Avni Ponari, kur ideja është malli më i vlefshëm në botë

 

 

Shpetim Luku

“ Kur nuk kisha para të mjaftueshme, u ula të mendoja dhe nuk vrapova për të fituar para. Një ide është malli më i vlefshëm në botë”. Ai që e thotë këtë është Steve Jobs, një nga biznesmenët  e shquar në botë, por tek kjo shprehje e tij më shkon mendja sa herë duhet të kuptoj e shpjegoj suksesin e Avni Ponarit në biznes. Kur zyrtarit i jepet urdhri i largimit të punës për arsye të ndryshme, presupozohet se ai është lajmi më i keq i mundshëm për të. Sepse rroga është e ardhura kryesore e tij dhe e familjes, ndaj ndërpreja e marrëdhënieve ekonomike është shikuar, madje edhe vazhdon të shikohet si një ngjarje dramatike nga shumë persona. Mirëpo me Avni Ponarin nuk ndodhi aspak kështu, atëhere kur iu komunikua ndërprerja e detyrës si drejtor i INSIG-ut të Tiranës. Nuk kaloi në panik, nuk u terrorizua me këtë ndryshim të bëftë të statusit të tij, nga drejtor në i papunë.  Nuk e përjetoi si fundin e botës. Por as nuk vrapoi të merrej me cfarëdo pune që ti dilte përpara, vetëm e vetëm që të bënte disa para për të plotësuar deficitet që do i krijoheshin nga mungesa e pagës shtetërore në të ardhmen. Sepse mallin më të vlefshëm në botë, pra atë idenë që vlente miliona apo miliarda ai e kishte në kokë. Do të vazhdonte të merrej me punën që dinte të bënte më mirë, atë të sigurimeve, vecse tashmë jo si zyrtar i një kompanie publike, sikurse ishte INSIG-u, por në rrethana të tjera. Në kushtet e një kompanie private. Ndaj, priti deri sa doli ligji përkatës, i cili liberalizonte tregun e sigurimeve, regjistroi kompaninë Siguracion Albania, shkurt SIGAL dhe filloi me preokupim të plotë udhëtimin e suksesshëm të biznesit. Iu deshën jo më shumë se sa 2-3 vite për ta parakaluar INSIG-un, i cili kishte patur privilegjin e tregut monopol e që nga ai moment, po mbushen 22 vite që SIGAL është lider i padiskutueshëm i tregut të sigurimeve në Shqipëri. Shumë procese kanë ndodhur këto vite. SIGAL ka diversifikuar veprimtarinë e tij në tregje të tjera sikurse është Kosova dhe Maqedonia, ka plotësuar ganën e plotë të shërbimit të sigurimeve Jetë dhe Jo-Jetë, por ndërkohë është inkuadruar edhe në kompaninë e njohur austriake Uniqa Group Austria. Ndaj  “Sigal Uniqa Group Austria” e mbylli vitin 2021 me rreth 81 milionë euro prime sigurimi, nga të cilat afro 41 milionë euro përfaqësonin primet e sigurimit Jetë dhe Jo-Jetë në Shqipëri. Duke i shtuar këtyre shifrave edhe ato të punësimit të mbi 2100 përsonave dhe agjentëve apo edhe fitimet e saj, del se viti 2021 ka qenë një vit i shkëlqyer për “Sigal Uniqa Group Austria”. Por jo vetëm për drejtuesit dhe punonjësit e SIGAL-it. Jo vetëm për buxhetin e shtetit, i cili prej veprimtarisë së kësaj kompanie ka përfituar 722 milionë lekë taksa dhe tatime. Por edhe për klientët, që janë edhe përfitues e mëdhenj në këtë marrëdhënie dhe qëllimi kryesor se pse ndërtohet kjo marrëdhënie. Gjatë vitit 2021 SIGAL Uniqa Group Austria pagoi vetëm në Shqipëri rreth 1.7 miliardë lekë dëme ose ndryshe sa 28 për qind të totalit të dëmeve të paguara nga operatorët e tregut të sigurimeve. Vetëm për dy tërmetet e fundit SIGAL ka paguar mbi 12 milionë euro dëme, kurse përgjatë gjithë veprimtarisë së saj kompania ka paguar mbi 400 milionë euro dëme. Pikërisht kjo gadishmëri e saj për të paguar në kohë e për tiu përmbajtur kontratës përkatëse që ka nënshkruar me klientët e saj ka ngritur reputacionin e kompanisë në nivele të larta. Është kjo mënyrë sjelljeje dhe veprimi përgjatë gjithë viteve të egzistencës së saj, është kjo mënyrë drejtimi nga Avni Ponari ajo që e ka kthyer SIGAL Uniqa Group Austria në një partner të besueshëm dhe të qëndrueshëm. Të jesh lider tregu për 22 vite është një fakt i admirueshëm, por që bën të domosdoshëm edhe pyetjen se si ka mundësi të mbahet një pozicion i tillë për kaq vite? Pa ndryshuar qoftë edhe një herë të vetme vendin me ndonjë konkurent tjetër.

E vërteta është se “SIGAL UNIQA GROUP Austria” ka ofruar gjithmonë mundësi të reja aty ku të tjerët nuk i shohin, ndaj është një hap para në ofrimin e produkteve novatore, të thjeshta, të shpejta dhe pa kosto shtesë. I kushtohet shumë rëndësi rritjes së eficensës nëpërmjet optimizimit të mëtejshëm të modelit të biznesit, duke rritur produktivitetin. Janë thjeshtëzuar dhe automatizuar pjesa më e madhe e proceseve të punë, janë shkëmbyer dhe zbatuar praktikat më të mira të punës, është optimizuar më tej marrja në sigurim dhe vendosja e cmimeve.

Modeli i biznesit është përmirësuar nëpërmjet adoptimit të mënyrave të reja të qasjes ndaj klientëve dhe pasurimit të gamës së produkteve dhe shërbimeve, të cilat ofrojnë vlerë shtesë për klientët. Kompania ka rritur vizibilitetin e brandit dhe tërheqjen ndaj produkteve egzistuese dhe atyre të reja.

Në misionin për të qenë më shumë se sa kompani sigurimi SIGAL ka zgjeruar modelin e biznesit përtej fondit të sigurimeve, duke thelluar fokusin tek menaxhimi i aseteve dhe biznesit të fondeve të pensionit. Si dhe është punuar më tej me promovimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit mbi kujdesin dhe mbrojtjen e rriskut.

Viti 2021 ishte pra një tjetër gur kilometrik i shtruar nga “SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA” në rrugën e saj drejt një të ardhmjeje që premton të jetë edhe më e mirë se sa është realiteti aktual që përjeton.

Sot, kur Avni Ponari kthen kokën pas mund të ketë pengjet e tij që janë normale për veprime që duhet ti kishte ndërmarrë, por që nuk i ka marrë, për veprime që duhej ti kishte realizuar ndoshta më parë. Apo për veprime e vendime që do dëshironte ti merrte por që ishte i detyruar të mos i ndërmerrte prej faktorëve specifikë të realitetit shqiptar. Megjithatë, këto nuk kanë as më të voglën peshë për të zbehur sadopak arritjet madhështore të tij në biznes si krijues dhe menaxhues i kompanisë së sigurimeve, SIGAL.

