Grabitesit e “panjohur” te bankave

Kredia problematike arrin nivelet shqetësuese. Si është krijuar ajo? Si ka funksionuar trekëndëshi vlerësues-biznesmenë –staf menaxhues i bankave? Dhe si koston e jokorrektëve e paguajnë korrektët?!

 

Nga Shpëtim Luku

Pronarit të një fabrike të tullave në Shqipëri i ra fati i keq sepse inagurimi i investimit të tij korrespondoi me tre fabrika të tjera tullash të ndërtuara brenda atij viti. E keqja u bë edhe më e madhe se investimi i këtij biznesmeni, si dhe i kolegë-konkurentëve përfaqësonte një shtim të ofertës për këtë lloj produkti bazë të ndërtimit, ndërkohë që kërkesa kishte filluar rënien e ndjeshme. Në një situatë të tillë fataliste, ku fabrika ishte e falimentuar që në startin e saj, ky biznesmen gjeti një zgjidhje. Kundrejt parave cash filloi të shesë product me 18 cent copa, ndërkohë që kostoja e fabrikave të tjera analoge, me shumë vite në treg ishte 25 cent copa. Vecse kjo nuk ishte zgjidhja magjike për tu futur në treg. Të shesësh nën kosto nuk është  një praktikë e këshillueshme pune, por ama, për një biznesmen, i cili ndër 8 milionë euro gjithsej, dëshiron të marrë në mënyrë të shpejtë 2 milionë eurot e investuara prej tij, padyshim po. Në momentin që investimi personal futet në xhep, atëhere fabrikën le ta marrë banka. Fatkeqësisht, persona që kanë ecur e vepruar në biznes me të tilla llogari janë shumë në Shqipëri.

Disa vite më parë, atëhere kur termi i kredisë së keqe apo me probleme njihej vetëm nga specialistët dhe ekspertët e ekonomisë dhe kur problemi sapo kishte filluar të ngrinte kokë parashikova publikisht se ky tregues do ta kalonte 25 për qindëshin. Dhe nuk është se këtë parashikim e bëra mbi bazën e ndonjë formule të posacme. As edhe se kisha ndonjë të dhënë specifike nga të ashtuquajturat “statistika sekrete të bankave”. Por thjesht sepse, duke qenë në kontakt të përditshëm me realitetin ekonomik në përgjithësi e atë të biznesit në vecanti, kisha rënë në gjurmët e një fenomeni shumë negativ. Bankat ishin përcaktuar si institucioni i radhës për grabitje nga ana e personave të caktuar. Sistemi bankar ose më saktë kredidhënia ishte aspekti i radhës i konkretizimit të “kapitalizmit grabitqar shqiptar”. Pas grabitjes së pronave, pas piramidave që zhvatën e tjetërsuan 1.2 miliardë dollar, pas evazionit fiscal e kontrabandës i erdhi radha e bankave të kishin vëmëndjen  grabitqarëve. Tashmë që vërtet kredia me probleme e ka kaluar nivelin e 25 për qind dhe me këtë nivel Shqipëria i kalon të gjitha vendet e rajonit pyetja bazë që duhet bërë është kjo: cfarë i ka ndodhur objektivisht dhe specifikisht vendit tonë?

Ka ekonominë në krizë? Në krizë janë të gjitha vendet e rajonit. Ka rritje ekonomike të vogel? E tillë ka qenë ajo edhe në vendet e rajonit. Pse atëhere, Shqipëria ka një nivel kaq të lartë të kredisë me probleme? Tregues ky që pastaj ka frenuar bankat dhe i ka shndërruar ato nga institucione që duhet të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe rritje e PBB-së në institucione thjesht “strehuese parash?

