Shumë vite më parë, shkova si gazetar për të ndjekur një ankand që zhvillohej për privatizimin e një kompanie publike. Nuk isha aty rastësisht. Pjesë e konkurrimit ishte edhe një mik i imi, i cili, në partneritet me biznesmenin vlonjat Sulo Shehi, synonte të merrte në pronësi ish-kompaninë publike të shitjes me pakicë të karburanteve.
Pa nisur ende procedura e ankandit, miku im dukej në një humor të jashtëzakonshëm, gati-gati euforik. Dhe arsyeja ishte e thjeshtë: ishte në garë në partneritet me Sulo Shehin.
Në ato vite, ky emër nuk kishte nevojë për shumë shpjegime. Sulo Shehi ishte një prej biznesmenëve më të njohur dhe më të fuqishëm të Vlorës, por pesha e tij shtrihej përtej kufijve të qytetit. Ai ishte një protagonist i rëndësishëm i biznesit shqiptar në një periudhë kur të bërit biznes ishte shumë më i vështirë se sot dhe kur ekonomia shqiptare po kalonte transformime të thella.
Ishte edhe një periudhë e trazuar, veçanërisht pas ngjarjeve të vitit 1997, të cilat goditën rëndë klimën e biznesit dhe ekonominë shqiptare. Për shumë sipërmarrës, ajo periudhë solli pasiguri, humbje dhe nevojën për të rindërtuar nga e para. Sulo Shehi, megjithatë, arriti ta ruajë pozicionin e tij si një prej protagonistëve të rëndësishëm të biznesit vlonjat dhe atij kombëtar.
Rrugëtimi i tij në biznes nuk u kufizua në një sektor të vetëm. Pas eksperiencave të ndryshme në sipërmarrje, ai do ta gjente sistemimin përfundimtar në sektorin e ndërtimit, përmes kompanisë Anakonda Plus, duke ndërtuar gradualisht një aktivitet që do të bëhej pjesë e rëndësishme e historisë së tij sipërmarrëse.
Por biznesi, ashtu si edhe jeta, ka ciklet dhe sfidat e veta.
Prej disa kohësh, Sulo Shehi është shkëputur nga angazhimi i drejtpërdrejtë në aktivitetin e përditshëm të kompanisë. Por kjo nuk do të thotë se historia e tij sipërmarrëse ka përfunduar. Përkundrazi, ajo ka hyrë në një fazë tjetër: në fazën e trashëgimisë dhe të kalimit të stafetës te brezi i ri.
Sot, drejtimi i kompanisë është marrë përsipër nga dy vajzat e tij, Loredana dhe Evis Shehi. Ato kanë marrë në duar jo thjesht drejtimin e një kompanie, por edhe përgjegjësinë për të vazhduar një histori biznesi të ndërtuar ndër vite nga babai i tyre.
Dhe ky është ndoshta një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e një sipërmarrjeje: momenti kur themeluesi tërhiqet gradualisht nga skena dhe brezi pasardhës duhet të dëshmojë se është i aftë ta mbajë dhe ta zhvillojë atë që është ndërtuar para tij.
Nëse sheh ecurinë e Anakonda Plus ndër vite, vëren një aktivitet me cikle, me periudha rritjeje dhe të tjera më të vështira, siç ndodh në shumë kompani që operojnë në sektorin e ndërtimit. Por rezultati i vitit 2025 tregon qartë se kompania vazhdon të ketë kapacitet për të qëndruar në një nivel të rëndësishëm tregu.
Gjatë vitit 2025, Anakonda Plus realizoi një volum aktiviteti prej mbi 25 milionë euro, një rezultat që e vendos kompaninë në një pozicion të rëndësishëm në sektorin ku operon. Por, përtej madhësisë së aktivitetit, një tregues edhe më domethënës është rentabiliteti i arritur gjatë këtij viti. Kompania nuk u mjaftua vetëm me një volum të konsiderueshëm pune; ajo arriti ta shndërrojë këtë aktivitet edhe në një rezultat financiar të mirë.
Kjo performancë merr një kuptim të veçantë nëse shihet në perspektivën e tranzicionit që po përjeton kompania. Anakonda+ nuk është më vetëm kompania e themeluar dhe e drejtuar për vite me radhë nga Sulo Shehi. Ajo është tashmë një kompani që po hyn në një kapitull të ri, me Loredana dhe Evis Shehin në drejtim.
Për Sulo Shehin, kjo është një tjetër formë suksesi. Sepse trashëgimia e një biznesmeni nuk matet vetëm me atë që ka ndërtuar vetë, por edhe me aftësinë për të krijuar një strukturë që mund të vazhdojë të jetojë dhe të zhvillohet edhe kur ai nuk është më në krye të saj.
Dhe pikërisht këtu merr vlerë historia e Anakonda Plus. Nga një sipërmarrje e ndërtuar mbi eksperiencën dhe vizionin e Sulo Shehit, kompania po përpiqet të shndërrohet në një histori të re, ku përvoja e së shkuarës takohet me energjinë dhe përgjegjësinë e një brezi të ri.
Loredana dhe Evis Shehi kanë marrë stafetën. Sfida e tyre nuk është thjesht të ruajnë atë që kanë trashëguar, por ta çojnë më tej. Të dëshmojnë se emri i ndërtuar nga babai i tyre mund të shndërrohet në një kapital të qëndrueshëm për të ardhmen.
Në këtë kuptim, historia e Sulo Shehit nuk është një histori që mbyllet me tërheqjen e tij nga biznesi. Është një histori që vazhdon në duart e vajzave të tij. Dhe performanca e Anakonda Plus në vitin 2025 është një dëshmi se kjo histori tashmë ka hyrë në një fazë të re.