SHPETIM LUKU/Energjia “kyc” Kurum-in

 

Kompania turke ‘Kurum” ka pezulluar aktivitetin. Është një pezullim i detyruar prej asaj që po ndodh me energjinë në tregun botëror, cmimi i së cilës ka kapur kuota të paimagjinueshme. Sepse ndërsa energjia ka shkuar në 850-900 euro për njësi, cmimi i hekurit në bursë është rreth 700 euro për ton, pa TVSH. Kjo e bën të palogjikshme, të paleverdisshme vazhdimin e prodhimit, ndaj kompania ka pezulluar aktivitetin, duke filluar për dy muaj remontin e fabrikave. Por lajmi i mirë në këtë zhvillim negative është se kompania i ka të 750 të punësuarit e saj në punë. Të paktën deri në muajin tetor kur egzistojnë shpresat që të fillojë nga puna fabrika e petëzimit. Por nëse gjërat nuk shkojnë sipas skenarit optimist, punonjësit do të marrin 60 për qind të rrogës pa kësaj date, sipas marrëveshjes së realizuar edhe me sindikatën e punonjësve. Duke dhënë kështu një shembull të shkëlqyer social.

Aq e pafavorshme është situata në rastin e Kurumit sa edhe energjia që prodhohet nga hidrocentralet në pronësi të saj nuk ka llogari të destinohen për prodhimin e fabrikave, por është më me leverdi të hidhen në tregun e energjisë.

Kjo situatë vjen pas   një viti shumë të mirë të përjetuar nga kompania.  Gjatë vitit 2021 “Kurum” regjistroi një nga performancat më të mira në historinë e saj në Shqipëri. Dhe jo thjesht sepse treguesit e saj ekonomiko-financiarë janë dicka më të mira, krahasuar me ato të viteve të shkuara, por shumë më tepër se kaq. Janë ndjeshëm më të mirë, aq sa mund të thuhet se kemi të bëjmë me një vit tepër të vecantë të saj. Por le ti marrim me radhë këta tregues. Sa i takon volumit fizik të produkteve Kurum prodhoi dhe shiti rreth 489 mijë ton shufra celiku, rreth 411 milionë KW energji elektrike, nga të cilat 222 milionë KW u destinuan për shitje, kurse pjesa tjetër për përdorim të vetë kompanisë. Krahasuar me vitin paraardhës janë mbi 60 mijë ton produkt më tepër i shitur. Por viti i lumtur i KURUM-it del më në pah, po qe se i referohemi aktivitetit të tij në vlerë. Pasi xhiro vjetore e kompanisë përgjatë vitit 2021 arriti në 346 milionë euro ose mbi 80 për qind më tepër se krahasuar me një vit më parë. Kurse ajo që i vë vulën e një viti rekord është fitimi i kompanisë. Si kurrë më parë, por me gjasa edhe në një të ardhme, nuk parashikohet të arrihet më një fitim i tillë, ndonëse ia urojmë. Me 4.6 miliardë lekë të reja fitim, afro 35 milionë euro, KURUM përjetoi një vit të mrekullueshëm financiar gjatë së cilit  edhe kontribuoi në buxhetin e shtetit me afro 667 milionë lekë tatim fitimi e të shlyejë afro 21 milionë euro kredi. Por nga ana tjetër, kjo situatë krijoi mundësi që kompania po ashtu të mbërrijë në 770 të punësuar.  Pra janë mbi 120 punonjës më tepër të marrë në punë gjatë vitit 2021. Për tu theksuar është se ky fitim në shifra impresionuese vjen pasi një vit më parë kompania doli me humbje.

Përvec rritjes së volumit të shitjeve, që sikurse thamë më lart ishte në kuotën e rreth 490 mijë tonëve, një prej arsyeve kryesore ka të bëjë me rritjen e cmimeve, si të produkteve të hekurit, ashtu edhe atë të energjisë elektrike. Duket që ka qenë një vit konjukture, pasi aktualisht cmimet kanë rënë, duke treguar ndikimin e ndjeshëm që kanë ato në xhiron dhe rentabilitetin e një kompanie.

 

Ndërkohë që gjatë vitit 2021 Kurum  fitoi sërish “trofeun” e eksportuesit më të madh të Shqipërisë. Me afro 55 për qind të totalit të aktivitetit të destinuar në eksport, Kurum ishte kompania që zuri vendin e parë në listën e kompanive eksportuese më të mëdha të vendit. Ka vite që tregu i vendit është mjaft i vogël për Kurum-in, ndaj drejtuesit e saj i kanë përqëndruar energjitë e tyre konkuruese në tregje përtej Shqipërisë. Në tregun e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Serbisë, Turqisë e në mjaft vende të tjera. E ndihmon në këtë aspekt cilësia e padiskutueshme e produkteve dhe mundësia për të operuar me cmime të leverdisshme. Është një filozofi pune  që ka dhënë frytet e saj, pasi duke prodhuar produkte që përdoren kryesisht nga industria e ndërtimit, Kurum nuk mund të rri në varësi të “humorit” të këtij sektori

Por tani, pas një viti shumë të suksesshëm, Kurum-it i duhet të bëjë një farë periudhe pushim i detyruar me shpresën dhe urimin që “flaka” e aktivitetit të tij të ndizet sërish.

SHPETIM LUKU/“Yura Corporation Albania” katërfishon aktivitetin e saj

 

