Siguria ushqimore që nuk u bë lajm!

 

 

Luis Ndreka është një djalë shumë i mirë, një nga djemtë e Arben Ndrekës, themeluesit të kompanisë “Lufra Foods”. I angazhuar që në moshë fare të re në punët e kompanisë, sot Luisi është një nga drejtuesit kryesorë të saj, duke dëshmuar kështu jo vetëm rrugën e duhur të ndjekur, por edhe gatishmërinë e brezit të dytë për të marrë stafetën e biznesit familjar.

Para disa ditësh, ai kishte bërë një shënim domethënës lidhur me një veprim konkret të “Lufra Foods”, e cila kishte refuzuar të merrte qumështin e disa fermerëve, pasi analizat kishin treguar prani të Aflatoksinës. Pyetja që ngrinte Luisi ishte po aq e thjeshtë sa edhe shqetësuese: përse një veprim i tillë, në mbrojtje të drejtpërdrejtë të konsumatorit, nuk gjeti gatishmëri për t’u shpërndarë nga shumica e mediave, ndërkohë që kur bëhet fjalë për shpifje apo akuza pa bazë, të gjithë vrapojnë për t’i shumëfishuar ato?

Është e nevojshme të ndalemi pak këtu. Është e vërtetë që tregu shqiptar i mallrave të konsumit të përditshëm mbetet problematik dhe shpesh i shoqëruar me manovra të ndryshme mashtruese ndaj konsumatorit. Po aq e vërtetë është edhe se kredibiliteti i institucioneve që kanë për detyrë mbrojtjen e konsumatorit nuk është në nivelin e dëshiruar. Si rrjedhojë, në opinionin publik është krijuar perceptimi se tregu shqiptar është një “xhungël” e vërtetë, ku mbizotëron pasiguria.

Ky ankth kolektiv shprehet më së miri në pyetjen që çdo konsumator ia bën vetes pothuajse çdo ditë: çfarë po hamë?

Por, sikurse e kam theksuar edhe herë të tjera, pasiguria dhe dyshimi nuk duhet të adresohen në mënyrë të verbër, e aq më pak ndaj kompanive të mëdha, të cilat operojnë prej dy apo tre dekadash në treg, me aktivitete të specializuara dhe me një reputacion të ndërtuar me mund e djersë. Reputacion ky që konkretizohet në besnikërinë e vazhdueshme të konsumatorëve ndaj produkteve të tyre.

Pikërisht për këtë arsye, reputacioni është pasuria e vërtetë e një kompanie, dhe asnjë kompani serioze nuk do ta vinte atë në rrezik për asnjë çmim. Kthimi mbrapsht i sasive të qumështit te fermerët për shkak të pranisë së Aflatoksinës është një shembull i qartë që tregon se një kompani me reputacion funksionon si barriera e parë mbrojtëse për konsumatorin. Njëkohësisht, ajo shërben si disiplinuesi kryesor i partnerëve të zinxhirit të furnizimit, duke imponuar standarde reale të cilësisë së lëndës së parë.

Nga ana tjetër, ky veprim nxjerr në pah edhe një paradoks të madh: atë të të ashtuquajturit “qumësht fshati” apo qumështit spontan. Nëse qumështi i fermave të strukturuara ka gjasa të rezultojë me Aflatoksinë dhe për këtë arsye refuzohet, përse supozohet se i njëjti rrezik nuk ekziston për qumështin që shitet në bidona, në rrugë apo derë më derë? Çfarë mekanizmi kontrolli e garanton atë produkt?

Këtu rikthehemi edhe njëherë te roli thelbësor seleksionues dhe garantues që luajnë kompanitë e mëdha në treg. Mjafton të sjellim ndër mend mënyrën se si funksionon tregu i eksportit të frutave dhe perimeve drejt Bashkimit Europian: kompanitë grumbulluese nuk mund të pranojnë produkte me cilësi të diskutueshme, sepse ato u kthehen mbrapsht në derë nga blerësi final.

E njëjta logjikë vlen edhe për tregun vendas. Pa kompani të forta, me standarde të qarta dhe me përgjegjësi reale, konsumatori mbetet i pambrojtur. Dhe pikërisht për këtë arsye, veprime si ai i “Lufra Foods” jo vetëm që duhen bërë, por duhen edhe bërë publikë si shembuj pozitivë, jo si lajme të bezdisshme për t’u anashkaluar.

