Tri kompani të pjesëve të këmbimit renditen ndër 200 bizneset më fitimprurëse në Shqipëri. “KADIU” udhëheq për nga fitimi, ndërsa “DUEF AUTO PARTS” spikat për raportin mes xhiros dhe rezultatit financiar.
Numri i automjeteve në Shqipëri po rritet me ritme të shpejta, duke kaluar tashmë kufirin e një milionë mjeteve. Sidomos vitet e fundit, regjistrimet për herë të parë lëvizin në intervalin 90–100 mijë automjete në vit. Një tregues ky i qartë i zgjerimit të automobilizimit në vend, por edhe i një tregu që krijon mundësi të mëdha për një numër të konsiderueshëm biznesesh.
Pavarësisht se automjetet elektrike po shtohen gradualisht, pjesa dërrmuese e parkut të automjeteve në Shqipëri vazhdon të përbëhet nga makina të përdorura me motorë me djegie të brendshme. Dhe kjo do të thotë se, krahas karburantit, ato kanë nevojë të vazhdueshme për pjesë këmbimi, vajra, filtra, goma, shërbime dhe mirëmbajtje. Me fjalë të tjera, sa më shumë makina në rrugë, aq më shumë punë për ata që merren me gjithçka që ndodhet poshtë kofanos.
Janë pikërisht pronarët e kompanive që tregtojnë pjesë këmbimi për automjete ndër përfituesit e kësaj prirjeje. Një treg ku konkurrenca nuk është e vogël dhe ku operojnë dhjetëra subjekte, por vetëm tri prej tyre arrijnë të renditen ndër 200 kompanitë më të suksesshme në Shqipëri, sipas treguesit të fitimit.
Në këtë garë, emri që spikat prej vitesh është KADIU. E themeluar nga Leonard Kadiu, kompania është një dëshmi e një vizioni që ka ditur të parashikojë zgjerimin e tregut të automobilave në Shqipëri dhe nevojën gjithnjë e më të madhe për shërbime e pjesë këmbimi. Zhvillimi i saj është mbështetur edhe në një rrjet filialesh të shtrirë në qytetet kryesore të vendit, duke e afruar kompaninë me klientët dhe duke i dhënë një prani të gjerë në treg.
Treguesit financiarë të vitit 2025 flasin për një volum aktiviteti prej më shumë se 3.6 miliardë lekësh dhe një fitim prej 420 milionë lekësh. Krahasuar me një vit më parë, aktiviteti i KADIU është përmirësuar, megjithëse me ritme të moderuara. Një performancë që dëshmon konsolidimin e një biznesi të ndërtuar ndër vite dhe aftësinë e tij për të ruajtur një pozicion të rëndësishëm në një treg gjithnjë e më konkurrues.
Pas KADIU vjen AUTO-PASION, kompania e themeluar dhe në pronësi të Mikail Sotirit. Me një aktivitet prej 3.2 miliardë lekësh dhe një fitim prej 234 milionë lekësh, ajo mbetet një prej operatorëve të rëndësishëm të këtij segmenti të tregut.
Megjithatë, ndryshe nga viti paraardhës, kur kishte realizuar një aktivitet prej rreth 3.1 miliardë lekësh dhe një fitim prej 240 milionë lekësh, në vitin 2025 AUTO-PASION shënon një tkurrje të lehtë të performancës, veçanërisht në efektivitetin e aktivitetit. Rritja e volumit të shitjeve nuk është shoqëruar me një përmirësim të fitimit, çka e bën këtë rezultat një tregues të rëndësishëm për ecurinë e kompanisë.
Kompania e tretë që plotëson këtë treshe është DUEF AUTO PARTS, e njohur në treg edhe si “Auto Çeti”. E lokalizuar në zonën e Xhafzotajt, në Durrës, kjo kompani e vëllezërve Dedja ka një përmasë aktiviteti më të vogël se dy të parat, por rezultatet e saj financiare meritojnë një vëmendje të veçantë.
Me një xhiro prej rreth 1.6 miliardë lekësh, DUEF AUTO PARTS ka realizuar një fitim prej 274 milionë lekësh. Një rezultat që e vendos atë përpara AUTO-PASION në treguesin e fitimit, ndonëse kjo e fundit realizon një volum aktiviteti afërsisht dy herë më të madh.
Diferenca është domethënëse. Nëse te KADIU spikat përmasa e aktivitetit dhe fitimi absolut, ndërsa AUTO-PASION mbështetet në një volum të konsiderueshëm tregtimi, DUEF AUTO PARTS dëshmon se madhësia e xhiros nuk është gjithmonë përcaktuese për rezultatin përfundimtar. Raporti mes të ardhurave dhe fitimit të realizuar është një tjetër mënyrë për të lexuar suksesin e një kompanie.
Në fund të fundit, beteja e këtyre tri kompanive nuk zhvillohet vetëm në tregun e pjesëve të këmbimit, por edhe në aftësinë për ta kthyer një volum të madh shitjesh në fitim. Dhe ndërsa numri i makinave në Shqipëri vazhdon të rritet, duket se edhe gara poshtë kofanos do të mbetet një histori me shumë konkurrencë dhe me rezultate që nuk varen vetëm nga madhësia e biznesit.