Për një vend me nivel jo të lartë zhvillimi, me probleme ekonomiko-sociale, sikundër është Shqipëria, investimet e huaja në përgjithësi e sidomos ato direktet janë një ilac i mirë për ti reduktuar këto probleme. Hyrja e një investitori të huaj apo themelimi i një kompanie të re me kapital të huaj është një lajm shumë i mirë për ambientin ekonomik shqiptar dhe shoqërinë në tërësi. I tillë ishtë padyshim edhe ai i ndërtimit të  fabrikës për prodhimin e pajisjeve kabllore për automjetet në Fier. E ndërtuar nga kompania koreane “Yura Corporation” me vlerën e afro 10 milionë eurove, kjo fabrikë ndoshta nuk kishte ndonjë peshë të përfillshme në raport me totalin e investimeve të huaja të konkretizuara gjatë vitit 2019 apo vitit 2020. Mirëpo roli dhe rëndësia e këtij investimi është e madhe. Sepse bëhet fjalë për një fabrikë të lokalizuar në zonën e Fierit, prej së cilës, në fund të vitit 2021, i cili ishte edhe viti i dytë i aktivitetit të “Yura Corporation Albania”, u regjistrua një numur total punonjësish prej 1621 vetësh.  Inxhinierë prodhimi dhe të kontrolllit të cilësisë, ekonomistë, juristë, punonjës të përgatitjes së pagave, si dhe një numur të madh operatorësh prodhimi. Ky numur i konsiderueshëm të punësuarish bëri të mundur që kompania Yura Corporation të jetë jo vetëm punësuesja e dytë më e madhe  në rrethin e Fierit, por të jetë e tillë edhe në rang kombëtar. Një nga kompanitë më të mëdha punësuese në vend. Shpërthimi i pandemisë së Covid 19 dhe masat e qeverisë për ta zbutur atë dhanë efekte në veprimtarinë e “Yura”-s në Shqipëri. Për disa muaj kompania u detyrua të punojë me gjysmen e kapacitetit prodhues, cka ishte një devijim nga planet e saj të biznesit të realizuara më parë, por që nuk iu përmbajt për arsye të kësaj fatkeqësie ndërkombëtare. Kjo solli si pasojë që kompania ta mbyllë vitin 2020 me një humbje prej rreth 500 milionë lekë ose afërsisht 4 milionë euro. Kjo është e pritshme dhe e parashikuar, ndoshta jo në të tilla përmasa. Sepse në vitin pasardhës, pra në vitin 2021 kompania njohu një kapërcim cilësor në aktivitetin e saj. Regjistroi një aktivitet në nivelin e afro 35 milionë eurove. Pra aktiviteti i “Yura Corporation Albania” në vitin 2021 as ka krahasim me atë të vitit 2020, edhe pse, sërish, viti që shkoi ishte nën ndikimin e virusit të Covid 19. Por ajo që është edhe më e rëndësishme ka të bëjë me faktin se “Yura” doli me fitim, rreth 1 milionë euro. Fitimi mund të mos jetë në shifra impresionuese, por cka është domethënëse në këtë histori lidhet me faktin se ndryshe nga biznese analoge të kësaj  natyre biznesi në Shqipëri, që kanë vite që dalin me humbje, Yura doli me fitim që në vitin e dytë të saj.  Dhe ky është vërtet një lajm shumë pozitiv. Sepse vërtet një investitor i huaj mund të bindet e të hyjë në një vend, por vazhdimësia e tij lidhet me suksesin e investimit të tij. Kjo do të thotë edhe një perspektivë akoma më të madhe e më të mire  për 1500 punonjësit e saj, të cilët pritet të shtohen edhe më shumë. Kur dihet që papunësia është një plagë, akoma e madhe sociale, atëhere ky impakt social i kompanisë është për tu vlerësuar së tepërmi. Dhe nuk bëhet fjalë për punë të rëndomta, por për punë në një industri, në funksion të prodhimit të pajisjeve për shtëpitë automobilistike, cka krijon premisa për krijimin e një kontigjenti të specializuar njerëzish të kësaj fushe. Zyra e punësimit në qytetin e Fierit do të jetë ndjerë e lehtësuar, teksa ka sistemuar një kontigjent të konsiderueshëm njerëzish për punë. Dhe akoma me të lehtësuar dhe të gëzuar do të jetë në të ardhmen stafi i saj, teksa do ti duhet të gjejë edhe të tjerë. Sepse impakti social dhe ekonomik i “Yura Corporation Albania” nuk pritet të mbarojë këtu. Kompania koreane e prodhimit të pjesëve automotive “Yura Corporation” erdhi në Shqipëri  pas investimeve në 60 fabrika në 12 shtete. Ajo vendosi të futet në ambientin shqiptar të biznesit, duke shfrytëzuar politikën e qeverisë shqiptare për të dhënë sipërfaqe me 1 euro dhe pas negociatash të shumta me te.

Për ekonominë shqiptare “Yura Corporation Albania” do të jetë një kompani me vlerë të shuar sepse krahas pagesës së sigurimeve shoqërore për punonjësit, edhe blerjet për nevoja të kompanisë do të bëhen nga tregu i brendshëm. Po kështu, edhe punimet për konkretizimin e investimit janë kryer nga kompani shqiptare  e kompani të tjera nënkontraktore, të cilat kanë bërë instalimet elektrike apo asfaltimet e zonës.

Funksionimi i kompanisë “Yura Corporation Albania” me kapacitetin maksimal të saj, pra arritja e dy objektivave kryesorë të saj, eksporti prej 100 milionë euro dhe punësimi i mbi 2000 vetëve na lejon të përfytyrojmë se si mund të jetë Shqipëria, nëse shembullin e saj e ndjekin edhe kompani të tjera të kësaj natyre. Realizimi i objektivave, suksesi i veprimtarisë së saj do të jetë ftesa më e mirë për investitorë të tjerë, cka do të lehtësojë edhe më shumë punën e qeverisë në drejtim të sigurimit të këtyre lloje investimesh. Më mirë se sa fjalët, do të flasë veprimtaria e suksesshme e saj. Më shumë se sa fjalët do ta ketë rolin ftues lapsi i llogarive.

SHPETIM LUKU/Tregut automotiv shqiptar i shtohet brandi i mirënjohur MG

 

Në rajon e sjell Grand Automotiv Group, kurse në Shqipëri “Albanian Motor Company”

 

Shumë shpejt tregu i automjeteve të makinave të reja në Shqipëri do të ketë edhe një brand të ri. Bëhet fjalë për markën britanikë MG dhe lajmi u bë i ditur në një aktivitet të zhvilluar në Rovinj të Kroacisë, ku u qartësua strategjia për të futur këtë markë edhe në vendet e rajonit. Dhe nuk bëhet fjalë për një markë, e cila nuk premton perspektivë në tregun shqiptar, por për një alternativë shumë të mrë që do të ketë klienti shqiptar. Pasi tek MG ai do të gjejë edhe cilësinë e automjetit, edhe cmimin e mirë në raport me cilësinë dhe konkurentët e saj, por edhe larmishmërinë e makinave për nga modelet.

Oferta për rajonin e Adriatikut ku bën pjesë edhe Shqipëria do të përfshijë shumë modele të ndryshme, duke përfshirë  variantin elektrik MG5, modelin SUV nga segmenti B- MG ZS( ne variantin elektrik me benzinë), modelin SUV nga segmenti C-MG EHS( versioni hibrid plug-in dhe SUV elektrik-MG Marvel R.

MG Foto 1

Disa marka nga e kaluara janë paksa të harruara, por përmendja e emrave të tyre ngjall gjithmonë emocione. Nëse dikush përmend një makinë sportive të shekullit të kaluar, një makinë me dy vende, e cila që në fillimet e saj ka thyer më shumë se 40 rekorde botërore të shpejtësisë, me siguri një nga emrat që do të vini bast është MG. Marka britanike në vitin 2024 do të festojë 100 vjetorin e ekzistencës së saj, gjë që tregon historinë e tyre dhe natyrisht traditën e saj.

Pak histori

MG Motor është një markë makinash e themeluar në vitin 1924 në MB. Ajo u themelua nga pionieri britanik i makinave William Morris, pronar i kompanisë së atëhershme Morris Garages, pas së cilës mori emrin e markës së makinave. Në vitet 1920, ideja ishte të zhvillohej MG në një makinë sportive, kështu që në të kaluarën makina MG theu më shumë se 40 rekorde botërore të shpejtësisë dhe u emërua makina garash më cilësore në botë.

Në pothuajse 90 vjet që nga fillimi i tij, ndikimi i MG Motor është përhapur në 5 kontinente dhe përfshin 39 vende. Prandaj, mund të thuhet me siguri se MG Motor ka kaluar prej kohësh kufirin e Mbretërisë së Bashkuar dhe është bërë një ikonë globale në industrinë e automobilave.

 

Kompania mëmë e MG është SAIC Motor (Shanghai Automobile Industry Corporation) e cila është prodhuesi i shtatë më i madh i makinave në botë. SAIC Motor ishte gjithashtu grupi i parë i automobilave në Kinë me shitje vjetore prej më shumë se 7 milion makina. Përveç Morris Garages (MG), nën SAIC Motor janë edhe Roewe dhe Maxus, SAIC Volksëagen, SAIC-GM dhe të tjerë.

Grand Automotive Group është partner i MG dhe SAIC për këtë rajon

Importuesi i makinave MG për këto vende të rajonit është Grand Automotive Adriatic d.o.o. e cila është në pronësi të plotë të Taavura Group. Taavura Group është një kompani familjare e themeluar në vitin 1948 dhe është e pranishme në tregun global përmes më shumë se 100 filialeve dhe mbi 15,000 punonjësve. Ajo ka një qarkullim vjetor prej 1.3 miliardë euro dhe një vlerësim të qëndrueshëm A + të S&P Group.

