RRETH NESH

Çmimet i vendos “urdhri” i tregut, jo kryeministri

Takimi i fundit i Kryeministrit Edi Rama me përfaqësues të kompanive të rrjeteve të supermarketeve, ku një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe çështjes së çmimeve të larta, hap një debat që shkon përtej një takimi institucional. Në thelb, pyetja është shumë më e thjeshtë: kush i vendos çmimet në një ekonomi tregu?

Që në fillim duhet thënë se një takim i tillë mund të lexohet në dy mënyra. Ose Kryeministri nuk ka përvetësuar mësimin e parë dhe themelor të sistemit ekonomik në të cilin operojmë: çmimet nuk vendosen me urdhër, por përcaktohen nga tregu. Ose, në të kundërt, takimi ku Kryeministri shfaqet publikisht si mbrojtës i interesit të konsumatorit është një formë komunikimi politik, një rol që, duhet pranuar, ai di ta luajë mirë.

Problemi është se në këtë “llogore” të kërkimit të llogarisë ndaj biznesit nuk është vetëm Kryeministri. Në të njëjtën anë janë rreshtuar shpesh edhe media dhe ekonomistë të ndryshëm, duke e vendosur përgjegjësinë për çmimet e larta pothuajse drejtpërdrejt te tregtarët.

Por ekonomia e tregut funksionon ndryshe.

Sistemin e ekonomisë së centralizuar, ku çmimet përcaktoheshin me urdhër, e lamë pas në vitin 1990. Që prej atëherë kemi hyrë në një sistem ku çmimi është rezultat i ndërveprimit të kërkesës dhe ofertës, i kostove, konkurrencës dhe kushteve të tregut. Çdo biznes që nxjerr një produkt në treg synon ta shesë atë me çmimin që tregu është në gjendje të pranojë. Nëse çmimi është shumë i lartë, kërkesa bie. Nëse është shumë i ulët dhe nuk mbulon kostot, biznesi nuk mund të qëndrojë gjatë në treg. Kjo është logjika bazë e ekonomisë së tregut. Prandaj, nuk mund të operojmë në një sistem kapitalist me mendësinë e ekonomisë së centralizuar, ku mjafton t’u thuash sipërmarrësve se çmimet duhet të jenë më të ulëta.

 

Po supermarketet, sa fitojnë realisht?

 

Edhe një argument tjetër që përdoret shpesh në debatin për çmimet është ai që e lidh drejtpërdrejt çmimin e lartë me fitimet e rrjeteve të supermarketeve.

Por shifrat financiare të vitit 2025 japin një panoramë që meriton të merret në konsideratë.

BIG Market, rrjeti më i madh i supermarketeve, me një xhiro totale prej rreth 28 miliardë lekësh, rezulton me një normë rentabiliteti më pak se 1 për qind.

SPAR, rrjeti i dytë më i madh, me një xhiro prej rreth 13 miliardë lekësh, ka realizuar një fitim prej rreth 300 milionë lekësh.

Diambe, me një xhiro mbi 5 miliardë lekë, ka siguruar rreth 130 milionë lekë fitim.

Xhangolli, me një volum shitjesh prej rreth 4 miliardë lekësh, ka realizuar rreth 53 milionë lekë fitim.

Një performancë disi ndryshe paraqet EXTRA MARKET, e cila kundrejt një xhiroje prej rreth 2.8 miliardë lekësh ka siguruar rreth 180 milionë lekë fitim.

Ndërsa ish-Eco Market, megjithëse ka realizuar një volum shitjesh prej rreth 2.3 miliardë lekësh, e ka mbyllur vitin me rezultat financiar negativ.

Pra, panorama e këtyre shifrave nuk tregon një sektor që karakterizohet në mënyrë të përgjithshme nga norma të jashtëzakonshme fitimi. Përkundrazi, në pjesën më të madhe të rasteve bëhet fjalë për marzhe relativisht të ulëta mbi volume shumë të mëdha shitjesh.

Dhe këtu lind pyetja thelbësore: nëse supermarketet operojnë me norma të ulëta rentabiliteti, atëherë pse çmimet janë të larta?

 

Problemi nis shumë më herët se kasa e supermarketit

 

Që çmimet në Shqipëri janë në shumë raste më të larta se në vendet e rajonit, madje edhe në disa vende europiane, është një realitet që nuk mund të mohohet. Por për ta kuptuar atë duhet parë i gjithë zinxhiri dhe jo vetëm hallka e fundit: supermarketi.

Shqipëria ka një bujqësi dhe blegtori që ende nuk arrijnë të garantojnë furnizimin e tregut vendas me pjesën dërrmuese të produkteve ushqimore. Një pjesë e madhe e nevojave të konsumatorit shqiptar mbulohet nga importi. Dhe këtu nis diferenca.

Produkti që hyn në Shqipëri nuk vjen thjesht me çmimin e fabrikës ose të prodhuesit. Mbi të shtohen kostot e transportit, logjistikës, magazinimit, procedurave doganore, taksave dhe shpenzimeve të tjera që shoqërojnë zinxhirin e furnizimit. Në fund të këtij procesi vendoset edhe TVSH-ja. Pra, çmimi që konsumatori sheh në raft nuk është çmimi me të cilin produkti është prodhuar apo blerë në vendin e origjinës. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme kur krahasimi bëhet me vendet e tjera europiane.