 

Kujdes, është koha të mendojmë për pensionin.

 

Intervali kohor 1997–2008 më gjeti duke punuar si gazetar në disa gazeta të pavarura të kohës, të cilat ishin themeluar ose financoheshin nga biznesmenë. Një nga temat me të cilat nuk “ngopesha” kurrë së trajtuari ishte puna e zezë, e cila në atë periudhë kishte arritur kulmin e saj.

Të etur për fitime të mëdha, mospagimi i sigurimeve shoqërore për punonjësit ishte një nga format më kriminale të rritjes së fitimit. Në atë kohë pata një bashkëpunim të ngushtë me Ilia Telon, një ekspert i mirëfilltë i çështjeve sociale. Duke i rrahur vazhdimisht këto tema, sidomos bombën sociale që po përgatitej në ato vite dhe që sot ka shpërthyer në trajtën e pensioneve të ulëta, edhe mua më pushtoi alarmi për një perspektivë jo të mirë në këtë drejtim.

E dija mirë që shumë pronarë mediash nuk u paguanin gazetarëve sigurimet shoqërore. Edhe për veten i njihja disa “gropa” në marrëdhënien me sigurimet, ndaj ishte dhe mbetet e qartë se edhe unë, kur të vijë koha, do të kem probleme në këtë aspekt. Do ta verifikoj edhe vetë, në formën e kostos që do të paguaj në të ardhmen, tradhtinë që sistemi i medias shqiptare u ka bërë punonjësve të saj.

Por, për të reduktuar sadopak këto pasoja, kam ndërmarrë një hap të rëndësishëm. Një hap që ua sugjeroj të gjithë gazetarëve që punojnë sot në median shqiptare dhe atyre që do të punojnë nesër. Kam hapur një llogari në një institut pensioni privat, në Sigal, me objektivin për të arkëtuar aty 200 mijë lekë në vit.

Sigurisht, ky është një hap i vonuar nga ana ime, pasi duhej ta kisha ndërmarrë shumë më herët. Por gazetarët më të rinj duhet t’i thonë vetes çdo ditë: është koha të mendojmë për pensionin.

Ndarja e një shume mujore për një pension privat nuk është luks. Është akt mbijetese. Është disiplinim i detyruar në një shoqëri që i ka relativizuar shpenzimet e kota, por ka normalizuar varfërinë në pleqëri.

Kur kryetarin e një Shoqate Veteranësh e ftuan një herë përpara një auditori të rinjsh dhe e pyetën se çfarë do të bënte ndryshe sikur të ishte sërish i ri, ai u përgjigj:

“Sikur të isha edhe një herë i ri, do të mendoja më shumë për pleqërinë.”

Mesazhi është i qartë. Çdo moshë ka dëshirat e veta, sfidat e veta, kostot e veta dhe faturat e veta. Ndarja e një shume të caktuar mujore për një pension privat është, ndër të tjera, edhe një akt disiplinimi financiar, duke shmangur shpenzimet që nuk janë prioritare.

Çdo fazë e jetës duhet jetuar me dinjitet. Dhe nuk mund të ketë dinjitet atëherë kur, në një moshë kur ke kohë me bollëk, nuk ke mundësi, sepse ke jetuar duke mos menduar se vjen një ditë dhe… plakesh.

SHPETIM LUKU/ Dhjetë idetë që lanë gjurmë në biznesin shqiptar

 

Pas rënies së regjimit komunist, Shqipëria u fut në një udhëtim transformues, ku sipërmarrja private lindi si motori kryesor i zhvillimit ekonomik. Në tre dekadat e fundit, peizazhi i biznesit është rishkruar në mënyrë dramatike, nga tregjet e vogla dhe informale në sipërmarrje moderne dhe të suksesshme. Ky kalim jo vetëm që ka ndryshuar ekonominë, por ka krijuar edhe një shtresë të re inovatorësh dhe liderësh që guxuan të ndërtonin nga e para. Cilat ishin saktësisht idetë dhe sektorët që jo vetëm mbijetuan, por edhe u bënë shembuj frymëzues të suksesit? Si arritën disa sipërmarrje të kapnin momentin, duke shfrytëzuar nevojat e një shoqërie në ndryshim dhe duke thyer barrierat tradicionale? Në këtë shkrim, ne do të zbulojmë 10 ide të ndritura te biznesit, dhjetë ide me ndikim në Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit. Këto nuk janë thjesht kompani, por histori vizioni, kreativiteti, mirëmenaxhimi.