 

Në Evropë, Taavura Group është i pranishëm në sektorin e automobilave si Grand Automotive Group dhe operon si importues i automjeteve Ford, Hyundai, Nissan, Renault, Dacia dhe nga ky vit MG Motor operon në tregjet në Republikën Çeke, Sllovaki, Hungari. dhe në rajonin e Adriatikut.MG Foto 2

MG dhe SAIC kanë zgjedhur Grand Automotive Group si partner në rajonin e Adriatikut për shkak të aftësisë së tyre të provuar për të tregtuar marka të reja përmes një strategjie rritjeje të shpejtë.

 

Gjatë gjithë trashëgimisë së tij, MG është përshkruar si një makinë që frymëzon një pasion për drejtimin dhe lirinë në rrugë, duke garantuar siguri dhe komoditet. të përshtatshme për nevojat dhe zakonet e përditshme të konsumatorëve modernë dhe familjeve të reja urbane. “Krijimi i një epoke të re të makinave”, siç u quajt zyrtarisht nga MG Motor, filloi në vitin 2019 dhe ideja është që gjenerata e re të ofrojë modele makinash cilësore, moderne, inovative me dizajn modern dhe teknologjitë më të fundit.

Në makinën MG, shoferi do të njihet me teknologjinë më të fundit që do ta bëjë përvojën e tij të drejtimit argëtues, efikas dhe të sigurt. Gjithashtu, kompania MG Motor në “epokën e re” të saj i kushton vëmendje të veçantë, përveç teknologjisë e dizajnit të makinave, edhe të ardhmes së qëndrueshme të planetit në tërësi. Prandaj, çdo model i ri MG është projektuar dhe zhvilluar për të ofruar nivele të jashtëzakonshme të efikasitetit mjedisor.

 

Rritja e shitjeve është rezultat i prezantimit të modeleve që ofrojnë kënaqësi me cilësinë dhe pajisjet e ofruara. Në vitin 2020, MG Motor shiti 7,200 automjete në Evropë, ndërsa në vitin 2021 ky numër u trefishua dhe shitjet arritën në 22,000 automjete. Rritja e shitjeve vazhdoi në vitin 2022. me 22135 mjete të shitura në tremujorin e parë. Përfundimi është se modelet MG janë përgjigjja e duhur për nevojat e klientëve evropianë.MG Foto 3

Me zhvillimin dhe përmirësimin e saj, MG Motor ka zënë vend në tregun botëror, ndërsa me veçoritë e saj fiton mbi konsumatorët. MG Motor nuk planifikon të ndalojë fuqizimin e mëtejshëm të ofertës në industrinë e automobilave dhe krijimin e risive për shoferë në mbarë botën.

 

 

Sami Gjergjin, “të fajshëm” e masakruan, të pafajshëm e harruan

 

Shpetim Luku

 

Për afro 22 vite Sami Gjergji ishte një ndër biznesmenët e shquar të vendit. Me biznese prodhuese, që shkonin në harmoni me prioritetet e vendit, me biznese që kishin impakt real në ekonominë shqiptare. Me biznese që ishin liderë prej vitesh në tregjet përkatëse. Me biznese rentabël. Qoftë “Floryhen” e qoftë  “Primalat”  ishin “kocka” të forta në sektorët ku vepronin.  E para për mbi 20 vite, kurse “Primalat”-i për aq kohë sa e pati egzistencën e tij. Derisa erdhi një periudhë e vështirë kur të dyja këto kompani falimentuan. Por nuk ishte falimentim klasik, nga ato që ndodhin për arsye objektive.  Nga ato falimentime që bëhen të pashmangshëm dhe rrjedhojë logjike kur nuk ke treg, kur shpenzimet janë më të larta se të ardhurat. Falimentimi i të dyja kompanive   u ndikua më së shumti nga faktorë subjektivë, por që nuk kemi ndërmend ti analizojmë në këtë shkrim. Ajo që duam të themi është se me falimentimin e  dy kompanive Sami Gjergji u fshi nga historia e biznesit shqiptar si një biznesmen i suksesshëm si me magji.  Po qe se kërkon  në google emri i Sami Gjergjit del në media online vetëm për një padi që njëra nga bankat e nivelit të dytë i ka bërë biznesmenit  për një ndërrim destinacioni të një kredie prej 1.1 milionë euro. “Ish deputeti i PD-së në gjyq për mashtrim”- është titulli më i shpeshtë i këtij lajmi në gazeta e portale të ndryshme në vitin 2012. Pra kushdo që nuk e njeh historinë e tij, rrugëtimin e tij në biznes, kapërcimin në politikë, arsyet e mbylljes së kompanive të tij ka në dorë të krijojë opinionin rreth tij vetëm nëpërmjet këtyre lajmeve e kronikave.

“Kur po kthehesha në atë kohë në shtëpi më merr gruaja e shqetësuar në telefon dhe më pyet se ku isha”-tregon ai.

“I thashë që jam në makinë dhe për 10 minuta mbërrij”. Mirëpo ajo ishte shqetësuar së tepërmi sepse shikonte lajmet në titra në një televizion ku ishte shfaqur  një lajm aspak i vërtetë sikur  ish-deputeti Sami Gjergji ishte arrestuar ndaj dhe më kishte telefonuar- sqaron ai.

E vërteta është se në sajë të padisë së bankës gjyqi u zhvillua në tre shkallë dhe  biznesmeni del i pafajshëm në të tre shkallët e gjyqësorit. Mirëpo ky fakt nuk reflektohet në të njëjtat media që vrapuan të jepnin lajmin negativ. Pra, kur menduan se  ishte i “fajshëm” e masakruan, kur doli realisht i pafajshëm  e harruan dhe nuk e njoftuan faktin e pafajsisë. Mirëpo cdo njeri në përgjithësi e sidomos biznesmenët në vecanti e kanë tepër të cmuar reputacionin individual. Sepse ai është kartvizita më e mirë për të bërë biznes. Në rastin konkret Sami Gjergjit ia cënuan reputacionin atëhere kur menduan se ai ishte fajtor për dicka që nuk ishte i tillë. Dhe kur më pas, askush nuk mori përsipër të sqarojë zhvillimet e mëvonshme, vendimet e gjykatave në të tre shkallët, që konkludonin se biznesmeni ishte i pafajshmëm.

Sami Gjergji është një nga rastet e shumta që vërteton prirjen e mediave shqiptare për të rendur pas lajmeve negative, dukuri kjo që buron nga psikologjia  sipas të cilës “lajmi i keq shet”. Por duke harruar  kostot e  e mëdha e të padrejta që krijon ky turravrap për ata që bëhen objekt i tyre. Kur zhvillimet e mëvonshme shkojnë në sens të kundërt me atë që kanë dhënë fillimisht, atëhere reflektimi i këtyre zhvillimeve në media duket si përgënjështrim që ata i bëjnë vetes.

 

SHPETIM LUKU/ Halli i madh i depozituesve shqiptarë

 

Pasi thithi edhe njëherë fort cigaren duke nxjerrë një shtëllungë të madhe tymi biznesmeni që po bisedonte me mua ndryshoi qëndrimin në karrigen e tij si të donte ti jepte më shumë seriozitet e solemnitet bisedës.

