Nuk bëhet fjalë vetëm për perceptim. Është një fakt që çmimet e shumë produkteve të konsumit të përditshëm në Shqipëri janë më të larta se në vendet e rajonit, madje edhe më të larta se në vende me standard jetese shumë më të lartë, si Italia apo Anglia.
Ky është një konstatim që nuk vjen vetëm nga statistikat, por edhe nga përvoja e përditshme e qytetarëve. Një mik i imi, pronar i një hoteli të rëndësishëm në një qytet juglindor, më tregonte se me rreth 1,700 euro pazar në Maqedoninë e Veriut arrinte të siguronte një sasi produktesh, për të cilat në Shqipëri do t’i duheshin rreth 2,200 euro. Në këtë përllogaritje përfshihej edhe kostoja e karburantit për udhëtimin.
Të njëjtën gjë kanë vënë re edhe shumë shqiptarë të tjerë, të cilëve u ka rënë rasti të hyjnë në supermarkete në Itali, Maqedoni apo Kosovë dhe të krahasojnë çmimet e produkteve identike me ato që shiten në Shqipëri. Në shumicën e rasteve, rezultati është i njëjtë: produktet janë më të lira jashtë vendit.
Pra, fakti është i pakundërshtueshëm. Debati i vërtetë duhet të përqendrohet tek arsyet pse ndodh kjo. Dhe pikërisht kuptimi i shkaqeve është më i rëndësishëm se vetë konstatimi, sepse vetëm kështu mund të kërkohen politika që realisht ndikojnë në uljen e çmimeve.
Shkaku i parë lidhet me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Në Shqipëri, ushqimet tatohen me TVSH në masën 20 për qind. Ndërkohë, në Itali, prej nga vjen një pjesë e konsiderueshme e importeve ushqimore, TVSH-ja për produktet bazë është vetëm 4 për qind. Anglia shkon edhe më tej, duke aplikuar TVSH zero për një kategori të gjerë ushqimesh bazike.
Në një vend ku familjet shpenzojnë rreth 40 për qind të buxhetit të tyre për ushqim, niveli i TVSH-së bëhet një faktor me ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve.
Një element i dytë është kostoja e transportit. Shqipëria është një treg relativisht i vogël dhe me kosto logjistike më të larta. Sipas përllogaritjeve të aktorëve të tregut, transporti mund të ndikojë në çmimin final me rreth 7–8 për qind.
Kësaj duhet t’i shtohen edhe tarifat doganore, të cilat për disa produkte ushqimore arrijnë deri në 10 për qind. Nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë, rezulton se një pjesë e konsiderueshme e diferencës së çmimeve me Italinë mund të shpjegohet pikërisht nga këta faktorë fiskalë dhe logjistikë. Në shumë raste, produktet mbërrijnë në raftet shqiptare me një kosto të shtuar prej të paktën 30–35 për qind.
Fatkeqësisht, Shqipëria, e konsideruar tradicionalisht si një vend me potencial bujqësor dhe blegtoral, nuk arrin më të mbështetet në prodhimin vendas për të përmbushur nevojat ushqimore të popullsisë. Kontributi i këtij sektori mbetet larg potencialit që vendi ka, duke e bërë ekonominë tonë gjithnjë e më të varur nga importet.
Në këtë pikë lind edhe një perceptim i gabuar: ideja se çmimet e larta janë kryesisht rezultat i “makutërisë” së sipërmarrësve që operojnë në sektorin e tregtisë me pakicë.
Në të vërtetë, treguesi më i mirë i efektivitetit të një kompanie është norma e fitimit. Analiza e bilanceve financiare të rrjeteve kryesore të supermarketeve në Shqipëri – si SPAR, Conad, Big Market, Xhangolli, Extra Market, Diambe, Pronatyra, Eco Market dhe të tjerë – tregon se fitimet neto të tyre janë relativisht modeste. Në rastet më të mira, normat e fitimit arrijnë rreth 9 për qind, ndërsa disa operatorë kanë rezultuar edhe me humbje.
Për më tepër, retail-i ushqimor është ndër sektorët më të formalizuar të ekonomisë shqiptare. Shitjet regjistrohen në kohë reale, zinxhiri i furnizimit është i dokumentuar dhe hapësirat për evazion fiskal janë shumë më të kufizuara sesa në sektorë të tjerë të ekonomisë.
Vetë historia e këtij tregu dëshmon se bëhet fjalë për një aktivitet me sfida të mëdha. Mercator, një prej rrjeteve më të njohura sllovene, u largua nga Shqipëria pa arritur sukses. Carrefour u tërhoq nga tregu shqiptar duke lënë pas një borxh prej rreth 12 milionë eurosh. Edhe Conad, para ndryshimit të pronësisë, rezultonte me humbje rreth 2 milionë euro. Vetëm pas një ristrukturimi të menaxhimit, performanca e kompanisë u përmirësua.
Kjo nuk do të thotë se konkurrenca në treg nuk duhet monitoruar apo se nuk mund të ketë raste të abuzimit individual. Por do të ishte e gabuar që i gjithë problemi i çmimeve të larta të reduktohej në një akuzë të përgjithshme ndaj biznesit.
Në afat të shkurtër, hapësira më e madhe për ndërhyrje ekziston tek politika fiskale. Një ulje e TVSH-së për ushqimet bazë, të paktën në nivele të ngjashme me vendet e rajonit, do të krijonte kushtet për një ulje të ndjeshme të çmimeve për konsumatorët shqiptarë.
Në afat të gjatë, zgjidhja është edhe më komplekse, por njëkohësisht më e qëndrueshme: rritja e prodhimit vendas bujqësor dhe blegtoral. Një vend që prodhon më shumë nga ajo që konsumon është më pak i ekspozuar ndaj kostove të importit, luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare dhe goditjeve të jashtme.
Çmimet e larta të ushqimeve në Shqipëri nuk janë thjesht një problem tregu; ato janë pasojë e zgjedhjeve fiskale, e dobësisë së prodhimit vendas dhe e një strukture ekonomike që mbështetet te importi. Nëse synojmë të ndryshojmë rezultatin, duhet të kemi guximin të diskutojmë shkaqet e vërteta dhe jo të mjaftohemi me gjetjen e fajtorëve të radhës.




