SHPETIM LUKU/ Halli i madh i depozituesve shqiptarë

 

Pasi thithi edhe njëherë fort cigaren duke nxjerrë një shtëllungë të madhe tymi biznesmeni që po bisedonte me mua ndryshoi qëndrimin në karrigen e tij si të donte ti jepte më shumë seriozitet e solemnitet bisedës.

“Kam një hall të madh-filloi tregimin ai dhe kur pa habinë e madhe tek unë  nga pamundësia ime për të imagjinuar se cfarë halli mund të kishte ai, e për më tepër që mund ta ndihmoja unë, vazhdoi me sqarime të mëtejshme. “Kam disa lekë në bankë, por nuk dua ti lë sërish aty në gjendje të “fjetur”- tha ai. I paaftë për të gjykuar një biznesmen të suksesshëm, sipas botëkutimit të tij, e për më keq akoma, duke e shqyrtuar atë me metrin  tim- gabim i shpeshtë ky i shqiptarëve- i dhashë doza humori bisedës.

“Kështu halli pacin të gjithë”-i thashë. Mirëpo biznesmeni këmbënguli duke thënë se  halli që kishte  ishte vërtet i madh, pasi marrëdhënia me bankat nuk kishte asnjë interes. Ndaj ai dëshironte që këto para të “strehuara” në bankë ti investonte diku patjetër. Në ekonominë reale, në një biznes real. Pasi nuk bëhej fjalë për pak para, por për dhjetra milionë euro.

Që nga ky cast u bëra edhe unë serioz dhe jo vetëm e mirëkuptova biznesmenin që synonte t’iu jepte vlerë përdorimi dhe investimi parave të tij, por fillova njëkohësisht ta përfytyroj këtë problem tek të gjithë depozituesit shqiptarë. Prej disa vitesh përqindjet e interesit që ofrojnë bankat e nivelit të dytë janë ose zero ose të papërfillshme. Madje dikur një bankier i njohur shqiptar thoshte me zë të lartë e me prepotencë se “duhet të jenë depozituesit ata që duhet të paguajnë bankat për ruajtjen e parave të tyre”. Duke dëshmuar kështu se ishte partizan i interesave negative nga sistemi bankar. Dhe duke e reduktuar rolin e bankave karshi depozituesit vetëm në ruajtjen e parave, kurse përdorimin e tyre ta bëjnë vetëm në dobi të tyre. Ok, por problemi është se depozituesit shqiptarë nuk kanë asnjë mundësi investimi në mënyrë që të marrin dicka prej depozitave  dhe mos të rrijnë gjithë frikë prej gërryerjes së tyre nga inflacioni i përvitshëm. Apo më keq, nga kapërcimi i tij, sikurse ka ndodhur këtë vit.  Vetëm për shkak të efektit inflacion 10 mijë euro në vitin 2010 kanë patur vlerë më shumë se sa 15-16 mijë euro sot. Qytetarët e dijnë këtë, depozituesit në banka e kuptojnë këtë. Por kanë rënë në cark prej vitesh sepse nuk kanë ku të investojnë. Dhe kur themi investim nuk nënkuptojmë blerjen e pronave të paluajtshme sepse kjo nuk është e mundur nga të gjithë për vetë nivelet e ndryshme të depozitave që kanë individët. Por për investime në një treg  kapitalesh, e që në Shqipëri mungon. Ka mbetur një enigmë e madhe, por edhe dëshmie e fortë paaftësie e keqeverisjesh sistematike mosngritja e Bursës së Tiranës me kompanitë më serioze të listuara aty, të hapura karshi shitblerjes së aksioneve. Se pse nuk është ngritur ky institucion është një histori e gjatë që meriton gjithashtu një analizë të gjatë e të plotë, por fakti kryesor lidhet me karakterin informal të ekonomisë shqiptare dhe shkallën e lartë të korrupsionit që ka sunduar ndër vite. Mjafton të kujtojmë se mbi 1 miliardë euro kredi janë marrë nga sistemi bankar, prej bizneseve të ndryshme duke u gllabëruar e duke mos u kthyer më.  Mekanizimi biznesmen-vlerësues pasurie-staf menaxhues i bankave funksionoi për mrekulli dhe arriti ti zhvasë sistemit bankar shuma një shumë kolosale, e cila, pavarësisht se është fshirë nga regjistrat, sërish mbetet një shumë paraje e gllabëruar. Pra realiteti është se në Shqipëri Bursa mungon. Dhe në mungesë të saj, një pjese të depozituesve shqiptarë iu mbetet  ta drejtojnë vëmëndjen e tyre vetëmbrojtëse ndaj kursimeve të tyre  në drejtim të letrave me vlerë të qeverisë, obligacioneve me afat të ndryshëm maturimi të bankave. Por ka edhe më keq. Jo pak prej tyre i janë drejtuar ose tregut të fajdeve ilegale, duke rrezikuar shumë ose fondeve mashtruese të investimit që kanë mbirë kudo. Apo edhe monedhave të ndryshme virtuale. Kurse pjesa më e madhe e depozituesve është tërësisht e pafuqishme për të vepruar. Për të mbrojtur së paku paratë e tyre, pasi për rezultat pozitiv as që bëhet fjalë. Edhe pse kanë kohë që marrëdhënien me bankat e kanë testuar si të paleverdisshme, edhe pse e dinë që fuqia blerëse e parave të depozituara  është më e vogël nga njëri vit në tjetrin, prapë se prapë nuk kanë asnjë mundësi reagimi e korigjimi. Paratë e kursyera prej një jete racionale apo edhe veprimtarie të suksesshme në vend që të sjellin gëzim, sjellin shqetësim, ankth. Dhe paradoksalisht, sa më e madhe të jetë sasia e parave të depozituara, aq më i madh është shqetësimi. Duke iu rikthyer edhe njëherë rastit në fillim të shkrimit, kur takoheshim pas periudhave të ndryshme kohe me biznesmenin nga i cili morëm shkas, pyetja e zakonshme e imja kundrejt tij ishte: sa të është rritur halli? Sepse tashmë të kesh para në banka është vërtet hall.