“Kam një hall të madh-filloi tregimin ai dhe kur pa habinë e madhe tek unë  nga pamundësia ime për të imagjinuar se cfarë halli mund të kishte ai, e për më tepër që mund ta ndihmoja unë, vazhdoi me sqarime të mëtejshme. “Kam disa lekë në bankë, por nuk dua ti lë sërish aty në gjendje të “fjetur”- tha ai. I paaftë për të gjykuar një biznesmen të suksesshëm, sipas botëkutimit të tij, e për më keq akoma, duke e shqyrtuar atë me metrin  tim- gabim i shpeshtë ky i shqiptarëve- i dhashë doza humori bisedës.

“Kështu halli pacin të gjithë”-i thashë. Mirëpo biznesmeni këmbënguli duke thënë se  halli që kishte  ishte vërtet i madh, pasi marrëdhënia me bankat nuk kishte asnjë interes. Ndaj ai dëshironte që këto para të “strehuara” në bankë ti investonte diku patjetër. Në ekonominë reale, në një biznes real. Pasi nuk bëhej fjalë për pak para, por për dhjetra milionë euro.

Që nga ky cast u bëra edhe unë serioz dhe jo vetëm e mirëkuptova biznesmenin që synonte t’iu jepte vlerë përdorimi dhe investimi parave të tij, por fillova njëkohësisht ta përfytyroj këtë problem tek të gjithë depozituesit shqiptarë. Prej disa vitesh përqindjet e interesit që ofrojnë bankat e nivelit të dytë janë ose zero ose të papërfillshme. Madje dikur një bankier i njohur shqiptar thoshte me zë të lartë e me prepotencë se “duhet të jenë depozituesit ata që duhet të paguajnë bankat për ruajtjen e parave të tyre”. Duke dëshmuar kështu se ishte partizan i interesave negative nga sistemi bankar. Dhe duke e reduktuar rolin e bankave karshi depozituesit vetëm në ruajtjen e parave, kurse përdorimin e tyre ta bëjnë vetëm në dobi të tyre. Ok, por problemi është se depozituesit shqiptarë nuk kanë asnjë mundësi investimi në mënyrë që të marrin dicka prej depozitave  dhe mos të rrijnë gjithë frikë prej gërryerjes së tyre nga inflacioni i përvitshëm. Apo më keq, nga kapërcimi i tij, sikurse ka ndodhur këtë vit.  Vetëm për shkak të efektit inflacion 10 mijë euro në vitin 2010 kanë patur vlerë më shumë se sa 15-16 mijë euro sot. Qytetarët e dijnë këtë, depozituesit në banka e kuptojnë këtë. Por kanë rënë në cark prej vitesh sepse nuk kanë ku të investojnë. Dhe kur themi investim nuk nënkuptojmë blerjen e pronave të paluajtshme sepse kjo nuk është e mundur nga të gjithë për vetë nivelet e ndryshme të depozitave që kanë individët. Por për investime në një treg  kapitalesh, e që në Shqipëri mungon. Ka mbetur një enigmë e madhe, por edhe dëshmie e fortë paaftësie e keqeverisjesh sistematike mosngritja e Bursës së Tiranës me kompanitë më serioze të listuara aty, të hapura karshi shitblerjes së aksioneve. Se pse nuk është ngritur ky institucion është një histori e gjatë që meriton gjithashtu një analizë të gjatë e të plotë, por fakti kryesor lidhet me karakterin informal të ekonomisë shqiptare dhe shkallën e lartë të korrupsionit që ka sunduar ndër vite. Mjafton të kujtojmë se mbi 1 miliardë euro kredi janë marrë nga sistemi bankar, prej bizneseve të ndryshme duke u gllabëruar e duke mos u kthyer më.  Mekanizimi biznesmen-vlerësues pasurie-staf menaxhues i bankave funksionoi për mrekulli dhe arriti ti zhvasë sistemit bankar shuma një shumë kolosale, e cila, pavarësisht se është fshirë nga regjistrat, sërish mbetet një shumë paraje e gllabëruar. Pra realiteti është se në Shqipëri Bursa mungon. Dhe në mungesë të saj, një pjese të depozituesve shqiptarë iu mbetet  ta drejtojnë vëmëndjen e tyre vetëmbrojtëse ndaj kursimeve të tyre  në drejtim të letrave me vlerë të qeverisë, obligacioneve me afat të ndryshëm maturimi të bankave. Por ka edhe më keq. Jo pak prej tyre i janë drejtuar ose tregut të fajdeve ilegale, duke rrezikuar shumë ose fondeve mashtruese të investimit që kanë mbirë kudo. Apo edhe monedhave të ndryshme virtuale. Kurse pjesa më e madhe e depozituesve është tërësisht e pafuqishme për të vepruar. Për të mbrojtur së paku paratë e tyre, pasi për rezultat pozitiv as që bëhet fjalë. Edhe pse kanë kohë që marrëdhënien me bankat e kanë testuar si të paleverdisshme, edhe pse e dinë që fuqia blerëse e parave të depozituara  është më e vogël nga njëri vit në tjetrin, prapë se prapë nuk kanë asnjë mundësi reagimi e korigjimi. Paratë e kursyera prej një jete racionale apo edhe veprimtarie të suksesshme në vend që të sjellin gëzim, sjellin shqetësim, ankth. Dhe paradoksalisht, sa më e madhe të jetë sasia e parave të depozituara, aq më i madh është shqetësimi. Duke iu rikthyer edhe njëherë rastit në fillim të shkrimit, kur takoheshim pas periudhave të ndryshme kohe me biznesmenin nga i cili morëm shkas, pyetja e zakonshme e imja kundrejt tij ishte: sa të është rritur halli? Sepse tashmë të kesh para në banka është vërtet hall.

 

“Lajthiza”, uji që shuan etjen e shqiptarëve

 

Gjatë vitit 2021 në sektorin e ambalazhimit të ujit u shtua një operator i ri, i cili deklaronte një investim të realizuar prej rreth 20 milionë euro. Është mëse e natyrshme që kur tregut i shtohet një operator i këtyre përmasave, shumë e përkthejnë si lajm të mirë për ekonominë dhe vërtet i tillë është. Pasi injektimi i miliona eurove në ekonomi ka impaktin e tij pozitiv ekonomik dhe social. Por ndërkohë është e natyrshme, e logjikshme që aktorëve të tjerë egzistues të këtij tregu ti rriten kokëcarjet dhe kokëdhembjet që vijnë nga situata e re që sjell një konkurent i ri, por i fortë, potencialisht. Sepse tregu ka një përmasë të caktuar dhe operatori i ri që futet në të do të kërkoj të marrë pjesë nga kompanitë egzistuese.  Mirëpo Presidenti i kompanisë “Lajthiza Invest” shfaqej tërësisht i pashqetësuar nga ky zhvillim i tregut 2021. Madje, edhe karshi lajmeve ditore të tipit “ nuk pashë më ujin tënd në x apo y local” ai i përgjigjej me humor: do të kthehen sërish tek “Lajthiza”. Dhe vërtet ashtu ndodhte brenda një kohe të shkurtër. Mënyra si përformoi kompania “Lajthiza Invest”, kompania që trajton dhe ambalazhon ujin e famshëm i dha të drejtë në mënyrën e perceptimit dhe të parashikimit të situatave Hajri Elezit.  Aktiviteti i “Lajthiza”-s jo vetëm që nuk është cënuar aspak nga shtimi i konkurencës, por përkundrazi ajo ka rritur edhe më tej fuqitë konkuruese në treg. Sepse aktiviteti i saj u rrit me afro 20 për qind, cka do të thotë se nga rreth 13.1 milionë euro që ishte ai në vitin 2020, në vitin 2021 ai shkoi në rreth 15.5 milionë euro. Me këtë volum aktiviteti, por edhe me disa tregues të tjerë që lidhen me të, sikurse numri i madh i punonjësve “Lajthiza” ishte sërish fituesja e luftës 1 vjecare në sektorin e ambalazhimit dhe tregtimit të ujit mineral

