Kompania“Lajthiza”, pasuria kombëtare që impresionoi Presidentin Begaj

Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një vizitë në kompaninë Lajthiza. Fillimisht, kjo vizitë mund të jetë konceptuar si një nga ato aktivitetet e zakonshme që projekton dhe organizon stafi presidencial. Por ballafaqimi i Presidentit me realitetin e Lajthizës e impresionoi aq shumë, sa ai u shpreh se “ajo që po shoh është e paimagjinueshme për nga përmasa e investimit; kjo është pasuri e vërtetë kombëtare”.

Dhe vështirë se mund të ndodhte ndryshe. Lajthiza është tashmë një realitet që lë pa mend këdo që ka pasur rastin ta vizitojë nga afër. Një kronikë televizive apo edhe një emision i dedikuar mund të krijojë një ide të përgjithshme, por nuk arrin të përcjellë emocionin dhe impresionin që shoqëron çdo vizitor kur përballet drejtpërdrejt me atë që është ndërtuar aty.

Imagjino: në majë të malit, atje ku kalon rruga e vjetër për në Kukës, ku dikur udhëtari ndjente një lloj lehtësimi sepse “gjysma e të keqes” kishte kaluar, Hajri Elezaj pa një mundësi. Dhe duke investuar vit pas viti, me këmbëngulje dhe vizion, ai ndërtoi atë që shumica as nuk do ta imagjinonin dot.

Sot, Lajthiza nuk është thjesht një fabrikë uji dhe pijesh freskuese që shpërndan produktet e saj nga maja e malit në çdo cep të Shqipërisë dhe në shumë vende të botës. Nuk është vetëm historia e suksesit e një sipërmarrësi, as thjesht një certifikim i vizionit të Hajri Elezajt. Lajthiza është shumë më tepër se kaq.

Ajo është, siç e cilësoi edhe Presidenti Begaj, një pasuri e vërtetë kombëtare. Është dëshmi konkrete e asaj se çfarë do të thotë të përdorësh burimet natyrore me përgjegjësi dhe në dobi të të gjithëve. Sepse me aktivitetin e kompanisë Lajthiza kanë lidhur fatin e tyre, drejtpërdrejt apo tërthorazi, mbi një mijë familje.

Dhe kur kujton se shumica prej tyre janë nga zona që shumëkush i konsideron të vështira edhe për t’u vizituar një herë, e jo më për të jetuar e për të ndërtuar të ardhmen, atëherë përmasa e Lajthizës si pasuri kombëtare bëhet edhe më e qartë. Edhe më e plotë.

Lajthiza nuk është thjesht një investim i madh; ajo është një model. Një provë se zhvillimi nuk vjen domosdoshmërisht nga qendrat urbane, por mund të nisë edhe nga maja e një mali, nëse ka vizion, këmbëngulje dhe besim se Shqipëria ka pasuri reale për të ndërtuar të ardhmen e saj.

KORPORATA ATLAS E DREJTUAR NGA DERVISH DOMI FESTON SUKSESIN E 2025

Korporata Atlas, me një ceremoni elegante në Tiranë, ka mbyllur një vit të suksesshëm ku morën pjesë partnerë, përfaqësues të grupeve më të mëdha të biznesit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, punonjës, gazetarë, etj. Presidenti i Korporatës Atlas, Dervish Domi, mikpritësi i këtij eventi, ka falënderuar parnerët, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, nga Italia në Turqi, si dhe bashkëpunëtorët dhe punonjësit për sukseset e përbashkëta në vitin 2025.

“Mirënjohje të gjithë bashkëpunëtorëve tanë, brenda dhe jashtë vendit, pjesëmarrës në këtë rrugë që shtruam së bashku drejt suksesit. Punë tona të mira do të vijojnë” tha ndër të tjera Z. Domi.

Një prezantim i detajuar i punës së kompanive, Atlas Mills, Ola Foods, Besniku Shpk, Atlas Development dhe Atlas Energy, është bërë nga Z. Aurel Domi, zv/Presidenti i Korporatës Atlas dhe njëherazi drejtuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe eksporteve. “Ky ka qenë viti i punës dhe investimeve të mëdha. Kemi rritur kapacitetet e prodhimit, për të përballuar kërkesën në rritje dhe për të hyrë në tregje të reja. Kemi zgjeruar pikat e distribucionit tonë, duke e çuar produktin më pranë klientëve tanë. Kemi investuar tek ekipet tona, sepse e dimë se teknologjia modernizohet,  por janë njerëzit që e bëjnë atë të funksionojë.” tha z. Aurel Domi në fjalën e tij.

Ai shtoi se në 2026:

• Do të vazhdojmë të rrisim kapacitetet e Atlas Mills.

• Do të zgjerojmë eksportet dhe bashkëpunimet ndërkombëtare.

• gjithshtu, vazhdojmë të forcojmë pozicionin e OLA-s në miell & pasta. 

•  Do të rrisim prezencën e Besnikut në treg.

• Do të zgjerojmë investimet në energji të gjelbër.

•  Dhe po punojmë për realizimin e Atlas Tower, një projekt që së shpejti do të zbukurojë Tiranën.