Gjithcka pra lidhet me faktin se bankat gjatë procesit të seleksionimit të kandidatëve për kreditim kanë gabuar objektivisht dhe subjektivisht. Është e natyrshme që gjatë procesit të ketë edhe gabime që vijnë nga paaftësia, perceptimi e kalkulimet e gabuara,  gjykimi jo i thelluar mbi idenë e biznesit të paraqitur për mbështetje, mirëpo ajo që është e pafalshme lidhet me “gabimet me dashje”. Me ato “gabime” që kanë konkretizuar dhe ekspozuar korrupsionin në sistemin bankar. Me ato gabime që janë fryt i bashkëpunimit perfekt të një trekëndëshi  ku kanë bërë pjesë përfituesit e kredisë, vlerësuesit e kolateralit dhe stafi menaxhues i bankave. Gjetja e një prone si kolateral konform praktikës klasike bankare ishte detyra i personit kredikërkues. Ndërsa vlerësimi i egzagjeruar i pronës me qëllime përfitimi spekulativ ishte detyra e vlerësuesve të kolateraleve. Ndërkohë, analistët e kredisë dhe drejtuesit e bankave kishin për detyrë të mbyllnin sytë përballë fakteve të cuditshme si psh kur një pronë, e cila faktikisht mund të vlente 1 milionë euro ishte vlerësuar 4 milionë euro. E kështu, nëpërmjet kësaj mënyre të vepruari, nëpërmjet praktikave të rregullta formale,  u përgatit gradualisht ai fenomen, i cili sot është shqetësues për të gjithë. Për ekonominë në tërësi, sepse ajo nuk po merr impulse e duhura financiare, aq të nevojshme për zhvillimin ekonomik. Për biznesmenë të ndryshëm, të cilët, tashmë përballen me skepticizmin dhe ngurrimin e bankave, me  procedura tejet të shtrenguara prej tyre, pikërisht se këto të fundit reflektojnë pësimin e mëparshëm. Por edhe për atë kategori biznesmenësh që janë klientë korrektë të bankave, por që nëpërmjet korrektesës së tyre duhet të kompesojnë edhe deficitet e krijuara nga klientët jokorrektë. Vetë fakti që bankat shqiptare me afro 25 për qind të kredisë me problem regjistrojnë një fitim të përgjithshëm prej afro 65 milionë euro duket paradoksal, por që në fund të fundit shpjegohet edhe me përqindjet relativisht të larta të interest që ato aplikojnë për kreditë. Por edhe për vetë bankat moskthimi I kredive është një problem  madh pasi në kasafortat e të cilëve mungojnë shuma të konsiderueshme. Përfitimi i shumave të caktuara prej bankave ka qenë në jo pak raste qëllim në vetëvete , i realizuar me strategji nga ana e personave të caktuar. Nëse sot themi se kredia me probleme është mbi 25 për qind dhe kredia pa shpresë kthimi rreth 300 milionë euro, kjo më shumë se sa dështim objektiv në biznes është një grabitje e paramenduar e bankave. Edhe vetë bankat ato që tashmë janë të bindura për këtë mashtrim. Sepse prona, për të cilat dikur janë dhënë shuma të mëdha, nuk po arrijnë të rikthejnë prej nxjerrjes në shitje sa 20-30 për qind të saj. 13 milionë euro kredi në banka kam, të bëjnë ctë duan-thoshte diku në public një biznesmen. I cili në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrën më përfaqësuese të mundshme paramendimin dhe prapamendimin se si është vepruar me kredinë bankare. Grabitësit e bankave janë të njohur. Ato janë në mes nesh, hiqen biznesmene të nderuar, dihet me cmerren e crentabilitet kanë, egzistojnë në regjistrat bankarë në trajtën e personave që kanë shuma marramendëse detyrime por edhe paaftësi kthyese. Të njohur janë edhe për publikun prej përfoljeve e e perceptimeve. Por nëse janë të “panjohur” zyrtarisht, kjo i dedikohet vetëm “sekretit bankar”

Te falimentuar, por te pasur!!!

Të falimentuar, por të pasur!!

Si shpjegohet paradoksi: biznesmenë të dështuar, por njerëz të pasur?! Cilat janë mënyrat nëpërmjet të cilave është krijuar ky tip? Dhe si mund të veprohet që ai të vijë duke u rralluar e jo duke u masivizuar?!

 

Shpëtim Luku

 

Normalisht ata duhet të ishin njerëz fatkeqë, njerëz të dëshpëruar, të zhytur në halle të panumurta, njerëz që duhej ta vinin rrallë buzën në gaz prej së keqes që i ka gjetur. Duhet të ishin njerëz me lëvizje të kufizuara, njerëz të përndjekur nga ligji dhe institucionet përkatëse. Mirëpo, në të kundërt me këtë, ata janë persona të lumtur, plot gaz e hare, persona që shijojnë lumturinë e tyre, persona që demonstrojnë vetëkënaqësinë e tyre. Për faktin e thjeshte se, ndonëse aktvitetet me të cilat janë marrë kanë falimentuar, ata tashmë janë njerëz të pasur. Personi më domethënës dhe ilustruesi më i mirë i kësaj kategorie është Rezart Taci. Me tre kompani, në listën organeve tatimore prej 170 kompanish të falimentuara, ai sërish bëhet personazh nëpërmjet ekpit të Parmës në Itali. Një ekip Italian që ndodhet në vështirësi të mëdha financiare e Taci- sic thuhet e shkruhet ka blerë të drejtën për të investuar e menaxhuar atë.

Në realitetin e biznesit shqiptar personat që janë të falimentuar si biznesmenë, por që janë të pasur si individë janë të shumtë. Ata që i kanë mbyllur aktivitetet e tyre në saj të “falimentimit” janë më të dukshmit pasi ka edhe një kategori tjetër biznesmenësh, të cilët faktikisht janë të falimentuar nëse merr parasysh detyrimet që atyre iu duhet të përballojnë. Ndaj pa u zgjatur shumë të identikitin e këtij tipi biznesmeni, duhet thënë se tre janë mënyrat se si është krijuar njeriu që mishëron paradoksin: i falimentuar, por i pasur.

