Industria lulëzon, prodhimi lëngon!

 

Shqipëria jeton një kontradiktë strukturore që vë në pikëpyetje natyrën reale të zhvillimit ekonomik: një industri përpunuese që duket e larmishme dhe në zgjerim, por që në thelb është e shkëputur nga baza prodhuese vendase. Është një industri që punon, por jo me prodhimin shqiptar. Një industri që krijon produkte, por jo zinxhir vlere të qëndrueshëm. Kjo kontradiktë ka pasoja të thella për të ardhmen ekonomike të vendit.

Kemi fabrika përpunimi qumështi, por mungesë qumështi vendas. Kemi një sektor të zhvilluar të konservimit të peshkut, por flota peshkimi është në krizë dhe sasia e kapur në ujërat tona është minimale. Ne jemi akoma vendi që e ka ekonominë e detit në nivele minimale dhe ku kjo ekonomi kontribuon shumë pak në Prodhimin e Përgjithshëm.

Kemi industri përpunimi mielli e makaronash, por gruri importohet thuajse tërësisht.

Kemi një sektor relativisht të madh për prodhimin e këpucëve, por lëkura nuk vjen nga blegtoria jonë.

Kemi mjaft kantina vere,që përfaqësojnë investime të konsierueshme, por që lëndën e parë, rrushin, vazhdojnë ta sigurojnë nga Maqedonia në pjesën më të madhe.

Kemi industri të përpunimit të mishit, por me lëndë të parë të siguruar nga Brazili apo Argjentina. Pothuaj pa impakt mbi blegtorinë shqiptare, e cila duket e paaftë ta mbështesë këtë industri ngaqë mungojnë fermat e mëdha me drejtim mishi.

Pra, industria shqiptare nuk është rezultat i fuqizimit të prodhimit vendas, por produkt i një modeli të importit të lëndëve të para dhe përpunimit për eksport apo për konsum të brendshëm. Kjo krijon iluzionin e zhvillimit industrial, ndërkohë që vendi mbetet pa një bosht të qëndrueshëm prodhimi.

Pse ka ndodhur kjo?

Arsyet janë të shumta dhe të ndërlidhura. Në radhë të parë, Shqipëria ka ndjekur një model ekonomik të orientuar drejt tregtisë së lirë dhe integrimit të shpejtë në tregjet globale, duke e lënë prodhimin bujqësor e blegtoral pa mbështetje të mjaftueshme. Fragmentimi i tokës, mungesa e investimeve në bujqësi, braktisja e fshatit, mungesa e zinxhirëve të organizuar të vlerës dhe zhdukja e kooperativave kanë bërë që bujqësia të mos jetë në gjendje të ushqejë industrinë.

Nga ana tjetër, investitorët në industri janë fokusuar te përpunimi i shpejtë, jo te ndërtimi i një zinxhiri të plotë që nis nga lënda e parë vendase. Kjo sepse është më lehtë të importosh dhe të përpunosh, sesa të ndërtosh marrëdhënie afatgjata me fermerë të vegjël, apo të mbështesësh sektorë që kërkojnë kohë për t’u ngritur.

Çfarë rrezikojmë?

Ky model sjell disa rreziqe të mëdha. Së pari, vendi mbetet në varësi të plotë nga importet, çka e bën shumë të ndjeshëm ndaj krizave ndërkombëtare, luhatjeve të çmimeve dhe ndërprerjeve në zinxhirët globalë. Së dyti, mungesa e kërkesës së organizuar për prodhim vendas dekurajon çdo nismë serioze bujqësore apo blegtorale. Së treti, fitimet e industrisë nuk përkthehen në zhvillim të qëndrueshëm, sepse mungon qarkullimi i brendshëm i vlerës – ajo që mbahet brenda vendit është vetëm paga, jo rritja e pasurisë.

Cila është rruga përpara?

Zhvillimi ekonomik nuk mund të mbështetet në boshllëk. Duhet një kthesë në mënyrën sesi ndërtohet industria. Ajo duhet të jetë e lidhur me tokën, me fshatin, me fermerin. Kjo kërkon politika të ndërthurura që nuk i shohin më ndarazi industrinë dhe bujqësinë. Duhet të mbështeten format e bashkëpunimit midis industrisë dhe prodhuesve, të nxisen kontratat e sigurta për blerje të lëndës së parë vendase, të krijohen stimuj për agropërpunim lokal dhe të fuqizohen kooperativat moderne.

Shqipëria ka potencial për të zhvilluar një industri të vërtetë, që nuk është thjesht përpunuese, por është pjesë e një zinxhiri vlerash që fillon nga toka dhe arrin në produktin final. Pa këtë lidhje, industria do të mbetet një kullë mbi rërë – mbresëlënëse në pamje, por pa themele.