Shqipëria po përjeton një bum turistik. Çdo vit numri i vizitorëve të huaj thyen rekorde, rrugët e qyteteve dhe fshatrave tona mbushen me gjuhë të ndryshme, dhe shtëpitë, bujtinat, baret e restorantet gëlojnë nga jeta. Por në këtë atmosferë festimi kombëtar, një gotë duket se ka mbetur bosh: ajo e verës shqiptare.
Pavarësisht potencialit të jashtëzakonshëm që ka Shqipëria si vend prodhues vere – me klimë të favorshme, varietete autoktone dhe traditë të hershme – prodhuesit vendas përballen me një mur të padukshëm, por të fortë: përjashtimin e tyre sistematik nga tryezat e restoranteve, hoteleve dhe bareve që po “ushqehen” nga turizmi.
Statistikat flasin qartë: rreth 70% e verës që konsumohet në tregun shqiptar është e importuar, ndërsa vetëm 30% vjen nga prodhimi vendas. Në vitet e fundit, ky raport ka përmirësuar disi nga një situatë e mëparshme ku importet dominonin deri në 90%, por ende mbetet shqetësues. Në total, industria e verës në Shqipëri qarkullon rreth 15 milionë euro në vit, ku pjesa më e madhe i përket verërave të huaja. Dhe për një vend me mbi 12 milionë turistë në vit, fakti që konsumatorët vendas konsumojnë mesatarisht vetëm 2 litra verë në vit për frymë – ndër më të ulëtat në Europë – tregon se nuk kemi vetëm një problem prodhimi, por edhe një problem kulture dhe edukimi mbi verën.
Por kjo panoramë nuk duhet keqkuptuar si mungesë cilësie nga ana e verërave shqiptare. Një shembull domethënës vjen nga një turist italian, banues në Montecarlo, i cili gjatë një turi njëjavor në Shqipëri darkoi në një agrofermë dhe porositi një verë shqiptare me çmimin 100 euro. Pas degustimit, komenti i tij ishte i thjeshtë, por i fuqishëm: “E shkëlqyer. E meriton çmimin që shitet.”
Ky është vetëm një nga shumë rastet kur vizitorë me kulturë të zhvilluar mbi verën e njohin dhe e vlerësojnë verën shqiptare, shpesh më shumë sesa vendasit.
Mundësitë janë aty. Në Leskovik, prodhuesi Maksim Fejzulla ka krijuar një shembull frymëzues për industrinë: me mbi 12 hektarë vreshta dhe varietete të ndryshme rrushi, ai garanton një lëndë të parë cilësore – themelin e çdo vere të mirë. Raste si ky tregojnë se potenciali nuk është vetëm teorik, por tashmë i prekshëm dhe i gatshëm për t’u mbështetur.
Restorantet shpesh zgjedhin të mos vlerësojnë verërat shqiptare – jo pse ato janë më të dobëta, por sepse mungon një frymë patriotizmi ekonomik, një sens përgjegjësie për të promovuar atë çka është e jona. Ka dhe nga ata që i shesin verërat shqiptare me etiketa të huaja, vetëm që të ngjajnë “më cilësore” në sytë e klientit të painformuar.
Nga ana tjetër, konsumatori shqiptar shpesh ka një lidhje të vakët me verën. Mungesa e kulturës së konsumit, e shoqëruar me mungesën e edukimit mbi verën, bën që shumica të udhëhiqen nga çmimi ose ambalazhi, e jo nga origjina dhe cilësia.
Nëse kjo kontradiktë vazhdon, Shqipëria rrezikon të humbasë një nga pasuritë më të bukura që ka: verën e saj. E në vend që t’u ofrojmë turistëve një përvojë autentike, po i ushqejmë me klishe të importuara. E çfarë kuptimi ka të flasësh për “turizëm të qëndrueshëm” apo “identitet shqiptar”, kur gota që ngrihet për të festuar, s’ka asnjë pikë shqiptarie brenda?
Gëzuar pra, por jo me verëra importi!