SHPETIM LUKU/ Siguruesit, Bonus jo, Malus po!

 

Në fillim të këtij muaji hyri në fuqi ligji për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Ligji përmban disa risi të rëndësishme, mes të cilave edhe mundësinë e përdorimit të sistemit bonus-malus nga shoqëritë e sigurimit. Por nuk ka karakter detyrues për këto kompani, të cilat nëse do të dëshironin mund ta zbatonin sistemin bonus-malus edhe përpara këtij ligji. Pavarësisht se specialistët e fushës e ngrejnë në qiell këtë zhvillim, duket se në kushtet ku ndodhet tregu i sigurimeve në Shqipëri mungon vullneti prej kompanive për ta zbatuar atë. Ndonëse ajo është një pritshmëri e konsumatorit, pse jo, edhe një premtim i kompanive të sigurimit, të cilët jo pak herë i janë referuar këtij sistemi si një ndryshim i madh që do ndodhë.

Pavarësisht se disa mund ta konsiderojnë paragjykim  këtë që po them, janë disa arsye mbi të cilat mbështetet parashikimi im. Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka vite që është “ngrirë”. Së pari sa i takon numrit të kompanive që operojnë në treg. Zyrtarisht janë 8 kompani që ushtrojnë aktivitetin në këtë sektor, por duke llogaritur që Eurosig dhe Insig kanë të njëjtin pronar, e po kështu edhe SIGMA dhe Interalbania janë pronë e Vienna Insurance Group, duket se numri real i kompanive është vetëm 6. Në një kohë që në Kosovë, që është një treg, pak më i vogël se Shqipëria, tregu i sigurimeve ka 15 kompani.

Së dyti, kompanitë shqiptarë e kanë likujduar mes vetes konkurëncën përsa i takon sigurimit të detyrueshëm, që është edhe krijuesi kryesor i buxhetit të kompanive siguruese. Prej disa vitesh kompanitë kanë caktuar dhe janë pajtuar me një hierarki të caktuar sa i takon këtij lloj sigurimi. Kjo hierarki është caktuar me qëllim që të eleminohet dukuria negative e shitjes së policave të sigurimit me cmime qesharake, sikundër ndodhte përpara  se të bëhej “marrëveshja”. Një policë sigurimi e asaj kohe arriti të shitej në cmime që nuk përballonin dot as shpenzimet operative të kompanive. Për pagim dëmesh as që bëhej fjalë, ndaj disa kompani ekspozoheshin qartë nëpërmjet këtij treguesi si subjekte që thjesht shisnin letra dhe aspak premtim dëmshpërblimi, sikurse është funksioni themelor i një kompanie sigurimi.

Duke përcaktuar në mënyrë konsensuale një tarifë police të sigurimit të detyrueshëm-18 mijë lekë- si dhe duke u pajtuar gjithsecila kompani me atë pjesë të tregut kur u bë ky përcaktim, situata duket se ka ndryshuar disi për mirë, por jo ashtu sikurse duhet. Dhe arsyeja se pse sërish tregu i sigurimeve nuk është ashtu sikurse duhet lidhet sërish me nivelin se ku ndodhet polica e sigurimit. “Shqiptarët me cmime të policave të sigurimit si në Afrikë duan dëmshpërblime si në Europë”-thotë Avni Ponari, drejtuesi i kompanisë SIGAL UNICA Group Austria dhe një prej personazheve më aktiv nga bota e sigurimeve. Vetë SIGAL, ka pak vite që e zbaton një lloj sistemi bonus-malus, duke i bashkangjitur policës së sigurimit të mjetit motorik edhe një policë sigurimi minikasko. Dhe që vetëm për 6-mujorin e parë të vitit 2021 i ka kushtuar kësaj kompanie rreth 400 milionë lekë nga dëmshpërblimet e përfituara nga ky lloj sigurimi.

Shkaku kryesor është pra niveli aktual i tarifës së policës së sigurimit motorrik, e pas tij edhe rehatia ku kanë rënë prej vitesh kompanitë e sigurimit.

E pse duhet të bëjnë një ndryshim të rëndësishëm, sikurse është sistemi Bonus-Malus, ndërkohë që Kosova psh e zbaton atë?!

