Ai është një nga njerëzit që e ka filluar biznesin ndër të parët. Pikerisht atëhere kur sapo nisën ndryshimet e sistemit në vitin 1990. Dhe nuk është se e filloi biznesin në mënyrë spontane, sipas parimit “merru me c’të të dalë përpara”, sikurse kanë startuar shumica e biznesmenëve. Të cilët të vetmen ide të qartë kishin synimin për të bërë 1 milionëshin e parë, kurse kristalizimin e ideve të biznesit do ti bënin me kalimin e kohës. Kurse Sami Gjergji e nisi udhën e gjatë të biznesmenit duke krijuar kompaninë e prodhimit të vezëve Floryhen. E ndihmoi disi edhe fati, pasi ndryshimet e mëdha historike të Shqipërisë e gjetën në krye të ish ndërmarrjes së shpendëve në Vrrinë të Durrësit. Ndaj, duke e privatizuar në bashkëpunim me investitorin italian Romualdo Monaldi, ata e ruajtën këtë ndërmarrje nga shkatërrimi dhe i dhanë asaj një impuls të madh në kushtet e një sistemi të ri. Floryhen njohu disa kulme në aktivitetin e saj. Arriti të zotërojë deri në 40 për qind të tregut të vezëve në Shqipëri në saj të mbarështrimit me metoda bashkëkohore të afro 700 mijë krerëve. Arriti që të jetë kompania e parë shqiptare e këtij sektori me kuota eksporti, e për këtë, një meritë të vecantë kishte edhe aksioneri Romualdo Mondaldo, pasi aktivitetet e tij në Itali kishin kërkesa për këtë produkt. Kurse biznesmeni Sami Gjergji do ti shtonte vetes edhe një aktivitet tjetër në sektorin e përpunimit të qumështit, fabrikën “Primalat”. Një fabrikë moderne, komplet e automatizuar e ku teknologjia u harmonizua me dijet dhe drejtimin kompetent të profesor Vigan Dervishit, i cili la Francën për të ardhur në Shqipëri. Edhe “Primalat” e pati startimin të shkëlqyer. Konsumatori shqiptar i mirëpriti produktet e tij, ndërkohë që në saje të eksportit në tregun e Kosovës, ajo u bë një nga brandet kryesore të këtij tregu. Pas shkëlqimit për biznesmenin Sami Gjergji do të vinin ditë të këqija. Fillimisht u ndanë aksionerët sipas një formule ku njëri kishte gjysmën e impiantit prodhues dhe aksioneri tjetër gjysmën tjetër. Njëri do të prodhonte vetëm për eksportin, kurse tjetri për tregun e brendshëm. Bashkëpunimi i përkryer, ai që kishte sjellë sukseset deri atë kohë ishte prishur. Edhe Primalati u vendos në epiqendër të goditjeve. Në Kosovë autoriteti përkatës e damkosi brandin Primalat si të dëmshëm, pasi përmbajtja e Aflatoksinës ishte në nivele mbi normë. Pavarësisht se asgjë nuk ishte e vërtetë, paniku funksionon tek konsumatorët dhe ajo cfarë ndodhi me Primalat-in tregon se sa e brishtë është në përgjithësi industria ushqimore kundrej shpifjeve e spekulimeve që bëhen për arsye konkurence ose arsye të tjera në kurriz të saj. Nuk mbeti pas edhe shteti në kontributin e tij për rrënimin e të dy kompanive të mirënjohura në treg. Qindra milionë lekë ishte fatura e gjobave absurde, c’ka ishtë një barrë e rëndë oër kompani të tilla prodhuese që fitimet nuk i kanë të mëdha. Përfshirja në politikë në vitin 2005 e Sami Gjergjit, duke u zgjedhur deputet i Partisë Demokratike në atë kohë u kthye gjithashtu në një faktor dëmtues për kompanitë e tij, duke përforcuar kështu dukurinë. Pasi edhe biznesmenë të tjerë para tij që lanë biznesin për politikën i ka ndjekur thuajse i njëjti fat. Nga protagonistë të rëndësishëm të tregut përkatës, kompanitë e tyre kanë ardhur duke u shuar apo kanë falimentuar.
Megjithatë, sikurse thotë një fjalë e urtë nga zona ku ka lindur Sami Gjergji, “nuk është turp të rrëzohesh, turp është të mos bësh përpjekje për tu ngritur”. Ndaj ai nuk është pajtuar me atë cfarë i ka ndodhur, nuk është dorëzuar, nuk e ka pranuar fatin e keq, por po bën të gjitha përpjekjet për tu futur sërish në gjirin e biznesit shqiptar. Po përpiqet me të gjitha mënyrat dhe mundësitë për të mos qenë thjesht një ish i shquar biznesi, por edhe personazh actual i tij. Ku? Në cfarë sektori? Në c’lloj biznesi? Askund tjetër, përvecse në sektorin që njeh më mirë. Atë të prodhimit të vezëve. Ka ngritur një kompani të re që quhet Coco Al, në Maminas, me dy kapanone, ku në njërën ka pulat për prodhim vezësh, kurse në tjetrën ato për prodhim mishi. Ky lloj aktiviteti nuk është fotokopje e atij të dikurshmit që dallon vetëm nga përmasat më të vogla, por është edhe më shumë i specializuar. Sepse pulat për vezë dhe ato për mish mbarështrohen në mënyrë natyrale, duke u lëshuar dhe ushqyer në ambiente të hapura. Qëllimi është që edhe produkti i përfituar dhe i ofruar në treg, të jetë produkt bio. Cocovenë dhe zogjtë e fshatit i gjen në disa supermarkete të rëndësishëm të qyteteve kryesore. Nuk mund të flasim akoma për tregues impresionues të aktivitetit, por e rëndësishme është se Sami Gjergji është rikthyer. E kaluara e tij ku suksesi dhe dështimi ishin të pranishëm, është një leksion që ai do ta sfrytëzojë më së miri duke eleminuar e mos përsëritur gabimet e së shkuarës.