Kur Shqiperia ndryshoi sistemin ekonomik dhe politik, të shumtë ishin specialistët, vendas dhe të huaj të cilët i përcaktuan asaj, turizmin si një nga degët dhe prioritetet kryesore të ekonomisë. Mirëpo përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit të stërzgjatur vendi në tërësi u drejtua me kaotizëm dhe anarki, cka bëri pra që ato që janë edhe asetet kryesore turistike të vendit ti nënshtrohen një degradimi të thellë. Shembujt janë të shumtë dhe gjithkujt i dalin përpara syve dhjetra raste të tilla. Vetëm pas vitit 2013 janë duke u bërë përpjekje për një lloj dizajnimi të turizmit shqiptar. Janë ngritur disa struktura të mirëfillta turistike, sikurse është resorti Grand Blue Fafa në Golem, Resorti Premium, gjithashtu në Golem, është në process resorti “Prestige” tek Mali Robit(ish-Mak Albania), është miratuar leja përkatëse dhe eshte në fillimet e tij resorti turistik i Kakomesë, i cili shtrihet në rreth 130 mijë metra katror sipërfaqe dhe do të ketë afro 650 dhoma të vendosur në vila dykatëshe e një sërë hotelesh të tjera cilësore. Në sezonin e vitit të kaluar disa nga resortet e përmendura më sipër patën një frekuentim të mirë me turistë të huaj nga vende të tilla si Polonia, Norvegjia, Maqedonia, Kosova etj, cka do të thotë se disa nga kushtet që favorizojnë një turizëm të mirëfillte egzistojnë. Pra resortet cilësore egzistojnë dhe do të shtohen, diellin dhe rërën natyra na i ka dhënë me bujari. Po kështu janë bërë përmirësime edhe sa i takon furnizimit me energji elektrike apo sistemimit të ujerave të zeza. Megjithatë, turizmi i mirëfilltë shqiptar ka tashmë si sfidë kryesore të tij cilësinë e shërbimit. Me qëllim që të përmbushen pritshmëritë e turistit të huaj, eshtë mëse e nevojshme përmirësimi i cilësisë së shërbimit. Mirëpo që të përmirësohet ai duhet krijuar grupi i punonjësve me përvojë në këtë sektor. Por që të krijohet kjo përvojë, duhet që ata të jenë të lidhur pazgjithshmërisht me strukturat turistike ku ata janë të punësuar. Nga ana tjetër strukturat turistike e kanë të pamundur të punojnë 5 muaj, apo edhe 6 muaj e të vazhdojnë të mbajnë të hapur strukturën e të paguajnë edhe për 6 muaj të tjerë pa patur punë. Duket pra se kemi të bëjmë me një rreth vicioz. Pronarëve të resorteve iu dalin llogaritë e biznesit vetëm po të punojnë 5 apo 6 muaj e më pas ti venë celësin resortit, në pritje të sezonit tjetër. Por nëse e cojnë në shtëpi stafin egziston mundësia që sezonin tjetër shumica prej tyre të jetë sistemuar diku tjetër, e duhet të nisë cdo gjë nga fillimi. Kjo sigurisht dëmton cilësinë e shërbimit. Fatos Cerenishti, Pronari i resortit turistik “Grand Blue Fafa” e shpreh në mënyrë sistematike këtë shqetësim. Por edhe Luan Leka, biznesmeni tjetër, i cili është sipërmarrës i projektit të Kakomesë është dakord me këtë konstatim. Pyetja që shtrohet në këtë rast është se si mund të gjendet një zgjidhje e cila është e aftë të sigurojë edhe daljen mirë të llogarisë së biznesit të kësaj fushe, por edhe qëndrueshmërinë e stafeve, cka do të sjellë specializimin e tyre në këtë sektor. Realiteti i vendeve të tjera me turizëm të zhvilluar sugjeron zgjidhje, megjithëse nuk mund të themi nëse ato janë apo jo të aplikueshme në kushtet e Shqipërisë. Psh edhe në Itali, puna nëpër hotelet turistikë është me karakter stinor, mirëpo për pjesën tjetër të vitit, punonjësit marrin një pjesë page nga shteti, për aq muaj, sa janë struktura turistike ka paguar kontribute per ta gjatë aktivitetit të atij viti. Shqiperia është një vend me buxhet të varfër e me shumë probleme për të zgjidhur, por edhe ky, në të cilin kanë hasur strukturat turistike, nuk ka si të neglizhohet. Është nonsens të rrish në shpresë të mirëkuptimit të turistëve të huaj, në një kohë që standartizimi i shërbimit, njësoj si ai që ata marrin në vende të tjera, nis nga krijimi i stafeve që krijojnë eksperiencën e duhur në këtë “punë të re”.