E pse duhet ti hyjnë andrallave disa prej kompanive të sigurimit, të cilat raportin mes sigurimeve të detyrueshme dhe atyre vullnetare e kanë dukshëm në favor të të parit, ndërkohë që duket se janë në rregull me llogaritë aktuale?

E pse duhet të riskojnë disa kompani sigurimi, kur pjesa më e madhe e buxhetit të tregut të sigurimeve krijohet nga sigurimet e detyrueshme?! Nga 8.1 miliardë lekë që ishte tregu deri në fund të muajit qershor, 5.6 miliardë lekë janë krijuar nga sigurimi i detyrueshëm i mjeteve motorike.

E mira më e madhe e tyre do të ishte sikur sistemin Bonus-Malus ta zbatonin në formën Bonus jo, Malus po.

Shpetim Luku/Qeveria polake lë thatë turizmin shqiptar

 

Kur u mendua se sivjet Shqipëria do të kishte një sezon thuajse normal turistik ndodhin të papritura të pakëndshme që nuk e garantojnë këtë pritshmëri.

Kur menduam se e keqja u la pas, për rrjedhojë, edhe ndikimi i saj shkatërrimtar mbi turizmin, zhvillime të tjera na bëjnë të kuptojmë se jo cdo gjë varet nga ne.

Kur menduam se më në fund, turizmi shqiptar do të rikthehej, që këtë sezon në nivelet thuajse të parapandemisë duke se kjo është e pamundur të ndodhë. Një vendim i qeverisë polake, mbi bazën e të cilit, cdo shtetas polak që vjen me pushime në Shqipëri do të jetë i detyruar për një karantinë 10 ditore kur të kthehet në vendin e tij ka zbehur së tepërmi optimizmin e operatorëve turistikë shqiptarë. Dhe me të drejtë, pasi ata janë të qartë, që një kushtëzim i tillë do të ketë një efekt të madh frenues tek pushuesit polakë. Shumë të rrallë mund të jenë ata që mund ta pranojnë një kosto e sakrificë të tillë. Sipas asaj cfarë është konstatuar në sezonet e shkuara turistikë, turistët polakë që zgjedhin të pushojnë në resortet shqiptare përbëjnë rreth 60 për qind të totalit të turistëve të huaj. Në bazë të marrëveshjeve që kanë nënshkruar operatorët turistikë shqiptarë me tur operatorët polakë në Shqipëri duhet të vinin mesatarisht 30 cartera në jave. Mirëpo zhvillimet e fundit, nëpërmjet vendimit të qeverisë polake, bëjnë që gjërat të ndryshojnë. Të bindur mbi pasojat katastrofike që mund të ketë ky vendim i qeverisë polake në turizmin shqiptar, disa nga drejtuesit e resorteve turistikë më të njohur në vend, ata, që punojnë kryesisht me turistë të huaj, i kanë dërguar një letër kryeministrit Rama e ku kërkojnë angazhimin e tij për të zhbllokuar situatën absurde të krijuar. Natyrisht nëpërmjet komunikimit me qeverinë polake dhe informimin akoma më të saktë të tyre për realitetin pandemik shqiptar.

Shqipëria tashmë ka një situatë pandemike të tejkaluar. Numri i rasteve ditore është i papërfillshëm, cka tregon  arritjen e imunitetit të tufës, nëpërmjet kalimin të sëmundjes në mënyrë natyrore nga shumë qytetarë dhe ecuria e mirë e vaksinimit. Edhe nga vende të dnryshme të Bashkimit Europian Shqipëria është klasifikuar në vendet e sigurta sa i takon situatës së pandemisë.  Të gjithë, zyrtarë, qytetarë e biznesmenë të sektorit të turizmit ishin të bindur se do të kalonin një verë të qetë e normale. Mirëpo, ja që del një vendim i qeverisë polake që hedh në erë gjithcka. Që i detyron pronarët e resorteve turstike të drejtojnë sytë nga qielli, për të shpresuar në rregullimin e situatës, ndonëse ditët e sezonit kalojnë.

Të vetëdijshëm për efektet negative të këtij fakti, shqetësimit dhe lutjes së tyre i bashkohemi edhe ne.