Të jetosh përtej mundësive të tua!

Të jetosh përtej mundësive të tua!

Vite më parë, kur u ndërtua kompleksi turistik “Laguna”, në Malin e Robit, shitjet e apartamenteve apo ambienteve të tjera në të u bënë në kohë rekord. Për vështirësi shitjesh pra as që bëhej fjalë. Mirëpo, pak kohë pasi ky kompleks përfundoi, pothuajse gjysmës së tyre iu vu tabela “shitet”. 

“Çfarë ka ndodhur që shumë nga këto apartamente kanë dalë në shitje”, e pyeta njëherë administratorin e këtij kompleksi. 

“Asgjë e jashtëzakonshme për shqiptarët”, më tha ai. Sikurse ndodh rëndom, edhe në këtë kompleks janë ngutur të blejnë edhe persona, të ardhurat e të cilëve nuk janë në nivelet që kërkon blerja e një shtëpie të tillë. Janë futur nëpër kredi dhe tani që ka ardhë koha e shlyerjes së tyre e shikojnë që kanë vështirësi të mëdha, vazhdoi shpjegimin e tij administratori.

Ky interpretim i tij është thjesht një argument ilustrues më shumë  i një dukurie që tek shqiptarët dallohet lehtë. I asaj që shumë nga ata dëshirojnë të jetojnë përtej mundësive të tyre. Duke u përpjekur të shijojnë të tashmen, duke i rënë në qafë e duke kompromentuar rëndë të ardhmen. Sepse shumë prej tyre e kanë të vështirë të jetojnë mirë me pak. E kanë të vështirë të pranojnë një banesë me sipërfaqe aq sa sugjerojnë normativat e strehimit, por duke menduar se po bëjnë një investim afatgjatë, duke menduar se “shtëpia është investimi i jetës”, blejnë apartamente me sipërfaqe përtej asaj që ju nevojitet. Duke zgjedhur qendrën sepse e kanë të papranueshëm periferinë. 

Kur është puna për makinë, ajo duhet të jetë patjetër i cilindratës së madhe dhe mundësisht Mercedes. Pavarësisht shpenzimeve të mbajtjes së saj. Mirëpo makinës i duhet dhënë vlerë përdorimi, ndaj duhet bërë sa më shumë lëvizje, duke shkuar edhe në kafe apo duke bërë edhe pazarin me të. Ndërkohë që përdorimi i biçikletës apo transportit urban si metoda transporti as që çohen ndërmend.

Kur vjen puna tek telefoni ai duhet të jetë mundësisht iPhone ose Samsung. Ndryshe nuk quhet se ke telefon. Por problemi është se nuk i ke paratë për t’a blerë atë. Zgjidhja është kollaj fare. E blejmë me kredi të siguruar nga institucionet financiare kundrejt interesave që kur bën bilancin del se ke paguar për 3 iphonë. Që unë nuk kam pse të kem iphonë, pasi nuk kam statusin social për një telefon të tillë as që çohet ndërmend.

Po veshjet? Edhe ato s’ka si të jenë ndryshe, veçse firmato. Duke paguar kështu për kultin e markës, edhe pse në treg ka  alternativa shumë të mira dhe me çmime të arsyeshme.

Dhe kapaku i këtij “libri” janë pushimet. Edhe ato të realizuara në vende të ndryshme, por me…kredi. me kredinë pushuese që reklamojnë banka të ndryshme, por që në të vërtetë është një kredi që pushimet ti nxjerr nga hundët. Sepse ai që nuk mund të kursejë aq para sa duhen për disa ditë pushime, si është e mundur t’i kursejë ato duke paguar kredinë dhe interesat e saj.

Në kushtet kur të ardhurat janë të limituara, mirë është që edhe shpenzimet të jenë në raport me këto të ardhura. Çdo devijim nga ky rregull thjesht prodhon shqetësime për autorët e kësaj sjelljeje, ndërkohë që ata jetojnë iluzionet e plotësimit të ëndrrave të tyre.

SHPETIM LUKU/Pse janë kaq të korruptueshëm doganierët shqiptarë?

