirë e bukur, kur të gjithë në kompani ishin të preokupuar për të përmirësuar raportin produkt i shitur në vend : produkt për eksport në favor të këtij të fundit, vjen lajmi i hidhur.

Europa imponon tashmë pagesën e taksës së karbonit, një taksë kjo jo doganore, por që aplikohet në kufi. Dhe kjo taksë nuk prek vetëm produktet e kompanisë “Albsteel”, por edhe ato të industrive të tjera, si alumini, ferrokromi, produktet e hekurit etj.

Dhe si gjithmonë, shqiptarët ndryshime të tilla i kapin të papërgatitur dhe vetëm atëherë kur ato japin “kërcitjen” fillojnë të mendojnë për të eliminuar apo reduktuar këtë barrierë.

Sepse, le ta themi troç, aplikimi i një takse të tillë të karbonit, e cila e rrit ndjeshëm çmimin e produkteve shqiptare në eksport, e “karbonizon” të gjithë industrinë shqiptare të këtyre produkteve.

Dhe problemi nuk është vetëm tek taksa në vetvete. Problemi është se industria shqiptare po përballet me një sfidë të madhe në një kohë kur ajo ende nuk ka arritur të konsolidojë plotësisht avantazhet e saj konkurruese.

Për vite me radhë, industria shqiptare e metaleve, e materialeve të ndërtimit apo edhe e përpunimit të mineraleve ka konkurruar me dhe në tregjet rajonale dhe europiane me disa avantazhe të qarta: koston më të ulët të fuqisë punëtore, fleksibilitetin në prodhim dhe një energji elektrike që, të paktën teorikisht, vinte kryesisht nga burime hidrike.

Por tashmë loja ka ndryshuar. Europa nuk po sheh më vetëm çmimin apo cilësinë e produktit. Ajo po sheh edhe “gjurmën e karbonit” që mbart çdo produkt industrial. Dhe në këtë pikë, shumë industri shqiptare rezultojnë të pambrojtura.

Sepse ndërsa vendet europiane kanë vite që investojnë miliarda euro në teknologji të gjelbra, eficiencë energjetike, riciklim dhe ulje emisionesh, industria shqiptare vazhdon të përballet me mungesë financimi, mungesë politikash mbështetëse apo edhe me vision afatgjatë jo të plotë.

Në pamje të parë, mund të duket sikur kemi të bëjmë vetëm me një taksë shtesë. Por në realitet kemi të bëjmë me një ndryshim të madh filozofie ekonomike. Europa po ndërton një ekonomi ku ndotja paguhet shtrenjtë. Dhe kush nuk përshtatet me këtë filozofi, penalizohet.

Pikërisht këtu lind edhe shqetësimi më i madh për industrinë shqiptare. A është ajo gati për këtë transformim? Pasi nuk bëhet fjalë më për një konjukturë të pafavorshme e të përkohshme, të cilën duhet ta kalojmë me zgjidhje politike nëpërmjet negociatave të shtetit shqiptar me Bashkimin Europian. Negociata këto që janë në proces.

Kalimi drejt një industrie me emetime më të ulëta kërkon investime të mëdha, teknologji moderne, standarde të reja prodhimi dhe, mbi të gjitha, mbështetje serioze nga shteti.

Në të kundërt, rreziku është real: shumë kompani shqiptare mund të humbasin gradualisht konkurrueshmërinë në eksport. Produktet e tyre mund të bëhen më të shtrenjta se ato të konkurrentëve europianë apo rajonalë. Dhe kjo do të thotë më pak eksporte, më pak prodhim dhe më pak vende pune.

Koha nuk pret. Mekanizmat europianë të karbonit do të bëhen çdo vit më të fortë dhe më të sofistikuar. Dhe kush nuk përgatitet sot, nesër do ta ketë shumë më të vështirë të mbijetojë në treg.

Prandaj, debati për taksën e karbonit nuk është thjesht debat për industrinë. Për vështirësitë aktuale të saj. Por është edhe debat për modelin ekonomik që do të ndjekë Shqipëria në dekadat e ardhshme.

Arben Shkodra, Drejtor Ekzekutiv i Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë e përmbledh me dy fjalë të gjithë atë proces, i cili pritet të realizohet. “Është rrugë e gjatë dhe e vështirë”-thotë ai

Sepse ndërsa Europa po gjelbërohet me shpejtësi, industria shqiptare rrezikon të “karbonizohet” ekonomikisht, financiarisht dhe konkurrueshmërisht.

Shpërnda në rrjete sociale

Biznesi Shqiptar: Më të Mirët

Botimi më i rëndësishëm jetor dedikuar biznesit në Shqiptar. Që nga viti 2003, ne identifikojmë, analizojmë dhe vlerësojmë kompanitë dhe sipërmarrësit që krijojnë vlerë, gjenerojnë rritje dhe ndikojnë pozitivisht në ekonomi e shoqëri.

RRETH NESH

Artikuj të tjerë

Uncategorized

Sa përgjegjës është biznesi shqiptar për emigrimin?

  Shpëtim Luku Refreni më i shpeshtë që degjoj në takimet e mia me biznesmenë të ndryshëm është ankesa e tyre për mungesë të fuqisë punëtore, e sidomos të punëtorëve të kualifikuar. Dhe shumica e...

2023

Kompania Elka SA

Xhiro e biznesit 2022: 47 milion EURO Ndryshimi në % 22/21: +11 Numri i punonjësve: 419 Vendndodhja: Vrisera, Gjirokastër Kompania ELKA- SA është ndër më të mirënjohurat në Shqipëri. Dhe kjo për shkak të disa...

2023

Nadir Causholli

President i kompanisë CFO Pharma Emri i kompanisë: CFO Pharma Xhiro e biznesit 2022: 60 milionë euro Numri i punonjësve: 300 Vendndodhja: Tiranë Kur Nadir Causholli themeloi kompaninë CFO Pharma, shumë të pakët mund të...