Siguria ushqimore që nuk u bë lajm!

 

 

Luis Ndreka është një djalë shumë i mirë, një nga djemtë e Arben Ndrekës, themeluesit të kompanisë “Lufra Foods”. I angazhuar që në moshë fare të re në punët e kompanisë, sot Luisi është një nga drejtuesit kryesorë të saj, duke dëshmuar kështu jo vetëm rrugën e duhur të ndjekur, por edhe gatishmërinë e brezit të dytë për të marrë stafetën e biznesit familjar.

Para disa ditësh, ai kishte bërë një shënim domethënës lidhur me një veprim konkret të “Lufra Foods”, e cila kishte refuzuar të merrte qumështin e disa fermerëve, pasi analizat kishin treguar prani të Aflatoksinës. Pyetja që ngrinte Luisi ishte po aq e thjeshtë sa edhe shqetësuese: përse një veprim i tillë, në mbrojtje të drejtpërdrejtë të konsumatorit, nuk gjeti gatishmëri për t’u shpërndarë nga shumica e mediave, ndërkohë që kur bëhet fjalë për shpifje apo akuza pa bazë, të gjithë vrapojnë për t’i shumëfishuar ato?

Është e nevojshme të ndalemi pak këtu. Është e vërtetë që tregu shqiptar i mallrave të konsumit të përditshëm mbetet problematik dhe shpesh i shoqëruar me manovra të ndryshme mashtruese ndaj konsumatorit. Po aq e vërtetë është edhe se kredibiliteti i institucioneve që kanë për detyrë mbrojtjen e konsumatorit nuk është në nivelin e dëshiruar. Si rrjedhojë, në opinionin publik është krijuar perceptimi se tregu shqiptar është një “xhungël” e vërtetë, ku mbizotëron pasiguria.

Ky ankth kolektiv shprehet më së miri në pyetjen që çdo konsumator ia bën vetes pothuajse çdo ditë: çfarë po hamë?

Por, sikurse e kam theksuar edhe herë të tjera, pasiguria dhe dyshimi nuk duhet të adresohen në mënyrë të verbër, e aq më pak ndaj kompanive të mëdha, të cilat operojnë prej dy apo tre dekadash në treg, me aktivitete të specializuara dhe me një reputacion të ndërtuar me mund e djersë. Reputacion ky që konkretizohet në besnikërinë e vazhdueshme të konsumatorëve ndaj produkteve të tyre.

Pikërisht për këtë arsye, reputacioni është pasuria e vërtetë e një kompanie, dhe asnjë kompani serioze nuk do ta vinte atë në rrezik për asnjë çmim. Kthimi mbrapsht i sasive të qumështit te fermerët për shkak të pranisë së Aflatoksinës është një shembull i qartë që tregon se një kompani me reputacion funksionon si barriera e parë mbrojtëse për konsumatorin. Njëkohësisht, ajo shërben si disiplinuesi kryesor i partnerëve të zinxhirit të furnizimit, duke imponuar standarde reale të cilësisë së lëndës së parë.

Nga ana tjetër, ky veprim nxjerr në pah edhe një paradoks të madh: atë të të ashtuquajturit “qumësht fshati” apo qumështit spontan. Nëse qumështi i fermave të strukturuara ka gjasa të rezultojë me Aflatoksinë dhe për këtë arsye refuzohet, përse supozohet se i njëjti rrezik nuk ekziston për qumështin që shitet në bidona, në rrugë apo derë më derë? Çfarë mekanizmi kontrolli e garanton atë produkt?

Këtu rikthehemi edhe njëherë te roli thelbësor seleksionues dhe garantues që luajnë kompanitë e mëdha në treg. Mjafton të sjellim ndër mend mënyrën se si funksionon tregu i eksportit të frutave dhe perimeve drejt Bashkimit Europian: kompanitë grumbulluese nuk mund të pranojnë produkte me cilësi të diskutueshme, sepse ato u kthehen mbrapsht në derë nga blerësi final.

E njëjta logjikë vlen edhe për tregun vendas. Pa kompani të forta, me standarde të qarta dhe me përgjegjësi reale, konsumatori mbetet i pambrojtur. Dhe pikërisht për këtë arsye, veprime si ai i “Lufra Foods” jo vetëm që duhen bërë, por duhen edhe bërë publikë si shembuj pozitivë, jo si lajme të bezdisshme për t’u anashkaluar.