​1. Revolucioni i Telekomunikacionit dhe Dixhitalizimit

​Rrugëtimi i biznesit modern shqiptar nisi me nevojën për t’u lidhur me botën.

AMC (Albanian Mobile Communications): Si kompania e parë celulare në vend, ajo shënoi fillimin e epokës së komunikimit modern. Edhe pse nisi me kapital publik, privatizimi i saj  tregoi potencialin e jashtëzakonshëm të tregut shqiptar për teknologjinë e lartë.

Digitalb: Kjo ide revolucionarizoi mënyrën se si shqiptarët konsumojnë median. Duke krijuar platformën e parë dixhitale, Digitalb jo vetëm që ofroi cilësi transmetimi, por nxiti krijimin e një industrie të tërë të prodhimit të përmbajtjes televizive shqiptare.

Baboon: Duke reflektuar epokën e re të internetit, Baboon solli idenë inteligjente të “food delivery” përmes një aplikacioni. Ishte i pari që edukoi tregun me shitjet online për restorantet, duke u bërë pionier i e-commerce në shërbimet e përditshme.

​2. Pavarësia financiare dhe energjia e gjelbër

​Besimi te kapitali vendas dhe burimet e ripërtëritshme janë dy shtylla që i dhanë maturi ekonomisë sonë.

Banka Credins: Në një treg të dominuar nga gjigantë të huaj, krijimi i një banke me kapital tërësisht vendas ishte një akt guximi. Credins dëshmoi se ekspertiza shqiptare mund të ndërtonte institucione financiare solide, duke u kthyer në një nga bankat kryesore në vend.

Hidrocentrali i Ashtës: Ky projekt shënoi epokën e parë të hidrocentraleve private në Shqipëri. Duke thyer monopolin shtetëror, Ashta hapi rrugën për qindra investime të tjera private që sot garantojnë një pjesë të madhe të prodhimit të energjisë në vend.

Parku Fotovoltaik në Seman: Një bashkim vizionar i 6 biznesmenëve shqiptarë, ky park ishte ideja pararojë për energjinë diellore. Ai shërbeu si provë se energjia e gjelbër është e ardhmja dhe nxiti një valë të re projektesh fotovoltaike që po lulëzojnë aktualisht.

​3. Modeli i ri i konsumit dhe Turizmi elitar

​Ndryshimi i stilit të jetesës solli nevojën për qendra tregtare dhe hotele të standardeve ndërkombëtare.

QTU (Qendra Tregtare Univers): Hapja e QTU-së ishte një moment historik. Ishte qendra e parë që ofroi konceptin “gjithçka në një vend”, duke transformuar zakonet e blerjes dhe duke i hapur rrugë dhjetëra qendrave të tjera të kësaj natyre.

Hotel Melia: Ky investim në turizmin bregdetar vendosi një standard të ri luksi. Duke ndërtuar një strukturë me standarde elitare që tejkaloi çdo pritshmëri, Melia provoi se Shqipëria është gati për turizmin premium, duke shërbyer si model për investitorët e tjerë.

​4. Kthimi te toka dhe turizmi i specializuar

​Inovacioni i fundit vjen nga gërshetimi i traditës me shërbimet moderne.

Mrizi i Zanave: Një ide brilante që revolucionarizoi agroturizmin. Si pionier i konceptit “nga ferma në tryezë”, ky biznes u bë modeli dhe katalizatori i qindra investimeve të tjera rurale në Shqipëri. Ai dëshmoi se produkti lokal, i paketuar me vizion dhe cilësi, mund të kthehet në një magnet turistik global.

Brianza Dent: Kjo klinikë modeloi e para shërbimin e saj drejt turizmit dentar. Duke kombinuar profesionalizmin me çmimet konkurruese, ajo hapi një rrugë të re eksporti për shërbimet mjekësore shqiptare, duke tërhequr mijëra pacientë të huaj çdo vit.

​Këto 10 ide biznesi tregojnë se suksesi në Shqipëri nuk ka qenë produkt i rastësisë, por i vizionit për të parë mundësi aty ku të tjerët shihnin vështirësi. Nga teknologjia dhe energjia, te tregtia dhe agroturizmi, këta sipërmarrës kanë shërbyer si katalizatorë të zhvillimit, duke treguar se ideja e duhur mund të ndryshojë faqen e një sektori apo ekonomie të tërë.