Koha e trashëgimisë, sfida e madhe e biznesmenit shqiptar

Pas më shumë se tri dekadash ekonomi tregu, Shqipëria ka ndërtuar tashmë një histori të konsoliduar të sipërmarrjes private. Pionierët e parë të biznesit, ata që ngritën themelet në vitet ‘90 me guxim, vizion dhe instinkt, janë sot në një moment kyç: përballë sfidës së trashëgimisë menaxheriale.

Në horizontin e kohës, pyetja nuk është më si të krijosh një kompani nga e para, por si ta vazhdosh një histori suksesi në kushtet e një tregu gjithnjë e më të ndërlikuar dhe konkurrues. Kjo është sfida e re për biznesmenin shqiptar: të ndërtojë ura të forta kalimi midis brezit të themeluesve dhe brezit pasardhës.

Një trashëgimi që nuk është vetëm pasuri

Shumë nga kompanitë lider në Shqipëri janë sot të konsoliduara si struktura, marka dhe pozicion tregu. Por ato mbeten ende të varura nga prania dhe angazhimi personal i themeluesve të tyre. Në mungesë të një kalimi të qartë dhe të qëndrueshëm të drejtimit, çdo krizë shëndetësore, familjare apo strategjike e krijuesit mund të kthehet në krizë për vetë kompaninë.

Trashëgimia menaxheriale nuk është thjesht transferim pronësie. Ajo kërkon ndërtimin e një brezi të dytë drejtuesish – qofshin anëtarë të familjes apo profesionistë të jashtëm – që zotërojnë kompetenca, kulturë organizative dhe vizion të përbashkët me themeluesin.

Pse është kjo një sfidë shqiptare?

Ndryshe nga vendet me tradita të gjata sipërmarrjeje, në Shqipëri nuk ekziston një përvojë e trashëgimisë së suksesshme të bizneseve familjare. Mungesa e strukturave të mirëfillta qeverisjeje, e planeve të formalizuara të pasimit, e mekanizmave të kontrollit të brendshëm dhe, jo rrallë, e një kulture organizative që shkon përtej autoritetit të një individi, e kthen këtë tranzicion në një burim ankthi.

Për më tepër, shpesh mungon vullneti për të ndarë pushtetin apo për të përgatitur pasardhësin në kohë. Frika nga humbja e kontrollit është më e madhe se dëshira për të garantuar jetëgjatësinë e kompanisë.

Shembulli i AMBRA-s: Kur trashëgimia ndërtohet me kohë

Në një prej bisedave të mia me Xhemal Bërxullin, një ndër sipërmarrësit e parë vizionarë pas viteve ‘90, ai më tregoi diçka që më ka mbetur në mendje si shenjë e një largpamësie të rrallë. “E sheh atë?”, më tha duke treguar një djalë të ri që po punonte në një nga repartet e kompanisë. “Është djali im, Julian Bërxulli. E kam futur në punë që në moshën 14 vjeç.”

Kjo nuk ishte një histori romantike e babait që do t’i mësonte të birit zanatin, por një strategji e vetëdijshme për ta përgatitur që herët për të kuptuar ADN-në e kompanisë, kulturën e saj të punës dhe sfidat e tregut.

Fati deshi që Xhemali të ndërronte jetë papritur, por vepra e tij nuk u shua. Përkundrazi. Sot, nën drejtimin e Julianit, kompania AMBRA jo vetëm që ka ruajtur pozicionin e saj, por ka njohur rritje të ndjeshme në vlerë dhe performancë. Numri i punonjësve është dyfishuar dhe janë krijuar dy kompani të tjera të lidhura, duke dëshmuar jo vetëm vazhdimësinë, por edhe aftësinë për të çuar më tej vizionin e të atit.

Ky është një shembull i gjallë i asaj që trashëgimia mund të jetë kur ndërtohet me përgjegjësi dhe koherencë. Kur pasardhësit nuk zgjidhen nga nevoja, por përgatiten nga largpamësia.

Çfarë duhet bërë?

Për trashëgiminë e kësaj natyre duhet menduar herët sepse kalimi i stafetës duhet të përbëjë një process e jo një ngjarje. Kjo kërkon kohë, mbikqyrje dhe rishikim të rolit të themeluesit.

Jo pak prej biznesmenenëve shqiptarë ia kanë dalë që të arsimojnë fëmijët e tyre nëpër shkolla të mira jashtë vendit dhe duke i integruar ata në mënyrë graduale në vendimmarrje. Kurse për disa të tjerë, të cilët nuk e kanë këtë gadishmëri dhe mundësi, zgjidhja më e mirë është nëpërmjet menaxhimit professional të jashtëm.

E rëndësishme është që ata biznesmenë shqiptarë që janë nga pionierët e paarë të kapitalizmit shqiptar, me një përvojë aktiviteti 25-30 vite, si dhe me një moshë të avancuar të kuptojnë se koha e krijimit ka kaluar. Sot është koha e vazhdimësisë. Biznesi shqiptar ka nevojë për të menduar jo vetëm për të ardhmen e fitimit, por edhe për të ardhmen e vetvetes si institucion ekonomik dhe social. Pionierët e së djeshmes janë përballë një prove të re: të mos jenë vetëm themelues të suksesshëm, por edhe trashëgimtarë të mençur të një historie që duhet të vazhdojë.