Shpëtim Luku

Xiao Min ishte një biznesmen kinez, i cili merrej me biznesin e tregtimit të veshjeve tekstile në Shqipëri  deri para vitit 2010, përpara se të transferohej në Maqedoninë e Veriut. Duke qenë se importonte veshje të gatshme nga Kina, shpesh herë i dilnin probleme me doganat dhe jo pak herë preferonte të mi tregonte mua këto shqetësime që i krijonin ato.

“Po pse të hapin kaq shumë punë doganat, Xiao Min”, e pyeta një ditë. Dhe biznesmeni kinez, i cili shquhej edhe për sens humori, u përgjigj duke më treguar një histori.

“Gruaja e Ministrit të Financave martonte vëllain. Dhe e pyet burrin e saj, pra Ministrin: cfarë dhurate do ti bëjmë vëllait tim, se ti e di, unë vetëm atë vëlla kam.

I blejmë një makinë, iu përgjigj burri.

Një dhuratë kaq të vogël për vëllain tim të vetëm do të bësh ti, ia ktheu gruaja.

Epo mirë, i blejmë një apartament, hodhi propozimin tjetër, burri ministër.

Me një dhuratë kaq modeste do ta kalosh ti një eveniment kaq të rëndësishëm, sikurse është martesa e vëllait tim të vetëm, kundërshtoi sërish e zemëruar gruaja.

Epo mirë, po i bëj  dhuratë një emërim në doganë, i tha burri.

Kështu po, pranoi gruaja e kënaqur tej mase”.

Pavarësisht trajtës së barcaletës që ka kjo histori, ajo përmban edhe doza realizmi. Nuk është larg realitetit që kanë manifestuar doganat. Sepse ishte një kohë, kur emërimi në doganë perbente ëndërr për shumë e shumë persona. Ishte një kohë kur emërimi në doganë ishte qëllim dhe synim i mjaft njerëzve. Dhe jo për efekt përmbushjeje profesionale, jo sepse ajo përfaqësonte punën që dinin të bënin më mirë personat  që e aspironin atë. Por sepse dogana ishte vendi, për të cilin egzistonte, nami, perceptimi  dhe pretendimi i të bërit të pasur brenda një kohe të shkurtër. Ishte pra vendi i punës që të krijonte mundësi që nëpërmjet disa viteve të realizoje një pasuri, që me punë të ndershme as që mendohej se mund të bëhej. Dhe nuk ishte pa baza ky pretendim. Doganat kanë qenë për një kohë të gjatë institucionet nga ku fironin shuma kolosale financiare, që në fakt duhet të përfundonin në buxhetin e shtetit. Doganat kanë qenë për një kohë të gjatë, me  “ porta të shqyera”, ku sasi  të mëdha karburantesh, cigaresh, kafeje apo pije alkolike, pra ato mallra që ishin me akcizë të lartë,  avullonin nëpërmjet një aktiviteti që quhet kontrabandë. Dhe i gjithë ky proces devijimi shumash të mëdha financiare, nga buxheti i shtetit në llogari privatësh, i gjithë ky krim ekonomik, nuk mund të bëhej pa bashkëpunimin e personelit të doganave. Ishte një bashkëpunim kriminal, ku biznesmeni përfitonte shuma të mëdha, të cilat, në të vërtetë, duhet ti derdhte në buxhet, kurse doganieri merrte përfitimin e tij për krijimin e kushteve, i vetëdijshëm për dëmin ekonomik që i shkaktonte buxhetit të shtetit. Gjatë kësaj periudhe, doganierët ishin të korruptuar realisht.

