Kujdes, është koha të mendojmë për pensionin.

 

Intervali kohor 1997–2008 më gjeti duke punuar si gazetar në disa gazeta të pavarura të kohës, të cilat ishin themeluar ose financoheshin nga biznesmenë. Një nga temat me të cilat nuk “ngopesha” kurrë së trajtuari ishte puna e zezë, e cila në atë periudhë kishte arritur kulmin e saj.

Të etur për fitime të mëdha, mospagimi i sigurimeve shoqërore për punonjësit ishte një nga format më kriminale të rritjes së fitimit. Në atë kohë pata një bashkëpunim të ngushtë me Ilia Telon, një ekspert i mirëfilltë i çështjeve sociale. Duke i rrahur vazhdimisht këto tema, sidomos bombën sociale që po përgatitej në ato vite dhe që sot ka shpërthyer në trajtën e pensioneve të ulëta, edhe mua më pushtoi alarmi për një perspektivë jo të mirë në këtë drejtim.

E dija mirë që shumë pronarë mediash nuk u paguanin gazetarëve sigurimet shoqërore. Edhe për veten i njihja disa “gropa” në marrëdhënien me sigurimet, ndaj ishte dhe mbetet e qartë se edhe unë, kur të vijë koha, do të kem probleme në këtë aspekt. Do ta verifikoj edhe vetë, në formën e kostos që do të paguaj në të ardhmen, tradhtinë që sistemi i medias shqiptare u ka bërë punonjësve të saj.

Por, për të reduktuar sadopak këto pasoja, kam ndërmarrë një hap të rëndësishëm. Një hap që ua sugjeroj të gjithë gazetarëve që punojnë sot në median shqiptare dhe atyre që do të punojnë nesër. Kam hapur një llogari në një institut pensioni privat, në Sigal, me objektivin për të arkëtuar aty 200 mijë lekë në vit.

Sigurisht, ky është një hap i vonuar nga ana ime, pasi duhej ta kisha ndërmarrë shumë më herët. Por gazetarët më të rinj duhet t’i thonë vetes çdo ditë: është koha të mendojmë për pensionin.

Ndarja e një shume mujore për një pension privat nuk është luks. Është akt mbijetese. Është disiplinim i detyruar në një shoqëri që i ka relativizuar shpenzimet e kota, por ka normalizuar varfërinë në pleqëri.

Kur kryetarin e një Shoqate Veteranësh e ftuan një herë përpara një auditori të rinjsh dhe e pyetën se çfarë do të bënte ndryshe sikur të ishte sërish i ri, ai u përgjigj:

“Sikur të isha edhe një herë i ri, do të mendoja më shumë për pleqërinë.”

Mesazhi është i qartë. Çdo moshë ka dëshirat e veta, sfidat e veta, kostot e veta dhe faturat e veta. Ndarja e një shume të caktuar mujore për një pension privat është, ndër të tjera, edhe një akt disiplinimi financiar, duke shmangur shpenzimet që nuk janë prioritare.

Çdo fazë e jetës duhet jetuar me dinjitet. Dhe nuk mund të ketë dinjitet atëherë kur, në një moshë kur ke kohë me bollëk, nuk ke mundësi, sepse ke jetuar duke mos menduar se vjen një ditë dhe… plakesh.