RRETH NESH

Luis Ndreka, të trashëgosh sakrificën, të ndërtosh të ardhmen!

 

Antoneta Ndreka, bashkëthemeluesja e kompanisë LUFRA tregonte dikur se dy fëmijëve të saj, Luisit dhe Francit, ia kishin bërë të qartë se nuk i kishin lënë trashëgim pasuri, por një kompani që kërkonte punë dhe vetëm punë. Kanë kaluar vite që kur ajo e ka bërë këtë deklaratë dhe Luisi, tashmë prej vitesh drejtues i kompanisë, e ka parë dhe konstatuar vetë në realitet se sa mund e punë kërkon mbarëvajtja e një kompanie të tillë sikurse është “LUFRA”. Nuk është e lehtë të trashëgosh një emër të madh. Sidomos kur ai emër është ndërtuar mbi dekada sakrificash, net pa gjumë, fundjava të humbura dhe një përkushtim të pandërprerë. Për Luis Ndrekën, drejtorin e “LUFRA Foods” dhe djalin e bashkëthemeluesve Arben dhe Antoneta Ndreka, sfida nuk ka qenë të marrë autoritetin që i jepte mbiemri, por të fitojë respektin që duhet ta ndërtojë vetë.

Ai thotë se nuk ka pasur një moment të vetëm kur është ndjerë më shumë drejtues sesa “djali i pronarit”. Ka qenë një proces që vazhdon ende. Megjithatë, kthesa erdhi atëherë kur kuptoi se përgjegjësitë që mbante mbi supe nuk mund t’i korrigjonte askush tjetër pas tij. Ishte momenti kur ndjeu peshën e plotë të vendimmarrjes dhe përgjegjësisë.

Sipas tij, autoriteti mund të vijë natyrshëm nga pozicioni, por respekti fitohet ndryshe. Ai ndërtohet në marrëdhëniet e përditshme me njerëzit, duke respektuar secilin, duke u kujdesur për punën e tyre dhe për shqetësimet që kanë si individë. Respekti, thotë Luisi, nuk fitohet një herë e përgjithmonë, por ndërtohet me secilin person veçmas.

Për të, marka LUFRA është shumë më tepër sesa një biznes. Ajo përfaqëson sakrificën e një brezi dhe sfidën e një brezi tjetër. Sakrificën e prindërve të tij, të cilët për vite me radhë nuk njohën pushime e qetësi, dhe sfidën e fëmijëve të tyre për ta ruajtur, zhvilluar dhe çuar më tej atë që është ndërtuar me aq mund.

Në qendër të këtij rrugëtimi qëndrojnë vlera të thjeshta, por themelore: korrektësia dhe ndershmëria. Luis Ndreka beson se njeriu nuk mund të jetë i ndershëm në jetë dhe jo në biznes, apo anasjelltas. Karakteri, sipas tij, pasqyrohet në çdo fushë ku një individ ushtron ndikimin e vet.

Në një treg ku reklama dhe kundërreklama janë pjesë e përditshmërisë, LUFRA ka zgjedhur të mbështetet te cilësia. Janë konsumatorët ata që japin verdiktin përfundimtar. Dhjetëra mijëra produkte të kompanisë konsumohen çdo ditë prej më shumë se 35 vitesh, dhe kjo, sipas tij, është prova më e fortë e besimit që marka ka fituar.

Kompania mbetet fort e lidhur me identitetin e saj shqiptar. Me kapital shqiptar, me vlera shqiptare dhe me synimin për të krijuar vlerë të shtuar në vend. Në këtë zinxhir, fermerët zënë një vend të veçantë. Për vite me radhë, LUFRA ka mbështetur dhjetëra fermerë me financime paraprake dhe investime që u kanë mundësuar të zhvillojnë aktivitetin e tyre dhe të bëhen sot ndër furnizuesit më cilësorë të kompanisë.

Sigurisht, suksesi sjell edhe kritika. Por Luis Ndreka e sheh këtë si pjesë të natyrshme të lojës. “Pema me kokrra gjuhet gjithmonë”, thotë ai, duke shtuar se gjykimi më i rëndësishëm mbetet ai që konsumatori jep çdo ditë përmes përvojës së tij me produktin.

Në një industri ku operojnë mbi 300 njësi të përpunimit të qumështit, konkurrenca është e fortë. Megjithatë, ai beson se diferenca e LUFRA-s qëndron te pasioni dhe përkushtimi familjar. Pikërisht kjo i mban afër detajeve dhe afër konsumatorit.

Kur pyetet se ku e sheh kompaninë pas dhjetë vitesh, ai shmang përgjigjet e gatshme. Dëshira është e qartë: një LUFRA më e suksesshme. Forma që do të marrë ky sukses mbetet për t’u parë. Prioriteti i parë mbetet tregu shqiptar, ndërsa ambicia afatgjatë është integrimi i plotë në tregun europian.

Dhe në fund, pas të gjitha shifrave, investimeve dhe strategjive, mbetet një emocion njerëzor. Ai që ndjen kur sheh produktin e kompanisë së familjes në raftet e dyqaneve apo në tryezat e konsumatorëve. Një ndjenjë krenarie që, sipas Luis Ndrekës, është shpërblimi më i madh i gjithë punës.

Në fund të fundit, historia e LUFRA-s nuk është vetëm historia e një kompanie. Është historia e një sakrifice që po shndërrohet në trashëgimi dhe e një brezi që po përpiqet ta kthejë atë trashëgimi në një kapitull të ri suksesi.

 

Shpërnda në rrjete sociale

Biznesi Shqiptar: Më të Mirët

Botimi më i rëndësishëm jetor dedikuar biznesit në Shqiptar. Që nga viti 2003, ne identifikojmë, analizojmë dhe vlerësojmë kompanitë dhe sipërmarrësit që krijojnë vlerë, gjenerojnë rritje dhe ndikojnë pozitivisht në ekonomi e shoqëri.

RRETH NESH

Artikuj të tjerë

Aktualitet

Artigiano: Mjeshtëria në tavolinë

Në botën e gastronomisë shqiptare, emri “Artigiano” është bërë një simbol i suksesit dhe cilësisë. Pas këtij emri qëndron Jani, një sipërmarrës vizionar, një artizan i vërtetë i restoranteve, i cili ka krijuar një përvojë...

Uncategorized

Te falimentuar, por te pasur!!!

Të falimentuar, por të pasur!! Si shpjegohet paradoksi: biznesmenë të dështuar, por njerëz të pasur?! Cilat janë mënyrat nëpërmjet të cilave është krijuar ky tip? Dhe si mund të veprohet që ai të vijë duke...

Aktualitet, Blog

Si ndërtoi Edmond Shahini liderin absolut të tregut të makinave në Shqipëri?

Rreth 20 vite më parë, Edmond Shahini mori një vendim që do të ndryshonte rrënjësisht jetën e tij: ai la Italinë, ku kishte emigruar, dhe vendosi të rikthehej në Shqipëri. Nuk ishte një kthim i...