Kompania“Lajthiza”, pasuria kombëtare që impresionoi Presidentin Begaj

Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një vizitë në kompaninë Lajthiza. Fillimisht, kjo vizitë mund të jetë konceptuar si një nga ato aktivitetet e zakonshme që projekton dhe organizon stafi presidencial. Por ballafaqimi i Presidentit me realitetin e Lajthizës e impresionoi aq shumë, sa ai u shpreh se “ajo që po shoh është e paimagjinueshme për nga përmasa e investimit; kjo është pasuri e vërtetë kombëtare”.

Dhe vështirë se mund të ndodhte ndryshe. Lajthiza është tashmë një realitet që lë pa mend këdo që ka pasur rastin ta vizitojë nga afër. Një kronikë televizive apo edhe një emision i dedikuar mund të krijojë një ide të përgjithshme, por nuk arrin të përcjellë emocionin dhe impresionin që shoqëron çdo vizitor kur përballet drejtpërdrejt me atë që është ndërtuar aty.

Imagjino: në majë të malit, atje ku kalon rruga e vjetër për në Kukës, ku dikur udhëtari ndjente një lloj lehtësimi sepse “gjysma e të keqes” kishte kaluar, Hajri Elezaj pa një mundësi. Dhe duke investuar vit pas viti, me këmbëngulje dhe vizion, ai ndërtoi atë që shumica as nuk do ta imagjinonin dot.

Sot, Lajthiza nuk është thjesht një fabrikë uji dhe pijesh freskuese që shpërndan produktet e saj nga maja e malit në çdo cep të Shqipërisë dhe në shumë vende të botës. Nuk është vetëm historia e suksesit e një sipërmarrësi, as thjesht një certifikim i vizionit të Hajri Elezajt. Lajthiza është shumë më tepër se kaq.

Ajo është, siç e cilësoi edhe Presidenti Begaj, një pasuri e vërtetë kombëtare. Është dëshmi konkrete e asaj se çfarë do të thotë të përdorësh burimet natyrore me përgjegjësi dhe në dobi të të gjithëve. Sepse me aktivitetin e kompanisë Lajthiza kanë lidhur fatin e tyre, drejtpërdrejt apo tërthorazi, mbi një mijë familje.

Dhe kur kujton se shumica prej tyre janë nga zona që shumëkush i konsideron të vështira edhe për t’u vizituar një herë, e jo më për të jetuar e për të ndërtuar të ardhmen, atëherë përmasa e Lajthizës si pasuri kombëtare bëhet edhe më e qartë. Edhe më e plotë.

Lajthiza nuk është thjesht një investim i madh; ajo është një model. Një provë se zhvillimi nuk vjen domosdoshmërisht nga qendrat urbane, por mund të nisë edhe nga maja e një mali, nëse ka vizion, këmbëngulje dhe besim se Shqipëria ka pasuri reale për të ndërtuar të ardhmen e saj.