Sukseset e Korporatës Atlas gjatë vitit 2025 në Shqipëri dhe rajon, u kremtuan me një video përmbledhëse që tregonte qartë punën e palodhur.

Në vijim, me një ceremoni të posacme, u vlerësuan 8 punonjës të kompanive të Korporatës Atlas, për kontributin dhe punën e çmuar ndër vite. Ky vlerësim u është dhënë nga Presidenti i Atlas Corporation, Z. Dervish Domi. Vlerësimi i punonjësve, është një traditë e hershme në Atlas, tashmë e pasuruar edhe me Titullin Atlas.

Këngëtarja e njohur e muzikës shqiptare Juliana Pasha, i dha hijeshi kësaj feste të Korporatës Atlas, duke sjellë ritme nga të gjitha trevat shqiptare. 

“KID-ALB” i Asllan Baraj, lider i qeramikës që ngjitet cdo vit më lart

 

 

KID Alb është shembulli i një kompanie prodhuese që nuk njeh kompromis me cilësinë dhe nuk nguron të investojë në të ardhmen. E pozicionuar si lider absolut në tregun e tullave dhe prodhimeve të qeramikës në Shqipëri, KID Alb përfaqëson një histori suksesi që ndërtohet mbi menaxhim efikas, teknologji moderne dhe angazhim të pandërprerë për përmirësim.

Me një qarkullim vjetor pa TVSH prej rreth 13 milionë euro gjatë vitit 2024, kompania shënoi një normë fitimi para tatimit prej 30%, duke dëshmuar për një performancë të shkëlqyer financiare. E veçanta është se kjo rritje nuk ka ardhur thjesht nga zgjerimi i tregut, por nga investime të vazhdueshme – mbi 750 mijë euro të reja vetëm gjatë vitit që lamë pas – të cilat kanë rritur kapacitetin dhe standardin e prodhimit.

KID Alb mban sot rreth 70% të tregut të përgjithshëm vendas në sektorin e tullave, një dominim i qartë që tregon jo vetëm për përmasat e aktivitetit të saj, por edhe për besimin që tregu ka ndërtuar ndaj saj. Të gjitha kompanitë e tjera të këtij sektori ndajnë pjesën e mbetur të tregut.

Raporti 70:30 mes shitjeve në tregun vendas dhe atij të jashtëm është tregues i një pozicioni të konsoliduar brenda vendit dhe një pranie gjithnjë e më të qëndrueshme në eksport, ndërkohë që “kali i betejës” së kompanisë mbetet cilësia superiore e produkteve. Aq shumë është identifikuar cilësia me emrin e kompanisë, sa në zhargonin e përditshëm produkti i saj është bërë sinonim me vendndodhjen – “tulla e Maminasit” – një etiketë spontane që flet shumë më tepër se çdo reklamë.

Një tjetër tregues i maturisë dhe qëndrueshmërisë së kompanisë është edhe shlyerja brenda afatit e një kredie të konsiderueshme bankare, marrë për themelimin e aktivitetit. Ky është një mesazh i qartë për investitorët dhe sektorin bankar: KID-ALB është një emër i besueshëm dhe afatgjatë në industrinë shqiptare.

Kompania numëron rreth 110 punonjës dhe përveç kontributit të rëndësishëm në punësim, ajo përfaqëson një model të suksesshëm të industrisë që bashkëjeton në harmoni me mjedisin. Pavarësisht se është një objekt industrial, KID Alb nuk ka asnjë ndikim negativ në zonën ku është ndërtuar, falë investimeve të posaçme në standarde mjedisore dhe teknologji të pastra.

Përballë disa akuzave të pabazuara për ndotje mjedisore nga disa grupe që pretendojnë të jenë ambientalistë, drejtuesi i KiD-Alb, z. Asllan Baraj, ka reaguar në mënyrë shembullore duke ngritur ngjitur me fabrikën një agro-fermë model. Në një sipërfaqe prej mbi 1000 metrash katrorë serë dhe disa dynymë tokë të hapur, kultivohen një sërë produktesh bujqësore 100% bio. Agroferma përfshin gjithashtu edhe sektorin e blegtorisë me mbarështim të deleve, dhive dhe lopëve. Ky investim i mirëfilltë është dëshmi e qartë se veprimtaria industriale e KiD-Alb nuk ndikon në mjedisin përreth, duke e kthyer kështu kompaninë në një shembull unik të bashkëjetesës së industrisë me natyrën.

Tregues i vizionit largpamës të krijuesit të saj, z. Asllan Baraj, është edhe zgjerimi i aktivitetit përtej tullës masive, me ndërtimin e një fabrike të re për prodhimin e tullave dekorative. Ky investim, i ngritur paralelisht me një fabrikë që tashmë funksionon shumë mirë, e forcon dukshëm perspektivën afatgjatë të kompanisë. Ai e çon KID Alb në nivelin e një kombinati të mirëfilltë qeramike, në përputhje me trendet moderne të ndërtimit, dhe njëkohësisht do të ketë ndikim pozitiv në ekonominë shqiptare përmes zëvendësimit të importeve të padobishme në këtë segment.