Në Itali, për kategori të caktuara ushqimore aplikohet një normë shumë më e ulët TVSH-je, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar ushqimet bazë përgjithësisht trajtohen me normë zero. Në Shqipëri, nga ana tjetër, norma standarde e TVSH-së është 20 për qind.

Prandaj, kur krahasojmë çmimin e një produkti në një supermarket shqiptar me çmimin e të njëjtit produkt në një vend tjetër, nuk mund të krahasojmë vetëm etiketën në raft. Duhet të krahasojmë edhe strukturën e kostove që qëndron pas asaj etikete.

Çmimi i lartë është edhe pasqyrë e strukturës së ekonomisë Nëse Shqipëria importon pjesën më të madhe të produkteve ushqimore që konsumon, kjo do të thotë se ekonomia shqiptare është e ekspozuar ndaj kostove të prodhimit, transportit dhe tregtimit në vendet e tjera.

Nëse bujqësia dhe blegtoria shqiptare nuk arrijnë të prodhojnë në nivele që të mbulojnë një pjesë më të madhe të kërkesës së brendshme, atëherë problemi nuk zgjidhet duke i kërkuar supermarketit të ulë çmimin.

Nëse TVSH-ja për ushqimet në Shqipëri është më e lartë se në disa vende me të cilat krahasohemi, atëherë pyetja duhet t’u drejtohet politikave fiskale. Dhe nëse kostot e prodhimit vendas janë të larta, duhet parë pse.

Këto janë çështje që lidhen me strukturën e ekonomisë, politikat bujqësore, politikat fiskale, produktivitetin, infrastrukturën dhe zinxhirin e furnizimit. Nuk zgjidhen duke vendosur gishtin vetëm te biznesmeni që shet produktin në fund të këtij zinxhiri.

Nuk mund të fajësosh hallkën e fundit për të gjithë zinxhirin

Të thuash se çmimet janë të larta sepse supermarketet i shesin produktet shtrenjtë është e ngjashme me të parë vetëm hallkën e fundit të një procesi shumë më të gjatë.

Supermarketi është vendi ku konsumatori e sheh çmimin. Por nuk është domosdoshmërisht vendi ku krijohet ai çmim. Nëse një produkt importohet, transportohet, zhdoganohet, magazinohet, shpërndahet dhe më pas shitet, çmimi final është rezultat i të gjitha këtyre hallkave. Supermarketi shton edhe marzhin e vet, sigurisht. Por nëse shifrat financiare tregojnë se ky marzh për një pjesë të madhe të rrjeteve është i ulët, atëherë është e vështirë që gjithë problemi i çmimeve të shpjegohet me “abuzimin” e supermarketit.

Pasi tregu nuk është një urdhër që i jepet biznesit nga qeveria dhe as një çmim që e përcakton një biznesmen sipas dëshirës së tij. Është rezultat i një sistemi të tërë ekonomik. Prandaj, nëse synimi është që konsumatori shqiptar të blejë më lirë, debati duhet të zhvendoset nga pyetja “pse nuk i ulni çmimet?” te pyetja shumë më e rëndësishme: “çfarë duhet të ndryshojë në ekonominë shqiptare që çmimet të mund të jenë më të ulëta?”

Sepse të kërkosh llogari vetëm nga biznesmeni i supermarketit mund të prodhojë një deklaratë të fortë politike. Por nuk zgjidh problemin ekonomik.

Çmimet nuk ulen me urdhër. Ato ulen kur ndryshojnë kushtet që i prodhojnë ato.

Shpërnda në rrjete sociale

Biznesi Shqiptar: Më të Mirët

Botimi më i rëndësishëm jetor dedikuar biznesit në Shqiptar. Që nga viti 2003, ne identifikojmë, analizojmë dhe vlerësojmë kompanitë dhe sipërmarrësit që krijojnë vlerë, gjenerojnë rritje dhe ndikojnë pozitivisht në ekonomi e shoqëri.

RRETH NESH

Artikuj të tjerë

Uncategorized

Shpetim Luku/Një Sombrero shqiptare

Doktor Skerdi, sikurse e thërrasin të gjithë Skerdilajd Farinë, është një persona interesant dhe shumë komunikues. Na pret në zyrën e tij me ciltërsinë dhe natyrshmërinë e një personi që të bën të ndjehesh sikur...

Biznesmenet

ADAMANTIOS FRANTZIS

Drejtor i përgjithshme i ANTEA Cement Emri i kompanisë: ANTEA Cement Të ardhurat bruto 2014: 53 milionë EURO Numri i punonjësve: 209 Vendndodhja: Krujë ANTEA Cement sh.a. është më i madhi investim i tipit “greenfi...

Uncategorized

Si të mendojmë për një pension të rehatshëm?

Një kryetar i një shoqate pensionistësh ishte njëherë i ftuar në një auditor të rinjsh. “Sikur të ishe edhe një herë i ri, cfarë do bëje më mirë”, e pyeti moderatori i bisedës, duke tentuar...