RRETH NESH

A e saboton politika tregun e sigurimeve?

Fasada e një pallati të ri në një kompleks të Tiranës u dogj plotësisht, se bashku me 25 apartamente. Nuk është rasti i vetëm. Ka shumë prona të tjera që ndër vite nuk i kanë shpëtuar flakëve, përmbytjeve apo fatkeqësive të tjera. Por ajo që bëri më shumë përshtypje në këtë rast nuk ishte vetë dëmi, sesa nxitimi i kryeministrit për të deklaruar se të gjitha apartamentet e dëmtuara do të rindërtoheshin nga kompania ndërtuese “Arlis”.

Pyetja që lind natyrshëm është: pse duhet të funksionojë kështu? Në një ekonomi tregu, prona sigurohet. Apartamentet, bizneset, godinat apo asetet e tjera duhet të mbrohen përmes sigurimit ndaj zjarrit dhe fatkeqësive natyrore. Por shqiptarët vazhdojnë t’i konsiderojnë këto sigurime si para të hedhura kot.

Shifrat e tregojnë qartë këtë mentalitet. Nga afro 240 milionë euro që ishte tregu i sigurimeve jo-jetë gjatë vitit 2025, mbi 180 milionë euro përbëheshin nga sigurimi i detyrueshëm motorik. Ndërkohë, sigurimi i pronës nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore mbeti në nivele modeste, rreth 20 milionë euro. Edhe më domethënëse është dinamika e këtij segmenti: krahasuar me një vit më parë, rritja është pothuajse e papërfillshme.

Pra, kultura siguruese në Shqipëri mbetet shumë e dobët. Dhe një nga arsyet pse ajo nuk po përmirësohet lidhet pikërisht me mënyrën se si politika sillet ndaj këtij tregu.

Sa herë ndodhin përmbytje, qeveria vrapon të përdorë taksat e qytetarëve për dëmshpërblime. Sa herë digjen apartamente apo fasada pallatesh, sërish ofrohen zgjidhje emergjente nga shteti apo përmes presionit publik mbi kompanitë private. Në pamje të parë kjo duket humane dhe e drejtë. Dhe në momentin e fatkeqësisë, ndihma është padyshim e nevojshme. Por në planin afatgjatë, këto ndërhyrje prodhojnë një efekt tjetër: kultivojnë dhe forcojnë pritshmërinë se dëmet do të mbulohen gjithmonë nga shteti.

Kështu, qytetari nuk ndjen nevojën të sigurojë pronën e tij. Ai krijon bindjen se, në rast fatkeqësie, dikush tjetër do të paguajë faturën. Dhe ky “dikush tjetër” zakonisht është buxheti publik.

Në këto kushte, sado reklama të bëjnë kompanitë e sigurimeve për të sensibilizuar qytetarët mbi të papriturat e jetës dhe pronës, efekti mbetet minimal përballë mesazhit që jep vetë politika me veprimet e saj.

Në thelb, kemi të bëjmë me një sabotim të heshtur të tregut të sigurimeve. Jo përmes ligjeve apo ndalimeve, por përmes krijimit të një kulture varësie nga shteti. Dhe arsyeja kryesore pse qeveritë shqiptare kanë vepruar kështu nuk lidhet domosdoshmërisht me ndonjë ndjenjë të jashtëzakonshme përgjegjshmërie sociale. Më shpesh lidhet me kalkulimin politik: ndërhyrjet emergjente sjellin përfitim elektoral të menjëhershëm, ndërsa ndërtimi i një kulture sigurimi është një proces i gjatë, pa dividendë të shpejtë politikë.

Por një ekonomi moderne nuk mund të funksionojë mbi pritshmërinë e përhershme të ndërhyrjes shtetërore për çdo dëm privat. Pas 35 vitesh ekonomi tregu, Shqipëria ka nevojë të ndërtojë edhe kulturën e përgjegjësisë individuale dhe të mbrojtjes financiare përmes sigurimit. Përndryshe, tregu i sigurimeve do të vazhdojë të mbetet një treg i detyrimeve motorike, dhe jo një instrument real sigurie për qytetarët dhe ekonominë.

 

Shpërnda në rrjete sociale

Biznesi Shqiptar: Më të Mirët

Botimi më i rëndësishëm jetor dedikuar biznesit në Shqiptar. Që nga viti 2003, ne identifikojmë, analizojmë dhe vlerësojmë kompanitë dhe sipërmarrësit që krijojnë vlerë, gjenerojnë rritje dhe ndikojnë pozitivisht në ekonomi e shoqëri.

RRETH NESH

Artikuj të tjerë

2021

Perikli Goga

Emri i kompanisë Diamant Numri i punonjësve: 41 Zyrat qëndrore: Durrës Kompania u themelua në shkurt të vitit 1994 nga Z. Perikli Goga, i cili kishte fituar një eksperiencë mjaft të gjërë në transport gjatë...

Ermal Beqiri duke ndarë vizionin e tij mbi investimin në njerëz

Uncategorized

“Ermal Beqiri: Njerëzit Janë Zemra e Çdo Produkti të Suksesshëm”

Ermal Beqiri duke ndarë vizionin e tij mbi investimin në njerëz...

2020

Avni Ponari

Emri i kompanisë: Sigal Uniqa Group Austria Xhiro e biznesit 2019: 60 milion EURO Ndryshimi në % 19/18: +9 Numri i punonjësve: 255 Vendndodhja: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni Avni Ponari është një protagonist i shquar i...