Koncensioni po mbaron, a duhet te liberalizohet kolaudimi i automjeteve?

 

Shpetim Luku

Ne muajin shtator të këtij viti përmbushet afati dhjetevjecar i koncensionit të kolaudimit të automjeteve nga kompania SGS Automotive Albania. Ka qene një koncension i suksesshëm apo i dështuar e problematic- kjo është një pyetje, përgjigja e së cilës është e ndryshme nga këndvështrime të ndryshme. Nëse gjykojmë nga interesat e kompanisë koncensioni mund të konsiderohet më tepër se i suksesshem. SGS Automotive Albania nuk ka ndonjë arsye të qahet, pasi gjatë këtyre dhjetë viteve llogaritë dhe pritshmeritë e saj prej plan biznesit janë realizuar, për të mos thënë tejkaluar. Vetëm në vitin e fundit kompania realizoi një fitim vjetor prej 337 milionë lekësh, në vitin 2016 afro 200 milionë lekë, e po kaq mesatarisht cdo vit të veprimtarisë së saj. Me një përllogaritje të thjeshtë i takon që përgjatë gjithë periudhës që ka zgjatur koncensioni, kompania SGS Automotive Albania të ketë siguruar një total fitimi prej afro 2 miliardë lekë të reja. Se sa fitimprurës ka qenë ai për kompaninë, kjo del më në pah, po qe se fitimi krahasohet me vlerën e investimit të parashikuar e të realizuar. Nëse do i referohemi kontratës përkatëse, përfituesi i koncensionit kishte si detyrim të realizonte një investim prej rreth 580 milionë lekë në momentin e fillimit të veprimtarisë dhe rreth 30 për qind e vlerës së këtij investimi duhet ta realizonte 4 muaj para përfundimit të afatit të koncensionit, me qëllim rinovimin e teknologjisë. Ky afat ka trokitur dhe nuk dihet nëse ky investim është realizuar apo jo, megjithatë, e rëndësishme është pra, që ky koncension ka qenë tejet fitimprurës për kompaninë përfituese.

 Por nëse gjykojmë nga interest e konsumatorit, atëhere rezulton që ky koncension,  ka manifestuar edhe difekte që janë tipike për  rastet kur një shërbim apo produkt është monopol. Për hir të së vërtetës  duhet pranuar se ka patur përmirësime, në krahasim me kohën kur ky shërbim ofrohej nga shteti, pasi ka reduktuar ndjeshëm shkallën e korrupsionit dhe shërbimi i kolaudimit të automjeteve nuk ishte më formal. Por ka patur problematika sa i takon radhëve të krijuara, kohës së realizimit të shërbimit, tarifave etj. Me futjen e shërbimit të prenotimit online, radhët u reduktuan, megjithatë duket se kjo gjë është bërë e mundur vetëm në periudhën e fundit të koncensionit. “Është një koncension skandaloz” -deklaroi pak kohë më parë, ish- Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Probleme ka konstatuar edhe Autoriteti i Konkurencës e megjithatë, këto konstatimë tashmë pak vlejnë sepse koncensionit po i vjen fundi.  Cështja shtrohet se cfarë forme duhet të ketë ky lloj shërbimi në të ardhmen. A duhet të liberalizohet ai apo jo? Tani është pikërisht koha e duhur për të filluar e menduar “dizajnimin” e ri të këtij shërbimi. Shembuj ka nga më të ndryshmit, por në kushtet e Shqipërisë, shembullin  më të mirë e jep Kosova, e cila këtë shërbim e ka tërësisht të liberalizuar, duke ua besuar atë serviseve të rregullta e që plotësojnë disa kritere. Kjo praktikë mund të ndiqet edhe në Shqipëri, aq më tepër kur në realitetin e biznesit shqiptar ka një sërë veprimtarisht të speciaizuara në autoriparimin dhe që fare mirë mund ta marrin përsipër edhe këtë shërbim. Se cfarë formë konkrete do i jepet realizimit të këtij shërbimi është detyrë e institucioneve përkatëse, mirëpo kohapër të menduar e programuar ka ardhur. E rëndësishme është që ato problematika që janë shfaqur me koncensionin monopol, të reduktohen sa më shumë me organizimin e ri.