E para janë kreditë. Shumë nga këta persona rezultojnë me kredi të mëdha të marra në sistemin bankar. Nëse ky sistem kontabilizon sot rreth 1 miliard euro kredi të keqe, nga të cilat, mbi 300 milionë janë kredi pa shpresë kthimi, “personat e pasur, por të falimentuar” kanë një pjesë të madhe të tij. Nëse kemi thënë herë tjetër se në një farë mënyre kreditë e këqija janë në këtë nivel që janë, jo prej kalkulimeve të gabuara të bankës në tërësinë e saj, por si pasojë e funksionimit të trekëndëshit korruptiv: biznesmene-vlerësues pasurie-staf menaxhues i bankave, kjo do të thotë se ky tip biznesmeni ka qenë tejet aktiv në këtë veprimtari të dëmshme. Dhe kreditë e përfituara nga biznesmeni nëpërmjet pronave me vlerë të egzagjeruar nuk kanë bërë gjë tjetër vecse kanë fryrë llogaritë personale të tij. E gjithë kjo lloj marrëdhënie ka qenë e paramenduar. Në momentin e parë që ata do të ekspozoheshin përpara pamundësisë për të likujduar kredinë, bankat ishin të lira të vinin dorë mbi barrët hipotekore të tyre, vecse tashmë me vlerën që ia përcaktonte tregu e që afërmendsh është shumë herë më e ulët se sa kredia e akorduar.

Mënyra e dytë e krjimit të individit të pasur, por biznesmenit të falimentuar ka qenë mospagimi i detyrimeve fiskale. Ose e thënë ndryshe krijimi i borxheve tatimore e doganore. Në të gjitha rastet e deritanishme të falimentimit( flasim për subjekte me peshë) ka rezultuar se ata kanë arritur të akumulojnë detyrime të mëdha të papaguara kundrejt shtetit. Derisa ka ardhur një moment ku atyre më mirë iu ka leverdisur të mbyllin aktivitetin se sa të paguajnë atë detyrim të toleruar, sigurisht kundrejt korruptimit të atyre që e kanë lejuar. Ndaj, nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe asaj të Doganave për të bllokuar subjekte që rezultojnë debitorë karshi shtetit është një marrëveshje që duhet përshëndetur.

Mënyra e tretë, është krijimi i borxheve të mëdha tek të tretët. Një biznes realizohet nëpërmjet  një marrëdhënieje  me subjekte të tjera. Në Shqipëria ka egzistuar klima e mirëbesimit me hir apo pahir. Pra ka egzistuar kjo klimë edhe si rrjedhojë e cilësive individiale të drejtuesit të kompanisë, por edhe si pasojë e veshtirësive për treg të kompanive të ndryshme. Shembulli tipik janë kompanitë që funksionojnë në fushën e ndërtimit, ku pothuaj të gjitha ndërtimet realizohen nëpërmjet marrëdhënieve të tipit klering. Por ka edhe raste të shumta kur subjekte privatë kanë krijuar borxhe nga furnitorët e tyre publikë apo sic është rasti i një kommpanie ajrore të falimetuar, e cila krijuar borxhe të shumta nëpërmjet tarifave aeroportuale në një sërë aeroportesh të Italisë. Kur vjen koha kur “pilafi smban më ujë”, pra koha kur detyrimet duhen paguar sepse nuk lejohet më veprimtari e mëtejshme, atëhere veprimi i parë që i vjen ndërmend këtij tipi biznesmeni është që të deklarojë faliment të kompanisë. Por kjo sdo të thotë se ai tashmë është njeri i varfër. Fitimet klasike te siguruara nga aktiviteti i kompanisë përsa kohë spaguante detyrimet si dhe fitimet specifike nga mënyrat e lartpërmendura i kanë shndërruar tashmë ata në persona që fluturojnë në “qiellin e shtatë”. Që kjo kategori, të mos vijë duke u shtuar, por të rrallohet janë të nevojshme dy veprime. Së pari, respektimi me përpikmëri I ligjit të falimentit dhe moslejimi i detyrimeve të papaguara nga ana e shtetit dhe nga ana tjetër, lidhja e falimentit të subjektit me emrin e personit zotërues dhe të familjarëve të tij. Nuk po marrim shembull nga ndonjë vend i zhvilluar, por po shkojmë në Moldavi. Pra në një vend që për shqiptarët shërben gabimisht si shembull ngushëllimi i tipit: ka edhe më keq se ne. Në këtë ish-republikë ruse të falimentoje ishe një veprim me shumë pasoja sepse që nga casti i shpalljes së falimentit, pronari apo pronarët e kompanisë së falimentuar si dhe familjarët e tyre ishin në fokusin e institucioneve të ndryshme shtetërore për veprimet e mëtejshme të tyre.