Me kalimin e viteve kontrabanda klasike në sasi të mëdha, e realizuar direkt në port, ku mallrat shkarkoheshin, por nuk deklaroheshin e regjistroheshin, “u vjetërua” si metodë, për tia lënë vendin formave më të sofistikuara. Reformat dhe investimet në teknologji e reduktuan së tepërmi këtë formë të krimit ekonomik. Për rrjedhojë doganiret u zhveshën nga një kompetencë e vyer, që ata e përdornin, për interesa private.  Por megjithëse në dogana janë realizuar reformat të rëndësishme, shoqëruar gjithashtu me zhvillime pozitive, sërish, doganieri shqiptar përfaqëson një kategori punonjësish me shanse të mëdha korruptimi. Pra doganieri shqiptar është një i korruptuar potencial, që nëse i krijohen kushtet ai kthehet në një i korruptuar real.  Përse ndodh kjo? Përse doganierët riskojnë kaq shumë, në emër të përfitimeve të vogla, duke bashkëpunuar me tregtarë të vegjël që përpiqen të kalojnë pa regjistruar sasitë e tyre të mallrave?  Faktorët mund të jenë disa, por më kryesorja, që përbën edhe arsyen e këtij shkrimi, lidhet me faktin se tashmë doganieri shqiptar përfaqëson një kategori nëpunësi që paguhet keq. Deri para pak muajsh një doganier me mbi 20 vite pune në këtë profesion paguhej pak më shumë se 60 mijë lekë  në muaj dhe vetëm tani paga e tyre, me gjithë vjetërsinë në punë, ka shkuar rreth 85 mijë lekë në muaj. Është një nivel page poshtë asaj që marrin homologët e tyre në vende të tjera. Por në rastin e doganierit nuk bëhet fjalë për një nëpunës të zakonshëm, ndonëse trajtohet si e tillë. Trupa prej 1000 vetësh e doganës shqiptare ka një detyrë tejet të rëndësishme, pasi ajo vjel nëpërmjet punës së saj rreth 60 për qind të të ardhurave fiskale të shtetit. Rritja e pagave të tyre deri në nivele të kënaqshme, deri në nivele kur një doganier, nëpërmjet pushimit nga puna në rast abuzimi të detyrës, të ketë se ctë humbasë, mundet ta reduktojë ndjeshëm tendencën korruptive të tyre. Mirëpo pa ndodhur kjo e deri kur të ndodhë kjo, po qe se do të ndodhë, njoftime të tilla si ai i para disa ditëve për arrestime doganierësh do të jenë të zakonshme.

    

SHPETIM LUKU/ Propozimi i Sokol Krajës dhe mëkatet e biznesit

SHPETIM LUKU/ Propozimi i Sokol Krajës dhe mëkatet e biznesit

Ditët, muaj dhe vitet kalojnë dhe problematika më të cilën haset biznesi shqiptar sa I takon fuqisë punëtore së vjen dhe bëhet më e mprehtë. Dhe sa më shumë majiset, aq më të mëdha bëhet edhe përpjkjet e biznesit për të gjëtur zgjidhjet përkatëse. Sokol Kraja, Pronari i kompanisë “Capital Resources” i kërkoi shtetit në një emission televiziv të para pak kohëve hapjen e ambasadave në shtetet të tilla si Bangladeshi, Pakistani etj, me qëllim që të lehtëshen mundësitë për sigurim të fuqisë punëtore conform rregullave. Është një propozim disi i ciltër i zotit Kraja, në funksion të reduktimit të së keqes që ka zenë biznesin shqiptar me pamundësinë për të siguruar fuqi të re punëtore apo për të mbajtur ata që kanë aktualisht. Themi është propozim i ciltër, pasi ky problem nuk lindi si rrufe në qiell të hapur, por ai është “gatuar” ndër vite nga vetë biznesmënët, të cilët sot vjelin frytet e hidhura të asaj cka kanë kultivuar ndër vite. Vetë Sokol Kraja njihet si biznesmen korrekt dhe përvëc perceptimit janë edhe treguesit e performancës së kompanisë “Capital Resources” që e prezantojnë të tillë.  Gjatë vitit 2022, për 164 punonjësit e kompanisë u përdor një fond pagash prej afro 147 milionë lekë. Cka do të thotë se cdo punonjësi i takoi mesatarisht një fond vjetor page rreth 900 mijë lekë. Ose ndryshe një pagë mesatare mujore që po i afrohet 80 mijë lekëve. E krahasuar me atë të një viti më parë, paga e cdo punonjësi u rrit mesatarisht me 200 mijë lekë në vit. Dëshira për të rritur pagat mund të jetë edhe më e madhe nga ana e drejtuesve të kompanisë, por rezultati financiar i saj aq lejon. Por problemi është se shumë e shumë biznesmenë shqiptarë as kanë qenë e as janë korrekt, të arsyeshëm dhe të drejtë me punonjësit e tyre. Shumë prej tyre kanë mëkate karshi punonjësve.  Dhe dy janë drejtimet ku është manifestuar në vite kjo moskorrektesë deri në nivelet e krimit ekonomik.