 

Recent Posts

Kur shteti të humb edhe vitet e punës si zv.Mini
L.M  është një qytetar dhe ekonomist i njohur tiranas, i cili një pjesë të madhe të karrierës së tij e ka shpenzuar si zyrtar korrekt e i ndershëm në institucione të ndryshme shtetërore....
October 24, 2024 Read More
Ish-emigranti biznesmen që eksporton gjysmën e p
Shumica e biznesmenëve që kanë sot pozita të forta dhe dominuese në biznesin shqiptar janë bërë të tillë nëpërmjet një rrugëtimi që ka nisur në fillim të viteve 90-të. Pra, atëhere ...
October 16, 2024 Read More
Zotëria i turizmit!
Fatos Cerenishti njihet tashmë nga të gjithë si pionieri i turizmit shqiptar. Por fillimet e tij në biznes i ka në sektorin e ndërtimit. Pra në atë sektor që ka qenë dhe vazhdon të mbetet b...
October 10, 2024 Read More
SHPETIM LUKU/ “Më të Mirët” realizuan 13 mi
Ja ku erdhi edhe edicioni i 21-të i Botimit Kombëtar “Biznesi Shqiptar: Më të mirët 2024”. Cdo botim i ri është një përforcim edhe më i madh i traditës që ka krijuar tashmë ky botim u...
September 23, 2024 Read More
Papërgjegjshmëria që “mbron” konsumatorin d
Pronari i një rrjeti të njohur supërmarketesh nxorri telefonin nga xhepi dhe i telefonoi drejtorit të përgjithshëm të kompanisë së tij, për ti transmetuar urdhrin për të hequr nga supermar...
September 11, 2024 Read More
Conad merr vendimin e rëndësishëm
Kompania e njohur Conad Albania ka marrë së fundmi një vendim të ëndësishëm. I gjithë rrjeti i saj i dyqaneve nuk do jetë më me metodën franchising. Pra bazuar edhe në një partneritet me ...
July 26, 2024 Read More