Para pak ditëve u bë publik rasti i arrestimit të një pronari portali, i akuzuar se i kishte vendosur “gjobë” një qytetari. Në fakt, dukuria e gjobave financiare nga portale të ndryshme është kthyer prej kohësh në një realitet pothuajse të pranuar pa debat. Vetë pronarë portalesh, kur përplasen mes tyre, akuza kryesore që shkëmbejnë është ajo e “gjobaxhiut”.
Në një treg ku qarkullojnë mbi 900 portale, nuk është e vështirë të kuptohet pse “gjobat” ndaj individëve apo bizneseve janë shndërruar për disa prej tyre në burimin kryesor të të ardhurave. Pyetja themelore, megjithatë, nuk është pse disa portale veprojnë në mënyrë kriminale, pasi kjo është e qartë, por pse pala tjetër pranon të paguajë.
Çfarë i shtyn njerëzit ti nënshtrohen shantazhit? Po flasim për rastet kur pretendohet për shpifje e trillime, jo kur historia e treguar nga portali është e vërtetë.
Një biznesmen i njohur më telefonoi një ditë i shqetësuar për një shkrim që ishte botuar për të. Më tha se asgjë nga ajo që ishte shkruar nuk ishte e vërtetë.
“Atëherë pse shqetësohesh?”, e pyeta.
“Nuk shqetësohem për përmbajtjen, por për faktin që mbetet në internet. Hajde pastaj dhe shpjegoju njerëzve, partnerëve, bankave…”
Thelbi i frikës së tij pra nuk ishte shpifja, por gjurma dixhitale. Reputacioni ndërtohet ngadalë: me punë, korrektesë, investime dhe kohë. Por mund të dëmtohet menjëherë nga një titull i trilluar, i hedhur në rrjet pa përgjegjësi.
Një tjetër biznesmen, për gati 25 vite lider në sektorin e tij me rreth 40 për qind të tregut përkatës ku vepronte, falimentoi për arsye të ndryshme. Sot, po të kërkosh emrin e tij në internet, rezultati kryesor nuk është historia e suksesit të tij për vite me radhë, por një padi bankare. Nga ndërtues fabrikash dhe krijues vendesh pune, ai u shndërrua online në “mashtrues kredish”.
“Është e tmerrshme të të reduktohet vlera e jetës tënde profesionale në një titull të vetëm”, më tha.
Këtu qëndron çelësi i problemit: frika nga deformimi publik i identitetit. Jo nga e vërteta, por nga mënyra se si e pavërteta fiksohet në kujtesën digjitale.
Prandaj paguhet gjoba. Jo sepse është e drejtë, por sepse është më e lirë se lufta me shpifjen. Jo sepse njerëzit besojnë portalin, por sepse nuk besojnë më se e vërteta ka forcë korrigjuese. Jo pse ndihen fajtorë, por sepse ndihen të pambrojtur.
Në këtë kuptim, gjoba nuk është thjesht shantazh financiar. Ajo është shfrytëzim i një dobësie kolektive: mungesës së besimit se reputacioni mbrohet me ligj dhe jo me para.
Dhe këtu lind paradoksi që portali gjobaxhi jeton nga frika e atyre që kanë ndërtuar diçka reale. Ndërsa ata që kanë prodhuar vlerë, punë dhe pasuri reale, detyrohen të mbrohen nga titujt bosh.
Kjo nuk është më vetëm çështje etike apo profesionale. Është çështje kulture juridike dhe shoqërore: a do të vazhdojmë të paguajmë për të fshirë shpifjen, apo do të kërkojmë që shpifja të ndëshkohet?
Sepse në fund, problemi nuk është pse disa portale gjobisin. Problemi i vërtetë është pse ne kemi pranuar që reputacioni të mbrohet me para dhe jo me të drejtë.