E para është puna e zezë. Pa menduar se koha kalon për cdokënd, pa menduar se vjen një ditë dhe punonjësit e tyre do të plaken, biznesi shqiptar ka aplikuar ndër vite punën e zezë. Duke bërë që nga njëra anë të mos derdhë kontributet e sigurimeve shoqërore të punonjësve të tyre, gjë që ka sjellë dëmtimin dhe dështimin e skemës së sigurimeve shoqërore në Shqipëri. Ndërsa para vitit 1990, për cdo përfitues kishte mbi 4 kontribues, pas viteve 90, puna e zezë solli degradimin e skemës, duke bërë që raporti përfiturs-kontribues të “saldohet” prej vitesh në 1:1. Pra për cdo përfitues të kemi një kontribues. Si rezultat i vjedhjes se kontributeve shoqërore, buxheti i shtetit ka subvencionuar cdo vit shuma kolosale parash, të cilat, në rast mosdështimi të skemës do të përdoreshin në sektorë të tjerë. Kjo është edhe një nga arsyet kryesore se pse pensionet në Shqipëri kanë qenë dhe janë në nivele ulëta dhe kjo është gjithashtu edhe arsyeja që shpjegon se pse ato së fundmi vetëm indeksohen në raport me inflacionin, por nuk rriten asgjë.

Përvec rënies në qafë që iu bën pensionistëve të sotëm, puna e zezë, e cila, sipas raporteve të institucioneve ndërkombëtare është  në Shqipëri sa dyfishi i vendeve të tjera, ka “meritën” edhe të krijimit të një brezi akoma më të mjerë “pensionistësh”. Të cilët do të jenë të tillë, vetëm sa i takon moshës, por jo përfitimit të një pensioni të denjë sepse puna e tyre nuk figuron kurrkund. E pra, a ka mëkat më të madh se sa një biznesmen të numërojë milionat, duke krijuar ndërkohë një ushtri me viktima të tilla sociale.

 Mëkati i dytë i biznesit shqiptar në raport me të punësuarit e tij është puna e papaguar ose më saktë, puna e mos paguar sa duhet. Duke vazhduar kështu prirjen e hershme të tij për të siguruar fitime ekstra edhe në kurriz të pagave të punonjësve. Që jo vetëm nuk kanë qenë e nuk janë dinjitoze, por nuk mund të sigurojnë as një jetesë modeste, pa problem bazike të të punësuarve.

Sepse nuk ka asnjë shpjegim tjetër që një kompani private profesionale, e cila siguron një fitim prej 4.5 milionë eurosh në vitin 2022, të destinojë për 155 punonjësit e saj vetëm një fond pagash prej 74 milionë lekë. Ose rreth 460 mijë lekë në vit për punonjës. Dy janë mundësitë në këtë rast. Ose kjo kompani ka zgjedhur profesionistët më të urtë e më të bindur në rruzullqë pranojnë të punojnë karshi një rroge mujore prej më pak se 40 mijë lekë ose ajo deklaron pagat minimale të tyre, mbi bazën e të cilave bën edhe pagesat e kontributeve shoqërore. Por që në të dy rastet kompani është mëkatare.

Vetëm së fundmi paga mesatare bruto është rritur në sektorin privat duke shkuar në 618 euro, ndërkohë që ajo në shtet ka kapur nivelin e 770 eurove. Të gjitha këto, pra edhe niveli i pagës, edhe sigurimet shoqërore të paguara në nivele minimale e kanë bërë sektorin privat të papreferuar në raport me shtetin për punë që mund të aplikohen edhe në shtet, edhe në privat.

Ja pra pse bizneset shqiptare vuajnë tashmë pasojat e një plage, për të cilën kanë kontribuar edhe vetë.