Kur biznesmeni Hajri Elezi filloi procesin e investimit në fshatin Lajthizë, me qëllim, ngritjen e një fabrike për trajtimin dhe amblazhimin e ujit dhe nxjerrjen e tij në treg, dy ndjenja më pushtuan në atë kohë. Ndjesia e parë ishte një gëzim i pamatë. Sepse, duke ditur që Shqipëria është një vend i pasur me ujëra – në bazë të statistikave është një ndër vendet më të pasura europiane me afro 13 mijë metra kub për frymë- më vriste sytë realiteti në treg. Pra ai realitet, ku shumica e kërkësa konsumatore për ujëra plotësohej nga produkte të importit, nga Italia, Greqia e deri nga Franca. Ky ishte një paradoks i madh, ky ishte një realitet i pakëndshëm dhe i papranueshëm. Ndaj, cdo përpjekje që synonte reduktimin e kësaj dukurie jopozitive ishte e shumëdëshiruar. Ofrimi në treg i një produkti “made in Albania” ishte përvecse veprim biznesi, edhe veprim patriotik. Të cilin Hajri Elezi e ndërmori në një situatë të vështirë, sikurse ishte periudha pas vitit të vështirë të 97-tës.

Mirëpo duke qenë se, sikurse thamë edhe më lart, thuajse e gjithë kërkesa konsumatore për ujë të pijshëm mineral plotësohej me produkt importi, ky lloj dominimi në treg më impononte një lloj pesimizmi për suksesin e nismave të reja vendase. Për pasojë edhe për nismën dhe investimin e Hajri Elezit. Ndërsa vitet kalonin dhe prania e ujit Lajthiza në treg sa vinte e rritej unë provoja “zhgënjimin” tim, për mosdaljen e parashikimeve të mia. Mirëpo është nga ato zhgënjimet pozitive, të cilat njeriu lut që ti ndodhin. Aktualisht, Lajthiza INVEST është kompania më e madhe e prodhimit të ujit të pijshëm. Dhe ky nuk është një konkluzion apriori, por ajo cfarë tregojnë shifrat e performancës gjatë vitit 2021 e që iu referuam më lart. Uji Lajthiza ka arritur të shkojë edhe në tavolinat e konsumatorëve të huaj si atij zviceran, britanik, të Emirateve të Bashkuara Arabe, pa llogaritur konsumatorin kosovar. Pra, brenda një harku kohor prej 20 vitesh, në saj të kompanive si Lajthiza, Shqipëria pësoi një metamorfozë të shumëdëshiruar ku kërkesa konsumatore për ujin plotësohet thuajse nga vendi, ndërkohë që një pjesë e tij edhe eksportohet.

Pas kaq vitesh aktivitet, fabrika e “vjetër”  e ka të pamundur për të plotësuar kërkesat gjithnjë e në rritje për ujin Lajthiza, ndaj investitori i saj, Hajri Elezi po përfundon edhe fabrikën e re me teknologjinë më bashkëkohore, cka do të rrisë mundësitë prodhuese të saj.

Sa herë që haset një histori suksesi, jo vetëm në biznes, por kudo, është e pashmangshme pyetja se kujt i dedikohet ajo? Me cfarë faktorësh shpjegohet ajo? Hajri Elezi vërtet e ndërtoi fabrikën e ujit Lajthiza në vitin 1999, por idenë për studimin dhe konkretizimin e saj e kishte nisur që në vitin 1996 nëpërmjet studimit të cilësisë së ujit të synuar. Dhe rezultatet e analizave që mori nga laboratorët e huaj me kredibilitet të fortë professional ishin befasuese edhe për vetë atë. Ishte i bindur në cilësinë e ujit që buronte nga Mali i Roshit, por analizat laboratorike në Itali, i përforcuan jo vetëm bindjet për ujin, por edhe për nevojën e nisjes së këtij biznesi. Uji, përvecse cilësor, rezultonte nga analizat edhe me përfitime të mëdha shëndetësore. Por nuk u mjaftua vetëm me cilësinë natyrale të ujit, por e përmirësoi atë edhe nëpërmjet një sistemi filtrimi nga më të përparuarit e kohës, cka e ka bërë “Lajthiza”-n një ujë tepër të lehtë. Megjithatë, sikurse thonte Peter Drucker,një economist i njohur austriako-amerikan “në një shërbim apo në një produkt, cilësia nuk është ajo që fusni ju në të, por ajo që klienti e konsumatori nxjerrin prej saj”. Që në rastin e Lajthizën do të thotë që produkti që nxjerrin konsumatorët e përditshëm nga shishet e madhësive të ndryshme është një produkt tejet cilësor. Koha që ka kaluar tregoi që uji Lajthiza e zgjeron praninë e saj në treg në mënyrë të vazhdueshme e sistematike. Ky produkt ka një tendencë të vecantë. Sepse konsumatorin egzistues e ruan, pikërisht prej magjisë së kontaktit të parë që ka patur  me të, ndërkohë që rritja i besohet konsumatorëve të rinj dhe eksportit.

Në tregun shqiptar janë afro 50 kompani që veprojnë në fushën e ambalazhimit dhe tregtimit të ujit, mirëpo është e qartë që fituesja e skeptrit të garës për vitin 2021 është padyshim Lajthiza. Lajthiza Invest është tashmë një kompani e bujshme në treg, mirëpo pas cdo bëme të bujshme qëndrosh veprimi i guximshëm i dikujt. Dhe në rastin konkret qëndron sipërmarrja e Hajri Elezajt. Që fare mirë mund ti adresonte energjitë e tij përpara mbi 20 viteve në sektorë të tjerë, por preferoi të ndërtojë një biznes të dobishëm në rang kombëtar, sikurse është  ambalazhimi dhe tregtimi i ujit të njohur “LAJTHIZA” me të cilin shuajnë etjen shumica e shqiptarëve

SHPETIM LUKU/ E rrënuan, e falimentuan, por biznesmeni i njohur po rikthehet

 

