Si tensionet tregtare globale po krijojnë dritare të reja për industrinë shqiptare që prodhon me porosi
Në një kohë kur industria shqiptare përballet me presione të brendshme si rënia e kursit të euros dhe mungesa e fuqisë punëtore, një zhvillim gjeopolitik i largët – tarifat e larta të vendosura nga ish-Presidenti amerikan Donald Trump ndaj Kinës – po shihet si një shans real për ringritjen e prodhimit me porosi në vend.
Etleva Laro, sipërmarrëse në industrinë e këpucëve dhe partnere me kompanitë e mirënjohura si Birkenstock, GANT, PRADA, Massimo Dutti etj, thotë se tregjet ndërkombëtare po kërkojnë gjithnjë e më shumë prodhues të afërt, të besueshëm dhe fleksibël. “Ne po përpiqemi të përfitojmë nga riorientimi i markave të mëdha që mund të largohen nga Kina për shkak të tarifave dhe rreziqeve gjeopolitike. Shqipëria është aty, gati të zërë vendin e vet.”
Julian Bërxulli, administrator i kompanisë “AMBRA” që operon në fushën e veshjeve, shton se fleksibiliteti i prodhuesve shqiptarë dhe afërsia me tregjet europiane janë faktorë kyç që po i bëjnë markat ndërkombëtare të rikthejnë vëmendjen nga Ballkani. “Kemi aq shumë kërkesa për porosi sa spo mundemi ti plotësojmë dot”, thotë ai, duke evidentuar kështu një situatë të favorshme për këtë sektor.
Prodhimi me porosi: një avantazh që po rilind
Për vite me radhë, industria fason në Shqipëri është parë si e varur nga porositë e jashtme, me pak vlerë të shtuar dhe investim të ulët në teknologji. Por sot, kjo e metë po shndërrohet në një forcë: mungesa e zinxhirëve të gjatë të prodhimit dhe përqendrimi në modele të gatshme e bëjnë industrinë shqiptare më të shpejtë në reagim dhe më të lehtë për t’u përshtatur.
“Ne nuk kemi ndërtuar marka, por kemi ndërtuar aftësi për të realizuar kërkesa specifike brenda afateve të shkurtra,” – thotë Laro. “Kjo është ajo që kërkohet sot nga tregjet perëndimore.”
Nga kriza te strategjia
Megjithatë, për të kthyer këtë moment në një histori suksesi të qëndrueshëm, nevojitet më shumë se vetëm një avantazh gjeografik. Investimi në teknologji, trajnimi i fuqisë punëtore dhe një mjedis ligjor e fiskal i qëndrueshëm janë domosdoshmëri.
Shteti ka rolin e tij në këtë tranzicion. Politikat e orientuara drejt prodhimit, lehtësirat për pajisje moderne dhe mbështetja për eksportin janë pjesë e formulës që mund të çojë industrinë shqiptare nga mbijetesa drejt konsolidimit.
E ardhmja është tani
Shqipëria ndodhet në një kryqëzim të pazakontë: nga njëra anë, e goditur nga dobësimi i euros që ul të ardhurat nga eksporti; nga ana tjetër, e favorizuar nga një lëvizje globale për diversifikim të prodhimit dhe afrimit të tij pranë tregjeve kryesore.
Nëse sektori privat dhe ai publik lëvizin në të njëjtin drejtim, ky moment mund të kthehet në pikën e kthesës për industrinë shqiptare të prodhimit me porosi.