Ai është një nga njerëzit që e ka filluar biznesin ndër të parët. Pikerisht atëhere kur sapo nisën ndryshimet e sistemit në vitin 1990. Dhe nuk është se e filloi biznesin në mënyrë spontane, sipas parimit “merru me c’të të dalë përpara”, sikurse kanë startuar shumica e biznesmenëve. Të cilët të vetmen ide të qartë kishin synimin për të bërë 1 milionëshin e parë, kurse kristalizimin e ideve të biznesit do ti bënin me kalimin e kohës. Kurse Sami Gjergji e nisi udhën e gjatë të biznesmenit duke krijuar kompaninë e prodhimit të vezëve Floryhen. E ndihmoi disi edhe fati, pasi ndryshimet e mëdha historike të Shqipërisë e gjetën në krye të ish ndërmarrjes së shpendëve në Vrrinë të Durrësit. Ndaj, duke e privatizuar në bashkëpunim me investitorin italian Romualdo Monaldi, ata e ruajtën këtë ndërmarrje nga shkatërrimi dhe i dhanë asaj një impuls të madh  në kushtet e një sistemi të ri. Floryhen njohu disa kulme në aktivitetin e saj. Arriti të zotërojë deri në 40 për qind të tregut të vezëve në Shqipëri në saj të mbarështrimit me metoda bashkëkohore të afro 700 mijë krerëve. Arriti që të jetë kompania e parë shqiptare e këtij sektori me  kuota eksporti, e për këtë, një meritë të vecantë kishte edhe aksioneri Romualdo Mondaldo, pasi aktivitetet e tij në Itali kishin kërkesa për këtë produkt. Kurse biznesmeni Sami Gjergji do ti shtonte vetes edhe një aktivitet tjetër në sektorin e përpunimit të qumështit, fabrikën “Primalat”. Një fabrikë moderne, komplet e automatizuar e ku teknologjia u harmonizua me dijet dhe drejtimin kompetent  të profesor Vigan Dervishit, i cili la Francën për të ardhur në Shqipëri. Edhe “Primalat” e pati startimin të shkëlqyer. Konsumatori shqiptar i mirëpriti produktet e tij, ndërkohë që në saje të eksportit në tregun e Kosovës, ajo u bë një nga brandet kryesore të këtij tregu. Pas  shkëlqimit për biznesmenin Sami Gjergji do të vinin ditë të këqija. Fillimisht u ndanë aksionerët sipas një formule ku njëri kishte gjysmën e impiantit prodhues dhe aksioneri tjetër gjysmën tjetër. Njëri do të prodhonte vetëm për eksportin, kurse tjetri për tregun e brendshëm. Bashkëpunimi i përkryer, ai që kishte sjellë sukseset deri atë kohë ishte prishur. Edhe Primalati u vendos në epiqendër të goditjeve. Në Kosovë autoriteti përkatës e damkosi brandin Primalat si  të dëmshëm, pasi përmbajtja e Aflatoksinës ishte në nivele mbi normë. Pavarësisht se asgjë nuk ishte e vërtetë, paniku funksionon tek konsumatorët dhe ajo cfarë ndodhi me Primalat-in tregon se sa e brishtë është në përgjithësi industria ushqimore kundrej shpifjeve e spekulimeve që bëhen për arsye konkurence ose arsye të tjera në kurriz të saj. Nuk mbeti pas edhe shteti në kontributin e tij për rrënimin e të dy kompanive të mirënjohura në treg. Qindra milionë lekë ishte fatura e gjobave absurde, c’ka ishtë një barrë e rëndë oër kompani të tilla prodhuese që fitimet nuk i kanë të mëdha. Përfshirja në politikë në vitin 2005 e Sami Gjergjit, duke u zgjedhur deputet i Partisë Demokratike në atë kohë u kthye gjithashtu në një faktor dëmtues për kompanitë e tij, duke përforcuar kështu dukurinë. Pasi edhe biznesmenë të tjerë para tij që lanë biznesin për politikën i ka ndjekur thuajse i njëjti fat. Nga protagonistë të rëndësishëm të tregut përkatës, kompanitë e tyre kanë ardhur duke u  shuar apo kanë falimentuar.

Megjithatë, sikurse thotë një fjalë e urtë nga zona ku ka lindur Sami Gjergji, “nuk është turp të rrëzohesh, turp është të mos bësh përpjekje për tu ngritur”. Ndaj ai nuk është pajtuar me atë cfarë i ka ndodhur, nuk është dorëzuar, nuk e ka pranuar fatin e keq, por po bën të gjitha përpjekjet për tu futur sërish në gjirin e biznesit shqiptar. Po përpiqet me të gjitha mënyrat dhe mundësitë për të mos qenë thjesht një ish i shquar biznesi, por edhe personazh actual i tij. Ku? Në cfarë sektori? Në c’lloj biznesi? Askund tjetër, përvecse në sektorin që njeh më mirë. Atë të prodhimit të vezëve. Ka ngritur një kompani të re që quhet Coco Al, në Maminas, me dy kapanone, ku në njërën ka pulat për prodhim vezësh, kurse në tjetrën ato për prodhim mishi. Ky lloj aktiviteti nuk është fotokopje e atij të dikurshmit që dallon vetëm nga përmasat më të vogla, por është edhe më shumë i specializuar. Sepse pulat për vezë dhe ato për mish mbarështrohen në mënyrë natyrale, duke u lëshuar dhe ushqyer në ambiente të hapura. Qëllimi është që edhe produkti i përfituar dhe i ofruar në treg, të jetë produkt bio. Cocovenë dhe zogjtë e fshatit i gjen në disa supermarkete të rëndësishëm të qyteteve kryesore. Nuk mund të flasim akoma për tregues impresionues të aktivitetit, por e rëndësishme është se Sami Gjergji është rikthyer. E kaluara e tij ku suksesi dhe dështimi ishin të pranishëm, është një leksion që ai do ta sfrytëzojë më së miri duke eleminuar e mos përsëritur gabimet e së shkuarës.

Biznesmeni tregon mashtrimin ndaj qytetarëve krutanë

 

Nikolin Lleshi është një biznesmen i mirënjohur në sektorin e prodhimit të këpucëve, kompanitë e të cilit arrijnë të punësojnë mbi 1200 vetë. E ka nisur këtë biznes herët, duke qenë ndër të parët në këtë sektor. Nën pronësinë dhe menaxhimin e tij gjenden 4 fabrika këpucësh: ajo e Lacit, e Kamzës, e Vlorës( së fundmi aty u hap edhe një fabrikë tjetër e re në qendër të qytetit) dhe një në Gramsh. Thelbi i suksesit në një biznes qëndron tek aftësia për të ndërtuar një imazh dhe një reputacion që më pas të ndihmojnë në cdo kohë në ushtrimin e aktivitetit.  Por kohët e fundit ai është akuzuar nga disa qytetarë në media të ndryshme, të cilët pretendojnë se janë të mashtruar prej tij sa i takon një pallati që ky biznesmen ka ndërtuar në qendër të qytetit të Krujës. Po si qëndron e vërteta e kësaj historie?  Nikolin Lleshi ndjehet i preokupuar ta sqarojë me hollësi këtë histori, pasi mendon se prononcimet dhe pretendimet publike të disa qytetarëve e kanë cënuar në imazh dhe reputacion, për të cilat ka punuar aq shumë e që i ka aq të cmuar.

“Në vitin 2012 kam blerë një karabina pallati nga shtetasi Arben Kupi, me akte juridike përkatëse në prani të noteres Johana Kushe. Ndërtesa ishte e përbërë nga një kat parking, 4 kate njësi shërbimi dhe 10 kate banim”-fillon tregimin Nikolin Lleshi. “Pas realizimit të shitjes nëpërmjet kësaj kontrate shitësi Arben Kupi ka njoftuar palët kontraktuese për shitjen e objektit. Nga ana tjetër, nëpërmjet njoftimit notarial të gjithë palët janë vënë në dijeni të plotë se trualli dhe objekti mbi të cilin ishte bërë njoftimi karabina i janë shitur biznesmenit Nikolin Lleshi dhe se përgjëgjësia e drejtpërdrejtë sipas këtij njoftimii takon shoqërisë “Golden Shoe” dhe administratorit Arben Kupi dhe jo z. Nikolin Lleshi”.

Dhe si vazhdon më tej historia?

Historia më pas vazhdon me një kallëzim penal ndaj Arben Kupit në vitin 2015, për veprën penale të mashtrimit. Pas kallëzimit, Prokuroria e rrethit gjyqësor Krujë ka vendosur ta dërgojë për gjykim duke e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit”. Gjyata e ka marrë parasysh këtë kërkesë të Prokurorisë dhe me vendimin Nr 190,  datë 04.10.2016 ka shpallur fajtor Arben Kupin për veprën penale të mashtrimit duke e dënuar me 3 vite burgim. Përvec kësaj, ne vendimet e gjykatës është e shprehur qartë se ata qytetarë  janë mashtruar nga Arben Kupi dhe e gjithë përgjegjësia penale dhe civile i takon Arben Kupit-thotë Nikolin Lleshi

Po cila është përgjigja e biznesmenit Nikolin Lleshi kundrejt qytetarëve, të cilët pretendojnë që  kontratat e lidhura me Arben Kupin duhet të njihen prej tij?

Edhe këtë cështje e ka përcaktuar Gjykata e Apelit Tiranë-thotë Lleshi. Në vendimin nr 291, datë 15/02/2018 përmbushjen e detyrimit kontraktor të shtetases Elona Caushi nga shtetasi Arben Kupi dhe rrëzimin e kërkesë padisë për pjesën në object që duhet të përmbushet nga z. Nikolin Lleshi. Pra duket se nga ata qytetarë, të cilët pretendojnë transferimin e detyrimeve nga Arben Kupi tek Nikolin Lleshi ka qenë njëra prej tyre, e cila ka preferuar të ndjekë rrugën e vetme, atë ligjoren. Të njëjtën rrugë duhet të ndjekin edhe qytetarët e tjerë.

Por a i njeh biznesmeni Nikolin Lleshi qytetarët që u shfaqën në ekrane televizioni duke pretenduar se janë mashtruar prej tij?

As i njoh, as i kam takuar e kontaktuar kurrë as unë e askush tjetër i autorizuar prej meje-përgjigjet Nikolini. Duke shtuar se për ata shtetas që kanë mashtruar dhe kërcënuar publikisht atë dhe familjen e tij janë ndërmarrë hapat ligjorë duke i kallëzuar penalisht

Dy “mëkatet” e qeverisë kundrejt krizës

 

 

Një arsyetim i thjeshtë. Rritja e cmimit të energjisë elektrike dhe të karburanteve sjell  edhe rritjen e cmimeve të produkteve e shërbimeve.  Por ndërkohë, nevoja e bizneseve për të rritur cmimet e produkteve dhe shërbimeve të tyre në atë masë sa është edhe ndikimi i faktorit energji dhe karburante mund të përballet me refuzimin e klientit për këto produkte apo shërbime. Jo për arsye etiko-morale, por vetëm e vetëm për arsye ekonomike që lidhen me fuqinë e ulët blerëse të tij.  Me pamundësinë e tij për tu përballur me këto rritje ekstra. Kjo përkthehet pra në vështirësi të mëdha për biznesin, manovra kryesore e të cilit për të qenë konkurues është ulja e kostove dhe jo rritja e tyre. Cilindo biznesmen të pyesësh rreth vështirësive kryesore me të cilat has aktiviteti i tyre, e gjithë përgjigja konsiston vetëm në një drejtim: rritja e cmimit të energjisë elektrike dhe e karburanteve.  Në fakt janë dy drejtime, ku biznesi ka bërë përpjekjet përkatëse, duke ofruar alternative, të cilat në këto kohë krize do të ishin tejet të vlefshme dhe mundësi shumë të mira për të ulur kostot, por që fatkeqësisht nuk ka gjetur mirëkuptimin e qeverisë.Maxus KS

E para ka të bëjë me krijimin e kushteve ligjore që ato biznese që kanë mundësi të investojnë në panele diellore, me qëllim sigurimin e energjisë që ata vetë konsumojnë. Është e vërtetë që qeveria iu jep të drejtën për instalimin e disa paneleve me sasi të limituara prodhimi energjie, por kjo është  në kontradiktë me mundësitë që shumë biznese kanë dhe me totalin e energjisë që ata konsumojnë. E që kanë mundësi të vetë prodhojnë. Qoftë konsumatorët e mëdhenj industrial të energjisë e qoftë konsumatorë më të vegjël të saj janë të prirur të investojnë, me qëllim për të krijuar një pavarësi ndaj konjukturave të energjisë elektrike. Mirëpo, ajo cfarë jep e licenson qeveria është shumë e vogël në raport me nevojat dhe mundësitë që shumë biznese kanë. Shumë qeveri të vendeve të tjera kanë subvencionuar prej kohësh investimet për prodhim energjie me panele fotovoltaike dhe ky duhet të ishte një shembull inkurajues për qeverinë shqiptare.  E cila në të kundërt me praktikën e vendeve të tjera, pengon bizneset të investojnë vetë për të zgjidhur një herë e mirë problemin e tyre me energjinë elektrike. Për biznesmenin e mirënjohur Luan Leka kjo është e pashpjegueshme, e paarsyetueshme, e palogjikshme. Edhe Zef Shtjefni, një biznesmen prodhimi tullash dhe konsumator i madh industrialienergjisë elektrike e ka identidikuar vetësigurimin e energjisë elektrike nëpërmjet panaleve fotovoltaikë si një mundësi shumë të mirë pë ti siguruar biznesit vazhdimësi konkuruese. Megjithatë qeveria justifikohet, por pavarësisht justifikimeve me detaje teknike të OSHEE-së, e vërteta është se nëse bizneset do të lejoheshin të mbështeteshin në “forcat e veta”, sa i takon sigurimit të energjisë elektrike, atëhere edhe presioni i kësaj krize globale do të ishte më i zbutur në shqipër për produkte të caktuara.

Aspekti i dytë lidhet me përpjekjet thuajse zero për ndërtimin e infrastrukturës së automjeteve elektrike. Ndërsa vende të ndryshme kanë strategji të qartë për të arritur brenda një periudhe të caktuar zëvëndësimin e mjeteve konvencionale me ato elektrike, në Shqipëri ka në kontradiktë të spikatur midis pranisë së këtyre mjeteve dhe infrastrukturës përkatëse. Përllogaritjet tregojnë se për kompani të ndryshme biznesi, vecanarisht ata që përdorin me intensitet ditor një numur të madh automjetesh elektrike, investimi për zëvëndësimin e flotës së tyre të automjeteve është mëse i përligjur. Sepse në harkun e 2.4-3 viteve automjetet llogaritet të shlyejnë veten e tyre. Disa kompani e kanë bërë këtë veprim, duke u treguar më largpamëse e sot, nuk iu mbetet gjë tjetër vecse të shijojnë frutet e largpamësisë së tyre. Por edhe lehtësimin e dhimbjeve të kokës krahasuar me konkurentët e tyre. Por qeveria duhet të kishte marrë masa me kohe për të ndërtuar bazën ligjore dhe infrastrukturën përkatëse, në mënyrë që mungesa e saj të mos kthehej në një shkak ngurrimi për ata që duan të reduktojnë kostot e tyre duke gjetur alternative të tjera. Më efektive dhe më miqësore ndaj ambientit.

E sigurtë është se nëse qeveria do të kishte vepruar me vendosmëri, pa shpërfillje e justifikime, sot situata do të ishte disi më e lehtësuar.